Zhvillimi “kalon” nga rritja ekonomike

Në programet elektorale të partive apo në fjalimet e përditshme të liderëve politikë shqiptarë mund të evidentohet shumë lehtë një element determinues me anën e të cilit shpresohet suksesi. Shpërndarja dhe rishpërndarja e të ardhurave, pothuajse krejtësisht publike, d.m.th si pjesë të buxhetit, duket se po konsiderohet si “çelësi magjik” i kësaj fushate Premtohet gjithçka që është e mundur apo që konsiderohet e domosdoshme. Në kuadrin e shpalosjes së programeve për qeverisjen e ardhshme, për të cilët deklarohet se kanë punuar ekspertët më të mirë pranë partive respektive, çdo ditë del në skenë nga një angazhim apo premtim i ri.  Në themelet e kësaj fushate duket se qëndrojnë premtimet dhe objektivat për rritjen e shërbimeve dhe politikat sociale. “Dyfishim i shpenzimeve publike për arsimin dhe shëndetësinë”, “dyfishim tjetër pagash e pensionesh”, “transport falas për shumë kategori sociale”, “libra falas për një kategori të gjerë nxënësish”, “punësim të garantuar për mbi 100 mijë të papunë”, “ndihma sociale të dyfishuara”, “shërbim shëndetësor mjaft ambicioz e cilësor”, “pagesa kompensuese të shumta në bujqësi”, “eliminim përfundimtar i varfërisë”, “mbështetje totale për biznesin, eksportet” heqjen apo reduktimin e TVSH për shumë aktivitete etj., etj. Natyrisht që partitë dhe liderët e tyre janë në të drejtën e vet institucionale për të bërë premtime konkrete, dhe për më tepër e gjithë shoqëria shqiptare është e interesuar maksimalisht për realizimin e tyre. Por, që këto premtime të duken e të besohen sa më reale, ato kanë nevojë të jenë sa më të mbështetura e të argumentuara në mundësitë e realizimit të tyre. Dhe akoma më shumë në koherencën e tyre me strategjitë afatgjata të zhvillimit, pa harruar këtu edhe koherencën me sistemin apo llojin e kapitalizmit që duam të profilizojmë në Shqipëri.
     Në thelb, të krijohet përshtypja se kemi dhe do të kemi një “thes” të mbushur plot me para dhe problemi i vetëm duket se është vetëm rishpërndarja më e mirë e tij. Flitet shumë për “zbrazjen” sa më efektive të tij, por pak për “mbushjen”. Flitet shumë për “zhvillimin”, por pak për “rritjen ekonomike”, garantuesen “financiare” e mbështetësen bazë të këtij zhvillimi. Një nga ekonomistët më të njohur të kësaj fushe, Christian Comeliau e shpreh bukur këtë lidhje jetike kur thotë se “rritja ekonomike është sfida e kohëve moderne. Je drejtues i një vendi të varfër... atëherë përshpejto rritjen e PBB; vendi juaj ka borxhe dhe shlyerja e tyre është e vështirë?... e vetmja mënyrë që ju t’i shlyeni këto detyrime është rritja e përshpejtuar ekonomike; pabarazia dhe varfëria janë shqetësuese për shoqërinë tuaj?... atëherë gjeni mundësitë që “torta” që doni të ndani të jetë sa më e madhe; pushtetet publike nuk kanë aq para sa ju duhen për të realizuar objektivat e tyre?... përpara se të vendosni për politika taksash apo shtim të borxhit, mendoni se si mund të zhvilloni aktivitetin prodhues në vendin tuaj, sepse rritja e tij është përgjigjja e vetme për shqetësimet tuaja, etj.”. Me një fjalë, çelësi që garanton realizimin e suksesit dhe premtimeve duket se është absolutisht “rritja ekonomike”.
Përtej grindjeve politike mbi shifrën e saktë të rritjes, në këtë fushatë elektorale flitet e diskutohet pak për rritjen ekonomike si objektiv fondamental e proces qeverisës. Ndërkohë që janë të paktën tre elemente themelore që kërkojnë debat, analiza e propozime konkrete, në radhë të patë për katër vitet e qeverisjes së ardhshme, por edhe në një plan më afatmesëm 6-8-vjeçar.
Së pari, sa pritet të jetë shifra reale e rritjes ekonomike për 2-3 vitet në vazhdim, përfshirë këtu dhe 2009, dhe çfarë implikimesh të mundshme buxhetore e fiskale do të japë ajo? Duke patur parasysh efektet e padiskutueshme të krizës ekonomiko-financiare ndërkombëtare në ekonominë dhe financat tona, aq më tepër që vitet 2009-2010 sipas gjithë parashikimeve të ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare pritet të jenë shumë të vështirë. Në dy vitet që vijnë, Shqipëria, thjesht po shpreson të jetë pak mbi zero në rritjen e saj, që gjithsesi është lajm pozitiv. Debati “na ka prekur apo nuk na ka prekur kriza” tashmë është absurd. Po kështu edhe qëndrimet përgjithësuese “kriza po e dëmton shumë rëndë ekonominë dhe nivelin