“Zgjedhjet, në 17 vjet demokraci, fitoret nuk erdhën nga votat”

Libri i duhur në kohën e duhur. Vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, publicisti dhe studiuesi i njohur Afrim Krasniqi, ka hedhur në treg një punim të imtësishëm të ecurisë historike të proceseve zgjedhore në Shqipërinë postkomuniste. “Zgjedhjet në Shqipëri, 1991-2008”, është titulli i librit voluminoz, që veç të dhënave të sakta, apo vlerave statistikore, për herë të parë përfshin në nivele të admirueshme edhe analizën e paanshme të këtyre zgjedhjeve, filluar nga ato parlamentare, vazhduar me ato lokale e përfunduar me tre referendumet. “Janë statistika të sakta, të qëmtuara nga shumë burime, ka analiza të para-gjatë-pas çdo procesi zgjedhor dhe tabela krahasuese me proceset parakaluese dhe pasardhëse. Në libër analizohet roli i partive, i kandidatëve, risitë, roli i KQZ-së, i faktorit ndërkombëtar, vetë fushatat, anët e tyre pozitive dhe negative”, shpjegon Afrim Krasniqi thelbin e materialit që përbën librin e tij të fundit. Një material që sipas tij nuk është parë në asnjë çast në këndvështrim paragjykues dhe që konfiguron definicione jo të zakonta. “Pasi shkrova faqen e fundit të librit, pasi bëra analizën e të gjithë faktorëve përcaktues në zgjedhje, dola në përfundimin aspak të këndshëm se në 17 vite postdiktaturë në Shqipëri, më shumë se vullneti i votuesve, rol përcaktues në fitimin e zgjedhjeve ka pasur sistemi zgjedhor...”

Zoti Krasniqi, a mund të shërbejë ky libër juaji në prag të zgjedhjeve parlamentare?
Mendoj se po. Sepse besoj që asnjë parti politike nuk mund të ketë në mënyrë të përmbledhur, pra në një vëllim të vetëm kaq shumë informacion. Natyrisht që partitë kanë informacion për zgjedhjet, por së pari këtë informacion e kanë në statistika dhe analizë të parë në një këndvështrim të vetëm, të papërmbledhur dhe të papërpunuar. Rrjedhimisht libri, ku jam munduar të jem maksimalisht i saktë dhe i paanshëm, është një material i vlefshëm për secilën palë, sidomos tani para zgjedhjeve.

Si është konceptuar libri? Me çfarë nis?
Librin e kam nisur me të dhënat, statistikat dhe analizën e procesit të fundit zgjedhor nën komunizëm, atij të vitit 1987.

Me ç’qëllim?
Për të treguar se si ishte modeli komunist i zgjedhjeve, cila ishte trashëgimia. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë të shkuarën. Po përmend një kuriozitet: Më 1987 në rolin e Nënkryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve ishte numri dy i ushtrisë, saktësisht Zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Pra kemi të bëjmë me zgjedhje krejt formale, pa konkurrim, pa garë, me rezultate afër 100 për qind në favor të Partisë së Punës. Shkurt një model se si nuk duhet të bëheshin zgjedhjet.

Zgjedhjet e para pluraliste janë zhvilluar më 1991. Si e keni trajtuar këtë proces në librin tuaj?
Në zgjedhjet e 1991 pati dy tipare kryesore. Së pari u vu re një farë përpjekje për të bërë zgjedhje demokratike për herë të parë dhe së dyti u vërtetua paaftësi për të zbatuar parimet demokratike. Disa nga parregullsitë që u vunë re nisnin me falsitetin e subjektet në garë. Kështu nga 11 subjekte gjithsej, 6 ishin fiktive, pasi ishin pjella të Partisë së Punës, si për shembull Bashkimet Profesionale, Komiteti i Veteranëve, Bashkimi i Gruas, Rinisë etj. Një tjetër nonsens skandaloz ishte se rreth 90 për qind e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konkurruan në zgjedhje, përfshirë Kryetarin, Rexhep Mejdani. Një tjetër parregullsi ishte, për shembull, prania e busteve të Enver Hoxhës në qendrat e votimeve. Ka foto edhe në internet që e vërtetojnë këtë. Po kështu në këto zgjedhje ka pasur edhe parregullsi në përcaktimin e numrit të zgjedhësve që duhet të votonin në një zonë zgjedhore, pasi në zona të caktuara ky numër ishte sa dyfishi i atyre normale. Përfundimisht analiza e të dhënave thotë se këto zgjedhje të para pluraliste nuk ishin demokratike. Zgjedhjet ku Partia Socialiste fitoi shumicën, 67 për qind të vendeve në Parlament, mezi u pranuan nga vëzhguesit e huaj, sidomos ata amerikanë.

