Surpriza fiskale e Bodes: Do u kthejmë taksat qytetarëve, si në sistemin amerikan

Ministria e Financave ka gati një paketë surprizë për sistemin fiskal. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ministri i Financave, Ridvan Bode jep detajet e strategjisë së re fiskale. Sipas Bodes, brenda vitit 2010, qeveria do të implementojë metodën amerikane të rimbursimit të taksave për qytetarët. E thënë më thjeshtë, të gjithë konsumatorët shqiptarë do të mbajnë faturat e blerjeve që bëjnë gjatë gjithë vitit. Në fund të vitit këto fatura do të dorëzohen te zyrat e tatimeve. Organet fiskale do të llogarisin konsumin dhe sa pjesë e këtij konsumi shkon për taksa dhe do të bëjnë rimbursimin. Ky rimbursim do të bëhet për qytetarët dhe konsumatorët me paga mesatare. Në intervistën për gazetën, ministri tregon edhe për marrëdhëniet me FMN, uljen e taksave dhe tatimeve gjatë këtyre viteve. Pse u mor kredi tregtare dhe u shmang kërkesa ndaj FMN. Pse Shqipëria nuk është pjesë e krizës ekonomike botërore dhe sa kanë ndikuar shpenzimet për investime gjatë këtyre muajve në balancën e buxhetit. Sa ka ndikuar mbledhja e mbi 3.5 miliardë eurove më shumë nga taksat e tatimet në xhepat e qytetarëve dhe rishikimi i TVSH për disa kategori, si premtim elektoral. Ulja e borxhit të brendshëm, edhe pse të ardhurat nuk janë në kuota optimale, dhe kushtet e reja për rritjen e kreditimit nga bankat e nivelit të dytë. Reforma e re e pensioneve dhe si do shpërblehen fermerët për tokën që do mbjellin.

Qeveria gjatë katër viteve ka ulur nivelin e taksave dhe sigurimeve. Kush nga këto taksa ka dhënë kontributin që ju prisnit?
Në mandatin e saj, Partia Demokratike ndërmori reformën më të thellë fiskale që është marrë ndonjëherë në drejtim të uljes së taksave por edhe reformën më të thellë fiskale që vendet e tjera kanë marrë në harkun e katër viteve. Kjo reformë fiskale u bë e mundur përmes përmirësimit të performancës. Nëse shikoni programin e Partisë Demokratike, në vitin 2005 ne nuk kemi përmendur edhe në kushtet më optimiste një reformë kaq të thellë. Tashmë pas katër vitesh ne kemi të gjitha taksat të përgjysmuara, me përjashtim të TVSH. Me përjashtim të kësaj takse të gjitha të tjerat kanë rënë nën nivelin e 50 për qind, në krahasim me atë që kanë në vitin 2005. Kjo reformë u bë e mundur përmes përmirësimit të reformës fiskale, që do të thotë dominimit të informalitetit që ka pasur në ekonomi e evazionit fiskal, që ka pasur administrimi i taksave në qeverinë e mëparshme, si dhe dominimit të fenomenit të përhapur të korrupsionit në vjeljen e tyre. Përmes një sërë përmirësimesh ligjore që ndërmorëm, përmes modernizimit të sistemit të vjeljes së taksave, në shkëputëm kontaktin e administratës nga biznesi dhe kjo bëri të mundur që biznesi