Topi "keqardhje për mungesën e Sejdiut"

Në një intervistë për BBC-në, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi shprehu keqardhje për mungesën e Presidentit Fatmir Sejdiu në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Z. Topi tha se shtetet e rajonit duhet të “njohin detyrimin për pjesëmarrje” të Kosovës, jo vetëm në zhvillime ceremoniale, por edhe takime të rëndësishme.

Presidenti Topi shprehu mirëkuptim edhe për reagimet e studentëve që kërkuan mospjesëmarrjen e tij në ceremoninë e inaugurimit.

Ai tha se studentët do të jenë krenarë kur do të dëgjojnë mesazhet që do të dërgojë ai për pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale.

Korrespondenti i BBC-së Nazim Rashidi bisedoi me Presidentin Bamir Topi.

BBC: Si e vlerësoni mosprezencën këtu të homologut tuaj, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu?

Presidenti Topi: Natyrisht me shumë keqardhje. Unë nuk mund të futem në ekskluzivitetin e të zotit të shtëpisë për të komentuar predispozicionin për ftesën. Duke e gjykuar shumë më gjerë, jo thjesht me ndjeshmërinë që ka kryetari i shtetit të Shqipërisë, por edhe me nevojën që ka rajoni për t'u njohur dhe ambientuar, pavarësisht nga pozicionet me një realitet të ri gjeopolitik.

Aq më shumë kur shtetet respektive në rajon, me përjashtim të Serbisë që nuk ka për ta njohur ndonjëherë dhe kjo është e kuptueshme, por të gjitha shtetet që e kanë njohur (Kosovën), duhet ta njohin edhe detyrimin për pjesëmarrje, jo vetëm në aspekte ceremoniale, por edhe në tavolina të rrumbullakta ku diskutohet e ardhmja e rajonit.

Unë jam i bindur që ky rast patjetër do të nxjerrë edhe mësimet e veta, që lidershipi i Ballkanit, që është një lidership i orientuar në familjen euroatlantike, do të dijë që me shumë moderacion dhe shumë predispozicion, që të jetë në tavolinë me përfaqësuesit e të gjitha shteteve ç'ka do të thotë edhe me shtetin më të ri të Kosovës. Të jeni i sigurt se kam qenë vazhdimisht në kontakt me presidentin Sejdiu, sikurse jemi vazhdimisht, kam komunikuar me të edhe brenda harkut kohor të këtyre ditëve dhe disa minuta më parë para se të vij këtu. Patjetër ka qenë edhe mirëkuptimi i tij që kjo çështje të shprehet për të ardhmen e tavolinave të vendeve të Ballkanit.

BBC: A do t’ia shprehni këto konstatime autoriteteve këtu, çfarë mesazhesh do dërgoni në emër të presidentit Sejdiu?

Presidenti Topi: Unë natyrisht flas në emër të shtetit shqiptar. Jo thjesht në politikë, por në natyrën time dhe në natyrën e institucionit që përfaqësoj, unë nuk jam shumë konfidencial në dhënien e mesazheve. Mesazhet kanë vlerë kur jepen publikisht. Jam i drejtëpërdrejtë dhe do t'i jap këto mesazhe në të mirë të situatës në rajon, por edhe rolin e rëndësishëm moderator që ka Shqipëria në këtë rajon.

BBC: Z. Topi nga organizata studentore pati thirje që ju të mos merrni pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Gjithashtu një parti shqiptare, PDSH nuk mori pjesë në inaugurim. Si i shikoni këto çështje emocionale që shfaqen dhe nuk gjendet elegancë nga autoritetet e Maqedonisë që ato të tejkalohen?

Presidenti Topi: Unë kam një mirëkuptim të plotë me studentët. Absolutisht. Studentët janë pjesa më eksplicite e shoqërisë, por jam i bindur që studentët duhet të mirëkuptojnë se politikat e shtetit shqiptar janë politika të afrimit dhe të rregullimit të gjërave nëpërmjet dialogut. Jam i bindur se studentët shqiptarë kur do të dëgjojnë mesazhin e presidentit të Shqipërisë të thënë publikisht në interes të pjesëmarrjes dhe detyrimit të pjesëmarrjes së Kosovës në tavolinat rajnale, do të qetësohen dhe do të krenohen për përfaqësimin dinjitoz të shtetit shqiptar.

BBC: Maqedonia ka tani një president të ri. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë vlerësuar gjithmonë si të mira, por mendoni se do të ketë një dinamikë të re, duke pasur parasysh edhe këto zhvillime të fundit që ju i artikuloni qartë?

Presidenti Topi: Unë besoj se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është në familjen euroatlantike, ç'ka do të thotë se ka një orientim të qartë, të të gjitha këtyre vendeve për të arritur standarde më të larta edhe të dialogut politik.

