Berisha në Librazhd: Votoni numrin 10, që të ndiheni evropianë

Kryeministri Sali Berisha mblodhi mbrëmë në shesh mijëra qytetarë të Librazhdit para të cilëve zbardhi projektin e mandatit të dytë qeverisës dhe u kërkoi votat për numrin 10 në listën e 28 qershorit. Berisha u premtoi atyre se 4 vitet e ardhshme për shqiptarët, gjithçka do të jetë evropiane dhe se mandati i ri është vendimtare për ta që ndihen evropianë. I shoqëruar nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe kandidatët e tjerë të qarkut të Elbasanit, Kryeministri i ftoi librazhdiotët që t’i bashkëngjiten fitores së PD-së si alternativa më e mirë për të ardhmen e tyre. “Ashtu si Evropa, edhe Shqipëria më 29 qershor do të gdhihet blu. Ne duam me vete çdonjërin prej jush. Dua që së bashku të vazhdojmë ndryshimin. Më 28 qershor votoni numrin 10, votoni Partinë Demokratike, 10 është më e mira, 10 është shansi, 10 është e vërteta”.

Por kreu i qeverisë, mes thirrjeve të shumta për fitore, i bëri thirrje kryetarit të PS-së që të hyjë në garë pasi është gati të mbledhë në mënyrë urgjente Parlamentin. Por Berisha i vuri në dukje kundërshtarit politik se duhet të harrojë se mund të fitojë si në vitin 2007, me certifikata të falsifikuara. Z. Berisha akuzoi Ramën për aferat korruptive dhe se e quajti si rast edhe më të keq se kryetari i Bashkisë së Penianit. “Z. Edi Rama u thotë shqiptarëve se nuk do të votohem, sepse jam votuar në 2007-n. Po, zoti Rama, por nga viti 2007 e këtej ke mbledhur aq zhul sa as ujët e Shkumbinit nuk ta lan dot. Po, zoti Rama, sepse nga 2007-a je ti dhe vetëm ti që rezulton t’u kesh dhënë klaneve të tua, 70 për qind të lejeve të bashkisë. Këtë z. Rama, nuk e bën as djali i Kim Young Il, kryetari i Bashkisë së Phenianit. Vërtet ke marrë votat me certifikatat e falsifikuara në vitin 2007, por nga 2007-a dhe këtej shqiptarët nuk ta falin ty, tiranasit nuk ta falin ty, sepse ti ditën kur Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, i mashtrove ata dhe u the se Shqipëria nuk do të ftohet”, - tha z. Berisha.

Kryeministri i vuri në dukje se shqiptarët nuk t’ia falin qytezën Rama-Delijorgji, 52 pallate në qendër të Tiranës, pasi ata nuk i pranojnë këto standarde. Në një situatë të tillë, Berisha ka bindjen e plotë se shqiptarët do të dinë të zgjedhin rrugën drejt Evropës dhe jo kthimin mbrapa tek e shkuara që përfaqëson Edi Rama. Sipas tij, 4 vitet që vijnë do të jenë vendimtare që qytetarët e Librazhdit të kenë rrugë evropiane, të kenë furnizim me ujë evropian, të ketë rroga dhe pensione evropiane, të kenë punësim evropian, të shfrytëzojnë pasuritë e rrethit të tyre të mrekullueshëm për të mira materiale për vete dhe për mbarë shqiptarët. “Vitin e parë të mandatit tonë të dytë, premtimi im solemn në këtë shesh është lëvizja e lirë për ju dhe për mbarë shqiptarët”, - u shpreh z. Sali Berisha.

Duke u ndalur tek projekti konkret i qeverisë së djathtë, Kryeministri pohoi: “Me këtë projekt qeveria ime do të bëjë që Librazhdi dhe mbarë Shqipëria të kenë infrastrukturën rrugore që meritojnë. Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar se do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, rrugën Librazhd - Orenjë - Peshkopi, rrugën Qukës - Qafë-Plloçë, sikundër dhe çdo komunë të këtij rrethi do ta lidhim me rrugë të asfaltuara me rrugët kombëtare. Çdo fshat të këtij rrethi do ta lidhim me rrugë të asfaltuara me qendrat e komunave, në çdo shtëpi tuajën, kudo që jeni, ne do të garantojmë ujë të pijshëm 24 orë”. Z. Berisha garantoi se banorët e Librazhdit, shqiptarët evropianë, do të thotë punë dhe punësim duke përmendur: “Në katër vitet që vijnë, ne që punësuam 80 mijë qytetarë, do të punësojmë edhe 160 mijë të tjerë. Vetëm në rrethin tuaj janë në ndërtim e sipër apo do të ndërtohen rreth 80 hidrocentrale. Në hidrocentralet, në të gjithë Shqipërinë do të punësohen mbi 60 mijë qytetarë. Në rrugë, në infrastrukturë, në turizëm, në parqet industriale do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë”.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).