Ankthi i fushatës virtuale

Ankthi është pjesë e çdo fushate elektorale. Ai buron nga pamundësia për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve para se ato  të ndodhin. Në këtë aspekt ankthi parazgjedhor është një nga karakteristikat themelore të demokracisë. Para çdo palë zgjedhjesh ka një paqartësi tensionuese që buron nga boshatisja apo vënia në pikëpyetje e pushtetit në fuqi.  E megjithatë fushata aktuale duket se e ka çuar nivelin e ankthit parazgjedhor në nivele të papara më parë. Edhe pse si kurrë më parë, nuk kemi pasur kaq shumë sondazhe që merren me parashikimin e zgjedhjeve. Çudia qëndron në faktin që shpesh ankthi është më i lartë pikërisht në rrethet mediatike që prodhojnë parashikimin e zgjedhjeve nëpërmjet sondazheve dhe që duhet të jenë më të informuarat në lidhje me realitetin zgjedhor. Ç’po ndodh?

    Shpjegimi i këtij paradoksi qëndron tek fakti se asnjë fushatë më parë nuk ka qenë kaq virtuale. Së pari, dy partitë kryesore kanë vendosur kontroll të plotë mbi imazhin dhe lajmin e fushatës, aq sa edhe filmimet e mitingjeve bëhen nga partitë dhe jepen nga televizionet. Së dyti, mediat kryesore në vend janë kthyer pothuajse tërësisht nga mbulues në prodhues të fushatës. Nga vëzhgues në palë. Aktorët dhe faktorët kryesor në këtë fushatë, përveç liderëve përkatës janë edhe mediat me pronarët dhe drejtuesit e emisioneve kryesore politike në vend. Për dy partitë kryesore, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i fushatës me mediat përkatëse, “Top Channel” majtas dhe “Klan” djathtas, është bërë shumë më i rëndësishëm sesa vetë listat e kandidatëve për deputetë. Pra televizionet kryesore në vend jo vetëm janë pozicionuar me njërën apo tjetrën parti por marrin edhe pjesë aktive në prodhimin e fushatave elektorale. Prandaj prodhimi i realitetit virtual pothuajse e ka fshirë tërësisht realitetin aktual, për aq sa mund të ndahen të dyja. 

Reklamimi, analizimi dhe propogandimi i sondazheve është një nga mënyrat bazë sesi mediat marrin pjesë aktive në prodhimin e fushatës virtuale. Mediat pranë të majtës me sondazhet e tyre thonë që zgjedhjet i fiton e majta. Mediat pranë të djathtës me sondazhet e tyre thonë që zgjedhjet i fiton e djathta. Jo rastësisht e gjithë analiza e sondazhit reduktohet tek parashikimi i zgjedhjeve. Pas debatit mbi sondazhet në fakt fshihet debati rreth fituesit të zgjedhjeve. Dhe ky është një debat i rëndësishëm sepse pjesa më e rëndësishme e fushatës elektorale të secilës parti është të bindë zgjedhësit se ajo do t’i fitojë zgjedhjet. Në këtë kontekst edhe sondazhet synojnë më shumë ta prodhojnë sesa ta reflektojnë realitetin. 

    Pikërisht këtu buron dhe paqartësia dhe ankthi i fushatës. Mediat janë kthyer aq shumë në prodhues të realitetit virtual elektoral saqë edhe vetë e kanë të vështirë t’i besojnë plotësisht sondazhet apo analizat që i propogandojnë qytetarit. Aq më pak munden të besojnë mbulimin mediatik të mitingjeve entuziaste që vjen nga vetë partitë.  Problemi është se kur të gjitha mediat janë përfshirë në fushatë, jo si vëzhgues dhe informues, por si aktorë dhe faktorë, asnjë media nuk ka se kujt t’i referohet për të kuptuar se ç’po ndodh realisht me fushatën elektorale. Në analizën e fundit, medias i mbetet t’i referohet realitetit virtual që ajo vetë e prodhon. Prandaj mediat sot janë viktima të realitetit virtual që po ato vetë e kanë prodhuar dhe nga ku nuk dalin dot. Ironia është se mediat, që sot e gjithë ditën i shpjegojnë elektoratit realitetin zgjedhor, janë vetë tërësisht të paqarta se ç’po ndodh realisht në elektorat. Kjo prodhon një paqartësi dhe ankth që fillon në media dhe mbaron në elektorat.  Kuptohet mes elektoratit dhe medias është kjo e fundit që është më e paqartë dhe më në ankth, edhe si pasojë e interesave të mëdha që luhen në zgjedhje për pronarët e medias.