gjithnjë e më shumë të ndjehej më komod në marrëdhëniet në raport me shtetin. Ne ndërmorëm një sërë përmirësimesh të tjera ligjore, të cilat synonin mënjanimin e hapësirave për evazion dhe informalitet në ekonomi, siç ishte detyrimi për të kaluar të gjitha transaksionet e kompanive përmes kanaleve bankare që synonte uljes e cash në qarkullim. Sot Shqipëria ka më pak cash në qarkullin, në raport me prodhimin e brendshëm bruto në krahasim me vitet e tjera. Të gjitha këto bënë të mundur që ne krahas përmirësimit të rritjes së të ardhurave në buxhet, të kryejmë një reformë fiskale dhe ulje taksash. Kush është sot niveli i taksave?. Tatimi mbi fitimin dhe Tatimi mbi korporatat, nga 25 për qind që ka qenë në vitin korrik të 2005-ës, tani është 10 për qind pra është ulur 2 herë e gjysmë. Ne kemi ulur në nivelin maksimal për tatimin mbi të ardhurat personale, nga 23 për qind, në 10 për qind me taksë të sheshtë. U bë një ulje prej 2.3 herë nga niveli i tarifës maksimale, ndërkohë që për tarifat minimale janë të ngritura dhe për këto qeveria ka ndërmarrë kompensimin e plotë të efekteve që jep kjo taksë në të ardhurat e punonjësve publike dhe të gjithë administratës tjetër që lidhet më të. Ne kemi përgjysmuar me dy herë tatimin e taksës mbi punën. Kontributin e sigurimeve shoqërore nga 30 për qind që ka qenë në vitin 2005, në 15 për qind dhe kjo është pjesë që paguan punëdhënësi. Janë ulur me dy herë tatimi për biznesin e vogël, nga 3 për qind mbi xhiron në 1.5 për qind mbi xhiron. Kanë pësuar ulje apo heqje një sërë tarifash si dhe taksat nacionale. Ne po vijojmë në tërësi për uljen e nivelit të tyre. Ne mundësuam ta bëjmë Shqipërinë vendin me nivelin e taksave më të ulët në Evropë dhe vendin me liritë fiskale më të mëdha, jo vetëm në Evropë por në gjithë rruzullin tokësor. Ne jemi ndër vendet me taksat më të ulëta. Janë vetëm tre-katër vende me taksat më të ulëta se Shqipëria. Kjo ulje e madhe e taksave krijoi një ambient të përshtatshëm për biznesin, rriti interesin e investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare. Investimet e huaja direkte, nga 35 milionë euro që kanë qenë në 2004 kanë arritur në 830 milionë euro për vitin 2008. Vëllimi i investime në ekonomi, përfshirë këtu edhe investimet e huaja direkte, investimet e brendshme dhe investimet e buxhetit të shtetit arrijnë në rreth 34 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Pra më shumë se një e treta e prodhimit që realizohet në Shqipëri investohet në sektorin privat apo në sektorin publik, por që është i lidhur ngushtë me sektorin privat. Kjo ishte ajo që ne mundësuam në harkun e katër viteve. Pra, uljen, përgjysmimin e taksave dhe listimin e Shqipërisë në vendet me taksat më të ulëta në Evropë dhe rritjen më të lartë fiskale.

