Votat për partitë, jo për kandidatët

Sondazhi i ZMQ-së zbulon tendencën: Vetëm 1% e votuesve interesohen për emrat e deputetëve të ardhshëm

Në zgjedhjet e 28 qershorit, 78% e shqiptarëve do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur forcën politike që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Ky ishte rezultati i sondazhit të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve për muajin prill, ku u intervistuan 1200 qytetarë. 11% e të pyeturve thonë me vendosmëri se janë të zhgënjyer nga politika dhe nuk do të votojnë më 28 qershor, ndërsa 11% të tjerë janë ende të pavendosur se çdo të bëjnë pas 37 ditësh, kur mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Duke iu referuar sondazhit, një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk janë të informuar mbi sistemin e ri elektoral. 82% e të anketuarve nuk e dinë se çfarë sistemi elektoral vepron në Shqipëri dhe si funksionon ai. Kjo do të thotë se opinioni publik nuk është ende i qartë për mënyrën se si do të bëhet përzgjedhja e 140 deputetëve në Kuvendin e ardhshëm. Megjithëse procedura është më e thjeshtë sesa më parë, ku elektorati do të votojë vetëm për partinë politike dhe jo për individin, partitë politike kanë vetëm 37 ditë kohë për të informuar elektoratin që më 28 qershor, vota e tyre të mos shkojë dëm dhe të konsiderohet e pavlefshme. Vetëm 18% e të pyeturve e njohin sistemin e ri zgjedhor. Arsyet e 11% të qytetarëve që nuk do të votojnë kanë të bëjnë me mungesën e përfaqësimit nga forcat politike, kryetarët dhe partitë. Tradita dhe partia politike janë dy arsyet kryesore që do i dërgojnë shqiptarët drejt kutive të votimit. Influenca e kryetarit të partisë renditet e treta mes shumë kritereve të sonduara nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarit dhe që kanë lidhje me arsyet pse qytetarët do të votojnë më 28 qershor. Ajo që bie në sy nga ky sondazh, është fakti se qytetarët nuk janë të influencuar nga lista e kandidatëve për deputetë. Nga qytetarët e intervistuar, 25% e tyre pohojnë se votojnë për traditë, 21% votojnë për partitë dhe 14% për kryetarët e partive. Logoja e partive dhe emri i kryetarëve dominon në bindjen e shqiptarëve për të votuar. Vetëm 1% e publikut do të përcaktojë votën e tyre në varësi të emrave që do të kandidojnë partitë, tregues i cili manifeston qartë tendencën e centralizimit të jetës së këtyre partive dhe vlerën që ka humbur roli i kandidatëve në sistemin proporcional. Të intervistuarit kanë përcaktuar edhe se cilat duhet të jenë prioritetet e qeverisë së paszgjedhjeve. Vendin e parë e ka papunësia, ku 83% e të anketuarve kërkojnë punë, të dytin e zë lufta kundër korrupsionit me 55%, diferencë e ndjeshme kjo nga e para. Në vendin e tretë ndodhet lufta kundër varfërisë me 42%, të katërtin shëndetësia me 36% dhe të pestin pronat me 25%. Vetëm 22% e qytetarëve kanë besim në garantimin e zgjedhjeve të lira, pasi 83% e të pyeturve pranon se në zgjedhje do të ketë probleme, ndërsa pjesa tjetër nuk është e sigurt se çfarë do të ndodhë. Këto probleme shihen kryesisht në procesin e numërimit të votave, ku 18% e të intervistuarve e mendojnë se problemet do të ndodhin gjatë numërimit të votave.

Më shumë se gjysma mendojnë se partitë duhet të shpallin qeveritë hije para zgjedhjeve

Fushata? 69% thonë se do

të përdoren fondet publike

Sistemi i ri zgjedhor sjell konfuzion në opinionin publik. Nga sondazhi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarit rezulton se 98% e të anketuarve pohojnë se nuk i njohin kandidatët për deputetë në zonat e tyre elektorale dhe vetëm 2% thonë të kundërtën. Një shqetësim që vjen nëpërmjet këtij sondazhi është edhe përdorimi i fondeve publike në fushatë, ose e thënë në mënyrë më të thjeshtë përdorimi i parave të shqiptarëve në fushatën elektorale. Sakaq, pritshmëria e publikut në fushatë në adresë të partive politike orientohet në kërkesën e 52% të qytetarëve, të cilët duan që këto parti të shpallin qeveritë hije para zgjedhjeve dhe jo pas tyre. Rezultati është se 69% e shqiptarëve mendojnë se do të ketë përdorim të fondeve publike, ku 38% pohon për përdorim të fondeve nga qeveria qendrore dhe 31% nga qeverisja vendore. Gjatë një monitorimi në muajin prill të ZMQ-së, ka rezultuar se për katër vitet e mandatit që kaloi, 42% e të intervistuarve nuk e njihnin deputetin e tyre të zonës dhe vetëm 58% e njihnin atë. Distanca larg elektoratit ka bërë që ky i fundit të shkojë në një pikë kritike, sa të mos njohë njeriun për të cilin ka hedhur votën katër vjet më parë, ku sistemi zgjedhor ishte ndryshe dhe votimi në mazhoritar. Sondazhi është zhvilluar në qytetet kryesore të vendit dhe janë anketuar 1200 persona, të cilët janë përzgjedhur në mënyrë rastësore në bazë të një kampionimi të shtresëzuar. Kjo nismë e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve konsiston në sondimin dhe publikimin periodik të opinionit publik për çështje që lidhen me situatën parazgjedhore dhe zgjedhore në Shqipëri.

4 Komente

 Heret qenkeni kujtuar..

"mbrojta" duhet te jete parandaluese. 

Ajo që bie në sy nga ky sondazh, është fakti se qytetarët nuk janë të influencuar nga lista e kandidatëve për deputetë.

Uau, cfare rezultati krejtesisht i "papritur" nga nje studim i kryer ne nje kohe kur listat donin akoma te pakten 4 jave qe te shpalleshin!

Ate mendoja dhe une llukan. Ne mungese te listave pergjigjet do kishin tendece te ishin fokusuar tek partite si logo.

ndersa tani qe dolen listat, me mire te mos kishin dale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).