Aksi i të keqes

Shqipëria: Duam armë nga Koreja e Veriut e Irani

Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka bërë kërkesa zyrtare për të blerë armë nga Koreja e Veriut dhe Irani, dy vende që SHBA, aleati strategjik i Shqipërisë, i kanë konsideruar si vendet e Boshtit të së Keqes. Raketa të ndryshme, armë të rënda konvencionale dhe municion pafund; lista e armëve që kërkohej të blihej nga këto dy vende. Vetëm për Korenë e Veriut, ishin vënë katër milionë dollarë në dispozicion. Historia nis me ardhjen e PD-së në pushtet

Në 29 janar 2002, ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush, deklaroi se Irani, Iraku dhe Koreja e Veriut përbëjnë Boshtin e të Keqes. Ish-presidenti Bush e bëri këtë cilësim të fortë që ngjalli mjaft reagim, duke pretenduar se këto tre vende sponsorizonin terrorizmin ndërkombëtar dhe dispononin armë të shkatërrimit në masë. Në këtë periudhë SHBA dhe një koalicion i gjerë ndërkombëtar kishin nisur sulmin në Afganistan dhe dy vjet më pas, koalicioni i udhëhequr nga amerikanët e britanikët, do të sulmonte edhe Irakun duke larguar nga pushteti diktatorin Sadam Hysein.

Shqipëria, politikisht në fillim dhe më pas, edhe ushtarakisht, u bë pjesë e luftës ndërkombëtare kundër terrorizmit. Një kompani ushtarake shqiptare shërbeu dhe vazhdon të shërbejë në Afganistan dhe më pas e në vijim, edhe në Irak. Por kjo është vetëm pjesa e dukshme e asaj çfarë Tirana zyrtare ka bërë. MAPO u vu në zotërim të disa dokumentave të rezervuara të cilat as më shumë dhe as më pak, provojnë një linjë të zymtë të bashkëpunimit shqiptar me të paktën dy nga vendet e Boshtit të së Keqes, Korenë e Veriut dhe Iranin.

Duke filluar që nga tetori i vitit 2005, në kohën kur sapo kishte përfunduar rotacioni i pushtetit, Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ka nisur negociata sekrete për të siguruar armë nga këto dy vende. Ka afruar para për të blerë në këto dy vende armatim të teknologjisë së lartë, raketa të tipeve të ndryshme apo dhe armatim të lehtë këmbësorie. Madje dhe më shumë se kaq, por kjo është një histori tjetër.

“Duam armë në Iran”

Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike në vendin e largët që tashmë, sapo ka mbaruar një fushatë zgjedhore presidenciale të vështirë. Në dimrin e vitit 2005, kryeministri Sali Berisha, të cituar prej agjensisë zyrtare të lajmeve iraniane, kishte propozuar dhe ndërhyrjen e Shqipërisë në “sherrin” që Irani kishte me gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe kryesisht me Shtetet e bashkuara të Amerikës për çështjen e programit të pasurimit të uraniumit. Por ajo që nuk ishte thënë askund, ishte se në po të njëjtën periudhë, Shqipëria planifikonte të blinte armë nga Irani. Një destinacion jo fort “komod” politikisht për Shqipërinë, vendin më proamerikan në Evropë.

Të paktën që në datën fillimin e vjeshtës të vitit 2005, një vartës i ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, aktualisht i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, vazhdonte një letërkëmbim me autoritetet zyrtare të mbrojtjes në republikën islamike. Në Shqipëri kishte mbërritur një katalog me prodhime ushtarake iraniane dhe Tirana shprehte predispozitën dhe interesin e saj për të blerë ato armatime.

Konkretisht kërkoheshin disa qindra mitralozë, të llojit PKM dhe PKT. I pari armatim i rëndë për tanke dhe mjete të blinduara dhe i dyti, mitraloz i rëndë për forcat e këmbësorisë. Kërkoheshin gjithashtu dhe pajisjet komplete dhe qindra mijëra njësi municioni përkatës për këto lloj armësh si dhe disa qindra granata hedhës të llojit GP-25/30, të kalibrit 40 milimetër.

Në këtë periudhë, Shqipëria kishte asgjesuar pjesën dërmuese të tankeve të saj si dhe kishte një stok të konsiderueshëm armatimi konvencional, të lehtë dhe të rëndë. Nuk është e qartë se përse kërkohej ky armatim, kur Shqipëria kishte teprica të sajat që nuk dinte ku t´i çonte.

Në atë kohë, Ministria e Mbrojtjes kërkonte një ofertë financiare nga Irani për këtë porosi. Ajo premtonte se më pas do ta legalizonte kërkesën e saj nëpërmjet ambasadës iraniane në Tiranë.

Ministria e Mbrojtjes kërkonte një ofertë sa më të shpejtë për këtë kërkesë zyrtare.
Kohë më pas, loja bëhet edhe më e rëndë. Ministria e Mbrojtjes kërkon informacion dhe shpreh interesin e saj për armatim të rëndë Made in Iran. Ajo kërkon t´i vihet në dispozicion një ofertë për raketa tokë-ajër të llojit Toufan & Toufan, Ababil, T, 2 dhe 3, Mojaher, 2 dhe 4, Manpads Misagh-1 dhe sisteme komunikimi Gooya-600 dhe Gooya-603.

