Apeli rrëzon pretendimet e banorëve për Kakomenë

Gjykata e Apelit të Tiranës rrëzon përfundimisht pretendimet e banorëve të fshatit Nivicë për pronësinë mbi zonën bregdetare të Kakomesë. Seanca e djeshme i dha fund procesit, ndërsa të njëjtën vendim mori 1 vit më parë dhe Gjykata e Rrethit të kryeqytetit. Vendimi i marrë dje pas disa seancash maratonë i hap rrugën investimit për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome, sipas projektit të paraqitur nga shoqëritë “Riviera” dhe “Club Med”.

Konflikti që u krijua mes shoqërive prestigjioze dhe banorëve të fshatrave pranë bregdetit të jugut bëri që punimet e firmës ndërtuese të bllokoheshin herë pas here, derisa çështja përfundoi në gjykata. Ky konflikt, i cili disa herë është shoqëruar me reagime të dhunshme nga banorët mbi mjetet e firmës dhe punonjësve të saj, ka nisur që prej vitit 2004, atëherë kur KRRTRSH miratoi lejen e ndërtimit të një nga fshatrave elitare turistik në zonën e Kakomesë. Ky ndërtim, pas incidenteve ku u përfshinë banorët, u bë objekt i shqyrtimit të Agjencisë Shtetërore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila konstatoi se trualli i pretenduar ka qenë gjithmonë pronë shtetërore.

Si prova janë shfrytëzuar dhe përfundimet e arritura në gjykimet e pasqyruara në vendimet e marra në fillim të shekullit të kaluar. Pikërisht Gjyqi Kolegjial Gjirokastër apo vendimi i Gjykatës së Diktimit, në vitet 1932 dhe 1934 vendosën të mos pranojnë kërkesën ankimore të banorëve të Nivicës. Sipas arkivit, të gjitha dokumentet e shqyrtuar nga Oborri Mbretëror dhe gjykatat shqiptare të së gjitha shkallëve të kohës së Monarkisë, ashtu si dhe sot, kanë konkluduar se pronar i vetëm i zonës është shteti shqiptar. Në botimet e asaj kohe rezulton se për shkak të humbjes së këtij konflikti me shtetin shqiptar disa nga banesat e ish-pretenduesve janë sekuestruar nga Zyra Përmbarimore e kohës dhe janë nxjerrë për shitje. Siç ndodhi rreth 70 vjet më parë, me vendim të formës së prerë dhe Gjykata e Apelit në Tiranë saktësoi se pronësia mbi tokën e Kakomesë i takon shtetit.

Në këtë zonë, në bazë të projektit të paraqitur nga shoqëritë “Riviera” dhe “Club Med”, do të ndërtohet një fshat turistik, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Projekti, sipas të dhënave, po zhvillohet mbi një tokë publike me sipërfaqe prej 70 ha, në bazë të një marrëveshjeje qiraje të lidhur mes Ministrisë së Rregullimit të Territorit e Ministrisë së Turizmit dhe shoqërisë “Riviera” sh.p.k., për një periudhe prej 99 vjetësh. Në këtë projekt është përfshirë shoqëria “Club Med”, e njohur në rang ndërkombëtar për cilësinë dhe standardet e larta në fushën e akomodimit turistik.

Projekti i fshatit turistik
Sipas të dhënave të projektit, fshati turistik në Kakome do të ndërtohet duke ruajtur bregdetin dhe natyrën në përgjithësi të zonës. Numri i shtretërve aty do të jetë i kufizuar, rreth 700 të tillë dhe parashikohet se do të tërheqë turistë elitarë.

1 Komente

Ketu ka dore cuni i dajes se nuses se shokut te ngushte te Shkelzenit. Kane manipuluar dokumentat me okejin e Shkelzenit. Berisha qerou na Kakomea!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).