Xhuveli jep leje për lokal te Syri i Kaltër

"Shkretohen" 300 m2 me miratimin e ministrit

 

Dëmtohet sërish pika turistike e Syrit të Kaltër në Delvinë. Këtë radhë hallka kryesore e zinxhirit të personave që vënë dorë mbi këtë bukuri natyrore është vetë ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli. Me firmën e tij dhe vulën e dikasterit që drejton prej disa vitesh, kanë nisur dhe po përfundojnë punimet për ngritjen e një lokali, ku do të piqet mishi në hell e do të skuqet peshk, do të pihet kafe, por edhe verë e raki. Në rrjedhën e burimit të famshëm, me kthjelltësi ujërash të pashembullt, tani është duke iu dhënë dora e fundit një lokali që shtrihet në një sipërfaqe prej 300 metrash katrorë. Duke kaluar nëpër rrugën e gjerë që të çon në lokalin më të ri që u ndërtua brenda këtij viti në monumentin natyror te Syri i Kaltër, të shfaqet përpara një shesh i madh, i shtruar në pjesën më të madhe me material inert dhe me disa platforma me pllaka guri, mbi të cilat janë duke u përgatitur të instalohen tavolinat, ku do të shërbehen klientët.

Mësojmë se një firmë ka marrë miratimin për ndërtimin e lokalit që në datën 12 shtator të vitit 2008, për këto punime, që tani janë në "rafiniturë". Na thonë se investitorja D.Lulo është pajisur me të gjithë dokumentacionin që kërkohet për të zëvendësuar gjelbërimin e bregut përballë Syrit të Kaltër me një ndërtim të lehtësuar prej druri. "Muret" me dru të llakuar dhe çatia jeshile kanë njëfarë përputhjeje me kolorin e mjedisit. Lokali "mëmë" me mjedis të mbyllur, po "lind" edhe me një banak, i cili do të përdoret për të shërbyer në mjedis të hapur. Trungjet e trashë që sheh përreth tregojnë qartazi për "sëpatën" e madhe që ka rënë mbi bimësinë dhe pemët që janë sakrifikuar këtu, për të lindur lokali "mëmë dhe bijë", jo larg burimit të Syrit të Kaltër. Ministri i Mjedisit, në lejet që ka lëshuar për këtë ndërtim, është kujdesur që të vendosë "kushte" të rënda për ndërtuesin. Kështu, aprovimi i ministrit përcakton që ndërtimi të plotësojë disa kushte, ku kryesor duket detyrimi i vendosur që: të ndërtohet me material druri dhe, së dyti, të jetë i çmontueshëm.

Sipas zyrtarëve në Delvinë, Xhuveli është treguar rigoroz, pasi përballë kërkesës së bërë për 10 vjet shfrytëzim nga investitorët, ai ka firmosur vetëm për 5 vjet. Pas kësaj vjen kushti tjetër "rëndues" i vendosur nga Xhuveli, që investitorja të mbjellë pemë në të gjithë sipërfaqen që zë lokali, që përbëhet prej 300 m2. Kjo do të bëhet në atë vend ku do të caktohet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor në Delvinë. Kur pyesim drejtorin e këtij shërbimi, zotin Baftjar Beqiri, se sa pemë janë prerë për të ngritur këtë lokal, ai thotë se: "Asnjë ashkël druri nuk është prerë, pasi në këtë vend kishte vetëm shkurre dhe shelgje të kalbur". Duke iu referuar dokumentacionit të paraqitur, rezulton se ngritja e lokalit ka edhe lejen e ndërtimit, të firmosur nga Themistoli Kaishi, kryetar i Komunës së Mesopotamit, komunë e cila është administruese edhe e këtij territori në Syrin e Kaltër. Ndërkohë, mësohet se është marrë edhe pëlqimi mjedisor, qysh prej vitit 2007 nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Prefekturën e Vlorës.

5 Komente

Eh more Xhuvel faqeziu

Biznesmen i madh na dole mo. Sa goma i dogje në Vajkan të Fierit o anti-ambientalist?! tani e prishe edhe mbrekullinë e Syrit të Kaltër o faqezi.

Turp të kesh!

po un s'e mor vesh ca u shkretu ne ato 300m2 kur kishte vetem shkurre dhe shelgje te kalbur? mrena i artikulli sikur po i thojn. te pakten t'i kishin nda me dy artikuj, qe te mos na e kapte syni

Baftjari drejtori, thote se ishin shkurre e ferra, ndersa Gazetari ka pare tjeter gje ( trungje te trashe pertoke ) .... ca ka ketu per te mos kuptuar ????  !!

 Nisma per kete lokal nen rregullat e forta , mua s'me duket keq, veç gazetari nuk na informon se,  behet fjale per lokal privat apo komunar apo nen drejtimin e dreperdrejt te ministrise se Mjedisit.

po qa ka te keqe nje lokal me dru qe nuk prish ambientin dhe me kryesorja eshte per 5 vjet keshtu qe po nuk zbatoi kontraten mund ti prishet . jane bere keto gazeta vetem zi shkruajne qe ju rente zia ne shtepi . njerezit kane nevoje per kurajo, optimizem keto flasin per dite per gerdec, 97-te e per kometen qe do ju bije ne koke

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).