Sipas të dhënave, pavarësisht nga ulja e taksave, të ardhurat fiskale janë rritur ndjeshëm. Çdo taksë, direkt apo indirekt paguhet nga konsumatori. A janë sot shqiptarët më të varfër?
Ne ulëm taksat dhe arritëm që në harkun e katër viteve të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten me 80 për qind. Mbi 3.5 miliardë dollarë arkëtohen në vitin 2008, në krahasim me vitin 2004. Viti 2008 po kështu edhe viti 2009 do të ketë një nivel të ardhurash në buxhet dy herë më të lartë krahasuar me vitin 2004. Rritja e të ardhurave ka ardhur për efekt jo të rritjes e barrës fiskale, jo të rritjes së pjesës që paguajnë qytetarët në formë indirekte apo në formë të drejtpërdrejtë por uljen e evazionit fiskal nga ana e kompanive dhe vendosjes e gjithë kompanive në kushte të njëjta konkurruese. Kjo ka krijuar mundësinë e rritjes së vëllimit të investimeve direkte, në rritjen e kreditimit të ekonomisë nga 7 për qind në 35 për qind për biznesin privat në harkun e katër viteve. Mendoj që burimi kryesor i rritjes së të ardhurave në buxhet ka qenë rritja e vëllimit të transaksioneve ekonomike, pra rritja e prodhimit të brendshëm bruto. Së dyti ka qenë ulja e evazionit fiskal dhe informalitetit në ekonomisë, çka ka bërë që të gjithë të kontribuojnë në mënyrë të drejtë dhe propocionale në aktivitetin e tyre. Për sa i takon qytetarëve, rritja e nivelit të të ardhurave nga taksat do të transmetohej si rritje çmimesh në treg. Ajo që paguajnë qytetarët është rritja e çmimeve, pra inflacioni. Po kush është inflacioni sipas INSTAT-it, që shqiptarët kanë paguar më shtrenjtë nga kjo qeveri se nga qeveritë e mëparshme. Shifra është 11.5 për qind, krahasuar me periudhën 2002-2005 kur inflacioni ka qenë rreth 17 qind. Pra edhe nga pikëpamja e inflacionit, ndikimi është në parametra tepër tepër të ulta, nga më të ultat në të gjithë rajonin tonë. Mendoj që pagimi i taksave më shumë ka dominuar informalitetin, kontrabandën në ekonominë shqiptare sesa ka rënduar mbi qytetarët. Sepse ka hequr mundësinë e përfitimit në pjesë jo ligjore, një pjesë e biznesit për arsye të ndryshme qoftë për korrupsion apo për lidhje me kanalet zyrtare apo duke qenë vet drejtë për drejtë aktor në ekonomi. Të gjitha këto pra kanë bërë të mundur që ne të rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave të fundit, të ardhurat në buxhet kanë rënë, ndërkohë që shpenzimet e këtyre katër muajve janë në nivele shumë më të larta. Çfarë efektesh do të ketë në buxhetin e pjesës së mbetur të vitit?
Viti 2009 sigurisht është një viti i cili ka disa specifika në drejtim të realizimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Dhe këto specifika kanë të bëjnë me nivelin e çmimeve krahasuar me periudhat e mëparshme. Në 4-mujorin e parë të vitit 2008 ne patëm çmime të rritura në një sërë produktesh që kanë peshë në vëllimin e importeve të Shqipërisë, të tilla si karburanti që ka qenë mbi 100 dollarë fuçia ndërkohë jemi në parametrat e 37-40 dollarë fuçia. Pra kemi një ulje prej dy herë e gjysmë të vlerës së importeve të karburanteve. Kanë qenë drithërat të cilat vitin e kaluar kanë pasur një rritje 3 herë më të larta krahasuar me këtë vit, kanë qenë dhe disa mallra të tjerë që zënë vëllim të madh në importet e vendit, që janë materialet e ndërtimit ku mund të përfshijmë hekurin apo pjesë të tjera të materialeve të ndërtimit. Të gjitha këto krahasuar me një vit më parë, kanë bërë që niveli i çmimeve është ulur dy herë. Dhe këto sigurisht që kanë dhënë një impakt në vëllimin e të ardhurave nga doganat. Për sa i takon administratës tatimore për periudhën 4-mujore, të ardhurat kanë tejkaluar programin me rreth 3-4 për qind ose 2 miliardë lekë. Ka një rritje në krahasim me vitin e kaluar prej 14.3 për qind, kur vëllimi i të ardhurave në buxhet për vitin 2009 është parashikuar vetëm 11 për qind më i lartë se një vit më parë. Ne kemi bindjen që në periudhën që vjen, çmimet e importeve të mallrave që unë përmenda pak më parë të vijnë duke e eliminuar këtë diferencë (për shkak se çmimet bëhen të krahasueshme) dhe përmirësimi i të ardhurave nga doganat do të jetë evident. Ne presim përmirësim duke filluar që nga muaji maj dhe në vijim edhe në muajt e tjerë.

