Berisha: Objektivat ekonomikë për 4 vitet e ardhshme

Kryeministri Berisha paraqet para komunitetit të biznesit objektivat ekonomikë për 4 vitet e ardhshme
 
Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një takim me biznesmenë dhe përfaqësues të grupeve, shoqatave të biznesit, gjatë të cilit paraqiti objektivat fiskalë dhe ekonomike në katër vitet e ardhshme.

“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju siguroj se katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ky vend do të vazhdojë turravrapin e tij në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, në drejtim të një konkurrence më të lirë e më të ndershme me të gjithë potencialin e tij. Ky është në të vërtetë aspekti më i vështirë i kësaj gare.

Këto katër vite ne kemi transformuar klimën e biznesit. Këto katër vite ne shndërruam Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Këto katër vite ne instaluam ‘one stop shop’ për regjistrimin e biznesit, nga 42 ditë e zbritëm në gjysmë orë, hoqëm takimet tuaja të mundimshme dhe jo rrallë depersonalizuese me taksambledhësit, vendosëm taksën on line. Këtë vit ne jemi vendi i vetëm në botë, asnjë vend tjetër nuk është 100 përqind elektronik në prokurime si Shqipëria. Është rritur shumë pjesëmarrja në garë. Statistikat e fundit tregojnë se në çdo garë elektronike mesatarja është 5-6 pjesëmarrës dhe sërish do të rritet e do të përmirësohet. Unë ju garantoj se shumë shpejt të gjitha blerjet e kësaj qeverie, edhe ato të vogla,  të gjitha ankandet do të zhvillohen në mënyrë elektronike. Transparencë e plotë.

Ne kemi bërë një lëvizje të madhe të rëndësishme, në drejtim të heqjes së licencave dhe lejeve dhe ju siguroj se ka qenë një proces shumë i mundimshëm. Pasioni i burokratit për licencat është patologjik. Ju nuk mund të imagjinoni sa betejë është bërë, sa mbledhje dhe sa përcaktime për t’i nxjerrë ato nga duart e burokratëve. Sot, inauguruam Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, pasi kemi hequr dy të tretat e tyre. Kjo përbën një arritje shumë të madhe për Shqipërinë, me kusht që të shndërrohet në histori suksesi. Sot, Qendra ka ditën e parë, por unë ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ta shndërrojmë atë në një histori të vërtetë madhore suksesi. Ju siguroj se së shpejti do të krijojmë Qendrën Kombëtare, sportelin unik për energjinë. Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tëra pas kësaj apo asaj lejeje, ju siguroj se parimi ‘heshtja është miratim’ do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate. E nisëm me lejet e ndërtimit dhe këtë jo si një akt kundërshtie apo karshillëku ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës. Jo, por sepse praktikat e tij janë unike në botë. Ka vetëm tre vende në botë që mbajnë lejen e ndërtimit 333 ditë. Nuk ka vend në botë që kryetari i bashkisë t’i japë 70 përqind të lejeve dy kompanive, ndërkohë që janë 400 që punojnë. Ju garantoj se nuk ka, madje as i biri i Kim Il Jungut, kryetar bashkie i Phenian-it nuk e bën këtë. Edhe këtu u detyruam të ndërhymë me ligj, duke e zbritur në 45 ditë lejen e ndërtimit. Tani mbeten planet urbanistike. E konsiderojnë territorin plaçkë të tyre dhe kjo është e turpshme. Si mund të themi ne se po aplikojmë për në Bashkimin Europian, jemi anëtar i NATO-s dhe nuk bëjmë planin e rregullimit të territorit dhe këtë sepse duan ta ndajnë në llokma. Por ju siguroj se kjo do të marrë fund. Ligje, ligje dhe zbatim me rigorozitet i tyre.

Gjykata Administrative është jetike për ju. Në raportin burokrat-biznesmen, unë qëndroj në anën e biznesmenit. Unë jam i vetëdijshëm në çdo rast mbi arbitraritetet që ju imponohen nga burokratët. Por kjo nuk mjafton, duhet Gjykata, duhen gjykatësit që t’i vënë ‘kufirin tek thana’ qeverisë dhe burokratit. Ne bëmë ligjin më të mirë të mundshëm dhe ai do të kalojë. Unë ju garantoj se ligji i parë që do të kalojë në mandatin e ardhshëm do të jetë ligji i Gjykatës Administrative.

Ka edhe një fushë tjetër ku ne do të punojmë bashkërisht, fusha e konkurrencës. Ne kemi bërë hapa të mëdha në klimën e biznesit dhe tani do të punojmë me përkushtim të madh të rrisim në maksimumin e mundshëm, të ngremë në zenit lirinë e konkurrencës në këtë vend. Unë mendoj të kontraktoj një kompani. Për këtë kam filluar përpjekjet për të kontaktuar babin e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit Paul. Ai do të vijë në Shqipëri dhe do të punojmë bashkërisht. Shqipëria do të bëhet vendi i konkurrencës më të lirë. Janë në investim e sipër apo do të investohen 15 miliard euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliard euro. Shqipëria ka nevoja të pafundme. Ju e njihni më mirë. Ndaj ne nuk kemi asnjë instrument tjetër më të fuqishëm, sesa lirinë. Lirinë për ju, për veprimtarinë tuaj. Vitet që vijnë do të jenë vitet e përqendrimit total të qeverisë sime në zgjerimin dhe konsolidimin e lirisë së garës suaj, konkurrencës suaj.

Praktikat “një euro”, të cilat pati nga ata që i panë me skepticizëm në fillim, janë operative çdo ditë. Nuk e di nëse ka këtu, në sallë, ndonjë që ka përfituar prej tyre, por në Shqipëri ka shumë. Prandaj ftoj biznesmenët të bëjnë dhe të paraqesin projekte. Ne u qëndrojmë plotësisht dhe tërësisht zotimeve tona.