Një vit më pas u zhvilluan zgjedhjet që sollën Partinë Demokratike në pushtet. Si i sillni në punimin tuaj?
Parlamentaret e 1992 i kam përcaktuar si procesin më të rregullt zgjedhor të historisë postkomuniste shqiptare. Së pari më shumë se zgjedhje ato ishin një referendum, një vendim popullor për ndarje me sistemin e kaluar. Së dyti zgjedhjet u përgatitën me baza ligjore sipas kërkesave të opozitës dhe ato ishin krejt të pastra nga manipulimet e ndryshme pasi edhe Partia Demokratike, edhe ajo Socialiste nuk e kishin provuar hipjen dhe gëzimin e pushtetit, apo kalimin në opozitë të mirëfilltë, pra nuk ishin joshur ende nga frutet e pushtetit, apo goditur nga pasojat e humbjes. Në këto zgjedhje pati një prani të madhe të ndërkombëtarëve, sidomos të amerikanëve e britanikëve, ndërsa ambasadori USA në Tiranë, Uilljam Rajerson, u shfaq në mitingjet e Partisë Demokratike.

Pra sërish një parregullsi?
Jo edhe aq, pasi në asnjë rast ai nuk tha “votoni PD-në”, por kërkoi që të votohej ndryshimi i sistemit. Përfundimisht PD-ja fitoi 92 deputetë, ndërsa PS-ja 38, nga të cilët vetëm 6 drejtpërdrejt, ndërsa 26 të tjerët nga lista.

A ishte sipas jush procesi zgjedhor i vitit 1996 më i parregullti? Kam parasysh dhunën dhe tërheqjen e komisionerëve të opozitës.
Proceset zgjedhore të 1996 dhe 2001 kanë qenë më të kontestuarit. Të dyja u dhanë qeverive mandat të dytë. Në të dyja kryetarët e partive ishin kandidatë për president. Në të dyja u përfshi Gjykata Kushtetuese. Le ti shohim me radhë. Për zgjedhjet e 1996 sondazhet sidomos ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thoshin se PD-ja ishte favorite në zgjedhje. Por PD-ja e teproi duke kërkuar një fitore të thellë. Këtu pati burim manipulimi. Favorizuese për PD-në ishte përjashtimi nga kandidimi i shumë figurave të njohura të opozitës me anë të ligjit për “Genocidin...”. Kështu u lanë jashtë kandidimit rreth 35 kandidatë, përfshirë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Gramoz Ruçin, që ishin përkatësisht Kryetari, Nënkryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Po kështu u lanë jashtë edhe Skënder Gjinushi i PSD-së, Preç Zogaj, Ridvan Peshkëpia dhe Perikli Teta të PAD-së si dhe Lufter Xhulevi i Partisë Agrare. Nga ana tjetër humbjen e PS-së e thelloi edhe më tej edhe tërheqja nga procesi zgjedhor në orët e fundit.
Ndërsa zgjedhjet e 2001 u karakterizuan nga modeli famëkeq i Dushkut. Ku në një zonë elektorale dolën 10 deputetë. Në bazë të sondazheve më 2001 fitonte Partia Socialiste, por ajo u tregua makute, si edhe PD-ja më 1996, pasi donte të arrinte në 84 deputetë të fituar me qëllim që të kishte mundësi të zgjidhte presidentin. Kështu u shpik Dushku, ku u fituan edhe 8 mandate të tjera. Interesant është fakti se si i gjet një arsye teknike për shtyrjen e zgjedhjeve në këtë zonë duke u justifikuar se ishte prishur makina që çonte materialet e votimit. Në raundin e dytë PS-ja i bëri thirrje elektoratit të vet në këtë zonë që të votonte aleatët. Pasi Partia Aleanca Demokratike, ajo Agrare dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, nuk kishin arritur përqindjen për të përfituar nga lista. Kështu me 2300 vota të votuesve të Partisë Socialiste, PAD mori 3 deputetë, me 3600 vota të PS-së, mori edhe Partia Agrare 3 deputetë dhe me 2500 vota të tjera të PS-së, përfitoi 3 deputetë edhe PBDNJ. Për tu shënuar është se përgjatë këtij procesi Gjykata Kushtetuese shpërndau 52 mandate, nga të cilët vetëm 3 shkuan te PD-ja, të tjerët, pra 49, shkuan te PS-ja.

Dhe cili është gjykimi i pasqyruar në librin tuaj për zgjedhjet e 2005?
Ishte një proces i deformuar, por edhe një deformim i pranuar nga të gjitha palët. Ishte PD-ja, ajo që u godit nga Dushku i 2001, dhe përseri qe PD-ja ajo që erdhi në pushtet me superdushkun e 2005, të cilin e shfrytëzoi më mjeshtërisht se PS-ja. Karakteristike e këtyre zgjedhjeve ishte se për herë të parë pati një parti të tretë, Lëvizja Socialiste për Integrim, që kapi përqindje të lartë, 8.4, por që mori pak mandate, vetëm 5.