Pra parashikohet që të balancohet kjo diferencë mes të ardhurave dhe shpenzimeve?

Duhet të balancohet. Çfarë ka në fund të 4-mujorit të parë? Në fund të 4-mujorit të parë të dhënat janë, që ka një realizim të të ardhurave prej 98 për qind dhe një nivel shpenzimesh prej 96 për qind. Pra niveli i realizimit të të ardhurave është më i lartë se niveli i realizimit të shpenzimeve. Ka një mosrealizim të ardhurash nga pushteti vendor, të cilat nuk impaktojnë dhe nuk japin efekte në buxhetin qendror dhe në gjithë ecurinë e financimi të buxhetit. Kjo pasi pushteti vendor është i kushtëzuar, pra sa realizojnë të ardhura aq bëjnë edhe shpenzime. Vendorët nuk krijojnë deficite të tilla sa të impaktojnë në ekonomi. Eshtë e vërtetë që ka një përshpejtim të vëllimit të shpenzimeve në krahasim me vitin 2008, pasi në periudhën 4-mujore vëllimi i investime publike është rreth 3 herë më i lartë në krahasim me 4-mujorin e vitit të kaluar dhe kjo lidhet me faktin se investimet publike u programuan gjatë vitit 2008, u tenderuan në fund të vitit 2008 dhe tani janë duke u zbatuar. Por shpenzimet do të mbetën gjithsesi brenda parametrave të programit, duke pësuar një rritje sa gjysma e të ardhurave nga privatizimi, ashtu si autorizimi që jep ligji i buxhetin për vitin 2009, i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Pra unë mendoj që nuk ka disbalancime të të ardhurave e të shpenzimeve, nuk ka rritje të deficitit të programuar për këtë periudhë. Deficiti i periudhës 4-mujore ishte në parametrat e rreth 3 miliardë lekëve të reja gjithsej, ndërkohë që programi ka qenë shumë më tepër. Deficiti vjetor mendoj që nuk do të ketë rritje përkundrazi duke përdorur 50 për qind të të ardhurave nga privatizimi, do të ulet kërkesa për huamarrje të brendshme. Viti 2009 publikohet që do të jetë vit problematik për sa i përket zhvillimit të buxhetit dhe deficitit buxhetor, por unë ju them se do të jetë viti i parë në historinë e Shqipërisë, kur huamarrja e brendshme do të jetë nën 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Pjesa tjetër e deficitit vjetor do të financohet me të ardhura nga privatizimi dhe me kredinë që kemi marrë në tregun ndërkombëtar. Pra kërkesa shtesë e qeverisë për të financuar deficitin buxhetor me paratë e bankave të vendit do të jetë minimale. Nuk do të jetë më shumë se 5 miliardë lekë, nuk do të jetë më shumë se 0.5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto.

Të ndalemi te kredia. Pse zgjodhët një kredi tregtare dhe nuk kërkuat ndihmë nga FMN?
Ne zgjodhëm kreditë tregtare sepse është viti i dytë që Shqipëria ka dalë në tregun ndërkombëtar. Eshtë viti i dytë që Shqipëria nuk deklarohet më një si vend i varfër por quhet një vend më të ardhura mesatare. Dhe vendet që bëjnë pjesë në këtë grup janë graduar një shkallë më lart dhe nuk mund të marrin më kredi koncesionale, as nga Banka Botërore, as nga FMN, dhe as nga ndonjë bankë tjetër. Të gjitha këto vende do t’i nënshtrohen daljes në treg. Eshtë folur shumë për kreditë e FMN. Të gjitha këto kredi që jep Fondi nuk shkojnë për të financuar deficitin buxhetor por është një mbështetje për të ruajtur kursin e këmbimit të monedhave vendase në raport me monedhën ndërkombëtare. Të tilla programe janë deklaruar edhe në rajonin tonë, ku niveli i zhvlerësimit të monedhës vendase në vende të ndryshme është shumë më i madh se në Shqipëri. Monedhat e vendeve të tjera të rajonit janë zhvlerësuar mbi 18 për qind, ndërkohë që Shqipëria e ka 6-7 për qind nivelin e zhvlerësimit të monedhës me euron. Kërkesat për të ndërmarrë një masë të tillë, pra për të kërkuar mbështetje për kursin e këmbimit të lekut, kushtëzohen nga një sërë kushtesh nga FMN. Ato kanë të bëjnë me një politikë reciptike të pagave dhe pensioneve. Ju e dini që Kroacia dhe disa vende të tjera të rajonit, jo vetëm nuk rritën në vitin 2009 pagat dhe pensionet por i ulën ato me 2-8 për qind si pjesë e kushteve që vendosi FMN dhe si pjesë e problemeve që kanë me ekonomitë e tyre. Nga ana tjetër ka një keqkuptim publik, sikur të aplikosh tek FMN mund të marrësh para sa të duash, që të financosh deficitin buxhetor apo problemet e të ardhurave të buxhetit. Shumë vende kanë aplikuar por askush nuk ka marrë. Ka një kushtëzim të FMN, që lidh masën e dhënies së mbështetjes buxhetore për ruajtjen e kursit të këmbimit me nivelin e pjesëmarrjes që këto vende kanë në fondin themeltar të FMN. Kjo do të thotë se mundësitë dhe kapacitetet që ka Shqipëria për të marrë fonde nga FMN nuk shkojnë më shumë se 50 milionë euro. Sado që të kërkojmë, këto janë parametrat që FMN aplikon në dhënien e ndihmave apo mbështetjen me kredi. Problemi tjetër është ai i kohës. Sikurse dihet sipas kontributeve vendet mund të përfitojnë, po deri më sot këto janë programe, ndërkohë që kriza po avancon dhe mund të ndodhë që më para të dalë bota nga kriza, se të bëhet disbursimi i fondeve të kredituara.

