Autostrada me letra

Të dielën, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa përuronte hapjen e tunelit të Kalimashit, premtoi se do ta vazhdojë projektin e homologut të tij, Sali Berisha, deri në kufi me Serbinë.

Megjithatë, derisa Shqipëria në fund të këtij muaji do ta lëshojë në qarkullim autostradën Durrës-Morin, autostrada në pjesën e Kosovës ende është në letër. Dy vëllimet me detajet e projektit ka dy vjet që rrinë në sirtarët e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës.

Vonesat në fillimin e ndërtimit të autostradës, ministri Fatmir Limaj i arsyeton me punët që po bëhen drejt përgatitjes së infrastrukturës ligjore. Mirëpo, ai mbetet pranë premtimit se autostrada do të nisë gjatë kësaj vere.

Edhe pse kjo ministri tashmë i ka të skicuara të gjitha detajet - urat, tunelet e pronat. Për segmentin prej Vërmicës deri në Prizren janë siguruar paratë për shpronësim dhe po përgatiten listat me emrat e pronarëve që kanë toka në zonat që janë shpallur me interes nacional. Por, ende nuk është bërë asnjë hap për fillimin e punimeve.

Zyrtarë të kësaj ministrie ende nuk e dinë saktësisht nga do të kalojë traseja e autostradës. Sipas projektit të hartuar, ajo duhet të kalojë nëpër tetë komuna dhe 66 zona kadastrale, në gjatësi prej 118 kilometrash. Me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë.

Ky projekt, sipas MTPT-së, ka nevojë për disa intervenime, për t’i evituar shpenzimet e larta në disa pjesë.

Nëse i përmbahet këtij projekti, segmenti i parë i autostradës, do të duhej të fillonte nga Vërmica në kufi me Shqipëri, nëpër fshatin Zhur, përskaj qytetit të Prizrenit dhe do të përfundonte në Suharekë. Kjo pjesë, që është ndarë si “Seksioni A”, ka 22.5 kilometra autostradë, e cila shkon larg rrugës aktuale, thotë zëvendësministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Adem Grabovci.

Ai thotë se janë marrë të gjitha masat që sa më parë të fillojë puna në këtë segment, por nuk përmend ndonjë datë të saktë se kur zyrtarisht do të fillojë gërmimi për ndërtimin e autostradës.

“Është kompletuar projekti për fillimin e punimeve. Është përgatitur elaborati për shpronësime dhe janë identifikuar pronarët e pasurive private që do të kompensohen”, pohon Grabovci.

Por, ende askujt nuk i është shpronësuar toka, edhe pse Komision i përbashkët i MTPT-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe i Komunës së Prizrenit është formuar tashmë dhe për këtë qëllim Qeveria ka ndarë 13 milionë euro.

Grabovci shpjegon se rrugët që po ndërtohen aktualisht në Kosovë nuk janë pjesë e autostradës, por vetëm autoudhë që lidhin qytetet mes vete.

“Traseja e re do të jetë dikah tjetër. S’ka lidhje më rrugët që po ndërtohen nëpër qytete”, tregon Grabovci.

Problemi më i madh, sipas tij, është në “Seksionin B”, që përfshin komunën e Suharekës, ku është pjesa më e vështirë e projektit të autostradës. Për shkak të terrenit, kryesisht te Qafa e Duhlës, Ministria po përpiqet ta ndryshojë kahen e trasesë.

Autostrada në këtë komunë kalon nëpër 8 zona kadastrale dhe përfshin 201 hektarë tokë që duhet shpronësuar. Përveç 20 urave, ajo do të ketë edhe tri tunele.

“Problemi te Suhareka duhet të analizohet ende, sepse çështja e tuneleve është tepër e kushtueshme”, thekson Grabovci.

Në projektin e hartuar tashmë, vetëm “segmenti B” do të kushtojë sa gjysma e autostradës. Kjo ka shtyrë Bankën Botërore që t’ia tërheqë vërejtjen Qeverisë së Kosovës që të shmanget nga terreni ku kërkohet hapja e tuneleve.

Pjesa tjetër e autostradës që kalon nëpër rrafshin e Kosovës, për MTPT-në është sfidë më e lehtë dhe nuk do të ketë ndryshime në kahen e autostradës.

Siç ka qenë e paraparë, nga Suhareka autostrada do të kalojë nëpër komunën e Shtimes, Lipjanit, Fushë-Kosovës, Prishtinës, Obiliqit dhe Podujevës.

Citat:

“Autostrada kalon dikah tjetër. Ajo s’ka lidhje më rrugët që tash janë në ndërtim”.

Adem Grabovci

Kostoja e rrugës

Tiranë, 1 qershor - Ende nuk dihet saktësisht sa do të kushtojë rruga Rrëshen-Kalimash, 60 kilometra e gjatë, e përbërë nga dy tunele. U nis me 418 milionë euro dhe variantet e ndryshme paraqesin një kosto finale përtej 1 miliard eurosh. Rruga që lidh Shqipërinë e Mesme me Kosovën, e më tej pjesën tjetër të Ballkanit, vazhdon të mbetet mister rreth situatës financiare. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi për mediat pak kohë më parë se rruga, pjesë e Durrës-Kukës, nuk do të kushtojë më shumë se 720 milionë euro. Opozita pretendon mbi 850 milionë euro, kurse prokuroria paralajmëron një total mbi 1 miliard euro. Organet kompetente deklarojnë paraprakisht se dëmi financiar shkaktuar buxhetit të sh. Sipas gazetës “Shqip”, mes qeverisë dhe kompanisë fituese amerikane-turke, "Bechtel & Enka" u nënshkrua kontrata më 6 tetor 2006, ku thuhej qartësisht se rruga 60 kilometra e gjatë, do të kushtojë 418 milionë euro. Duke iu paraprirë debateve për mungesë projekti, qeveria shtoi më pas, se te kostoja nuk ishte përfshirë TVSH-ja, gati 83 milionë euro.

4 Komente

Sa bukur kur  perdori fjalen AUTOUDHE ka lezet duhet me gjet edhe ne fjale shqiper per AUTO-STRADA ose SUPER-STRADA, AUTO-UDHE tingellon shume bukur

Edhe kerr-udhe mire tingellon

Per fat te mire ne Kosove jane me pak "modern" se sa ne Shqiperi.

Edhe AUTO-RRUGE do ishte shume ok.

Ajo qe me çuditi mua apo me tingelloi bukur ishte permendja e shpronesimeve, pra matja e metrave qe duheshin demshperblyer, jo si ne Shqiperi/Memedhimbje ku shum fshatare akoma nuk jane shperblyer per token qe shteti iu ka marre. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).