Zgjedhjet, paria dhe qytetarët

Zgjedhjet e 28 Qershorit janë një moment shumë i rëndësishëm politik për parinë e Tiranës. Edhe në këto zgjedhje, objektivi kryesor i parisë sunduese të Tiranës është që të bindë të huajt, veten, dhe popullin shqiptar se ato e vetëm ato, duhet ta sundojnë shtetin shqiptar. Pa e krijuar këtë bindje në të tre grupimet e lartpërmenduar (dhe më parë tek pjestarët e vet natyrisht) paria nuk mund të sundojë kurrë e qetë dhe e sigurtë në zotërimin e saj. Zgjedhjet janë prova më e qartë që paria e Tiranës mund të ofrojë si dëshmi të mbështetjes që ajo vetë, por edhe sistemi që ajo ka krijuar dhe që është totalisht në shërbim të saj ka nga qytetarët e nga shqiptarët në veçanti.

SI E SIGURON LEGJITIMITETIN PARIA E TIRANËS?

Duke e ditur mirë rëndësinë e legjitimimit të sistemit të saj, paria e Tiranës ka përdorur sistematikisht e me shumë kujdes të gjitha armët në arsenalin e saj. Natyrisht, instrumenti kryesor e parësor i saj është vendosja e ruajtja e kontrollit të hekurt mbi shtetin dhe mbi strukturat e pushtetit lokal. Përdorimi i burimeve të shumta materiale dhe njerëzore të shtetit si dhe manipulimi i ligjit nga ana e saj kanë qënë e mbeten instrumente të preferuara të parisë së Tiranës për kontrollin e fatit të të gjithë shqiptarëve. Po ashtu, në veçanti, përpjekja e parisë për të fituar legjitimitet dallohet qartë në nivelin e shtypit e informacionit. Këtu mund të përmenden argumentet e tyre ideologjike që e paraqesin të gjithë botën e qytetëruar si një botë ku parja blen e shet gjithkënd, organizimi i strukturave dhe i aktiviteteve partiake në bazë klanesh e me karakter të dallueshëm mafioz, përdorimi e glorifikimi i analistëve injorantë dhe manipulimi i opinionit përmes komentatorëve me përgatitje profesionale shumë të dyshimtë, si dhe hapja e mbyllja e debateve pa pikë vlere e mbi tema shterpë që thjesht shërbejnë që të deformojnë mendjet e vlerat e njerëzve me një ritëm marramendës. Qëllimi i tyre është krijimi i përshtypjes se kjo është rruga e vetme ku duhet shkuar e nuk ka tjetër. Kësaj i shërben mbi të gjitha zhveshja e shoqërisë nga vlerat e nga morali njerëzor. Në Tiranë çdo gjë e ka një çmim në pare.
Nuk ka pikë dyshimi se mjete të preferuara të parisë së Tiranës janë edhe blerja e njerëzve me çmimin që kanë dhe mbyllja e gojës. Sipërmarrësve, reshperëve, tregtarëve e afaristëve, po nuk iu bindën, iu hiqet buka e gojës. Kështu ato bien në gjunjë para politikës dhe nuk guxojnë as të ngrejnë kokën. Kur nuk ecën kjo taktikë, përdoret përzënia e denigrimi i kundërshtarëve, por edhe izolimi i atyre individëve e grupimeve që mund të bëjnë dicka të mire por që e shohin veten si të pazotët të luftojnë kundër tyre. Prandaj Tirana është një tymnajë e kënetë thashethemesh nga më të ndyrat që mund të bëhen. Mbi të gjitha, loja e parisë së Tiranës shihet qartë tek përpjekja e tyre për të shtyrë njerëzit që të zgjedhin ose njerën palë të parisë ose tjetrën. Në fund por jo më e fundit, marka me e dallueshme e parisë së jeniçerëve është përdorimi i strukturave kriminale, hereë militantë e herë zhumile politike, për të mbjellë frikë e terror në mendjen e njerëzve. Njëlloj si vampirët e lugetnit që e duan natën të jetë 24 orë, ashtu edhe paria e Tiranës don ti bindë shqiptarët se jeta e tyre duhet të jetë ferr e jo ndryshe.