Duke ngelur te kriza. Pavarësisht statistikave që ju përmendët, duket se sistemi financiar ka pak besim. Bankat kanë ulur ndjeshëm kreditimin dhe e kanë shtrenjtuar shumë atë.
Kriza financiare është një krizë botërore. Bankat që operojnë në Shqipëri nuk janë thjesht banka shqiptare, por janë banka bijë, pjesë të bankave ndërkombëtare. Tashmë gjithë sistemi financiar botëror po aplikon model të ri dhe standarde të reja, standarde të cilat nuk lejojnë fryrjen e tullumbaceve bankare përtej parametrave që garantojnë siguri dhe stabilitet në tregun financiar. Kjo do të thotë që të gjitha bankat në të gjithë nivelet, qoftë qendror apo banka bija që ne kemi, kanë aplikuar një sjellje tjetër, të re, me rezerva më të mëdha, me siguri më të mëdha për kreditim. Ne e kemi pasur këtë siguri, pasi kemi aplikuar me kredi hipotekare dhe niveli i kredisë konsumatore në Shqipëri ka qenë jo më shumë se 5 për qind e GDP-së. Por ka ndryshuar këndvështrimi i bankave në raport me kreditimin dhe kjo ka ndodhur edhe në tregun shqiptar. Rritja e masave të sigurisë, të fondeve që bankat kanë në rezervat e sigurisë, forcimi i standardeve mbikëqyrëse nga banka evropiane në vendet e origjinës së bankave tona, sigurisht kanë ndikuar në këtë strategji. Megjithatë nuk mund të themi se bankat nuk financojnë. Ne nuk do të kemi ulje edhe këtë vit në nivelin e kredive të dhëna për ekonominë private, por do të kemi rritje. Kjo rritje jo në ato ritme që kemi arritur në vitin 2008, ku rritja mesatare vjetore ka qenë të paktën 30-40 për qind. Këtë vit do të kemi një rritje më të moderuar të kredive në raport me ekonominë. Për t’u theksuar është që sistemi ynë bankar qëndron likuid, edhe pse pati një tërheqje të depozitave rreth 7-8 për qind të vëllimit të tyre. Nëse këto depozita do të ishin në treg, atëherë ato sigurisht që do të financonin biznesin privat dhe ekonominë private. Qeveria është neutrale me sistemin bankar nga pikëpamja e kërkesës, sikurse e thashë për shkak të uljes së huamarrjes së re publike brenda sistemit tonë bankar. Mendoj që në muajt në vijim do ketë një rigjallërim të dhënies së kredive. Kjo do të jetë e detyrueshme për bankat, pasi ato bëjnë biznes dhe nuk mund të priren vetëm nga parullat.

Kalojmë në një temë tjetër. Para një viti ka filluar diskutimi për reformën në pensione. Në fushatën elektorale ju e keni përmendur që mandatin tjetër do të bëhet efikase kjo reformë. A ka ndonjë rezultat nga këto diskutime?
Reforma e pensioneve u draftua gjatë vitit 2007 dhe pjesërisht gjatë vitit 2008. Drafti ka qenë i gatshëm për t’u miratuar në Parlament dhe për të nisur implementimin i tij. Eshtë një reformë, e cila kushton në buxhetin e shtetit, por që krijon një hierarki pensionesh që është motivuese për individët. Kjo skemë kishte nevojë sigurisht edhe për një konsensus politik për t’u ndërmarrë, pasi është një skemë pensionesh, e cila do të paktën 50 vjet që të implementohet. Skema fillon në mënyrë graduale të mbledhë fondet dhe pas 50 vjetësh brezi që kontribuon sot do të jetë përfitues i pensioneve. Si e tillë kjo reformë nuk mund të ndërmerret vetëm nga një forcë politike. Ka qenë edhe Banka Botërore hartuese dhe ndërmjetëse e këtij drafti, është miratuar në komitetit e planifikimit strategjik të qeverisë, ka shkuar në Parlament dhe janë zhvilluar disa takime, por nga ana e opozitës nuk ka pasur ndonjë qëndrim lualaj për të mbështetur këtë reforma dhe për ta përfunduar sa më parë atë.