Do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm. Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash. Sikundër do bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera. Qeveria do të studiojë, duhet të hapet ndaj jush për këtë partneritet në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike.

Qeveria beson, unë besoj dhe jam i bindur në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në këtë krizë. Unë nuk them se nuk ka pasur pasoja, por, absolutisht, jemi shumë larg vendeve në krizë përsa i përket aspektit të krizës. Ne kemi një rënie të eksporteve  nga 5 deri në 8 përqind sipas muajit, por, nga ana tjetër, ne nuk kemi asnjë kokëdhimbje për buxhetin. Ne kemi të ardhura 8 apo 10 përqind më shumë, sesa vitin e kaluar. Performanca jonë e përbashkët fiskale, pasi nuk është vetëm e qeverisë, por edhe e juaja, ecën normalisht. Unë besoj sepse ne iu adresuam lirisë, më shumë se kushdo tjetër.

Ne kemi vendosur taksën e sheshtë. Unë në bindjen time më të thellë jam për taksat e ulëta. Në vitet ’95-’96, ai sistem i dha Shqipërisë rritje dyshifrore ekonomike. Sërish vitin e kaluar, 9 muajt e parë të tij ishin dyshifrore. Ne prapë do të shohim në çdo aspekt ku mund të ulen ato. Por për taksën e sheshtë ka një studim jashtëzakonisht të rëndësishëm të Oksfordit, të publikuar vjet, i bërë në 800 mijë sipërmarrje, të monitoruara për 10 vjet rresht. Kur krahason taksën marksiste progresive, e cila synon të godasë kapitalistët dhe taksën e sheshtë, e cila synon të zgjerojë lirinë ekonomike, në kundërshtim flagrant me dogmën socialdemokrate, Oksfordi fakton se përfituesit kryesor nga taksa e sheshtë janë direkt punëtorët, se për çdo dollarë të ulur të kësaj takse, 0.54 dollarë i kalojnë punëtorit ose pagë, ose shërbim, investim, zgjerim biznesit etj. etj. etj.. Kjo krizë ka krijuara një farë konfuzioni në botë, disa i rrisin taksat, disa i ulin, por ne do të vazhdojmë me uljen e tyre. Unë ju garantoj se ne do të vazhdojmë me uljen e tyre. Ky është zotimi im. Përsa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Europë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në Europë.

Duke përfunduar, ju siguroj se do të mbahet parasysh plotësisht çdo vërejtje apo sugjerim i juaji dhe në dialogun me ju, ne kemi faktorin më të rëndësishëm jo vetëm të hartimit, por edhe të korrigjimit të programit tonë, në mënyrë që ky vend të ecë me ritmet më të shpejta të mundshme. Faleminderit.” 
 

9 Komente

ky vend do të vazhdojë turravrapin e tij në drejtim...

A është e mundur që profesionistët e politikës të flasin një gjuhë korrekte, të formuluar në mënyrë tëtillë që ç'do fjali të jetë e tillë që të mund të citohet pa u turpëruar në ç'do ambjent?

Mbas 20 vjetësh në rangjet më të larta të politikës shqiptare, vazhdon e flet si e jëma e Zeqos akoma ky... katunarë do ngelemi gjithë jetën ne???

ju siguroj se parimi ‘heshtja është miratim’ do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate.

Pa dashur që të alludoj që kjo mënyrë pune mund të përdoret si një mundësi për të dhënë leje/liçenca të pashqyrtuara nga administrata personave të caktuar, për të përfituar një leje çfardo, edhe unë si qytetar i thjeshtë, do ta bombardoja administratën me 1000 kërkesa (e shumëzuar kjo me numrin e atyre që veprojnë si unë...) dhe ështëe pamundur që përgjigjen e kërkesës së njëmijtë të ma japin në kohë... nga ku, me të kaluar "afati" i mospërgjigjes, në bazë të "heshtja është miratim", unë hap fabrikën time të demontimit të predhave (disi larg Gërdecit, kuptohet).

Ky fjalim i Berishes eshte shume  "patetik"=pesues(po perdor dhe une fjalen me te fameshme te fushates zgjedhore)

kam vetem nje pyetje per kete teme. Nga salla ju shtrua ndonje pyetje kryeministrit??

 katunarë do ngelemi gjithë jetën ne???

Jo vallaj, katunar do ngelet aj si asht katunar! smiley

Ne sheherlia do bohemi katunare, e shku katunarit!

And I love it!

Me ter' men'!

Per ma shume informacion kqyr qi' tu'!

http://www.youtube.com/watch?v=cECl1umEeOQ

Për këtë kam filluar përpjekjet për të kontaktuar babin e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit Paul. Ai do të vijë në Shqipëri dhe do të punojmë bashkërisht.

 

per ke e ka fjalen???

Gre, mua më pëlqeu më tepër përdorimi i falës: babin (e kësaj doktrine), po sa e kisha shqrë si katunar dhe nuk mund ta shaja edhe si qytetar smiley

Seç me kujtoi E. Hoxhen me kete fjalim, veçse njeri ne kushtet e Socializmit dhe tjetri ne kushtet e Kapitalizmit. 

Mroklla:

Per ma shume informacion kqyr qi' tu'!

 Un e kqyra e m`pelqeu fort,katunar,bajraktar,jom krenar,rri me gra e punoj ne ar! Hajt,hajt s s`jam genjeshtar! jam krenar,katunar!

Mpelqeu fort humori  konga, ani pse asht me cifteli ,kom qesh e jom kenoq mroklle!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).