e jetesës në Shqipëri..... apo, ne jemi gati se kemi fonde rezervë kontingjente, dhe po ndodhi gjë do marrim menjëherë masa”. Parashikimet dhe serioziteti i hartimit të buxheteve, minimalisht për vitet 2010 dhe 2011, dhe në këtë kuadër, evidentimi i “bilancit financiar” ndërmjet mundësive dhe premtimeve do të ishte një kontribut serioz në premtimet e tashme elektorale të grupimeve kryesore politike në Shqipëri. Është menduar që premtimet mjaft të “bollshme” të realizohen me rritjen ekonomike të brendshme apo me “borxhe” të të gjitha llojeve nga jashtë? Si janë parashikuar të jenë treguesit kryesorë të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes për 2-3 vitet e ardhshme? Dhënia e shifrave dhe analizave konkrete në këtë drejtim do të ishte një dëshmi e korrektesës politike dhe ekspertizës profesionale.
Së dyti. Ndodhemi në një moment thelbësor për të diskutuar e precizuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët esencialë të saj. Mbyllja e “periudhës 18-vjeçare të tranzicionit” si dhe kriza aktuale ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni, donacionet, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj, privatizimet masive, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom” i sektorit të ndërtimit, “shkarkimin e papunësisë në emigracion drejt Greqisë apo Italisë” etj., duket se po shkon drejt ezaurimit. Edhe politikat 18-vjeçare me prioritet absolut për “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar kështu mundësi për rritjen ekonomike duket se nuk mund të jenë më të vetme. Ka ardhur koha të bëjmë politika të pastra, të mirë adresuara e të gjera “për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike”. Aktualisht, në shumë vende të botës, përfshirë këtu si ato të zhvilluara dhe në zhvillim, ka një reflektim e debat masiv për “modelin e rritjes ekonomike” që duhet të ndjekin vendet në zhvillim, grup në të cilin përfshihet dhe Shqipëria.
Sipas Dani Rodrik i Universitetit të Havardit, në vitet që vijnë, që padyshim do të ndjejnë efektet e krizës “rritja ekonomike për vendet në zhvillim mund të nxitet në tre mënyra: nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik e diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja”. Dy modelet e para gjykohet se janë më “të rrezikshme” dhe jo “të qëndrueshme” në raport me të tretin. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë e huaja do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur totalisht nga flukset dhe “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje jo reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi shumë larg realitetit tënd. Edhe rritja ekonomike e bazuar te lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afatmesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afatgjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, sugjerohet që vendet në zhvillim të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus. Qeverive që duan të nxisin rritjen ekonomike iu sugjerohet të mos mbeten vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të axhustimeve strukturore si p.sh., stabiliteti makroekonomik, privatizimet, hapja e liberalizimi ekonomik, por të jenë shumë të orientuara drejt “politikave prodhuese” e sidomos “politikave industriale”, të jenë të kujdesshme me ecurinë e monedhave të tyre nacionale dhe stabilitetin financiar, të jenë maksimalisht të pritura për futjen masive të teknologjive të reja, ta kenë maksimalisht në fokus zgjerimin e “kapitalit human” dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive e territorit në “kontributin dhe përfitimet nga rritja”. “Modernizimi, diversifikimi i sektorit të shërbimeve dhe inovacionet e vazhdueshme” të tij përbëjnë një nga sfidat e rritjes së qëndrueshme. Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti tregtar, monedhë nacionale e mbivlerësuar si pasojë e konjukturave financiare e monetare apo në luhatje të vazhdueshme, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësisë territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, etj., nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe eficente.
Më shumë se gjithçka, kjo fushatë mund e duhet t’i shërbejë debatimit e diskutimit të alternativave më të mira që na garantojnë një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme.

