Ylli: Do të “rizgjojmë” ligjin anti-duhan

Qindra lokale, bare apo restorante sfidojnë ligjin, ndërsa shenjat dhe etiketat paralajmëruese për ndalimin e tij qëndrojnë të varura në mur si stoli, ndërkohë vjelja e gjobave lë për të dëshiruar. E ndërsa thirrjes së specialistëve të shëndetësisë drejtuar joduhanpirësve për denoncimin e rasteve që shkelin ligjin, nuk i është përgjigjur asnjë. Shqipëria në vitin e dytë të hyrjes në fuqi të ligjit antiduhan ende kërkon forma dhe mënyra për rizgjimin dhe vënien në jetë të tij. Në një situatë të tillë drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, në një intervistë për “standard” nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve në ligj. “Nuk përjashtohet mundësia për të bërë ndryshime në ligj, me qëllim bërjen e tij më efektiv dhe më të pranueshëm nga ana e popullatës”. Sipas Yllit, kanë nisur tentativa për të rregulluar ligjin e duhanit dhe për të qartësuar rolin e Inspektoratit Shëndetësor. Drejtori i ISHP-së deklaron se ndër pikat që do të ndryshojnë në mënyrë që ligji i duhanit të ketë sa më efektivitet, do të jetë edhe qartësimi i përgjegjësive të individit dhe pronarit.

1-Së fundmi, ISHP-ja ka ndërmarrë një fushatë të gjerë mediatike antiduhan. Cili është qëllimi i kësaj fushate dhe a besoni se do të jetë e efektshme?

Është e vërtetë. Në fakt ISHP-ja, pas nxitjes nga ana e ministres së re të Shëndetësisë, znj. Anila Godo, që në tetor të vitit të kaluar nisi një fushatë për të ndërgjegjësuar qytetarët lidhur me mospirjen e duhanit në mjedise të mbyllura publike. Janë përgatitur një sërë mesazhesh për qytetaret me qëllim krijimin e një mase kritike të popullatës që reagon në mbrojtje të drejtave të joduhanpirësve. Mesazhet nënvizojnë nevojën për respektim të nenit të ligjit që ndalon duhanpirjen në mjedise të mbyllura publike dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke vendosur edhe numra telefoni ku mund të denoncojnë lokalet që shkelin ligjin. Janë botuar rreth 5000 fletëvolante të cilat janë shpërndarë gjatë muajit tetor në rrugë dhe në lokale nga punonjës të ISHP-së në bashkëpunim me DSHP-në Tiranë dhe DSHP-të e rretheve të tjera. Janë përgatitur 4 postera me përmasa shumë të mëdha. Posterat nënvizojnë idenë e ruajtjes së shëndetit të fëmijëve nga ekspozimi ndaj duhanpirjes si dhe zgjedhjen e jetës dhe jo të duhanit. Janë marrë me qera për periudhën nëntor-dhjetor 5 citylighter në rrugë kryesore të Tiranës dhe 2 billborder të mëdhenj në autostradën në dalje të Tiranës, ku janë vendosur posterat e lartpërmendur. Është marrë gjithashtu me qera një reklamë (makine) lëvizëse në Tiranë, e cila ka qarkulluar përgjatë periudhës dhjetor–janar. Është siguruar mbulimi për tri javë gjatë periudhës dhjetor-janar i tri temave prioritare shëndetësore në debatet e reality show-t “Kafazi i artë”. Një javë i është dedikuar promovimit të një jete pa duhan dhe nxitjes së një kulture të respektimit të rregullave në komunitet lidhur me ligjin antiduhan. Për aktivitetet e sipërpërmendura janë shpenzuar rreth 1 000 000 lekë të reja, pa llogaritur shpenzimet e brendshme të ISHP-së në burime njerëzore dhe logjistike. Gjatë kësaj minifushate të parë u kapërcyen shumë probleme teknike të lidhura me zbatimin për herë të parë të këtij formati nga ISHP-ja dhe pavarësisht nga defektet e vërejtura, kjo shërbeu për të krijuar një bazë eksperience lidhur me vazhdimin këtë vit në përmasa më të mëdha. Gjithsesi, telefonatat e shumta të marra nga kolegë profesionistë dëshmojnë për një impakt sinjifikativ të minifushatës së filluar. Le të rikthehemi tek pyetja juaj. Këtë vit planifikojmë të rrisim nivelin e shpenzimeve deri në të paktën 3 000 000 lekë të reja për të arritur një impakt më të madh. Janë duke u përfunduar dy spote televizive dhe posterat përkatës. Mesazhi sërish do të synojë të dekurajojë duhanpirjen në mjedise të mbyllura publike. Në datën 31 maj, Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Duhanit, besoj ato do të jenë gati dhe do të paraqiten në publik.

2- Si mendoni të sensibilizoni publikun? Çfarë metodash do të përdorë ISHP-ja në mënyrë që të ketë impakt mesazhi që ju kërkoni të transmetoni?