LEGJITIMIMI I SISTEMIT DHE CILAT JANË PALËT E INTERESUARA

Megjithëse paria e Tiranës e ka krijuar bindjen se gjendja në shtetin shqiptar është nën kontrollin e saj, asaj i duhet shumë legjitimimi publik i sundimit të saj i shprehur periodikisht nga pjestarët e saj, por edhe nga populli me vullnetin e tij të lirë si dhe nga përfaqësuesit e vendeve të huaja. Në një mënyrë ose në një tjetër, pjestarët e parisë, të huajt dhe populli i sunduar duhet ta shprehin besimin e tyre tek paria; cdo kundërshtim është një goditje që paria nuk e harron e as nuk e fal.

SI SHPREHET BESNIKËRIA NDAJ SISTEMIT E NDAJ PARISË

Pjestarët e parisë së Tiranës e shprehin mbështetjen për këtë sistem kriminal duke u bërë pjesë e tij, duke u konformuar dhe duke u sjellë si pritet prej tyre. Si shpërblim ato marrin tendera, licenca, e punësohen në shtet. Kur i duhen parisë, të gjithë këto individë e ulin qafën e i shërbejnë me bindje. Të gjitha ato gjëra që këto individë thonë në klube e në rrethe të ngushta kundër njërit e kundër tjetrit janë thjesht pallavra për të larë ndërgjegjen e tyre. Kur iu kërkohet nga shefat e tyre, të gjithë këto pjestarë të parisë e shërbëtorët e zgjedhur të rangjeve të tjera vihen në rresht si ushtarë të bindur. Kur refuzojnë ose hedhin vickla, shefat e tyre iu kujtojnë veset e shumta, dashnoret, bizneset, pisllëqet, poshtërsitë e 'nderet' e pandershme të panumërta që iu kanë bërë dhe kështu e gjejnë mënyrën ose t'ua mbyllin gojën ose ti fusin edhe një herë në rresht. Këta tipa kanë harruar se ka edhe një mënyrë të sjelluri me dinjitet.
Sa për ilustrim, po sjell rastin e z. Arben Imami, sot shef kabineti në zyrën e kryeministrit Salih Berisha, sepse është një rast shumë domethënës. Dikur z. Imami ka qënë një ëndërrimtar e aktor i talentuar, më vonë u ciklua si parlamentar i dështuar, mandej u njoh si opozitar me dhëmbë të thyer e trup të copëtuar nga Salihi e veglat e tij, gjeneral i vetëshpallur i një rebelimi leninist, konstitucionalist pa një ditë shkollë për atë punë, e gjendet tash i vënë pa kushte në shërbim të atij që, në kushte të tjera ka thënë se i ka shkatërruar familjen, shëndetin e jetën. Si ky ka mjaft që e kanë pasur karrierën të ndërlikuar por ky është prototipi i këtij grupi që njihen si VIP në Tiranë. Natyrisht, zgjidhja e tij ka qënë racionale dhe duket se kështu i del llogaria, si atij ashtu edhe pjestarëve të tjerë të parisë së Tiranës.
Të huajt janë të interesuar kryesisht për stabilitet. A fiton krahu i majtë i Gërdecit apo i djathti, për to nuk ka shumë rëndësi sepse ai vend ka qënë një problem i madh dhe vazhdon të jetë edhe më problem sot kur duket që nuk luan asgjë. Ato e dinë mirë se me kë kanë të bëjnë, të gjithë këto pjestarë të parisë së Tiranës i kanë dosjet e mbushura me gjithfarë xhevahiresh dhe të gjithë kanë dhënë prova që janë përjashta normës. Pse duhet të ndërhyjnë të huajt kur këto të ashtuquajtur udhëheqës i zgjedh vetë populli i tyre? Mesimet e nxjerruna nga kriza e vitit 1997 i kanë bindur të huajt se ndoshta duhet ti lënë këto të merrem me punët e tyre. Ky është një mësim që paria e Tiranës e ka mësuar shumë mirë dhe prandaj kur një i huaj flet mirë, e thërrasin në parlament dhe i japin Urdhrin e Skënderbeut ose e shpallin Nderi i Kombit. Kur nuk flet mirë nuk e presin herën tjetër.
Mirëpo, në thelb të të gjithë lojës politike të legjitimit të parisë është qëndrimi i popullit. As të huajt e as paria nuk mund të vazhdojnë të qetë nëse populli e shqiptarët në veçanti fillojnë e shfaqin shenja të qarta se ato nuk pajtohen me sundimin e tyre. Deri në këtë pikë ato kanë arritur ta kontrollojnë popullin, ta bindin se e vetmja rrugë është sjellja kriminale dhe bindja ndaj parisë e ndaj rregullave të vendosura prej saj e kështu ta kriminalizojnë. Teknikat e saj të stërholla me i mbajtë njerëzit peng për interesat e veta materiale dhe ndërkohë me i zhveshë nga çdo vlerë njerëzore kanë qënë deri diku të sukseshme. Paria e ka mbrritur qëllimin e vet duke përdorur urrejtjen e mllefin për të shkuarën, neverinë për jetën e tashme, dëshirat për me ruejtë e me marrë pronat, apo me ruejtë pronat e vjedhura apo të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Mirëpo sa herë vijnë zgjedhjet, pavarësisht manipulimeve, rrahjeve e kacafytjeve publike, paria e Tiranës nuk ndjehet shumë e sigurtë se si do të sillet populli. Prandaj fushata zgjedhore është një përpjekje e kushtueshme për me sigurue që njerëzit do të sillen si don paria. Ato do të shkojnë e do të votojnë ose për një palë të parisë ose për palën tjetër. Në fund të fundit paria gjithmonë del e fituar. Kësaj here, sic do here populli shqiptar e ka mundësinë të bëjë një zgjidhje që ose do ta legjitimojë ose do ta minojë sundimin e parisë. Në mungesë të forcave politike që do të mbrojnë interesat e shqiptarëve më e pakta që shqiptarët mund të bëjnë do të jetë të minojnë e ta deligjimojnë sundimin e parisë.