Opozita ka kundërshtuar apo ka qenë e painteresuar?
Jo, nuk kanë preferuar të futen në debat duke qëndruar larg, duke hedhur parulla elektorale me afrimin e zgjedhjeve në fushatën e të cilave jemi. Dhe kuptohet që kjo nuk mund të bëhet përpara zgjedhjeve. Unë jam i bindur që së bashku me opozitën pas zgjedhjeve do të mund të draftojmë një reformë pensionesh afatgjatë dhe me siguri.

Të ndalemi te fushata. Shumica e taksave janë ulur në nivele minimale. Çfarë reforme tjetër do t’i premtoni shqiptarëve për t’i kërkuar mandatin e dytë?
Mendoj që reforma fiskale nuk ka vetëm uljen e nivelit të taksave.

Mund të ulni TVSH-në?
Unë nuk mendoj që është në favorin e ekonomisë shqiptare ulja e TVSH-së. Unë kam biseduar edhe me ekspertë të opozitës dhe po ta shikoni edhe opozita nuk është në favor të prekjes së kësaj takse. Eshtë një taksë, e cila është vendosur 10 vite të shkuara dhe mbetet në të njëjtin nivel. TVSH-ja ka krijuar për ekonominë shqiptare një favor shumë të madh, favorin e mbrojtjes nga evazioni i mallrave të importit, favorin e nxitjes së eksporteve shqiptare në tregun rajonal dhe më gjerë, favorin e një strategjie të qëndrueshme të bizneseve për programin e investimeve private në Shqipëri. Pra, mendoj që nuk është në interesin total për të deklaruar uljen e TVSH-së. Sigurisht do të ketë riparime të kësaj takse në raport me mallra të veçantë. Ne kemi deklaruar që do të jenë arsimi dhe shëndetësia, të cilat do të kenë një nivel të dytë tarifor të ndryshëm nga ky që është aktualisht dhe që do të lehtësojë shërbimin dhe importin për tregtinë e mallrave në këto dy sektorë. Do të jenë sektorë të tjerë që mund të kenë përfitime të veçanta, por jo në raport me TVSH-në.
Ne mendojmë një skemë tjetër të rëndësishme. Ajo që mendojmë ne të bëjmë me regjistrimin e plotë të popullatës, pra pas pajisjes së plotë me kartat e identitetit dhe pasaportat elektronike, pas përmirësimit që i kemi bërë sistemit tatimor, pas implementimit të kasave regjistruese (kasat duhet të bëhen efektive në qershor, por për shkak të fushatës mund të bëjmë një shtyrje dhe ta fillojmë nga korriku), pas implementimit në masë të gjerë të të gjithë pajisjeve fiskale elektronike, të cilat janë të lidhura në mënyrë online me qendrën e trajtimit të të dhënave, unë mendoj që brenda vitit 2009-2010 do të implementojmë një skemë të re të tatimit mbi të ardhurat për qytetarët. Kjo skemë do të synojë rimbursimin e tatimeve që paguajnë qytetarët, duke përfshirë këtu edhe TVSH-në. Kjo për qytetarët që kanë të ardhurat më të ulëta. Duke implementuar kështu një sistem që përdor më shumë drejtësi në pagimin e taksave, pra rimbursim të taksave që paguajnë individët më të ardhura të ulëta. Kjo është një reformë shumë e madhe, është reforma më e thellë që mund të ndodhë në fushën fiskale. Nga kjo reformë do të përfitojnë shtresat me të ardhurat më të ulëta. Ky është modeli që përdorin Shtetet e Bashkuara në përllogaritjen e taksave. Jam i bindur që ky është sistemi më i drejtë në pagimin e detyrimeve të qytetarëve ndaj shtetit.