9 Komente

përpara se të vendosni për politika taksash apo shtim të borxhit, mendoni se si mund të zhvilloni aktivitetin prodhues në vendin tuaj, sepse rritja e tij është përgjigjja e vetme për shqetësimet tuaja, etj.

 

Më shumë se gjithçka, kjo fushatë mund e duhet t’i shërbejë debatimit e diskutimit të alternativave më të mira që na garantojnë një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme.

Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni, donacionet, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj, privatizimet masive, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom” i sektorit të ndërtimit, “shkarkimin e papunësisë në emigracion drejt Greqisë apo Italisë” etj., duket se po shkon drejt ezaurimit.

 

Me pelqeu si artikull (pervec pjeses ku fillon me D.Rodrik). Ju keshilloj ta lexoni.

Qendrimi qe kam mbajtur ne shume raste keto vitet e fundit ka qene: jepini qeverise "the benefit of the doubt", kuptohet pasi te kete bere transparencen dhe te kete argumentuar politiken perkatese. Por tani jemi para zgjedhjeve dhe duhet te degjojme me shume plane konkrete se si do vepronin te dy forcat kryesore ne 4 vitet e jashte.

Deri tani me duket se PS eshte akoma e shperqendruar, ndersa PD (qeveria) ka vene veten ne tabele nderi dhe militantet rreth saj dhe ne boten virtuale nuk lejojne njeri ta vere diskutim. Cfare do ndodhe ne 4 vitet ne vazhdim? Llafollogjia e deritanishme tregon qe asnjera pale nuk kane asnje ide se si do t'i pershtaten krizes boterore.

 

gre_wireless; "... Por tani jemi para zgjedhjeve dhe duhet te degjojme me shume plane konkrete se si do vepronin te dy forcat kryesore ne 4 vitet e jashte...

....Cfare do ndodhe ne 4 vitet ne vazhdim? Llafollogjia e deritanishme tregon qe asnjera pale nuk kane asnje ide se si do t'i pershtaten krizes boterore..."

 

E megjithate shumica e atij populli te pergjumur politikisht dhe ekonomikisht, do t'ia japi voten dy forcave qe e kan lodh ate popull, PD e PS.  ç'mjerim. 

 

Per artikullin do te thoja se autori nuk eshte nevoja te cilesoje nje ekonomist te huaj per nje gje qe eshte para shum vitesh. 

"....Christian Comeliau e shpreh bukur këtë lidhje jetike kur thotë se “rritja ekonomike është sfida e kohëve moderne. Je drejtues i një vendi të varfër... atëherë përshpejto rritjen e PBB;..." 

Si duket autorit te shkrimit , nuk ia mbushin syrin ekspertet shqiptare.

kam idene se keta lexojne dicka dhe hajde e permendin ne shkrimin e rradhes smiley

puna eshte se me klimen e ekonomise boterore dhe me mungesen e idese apo strategjise nga politikeberesit shqiptare jemi drejt nje rritje ekonomike 0%. Mund te ndodhe qe te vije nje vale paniku dhe te kalojme ne minus, ose te shmanget paniku dhe te ngelemi ne zero. Kjo do quhet pune e mire e qeverise kuptohet, po me si duken bathet, derisa te vije vala e mire ne ekonomine boterore ne do presim.

PS premtoi heqje e barres fiskale ne importimin e teknologjive moderne.