CILAT JANË RRUGËT QË DUHEN NDJEKUR?

Në çdo kohë, por veçanërisht sot, populli shqiptar ka katër rrugë për të ndjekur. Njëra rrugë është ajo e legjimimit të sistemit. Në këtë mënyrë, askush nuk ka të drejtë të dalë e të thotë se paria na bëri këtë e atë. Kur e pati mundësinë, secili e bëri zgjidhjen e vet dhe votoi për njërën ose për tjëtrën palë të parisë. Kështu, paria sundon me votën e popullit. Rruga tjetër është organizimi i një force politike që të punojë për shqiptarët si komb. Paria don që gjithkush nga pakicat të ketë partinë e vet. Kështu, në këtë pikë pakicat janë të organizuara shumë mirë në strukturat e Unionit Vllah, Partisë për të Drejtat e Grekëve, Partia e Maqedonasve, apo partia e Romëve. Për parinë jeniçere të Tiranës, vetëm shqiptarët nuk duhet të kenë një forcë që mendon e që lufton të mbrojë interesat e tyre. Si shihen gjërat, shqiptarët nuk do të kenë përfaqësim politik në këto zgjedhje. E treta është rruga e luftës së hapur me çdo mjet e pamëshirë kundër këtij sistemi jeniçero-martalloz si në nivelin shoqëror ashtu edhe në atë politik. Rruga e fundit është ajo e bojkotit. Kur njerëzit nuk ia japin votëbesimin sistemit, sistemi shkërmoqet e bëhet hapur diktatorial e tiranik. Po shihet qartë se parinë e Tiranës e ka kapur paniku se shqiptarët do të bojkotojnë sistemin e tyre.

BOJKOTI SI RRUGA E VETME PËR TË LUFTUAR SISTEMIN?

