Altruizmi, tipari që na karakterizon

Jemi qenie që sakrifikojmë për të mirën e përgjithshme

Një prej karakteristikave më përcaktuese të qenieve njerëzore është përmbushja e aktit të sakrificës supreme që kërkon sakrifikimin e jetës së një njeriu për hir të së mirës së një grupi të caktuar. Por për shkencëtarët kjo karakteristikë shtron pyetjen: ka mundësi që një altruizëm kaq i skajshëm të jetë rrënjosur në gjenet njerëzore si rezultat i evolucionit darvinian?

Biologët debatojnë prej dekadash të tëra mbi evoluimin e altruizmit, karakteristikë që tashmë është kthyer në tezë më vete. Shumë kohë më parë është mbërritur në konkluzionin se përzgjedhja natyrale e Darvinit nuk është në gjendje të shpjegojë aktet e sakrifikimit personal në formën më supreme - me përjashtim të atyre rasteve ku një qenie njerëzore sakrifikon jetën e vet për hir të sigurimit të mbijetesës së personave me të cilët ka lidhje të drejtpërdrejta gjaku (ashtu si edhe gjene të ngjashme).

Por, një studim i kryer së fundmi, arrin në konkluzionin se altruizmi në shoqëritë njerëzore parahistorike mund të jetë krijuar falë një forme të përzgjedhjes natyrale e shkaktuar nga lufta e vazhdueshme mes tribuve rivalë, apo grupimeve specifike të gjahtarëve, një ide e shpalosur nga vetë Darvini në vitin 1873 në një prej veprave të tij.

Një shkencëtar ka arritur në përfundimin që, duke qenë se shumica e 200 mijë vjetëve të historisë së njerëzimit i përkasin fazës kur njeriu ushqehej me gjahun që arrinte të siguronte, përpara daljes në skenë të bujqësisë (më pak se 10 mijë vjet më par&eumlsmiley, kjo periudhë shumë e gjatë e historisë sonë mund t‘i ketë dhënë trajtat sjelljes sonë sociale. Madje, shkencëtari shtyhet edhe më tej se kaq, beson se altruizmi mund të ketë evoluar drejtpërsëdrejti si rezultat i luftërave të pandërprera mes fiseve të gjahtarëve, pasi sakrifikimi personal ishte çelësi që i garantonte njërit grup triumfin ndaj tjetrit.

Shkencëtari Samuel Boules, i Institutit Santa Fe të Nju Meksikos, autori i studimit që mbërrin në këtë përfundim thotë: "Luftërat ishin më se të zakonshme dhe shkaktonin shumë vdekje mes paraardhësve tanë, duke favorizuar evolucionin e asaj që unë e quaj altruizëm të kufizuar, predispozicionin për të qenë bashkëpunues me pjesëtarët e grupit ku bën pjesë dhe armiqësor ndaj të tjerëve. Biologët dhe ekonomistët kanë pasur historikisht dyshime mbi hamendësimin se predispozicioni për të vepruar me altruizëm - të ndihmosh të tjerët në dëmin tënd - mund të evoluojë. Ata pranonin vetëm sakrifikimin për hir të personave me lidhje shumë të afërta gjaku".

Në studimin e tij, të publikuar së fundmi nga revista shkencore "Shkenca", doktor Boules iu kundërvihet mbështetësve të teorisë së evolucionit njerëzor të "gjenit-egoist", duke sugjeruar se selektimi natyror ka vepruar në grupe njerëzish, që bashkëpunonin ngushtë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm mbi individët.

Duke bashkërenduar të dhënat arkeologjike që shtrihen që në epokën e gurit me studime moderne etnografike mbi tributë e gjahtarëve, doktor Boules arrin në përfundimin se janë të gjithë mundësitë që altruizmi të ketë evoluar sipas seleksionimit darvinian - nëse luftërat qenë mjaft intensive mes fiseve kundërshtare dhe nëse mes këtyre grupeve njerëzore ekzistonin dallime të forta gjenetike.

Shkencëtari ka nxjerrë në dukje se dallimet mes grupeve të ndryshme njerëzore qenë në të vërtetë edhe më të mëdha nga ç‘është menduar deri së fundmi, ndërkohë që luftërat mes tyre ishin thuajse të përhershme, gjë që për dr. Boules duhet t‘i ketë dhënë edhe trajtat e sjelljes së hershme njerëzore. Ndërsa vazhdon duke vërejtur se aktet altruiste të sakrifikimit personal, ndihmonin një grup të mbijetonte në dëm të një tjetri. Sipas dr. Boules, teoria e "luftëtarit altruist" është vetëm një prej skenarëve në gjendje të shpjegojë evoluimin e altruizmit në shoqëritë e hershme njerëzore. "Vullneti për të ndërmarrë rreziqe vdekjeprurëse në cilësinë e luftëtarit nuk është e vetmja formë e altruizmit... Grupet më altruiste, e për rrjedhojë edhe më bashkëpunuese, mund të jenë më produktive duke arritur të garantojnë pjesëtarë më të shëndetshëm, më të fortë e më të shumtë - sa për të marrë një shembull".

Ruth Meis, antropologe në Universitetin Kolegji në Londër, tha se studimi i dr. Boules binte ndesh me idenë e pranuar gjerësisht të gjenit-egoist, e cila e ka hedhur prej shumë kohësh poshtë teorinë se seleksioni natyror vepronte në nivel grupesh dhe jo në nivel individësh. "literatura moderne mbi evolucionin social e ka rihapur debatin, duke nënvizuar se në disa rrethana përzgjedhja në bazë grupi mund të marrë rëndësi të veçantë, veçanërisht në rastin e një specieje kulturore, si jemi ne", tha antropologia.

Në një studim tjetër të publikuar po në revistën "Shkenca", disa shkencëtarë sugjerojnë se çelësi që shpuri tek evoluimi i atributeve të tjera shumë të rëndësishme të qenies njerëzore - siç është prodhimi i sofistikuar i veglave dhe zhvillimi i artit e kulturës - ishte rezultat i rritjes së numrit të popullsisë dhe jo pasojë e ndryshimeve biologjike.

Shkencëtarët në Universitetin Kolegji të Londrës, mendojnë se emergjenca e papritur për tipare kulturore siç është arti, u shfaq pasi dendësia e popullsisë kaloi një prag të caktuar, duke krijuar mundësinë e këmbimit të ideve.

1 Komente

Ta mendosh thell-thell, duket sikur altruizmi ka lindur se bashku me njeriun. Por mund te jete krijuar dhe rrenjosur ne gene , ndoshta dhe me vone nga disa kushte specifike. Nuk perjashtohet asnje mundesi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).