8 Komente

Kajsi,

koment i shkelqyer. Edhe qendrimi ne studio para disa ditesh ishte shume dinjitoz.

Politika ne rradhe te pare, pastaj nja dy -tre media , te tilla iu thencin, se bashku me disa nga ata qe i kemi quajtur rendom analiste sharlatane me e ose me ë , kane me shume se 3 muaj qe kerkojne te ndikojne elektoratin duke bere dhe nxjerre perfundimi qe vetem realitetit nuk mund ti afrohen.

Problemi eshte tek manipulimi Kajsi, tek manipulimi qe kete here na erdhi  edhe ne formen e sondazheve edhe nepemjet te tjera gjerave qe u paralajmeruan edhe dje nga ndekombetaret PUBLIKISHT.

Deklaratat e djeshme perkthehen : ujku qimen e nderron dhe zakonin nuk e harron.  Pra ka nje problem shume te madh ketu dhe ty te lumte qe fole perpara kohe.

Kjo fushate virtuale eshte poshterimi i rradhes qe i behet votuesve nga te gjitha krahet dhe nese ka pas ndonje rast qe mund te thuhet qe eshte bere poshterim i qellimshem , ky eshte rast me i qarte.

Per medat :

Ironia është se mediat, që sot e gjithë ditën i shpjegojnë elektoratit realitetin zgjedhor, janë vetë tërësisht të paqarta se ç’po ndodh realisht në elektorat. Kjo prodhon një paqartësi dhe ankth që fillon në media dhe mbaron në elektorat. 

Po jashtezakonisht qarte . Pese yje edhe per komentin edhe per distancimin e qarte qe ke nga keta palo analist.

Kajsiu po pozicionohet bukur; dhe ska se si te ndodhi ndryshe. Eshte pozicionimi i Ngjeles.

Po edhe ju ne mos merreni mengjes dreke darke me median!

Nejse, korrekt, Kajsiu kohet e fundit eshte bere shume i nevojshem.

eshte e vertete se rezultatet jane larg atyre te sondazheve, por ato nuk kanw qene pa vlere per organizatoret e tyre, pasi ja kane dale te cojne nje sasi uji ne ate mulli.

Mediat shqiptare reflektojne shkallen e krimit ne kete vend.

ne shqiperi kane dale tellallet nga kontrolli, nje trysni e tille elektorale nuk eshte reflektuar asnjehere me pare ,gjithmone do kete momente decisive per politiken e brishte te  ketij vendi por kjo menyre fushate eshte vertet absurde.

 Ky gazetar ka nje gje te mire, se i sheh problemet jo vetem nga brenda jashte (nga brenda dritares sheh jashte) por dhe nga jashte sheh brenda. 

Kajsiu eshte ne periudhen e paqartesise jo vetem elektorale, por edhe te gjerave me fondamentale qe perbejne karakterin dhe formimin e tij dhe menyren se si e sheh boten. Nga se ka ardhur kjo, s`po spekulloj por le ta gjeje vete Kajsiu.

Gjerat jane shume te qarta, te gjitha sondazhet, ato te porositura nga media te majta dhe ato afer te djathtes nxjerrin PD-ne fituese.

Nuk ka paqartesi ketu. Bile edhe analiste teper te majte kane fillur te nxjerrin kritikat per deshtimin e PS-se.

Nderkohe, per ata qe kane pak pervoje ne fushatat elektorale, fituesi ndjehet qe para zgjedhjeve, qe nga mitingjet dhe masiviteti i tyre, perceptimi i kahut pozitiv qe ka marre vendi, shpirti i fushates dhe optimizmi ose pesimizmi i elektoratit te seciles pale, qe te gjitha keto dukshem anojne nga PD-ja.

Normalisht qe partite kryesore garuese kane nje synim qe te japin dhe forcojne bindjen tek fitorja per publikun, por nese disa gjera nuk jane si duhet nuk mund ta besh kete.

Sapo PD-ja mbylli fushaten ne Korce dhe aty ishte derdhur e gjithe Korca dhe pertej saj. Aq njerez une nuk kam pare kurre.

Fitorja e zgjedhjeve te 28 qershorit nga PD-ja duke marre edhe nje mandat tjeter, eshte ne rradhe te pare fitore per Shqiperine. Eshte fitore e nje Projekti qe ka kjo force politike per Shqiperine, te realizueshem dhe qe ndryshimin e ben realitet.

Ata qe jane perballe PD-se, jane thjesht pa projekt, te pabesueshem, me mungese te madhe ne njohuri dhe njerez etj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).