Një kërkim i thjeshtë në motorin e kërkimit Google, tregon dhe pamjet e këtyre mjeteve luftarake dhe parametrat e tyre kryesorë luftarakë.

Shqipëria kishte trashëguar gjatë viteve 90´, një sasi prej disa qindra raketash tokë-ajër, të drejtuara me lazer dhe të porositura nga Kina. Ato ishin prodhuar në fillim të viteve 90´. Vitin e kaluar, në qershor 2008, falë një marrëveshjeje bilaterale me një aleat strategjik të vendit, kjo sasi raketash u largua nga Shqipëria për t´u asgjesuar.

Nuk ka informacion zyrtar se çfarë është bërë me këto kërkesa të Ministrisë së Mbrojtjes drejt Iranit. MAPO ka mundur të publikojë disa numra më parë, provën se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë vizituar Iranin me synim pjesmarrjen në një ekspozitë armësh të prodhuara në këtë vend. Të paktën, në dokumentat zyrtare nuk figuron se këtë vend e ka vizituar ish-ministri Mediu.

Katër milionë USD për Korenë e Veriut

Ka më shumë se një kontakt zyrtar dhe kërkesa të përsëritura që drejtoheshin tashmë në cepin tjetër të botës, në një vend të përmendur gjithashtu nga ish-presidenti Bush si pjesë e Boshtit të së Keqes, në Korenë e Veriut.

Vendi i largët komunist në Azi, nuk ka marrëdhënie diplomatike me Republikën e Shqipërisë. Ky problem u tejkalua duke ju drejtuar atasheut ushtarak koreanoverior në Bullgari, Ho Chol Guk.

Konfirmohen takime të tij me zyrtarë të lartë të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes. Ato janë paraprirë nga kërkesa zyrtare për të blerë armatim të rëndë në këtë vend që ka qenë dhe vazhdon të jetë nën embargo ndërkombëtare. Gjithashtu për shkak të projekteve të saj bërthamore dhe kërcënimit për paqen që vendi komunist gjeneron në rajon.

Fondi në dispozicion, nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ishte katër milionë dollarë amerikanë.

Interesi i Ministrisë së Mbrojtjes ishte për të blerë nga Koreja e Veriut raketa SA-16 dhe SA-18. Janë raketa tokë-ajër dhe ajër-ajër, montohen në mjete fluturuese, mjete të blinduara, por mund të përdoren lehtësisht dhe nga këmbësoria.

Arsyeja zyrtare e kësaj kërkese ishte e njëjta me atë që ishte përmendur dhe në letërkëmbimet e tjera të zyrtarëve shqiptarë me autoritetet koreanoveriore: “programi i modernizimit të ushtrisë shqiptare”, e cila, kishte reduktuar arsenalin e saj të vjetër të forcave ajrore, avionët dhe raketat gjithashtu të vjetra, rusë e kinezë, Mig dhe SAM. Periudha më intesive e kontakteve zyrtare ishte në dimrin dhe pranverën e vitit 2006.

Nuk ka të dhëna zyrtare nëse ishte bërë e mundur që të realizohet një blerje e tillë nga Koreja e Veriut, në atë kohë dhe sot, nën embargo të fortë ndërkombëtare. Pajisjet ushtarake të tij, ishin të parat që përfshiheshin në listën e mallrave që nuk mund të tregtohen nga Koreja e Veriut. Nuk dihet nëse katër milionë dollarët e vënë në dispozicion për këtë qëllim u shpenzuan për llogari të raketave që pritej të vinin nga Azia e Largët.

Ajo që dihet me siguri, është se Ministria e Mbrojtjes, në këto katër vjetët e fundit, ka gjetur shitës “të çuditshëm” armatimesh, madje dhe ka blerë armatim “të çuditshëm” e jo të zakonshëm prej tyre në raste të tjera. Irani e Koreja e Veriut janë vetëm dy nga këto vende.

Shqipëria, tashmë prej më shumë se dy muajsh, është vend anëtar i NATO-s dhe është përfshirë në programe të ndërlikuara të shndërrimit të Forcave të saj të Armatosura për t´i përafruar ato me standartet e ushtrive të NATO-s.

Deri më tani, Shqipëria kryesisht ka asgjesuar një pjesë të stokut të saj të trashëguar nga e shkuara, armatim të lehtë dhe të rëndë, municione dhe predha. Në 15 mars 2008, një program i dyshimtë demilitarizimi municionesh, shkaktoi një tragjedi të rëndë në Gërdec, ku humbën jetën 26 civilë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Për këtë shkak, 29 vetë, përfshi ish-ministrin Mediu dhe strukturën më të lartë të piramidës ushtarake, janë marrë nën hetim e si të pandehur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

Shqipëria ka blerë armatim apo pajisje të nevojshme për Forcat e Armatosura nga disa vende të NATO-s.
 

2 Komente

Nga i ka burimet e ketyre karagjosleqeve ky Lorenci? Apo fushate hesapi dhe futja tja fusim.

 "....Nuk është e qartë se përse kërkohej ky armatim, kur Shqipëria kishte teprica të sajat që nuk dinte ku t´i çonte...." 

 

Dy jane arsyet; ose porositeshin per amerikanet, qe ata ti studionin/hulumtonin ne teknollogjine koreano-veriore, ose çmimi i lire i ketyre armatimeve ka terhequr vemendjen e eksperteve te ministrise se Mbrojtjes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).