(iku nje pike)

Eksportimin e lendes se pare (krahe pune ne rastin tone) e kane ne program te gjitha partite sa here permendin liberalizim te vizave. Kjo ne fakt do te vriste sektorin e fasonit (60% e eksporteve) qe nuk eshte absolutisht gati per tu ripozicionuar ne treg qe edhe sot ne kohe krize ka probleme me reperimin e fuqise punetore me kosto qe te justifikoje kontratat. (liberalizimi i vizave te maqedonise perpara nesh dhe mundesia e transferimit me kosto relativisht te uleta ne kosove ne te ardhmen do te ishte nje okazion per tu shfrytezuar - pas kesaj mund te na mbete ne dore ky sektor persa i perket europes)

(iku dhe nje pike tjeter)

Borxhet e kredite nga jashte duhet te jemi ne gjendje ti perdorim pervecse ti gjejme.

 

 

Gre-wireless, besoj se do ishe i interesuar te lexoje kete opinion nga VoxEu

Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në:

  1. të ardhurat nga emigracioni, donacionet, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj,
  2. privatizimet masive,
  3. vetëpunësimi kryesisht bujqësor,
  4. “boom” i sektorit të ndërtimit,
  5. “shkarkimin e papunësisë në emigracion drejt Greqisë apo Italisë” etj.,

duket se po shkon drejt ezaurimit.

Te 'shkarkimi i papunesise', Civici ka harru me perfshi 'mullinjte e diplomave universitare'. Nderkohe qe privatizimet masive ne fakt jane kosto neto (se i kan shit me lire se vlera e vertete)ato e perkeqsojne situaten pasi perfitimet i kalojne nje kaste te vogel njerezish. Ndersa 'vetepunesimi bujqesor' sdo shpjegim: eshte thjesht nje menxyre sa mos me vdek. "Boom"-i ne ndertim? Me paret e sjella nga jashte dhe me kosto ne zhvillim (qytete te keqndertuara dhe ambjent i shkaterruar)?

Kshu qe 'modeli' i deritanishem eshte detyrimish shkarkimi i pergjegjsise ekonomike ne kurriz atyre qe iken dhe vendeve qe i priten.

 Habitem si nuk i ka diskutu keto gjera askush deri tani.

Qafo,

ky artikulli ia ka fut kot. Une nuk jam dakort me te dhe arsyeja gjendet ne piken e pare te vete artikullit:

Small developing countries should depreciate their currencies to boost both exports and import-competing sectors.

 

Ca efekti ka patur kjo tek eksportet. Shume vende, dhe nder to Shqiperia kane pare zhvleresim ne monedhe. A i ka ndihmuar kjo eksportet? Jo, sepse problemi nuk eshte me "supply" por eshte me "demand".

Pastaj llogjika e artikullit qendron vetem me nje model ku kemi vetem nje vend te vogel. Ok, nese Mali i Zi psh nderhyn ne tregun e eksporteve, konsumatori italian nuk do te ndikohet, por konsumatori shqiptar do ta vuaj sepse jane te dyja ekonomi te vogla. E keshtu me Maqedonine, Bullgarine, etj. Lind pyetja, ku do ta vendosesh kufirin??

 gene; "...PS premtoi heqje e barres fiskale ne importimin e teknologjive moderne..." 

Sipas marrveshjes MSA me EU, te gjitha mallrat, perveç cigareve, pijeve alkolike e ndonje gje tjeter qe do te hyjne vetem me akcize, te gjitha mallrat (perfshi dhe telnollogjine) do te hyjne ne Shqiperi me taks 0 .  Pra dhe cigaret me pijet alkolike do te hyjne pa taksa, por me akcize, tatim i cili eshte shtuar keto dy vite, per ti paraprire takses zero qe do te aplikohet pas 2010.

gene,

ne te njejten pike qe thote dhe Pjeri: Saliu e beri Shqiperine nje euro dhe nuk pati efekt, pse mendon se heqja e barres fiskale do sjelli teknologjite moderne qe kane munguar deri tani?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).