A ka ndodhur ndonjëherë në këto 17 vite që puna e mirë e një qeverie të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve?
Jo. E vërteta është se ndikimin përcaktues e ka dhënë sistemi zgjedhor dhe jo puna e mirë e qeverisë së partisë apo koalicionit në pushtet. Një tjetër fakt i papranueshëm është se që nga 1997 deri në 2005 asnjë nga partitë nuk kanë pasur program elektoral. Edhe programi i PD-së i 2005 ishte i KOP-it. Pra nuk ka pasur një program të shkruar që të gjykohet pas 4 vitesh. Ndërsa në procesin aktual të zgjedhjeve vetëm PS-ja thotë se ka përgatitur një program shumëfaqësh, por që ende është i panjohur. Nga ana tjetër rol përcaktues në zgjedhjet në Shqipëri ka luajtur edhe faktori ndërkombëtar. Më 1992 Shtetet e Bashkuara të Amerikës investuan në fitoren e PD-së dhe më 1997 bënë të kundërtën. Këto janë edhe dy rastet më ekstreme të ndërhyrjes.

Duke qenë se keni studiuar me imtësi gjithë proceset zgjedhore deri tani, si e shikoni rezultatin e qershorit 2009?
Mendoj se asnjë parti nuk do të arrijë e vetme të marrë mandat qeverisës. Për mua përcaktuese në këto zgjedhje do të jetë nëse partitë e treta si LSI-ja apo Poli i Qendrës do të arrijnë të përfaqësohen në parlament. Nëse jo, votat e tyre i shkojnë PD-së e PS-së. Ndërsa për sistemin zgjedhor mendoj se është i përkohshëm, pasi duhet të shkohet drejt sistemit zgjedhor proporcional me korrigjim kombëtar, që të votojnë edhe emigrantët. Një tjetër mangësi e këtij sistemi është se u jep hapësirë biznesmenëve në politikë. Po kështu mangësi është mungesa e transparencës financiare, pasi ligji i ri i kodit zgjedhor nuk jep zgjidhje. Aktualisht, duke qenë se jemi vetëm 2 muaj para zgjedhjeve, duhet të ishin bërë publike emrat e firmave që kanë fituar fondet publike në 3 vitet e fundit. Po kështu duhet të bëhen publike pagesat e firmave të huaja konsulente, deklarimi i pasurisë së kandidatëve etj. Ndërsa mospublikimi i emrave të kandidatëve u jep mundësi atyre që janë në funksione drejtuese administrative që të abuzojnë, pasi e dinë se do të kandidojnë. Një tjetër konkluzion për këto zgjedhje është se më të rrezikuara janë partitë e nivelit të dytë, që nuk kanë pranuar kushtet e dy partive të mëdha, ndërkohë që partitë e vogla janë më të fituara, falë aleancave të deklaruara me PD-në dhe PS-në.

Diku më pohuat se në libër ka edhe kuriozitete të ndryshme nga zgjedhjet. Mund të më thoni disa?
Po. Libri veç statistikave tepër të sakta, ka edhe detaje të ngjashme. Për shembull, ka një kryetar bashkie në Shqipëri, N. Cara i Pukës, që ka fituar vetëm me një votë diferencë, ka një deputet, B. Shehu, që ka fituar edhe me PS-në dhe me PD-në, ndërsa Y. Pango ka kandiduar me opozitën më 1997 dhe fituar me PD-në më 2005. Kuriozitet tjetër është se Namik Dolke është deputeti më i zgjedhur, 6 herë, se zgjedhjet parlamentare të 1991 dhe ato lokale të 2007, janë shtyrë me dekret presidencial etj.
 

7 Komente

A ka ndodhur ndonjëherë në këto 17 vite që puna e mirë e një qeverie të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve?
Jo. E vërteta është se ndikimin përcaktues e ka dhënë sistemi zgjedhor dhe jo puna e mirë e qeverisë së partisë apo koalicionit në pushtet.

Nga ky percaktim duhen perjashtuar zgjedhjet e 1996-es dhe 1997-es per shkak te vecorive te tyre. Psh pavarsisht sistemit zgjedhor, PD do ti fitonte zgjedhjet e '96-es persa kohe qe ishte e vendosur per te shijuar pushtetin edhe me tej. Po keshtu, edhe ne '97-en, pavarsisht sistemit zgjedhor PD s'mund ti fitonte zgjedhjet.

Mese e vertete.

Parlamentaret e 1992 i kam përcaktuar si procesin më të rregullt zgjedhor të historisë postkomuniste shqiptare.

Ironin me dhom e hajm!

Hahahaha

ndikimin përcaktues e ka dhënë sistemi zgjedhor dhe jo puna e mirë e qeverisë së partisë apo koalicionit në pushtet.

Një tjetër fakt i papranueshëm është se që nga 1997 deri në 2005 asnjë nga partitë nuk kanë pasur program elektoral.

Analize e bere nga Hajdut profesionist dhe me eksperience, per Hajduterine si fenomen. Doja t'i kujtoja Krasniqit rizgjedhjen e tij si Kryetar i Forumit Rinor te PD-se diku nga 1995-a ne ate sallen e konferencave tek Piramida.

Kuriozitet tjetër është se Namik Dokle është deputeti më i zgjedhur, 6 herë,

simboli i deputetit ne Shqiperi_epo ta gezojme ore, te na rroje sa malet, edhe 6 mandate te tjera inshallah

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).