Banorët, ‘derman’ te doktori i kafshëve

Të mjekohesh nga veterineri?!

Kjo është alternativa e vetme për banorët e Vermoshit në Shkodër. Që prej shumë vitesh, 1200 banorë të kësaj zone janë të privuar nga shërbimi mjekësor. Mungesa e këtij shërbimi ka bërë që ata të kthejnë sytë nga veterineri, i cili mesa duket bën dy punë njëkohësisht; kujdeset për shëndetin e kafshëve por edhe për njerëzit. Ndërsa, mungojnë mjekët dhe infermierët, banorët trokasin tek veterineri.

Ky i fundit tashmë është "trajnuar" e kthyer në mjek dhe infermier për gjithë zonën. Situata absurde e trashëguar prej më shumë se dhjetë vitesh i ka lodhur banorët. Kërkesat për rikthimin e shërbimit mjekësor e për shumë probleme të tjera kanë rënë në vesh të shurdhër, ndaj ata nuk rreken të trokasin më kot dyerve të institucioneve shtetërore, për më tepër tani që jemi në fushatë elektorale. Prek Vata, një banor i zonës tregon se para 10 vitesh është bërë rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore në Vermosh, por tashmë nga kjo godinë nuk ka mbetur asgjë.

Ndërtesa është shkatërruar plotësisht, nuk i ka mbetur asgjë, veçse mure të rrënuara, çatia e rënë, nuk ka as dyer, as dritare. Fati i 1200 banorëve është në dorë të Zotit. Ata thjesht luten që të mos sëmuren. Në raste emergjente, shpëtimi i vetëm iu vjen nga Mali i Zi. Falë pikës kufitare të Bashkimit, banorët e Vermoshit mund të shkojnë për pak minuta në shërbimin mjekësor të zonës malazeze, aty ku nuk mungon mjeku dhe infermieri.

"Në kohën e Partisë së Punës, këtu ka pasur edhe spital me 21 shtretër. Ajo kohë mos ardhtë kurrë, por ama shërbimi mjekësor ka qenë i garantuar", - shprehet njëri nga banorët e zonës. Nga ana tjetër, banorët shprehen optimistë se më në fund është ndezur drita jeshile për ndërhyrjen në rrugë. Rreth 40 milionë lekë është fondi i dhënë për rrugën Hot-Tamarë, që është rreth 30 kilometra e gjatë. Ky segment rrugor, pjesë e Komunës së Vermoshit, pritet të përfundojë brenda tre muajve.

Sipas drejtuesve të Komunës së Shkrelit, mësohet se ky investim do të bëjë që rruga të shkurtohet rreth 7 kilometra. "Me përfundimin e këtij investimi, segmenti Hot-Tamarë do të jetë vetëm 23 kilometra dhe kjo për banorët e kësaj zone do të thotë shumë", - thotë kryetari i Komunës, Ndue Lelcaj. Mësohet se është hartuar dhe projekti për të gjithë aksin Hot-Vermosh, i cili kërkon një investim shumë të madh, aq më tepër që projekti ka parashikuar një rrugë dykalimshe, 8 metra të gjerë, të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në këto zona. Sipas drejtuesve të Komunës, është parashikuar që investimi në të gjithë rrugën të përfundojë brenda 3 viteve.

 

2 Komente

Ka shumë persona këtu tek Peshku që urrejnë kamunistat, bile, për të treguar që janë të djathtë, nuk ju ngelet vetëm të ulërasin duke treguar se sa e urrejnë të majtën.
Janë po ata, që ngazëllohen dhe ju gjen shpirti paqë e lumturi kur dëgjojnë fjalën RRUGË...
Jo se rruga në vetvehte është e panevojshme, përkundrazi, është e domosdoshme, por edhe të ngazëllehen vetëm se do ju shkojë kryetari që t'ju inaugurojë rrugën, ata janë gati që edhe bar të hanë e ...kamunistat duhet me i urrye.

Fakti që kanë ngelur në dorë të veterinerit, tregon se si e mendon për ta qeveria e "djathtë" që ata votojnë, e cila, thjesht, i konsideron:KAFSHË!

Mos artht ma ajo kohë, por spitalin e kishim... Tani do ja u bëjnë rrugën 7km më të shkurtër për të vajtur... në Mal të Zi...

Rroft partia desh me thanë...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).