Ne vërejmë se në popullatën shqiptare ka probleme shumë serioze lidhur me marrëdhëniet duhanpirës-joduhanpirës. Vjet DSHP Tiranë nuk arriti të regjistronte asnjë telefonatë ankimi nga joduhanpirës edhe pas shpërndarjes së mijëra fletevolanteve nëpërmjet të cilave u bëhej thirrje joduhanpirësve të ushtronin presion mbi duhanpirësit apo mbi kamerierët në mjedise ku pihej duhan. Ende shihen prindër që pinë duhan në prani të fëmijëve të tyre pa menduar se kjo është jo vetëm e shëmtuar si sjellje, por edhe e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve. Prandaj ne vazhdojmë të synojmë të krijojmë një atmosfere të papërshtatshme, deri në mbytëse, për duhanpirësit arrogantë dhe të papërgjegjshëm që vijojnë të mos kenë asnjë ndjeshmëri për bezdinë apo sidomos për riskun që u shkaktojnë të tjerëve.

3-A keni përcaktuar target grupe të veçanta, si të rinjtë, duke qenë se janë ndër më të rrezikuarit për rënë pre e konsumit të duhanit?

Po, kemi përcaktuar edhe grupe prioritare. Burimet janë të kufizuara dhe faza në të cilën ndodhet epidemia e duhanpirjes në vendin tonë e bën sfidën shumë të madhe. Këtë vit do të synohen prindërit e rinj dhe në moshë të mesme. Siç përmenda më sipër, prindërit që pinë duhan në prani të fëmijëve të tyre, përfshi foshnjat, është tepër e rëndë dhe një indikator i papranueshëm i mungesës së ndërgjegjësimit të shoqërisë. Nuk dua të zbuloj detaje të spoteve televizive që do të bëhen të ditura në 31 maj, por në thelb do të synohet pikërisht tek marrëdhëniet prindër duhanpirës – fëmijë. Besojmë se fëmijët janë shumë të shtrenjtë për shqiptarët dhe do të prekeshin e tronditeshin kur të kuptonin se çfarë po u shkaktojnë atyre. Lidhur me të rinjtë: nuk është e vërtetë që tek të rinjtë vërehet prevalenca më e lartë e duhanpirjes në vend. Megjithatë, është shumë e vërtetë se ky grup rrezikohet në mënyrë veçanërisht të lartë nga duhanpirja dhe për më tepër është një tregues i prevalencës së duhanpirjes në të ardhmen. Ne kemi menduar edhe për ta: sivjet, ISHP-ja do të nisë një program të shkollave të shëndetshme, i cili do të synojë të frenojë prirjet për sjellje të pashëndetshme, përfshi duhanpirjen te të rinjtë e shkollave.

4-Po për sa i përket ligjit antiduhan, si do të “ringjallet” ai? Është menduar të rishikohet edhe një herë ligji për të bërë ndryshime apo përmirësime?

Është gabim të mendohet se ligji antiduhan është një ligj “i vdekur”. Nëse do të analizohej me kujdes do të vërehej se ligji zbatohet në masë shumë të gjerë; Shqipëria është tashmë një vend pa reklama cigaresh, të cilat mbulonin hapësira masive publicitare vetëm dy vjet më parë. Efektet e këtij dimensioni të ligjit në prevalencën e duhanpirësve do të vërehen shpejt në të ardhmen e afërt. Çdo ditë, qindra mijëra shqiptarë duhanpirës marrin nëpërmjet paketave që blejnë mesazhe paralajmëruese lidhur me pasojat e duhanpirjes në shëndet. Këto mesazhe janë sipas standardeve evropiane dhe zënë gjysmën e sipërfaqes së paketës. Lidhur me duhanpirjen në vendet e mbyllura publike, janë në numër shumë të vogël lokalet të cilat e sfidojnë ligjin, duke mos vendosur shenja paralajmëruese apo duke mos hequr tavllat e duhanit. Inspektorët u vendosin gjoba atyre që nuk respektojnë këto elemente, të cilat ligji i kërkon në mënyrë eksplicite. Forma se si është formuluar ligji u lë shumë përgjegjësi individëve duhanpirës në respektimin e të drejtës së individëve joduhanpirës. Kjo është edhe arsyeja se pse fushata jonë synon pikërisht të ndërgjegjësojë duhanpirësit mbi përgjegjësitë që ata kanë lidhur me shëndetin e qytetarëve të tjerë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia për të bërë ndryshime në ligj, me qëllim bërjen e tij më efektiv dhe më të pranueshëm nga ana e popullatës.

8 Komente

shkurt! deno me gjobe te rende pronaret e lokaleve, ose tua heqesh leqencen ...dhe veri nga 1000Leke gjobe atyre qe pijne ne autobusa

 

kollaj me e rizgju ne vere ligjin, se nuk i prish pune njeriu.

po tjua mbante , ta rizgjonit ne dimer

fushate tjeter mledhje leftaje.. nen dore.

Shtet koti.S'ka fuqi te zbatoj ligjet,ca pret tjeter.Nga zbatimi ligjit fillon gjithcka.Kjo tregon se ne akoma jemi asgjekundi.

seshte pune fuqije, eshte pune deshire.

pastaj, lene mo, ktu ngeli me e tregu fuqine shteti jone, ke ligji majhaneve

uh aman....

gjithesesi, une shpresoj qe ligji mos zbatohet, sepse duke qene se kam pas nje reaksion te tmerrshem ket vit ne rruget e frymarrjes prej duhanit, i kam nejt shume shume larg lokaleve, per rrjedhoje kam kursy leket, dhe i kam nejt dhe peshkut ma afer smiley

O Drejtor i Institutit te Shendetit Publik do beje mire te mos flisje fare per kete ceshtje se cfaredo qe te thuash nuk mund te justifikosh moszbatimin e ligjit. Ik e futi nje cigare duhan ene ti! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).