Ka zëri që thonë se ka ardhur koha që shqiptarët ta ndajnë mendjen dhe të bëjnë një zgjidhje të vështirë por shumë të dobishme për to. Sistemi i parisë së Tiranës nuk do të ndryshojë. Zgjedhjet nuk do të zgjidhin asgjë vetëm do të legjitimojnë parinë e diskredituar të Tiranës. Kështu që nuk humbet gjë, si votove si nuk votove. Cilado parti të fitojë zgjedhjet ajo do ti ruajë interesat e tjetrës. Si e ruajti Fatos Nano Salih Berishën, ashtu e ruajti Salih Berisha Fatos Nanon. Çmimin e kanë paguar e do ta paguajnë shqiptarët. Pse të votosh për një parti kur ajo është pjesë e krimit dhe vegël e palës tjetër thjesht sepse të dyja janë pjesë integrale e parisë së Tiranës?
Edhe kësaj here, si një herë në katër vjet, njerëzit e kanë mundësinë që t'i bojkotojnë zgjedhjet dhe frika e parisë është se do të ketë bojkot masiv. Gur gur bahet mur, mur mur bahet kalaja. Nga shprehjet në shtyp e nga shqetësimi i analistëve të lidhur me segmentet e parisë, ndjehet frika e bojkotimit të zgjedhjeve dhe e bojkotimit të sistemit. Paria është krejtësisht e vetëdijshme që secila votë që nuk hidhet në mbështetje të njërës ose tjetrës palë të parisë, është një shigjetë e hedhur në zemër të sistemit kriminal të saj që i shërben asaj dhe që i duhet asaj. Duke mos votuar, njerëzit do të tregojnë se nuk pranojnë të jenë pjesë e krimit të parisë së Tiranës. Kjo është frika e parisë.
Makthi i parisë së Tiranës, pra, është refuzimi i shqiptarëve për me shkue me votue, bojkotimi masiv i zgjedhjeve që ato i kanë përgatitur me aq kujdes dhe që iu duhen aq shumë. Momenti që ato i druhen më fort, por që kurrë nuk do ta pranojnë mendërisht është momenti kur në qendrat e votimit do të jenë vetëm komisionet e militantëve e kur gangsterët e partisë do të shkojnë shtëpi më shtëpi por të gjithë shqiptarët ose janë të sëmurë, kanë shkuar me pushime, kanë thyer këmbën, nuk iu pëlqen kandidati i rradhës, mendojnë se koalicioni ka qënë i gabuar, nxjerrin bishta (si bie fjala, nuk kanë letërnjoftime, pasaporta, nuk e kanë emrin në lista, ose e kanë në katër lista etj) ose e thonë të vërtetën që politika ka qënë një mashtrim i madh dhe i paturpshëm dhe nuk duan të vojtojnë e pikë.

Në përfundim duhet thënë se legjitimimi i sundimit të parisë së Tiranës është një provë e madhe që nuk duhet kaluar lehtë. Bojkotimi, nëse ndodh, do të jetë një hap i madh përpara drejt riorganizimit të sistemit politik në shtetin shqiptar. Në mungesë të strukturave, bojkotimi do të jetë një vendim I marrë nga shumë individë të vetmuar, por rëndësia e aktit të tyre do të jetë shumë e madhe. Po ashtu duhet thënë se Paria e Tiranës ka mësuar ta kthejë dhimbjen në fitore mirëpo bojkoti masiv, si praktikë e sprovuar, është një goditje për vdekje e cilitdo sistemit ekzistues dhe në rastin e shqiptarëve ai një shenjë e qartë se shqiptarët kanë filluar të mendojnë se nuk duhet ti lënë më peng familjet e jetën e tyre në duart e parisë së Tiranës.

4 Komente

Në Tiranë çdo gjë e ka një çmim në pare.

Pak a shume te nje thoshte Vaso Cubrilovic ne tezen e tij shkencore "Si ti debojme Arrnautet?" Pergjigjja: me ndihemen e Tiranes nqs i jep asaj pare.

Makthi i parisë së Tiranës, pra, është refuzimi i shqiptarëve për me shkue me votue

Yip..duhet me u krijuE Partia e Bojkotit

saktë.

 "....Të huajt janë të interesuar kryesisht për stabilitet. A fiton krahu i majtë i Gërdecit apo i djathti, për to nuk ka shumë rëndësi sepse ai vend ka qënë një problem i madh dhe vazhdon të jetë edhe më problem sot kur duket që nuk luan asgjë. Ato e dinë mirë se me kë kanë të bëjnë, të gjithë këto pjestarë të parisë së Tiranës i kanë dosjet e mbushura me gjithfarë xhevahiresh dhe të gjithë kanë dhënë prova që janë përjashta normës. Pse duhet të ndërhyjnë të huajt kur këto të ashtuquajtur udhëheqës i zgjedh vetë populli i tyre?..."

I ke rene pikes. Tamam.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).