Vendet tona duhet patjetër të rrisin nivelin e dialogut të shkëmbejnë marrëdhënie ekonomike, të ndërtojnë infrastruktura të përbashkëta siç është sistemi energjitik rajonal dhe mbi të gjitha të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, atë që ne aspirojmë duke u futur në Evropë.

Besoj se marrëdhëniet do vijnë gjithmonë duke u përmirësuar dhe të njëjtin vullnet unë e ndjej edhe tek partnerët.

7 Komente

Edhe mua do me kishte pelqy qe mos shkonte hiç pas asaj fyerje qe ata "nameless" i bene Kombit tone duke mos ftuar Sejdiun (ne fillim se pastaj e drodhen). Po sidoqofte te pakten me keto fjale te buta (se ashtu e ka stilin) dhe me mostakimin e Gruevskit, tregoi qe shqiptaret nuk kane me ndermend qe te lejojne palaçot qe te tallen me ta.

Pjesa tjeter (marredhenie te mira dhe rruga e perbashket drejt strukturave euroatlantike) jane formula qe te jashtmit kane qejf qe te thuhen neper media sepse i mushin menien vetes se po i zgjidhin problemet ne Ballkan.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka përsëritur se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Shkupi zyrtar për inaugurimin e presidentit maqedonas. Ky veprim cilësohet fyerje nga opozita, por jo edhe nga institucionet.

Presidenti Sejdiu këtë qëndrim të Shkupit nuk e sheh si shkas, që do të mund të ndikojë në prishjen e raporteve Kosovë-Maqedoni.

“Kur të jenë rrethanat e përshtatshme, unë absolutisht do të kem dëshirë që edhe presidenti i Maqedonisë të jetë në Kosovë, edhe unë të jem në Maqedoni. Prandaj, ne do të jemi në kontakte të vazhdueshme si dy vende. Republika e Kosovës do të nxitojë kualitetshëm të ecë në hapat e vet dhe për ne është me rëndësi që të bëjmë hapa pozitivë brenda vendit, por edhe në raporte ndërkombëtare”, u shpreh Sejdiu.
 

Nga fjalet e Topit kuptohet qarte qe qendrimi ka qene shume i zgjuar dhe qe perfitimet perseri i kane shqiptaret.

Ujku qimen e nderron por zakonin jo, keshtu qe veprimi i pamatur i Maqedonsve qe nuk derguan ftese ( te pohosh ftesen do te thote t`i lesh topin ne dere shqiptareve ) jep shkas per interpretime interesante dhe evidenton rolin moderator te Shqiperise dhe te Kosoves gjithashtu.

 

Topi nuk duhej te shkonte atje!

do ishte me mire nqs Shqiperia do e ndihmonte me shume Kososen ne anen politike, kur shef se sa Serbia ben kunder saj! Por sic dihet Shqiperia nuk ka kapacitet ose peshe ne fushen politike nderkomtare ...me veterinare dhe b**h lepirasa nuk nxjerr gje ne drite.

Duhet te angazhojme me shume poltikane te rinj qe e njohin me mire natyren e politikes se jashtme

O Topi o kryetar koperative që nuk le vend dhe ndeshje futbolli pa parë. Si merr guximin e shkon në Shkup pa Sejdiun o i "moderuar", o Topce.

1) Ku është dinjiteti i shtetit shqiptar?

2) Ku është "dinjiteti" i vendit anëtar të NATO-s?

3) Ku e merrni guximin që të ftoni FYROM-in, Bosnjën dhe Serbinë të bëhen anëtare të NATO-s?

4) Nga cilat pozita flisni ju o internacionalistë proletarë? 

Nese Topi nuk do te shkonte do behej nje ndarje e rrezikshme mdis NE shqiptareve edhe ATA sllavet!

Kjo do te tensiononte marredheniet dhe nuk do ti sherbente rajonit dhe aq me pak Kosovoes. Maqedonia e ka njohur Kosoven si shtet i pavarur! Te tjerat jane rendesi e dores se dyte. Nuk digjet jorgani per nje plesht!

""""Unë natyrisht flas në emër të shtetit shqiptar. Jo thjesht në politikë, por në natyrën time dhe në natyrën e institucionit që përfaqësoj, unë nuk jam shumë konfidencial në dhënien e mesazheve. Mesazhet kanë vlerë kur jepen publikisht. Jam i drejtëpërdrejtë dhe do t'i jap këto mesazhe në të mirë të situatës në rajon, por edhe rolin e rëndësishëm moderator që ka Shqipëria në këtë rajon."""""

Do ishte me e drejte te mos kishim asnje perfaqsues shqiptar ???????...Topi thekson qarte, qe  mesazhet duhet te jepen publikisht dhe jo ne forma konfidenciale....

Pervec vlerave nacionaliste mbi kombin kemi dhe vlera patriotike  dhe keto dy nocione jane te ndryshme pa gjeneralizuar arsyen e mosarsyes ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).