Një skemë e guximshme, por si do realizohet?
Ne do të kemi të dhënat për çdo individ. Pra, çdo individ do të ketë të dhënat e tij të të ardhurave dhe të shpenzimeve që ka bërë. Në këtë sistem do të hidhen të ardhurat që ka realizuar familja apo individi dhe niveli i shpenzimeve që ai ka bërë në familje. Këto të dhëna do të jenë të dokumentuara, përmes dokumenteve elektronike ose jo. Familjet apo individët duhet të mbledhin faturat e shpenzimeve të tyre dhe do t’i dërgojnë në organin tatimor. Në fund të çdo viti do të bëhet një përllogaritje dhe do të përcaktohet që individët me të ardhura deri në një nivel të caktuar nuk do të paguajnë fare taksa. Pra do të rimbursohen taksat e paguara gjatë vitit. Ky sistem do të bëjë të mundur që të ketë një drejtësi dhe që taksat të mos peshojnë në mënyrë të pabarabartë ose në mënyrë të padrejtë në të gjitha shtesat. Kjo është politika më moderne në pagimin e taksave, pra çdo individ të paguajë taksa sipas kapaciteteve, dhe jo sipas sistemit aktual, i cili është një sistem më arbitrar. Kjo është reforma më e madhe që ne do të ndërmarrin. Sigurisht që do të ketë edhe elementë të tjerë sektorialë për politika më favorizuese për të mbështetur, por jo përmes uljes së taksave, por duke i asistuar, duke i financuar buxhetet e tyre. Ne filluam me bujqësinë në këtë mandat financimin e mbjelljes së pemëve frutore, të vreshtave, të ullishteve, kreditimin e pa interes të agro-përpunimit në tërësi, do të vijojmë mbështetjen për çdo sipërfaqe të mbjellë të punuar. Ndryshe nga opozita që i kthehet tollonave të naftës, ne do të financojmë sipërfaqet e mbjella.

Po të kundërtën a do ta bëni? Penalizimin nëse toka nuk mbillet?
Jo, njerëzit nuk mund të penalizohen se s’duan të punojnë.

7 Komente

goxha mirë.

 Now u'r getting screwed big time!!!

Ne do të kemi të dhënat për çdo individ. Pra, çdo individ do të ketë të dhënat e tij të të ardhurave dhe të shpenzimeve që ka bërë. Në këtë sistem do të hidhen të ardhurat që ka realizuar familja apo individi dhe niveli i shpenzimeve që ai ka bërë në familje. Këto të dhëna do të jenë të dokumentuara, përmes dokumenteve elektronike ose jo. Familjet apo individët duhet të mbledhin faturat e shpenzimeve të tyre dhe do t’i dërgojnë në organin tatimor.  smiley

Ku jeton ky cuni mer yahoo. Edhe pastaj thoni qe ne emigrantet nuk i kuptojme gjerat se jemi larguar. Ne te pakten kur u larguam i morem edhe bletet me vete, kurse ketij edhe pa lujt venit i paska ngel vetem kosherja.

PF,

ca me tej se di si funksiono anej nga ku, po ketej posht kjo puna e koleksionimit te faturave nuk osht sic e ka natarru bodja. 

Hajde lëmsh hajde. Në amerikë edhe paguhet, nuk është se gjithmonë merr mbrapsh. Pastaj nuk çohen tërë shpenzimet (të paktën shumica nuk bën itemized deductions, korporatat dhe një pjesë e vogël e individëve po), por të ardhurat.

 Ore Chene! ketij duhet me i thone: "nga njona ane e ke gabim, dhe nga ana tjeter e ke edhe me gabim".

Tashti me u hy e me e shpjegu me detaje kete pune nuk ia vle, sidoqofte i rekomandoj Bodes qe ne kohen e lire ta shofi njehere  serine ku Seinfeld i bejne auditing

Mua si ide me pelqen ajo e zbritjes se shpenzimeve nga te ardhurat e tatueshme.

Nuk di sa puthet kjo me tatimin 10%, sa justifikohet shpenzimi administrativ me nje pjese te taksapaguesve dhe jo te gjithe, sa do te ishin ne gjendje te administronin sistemin.

Gjithsesi, ne parim, jam krejtesisht dakort qe te tatimi te jete mbi tepricat dhe jo mbi te ardhurat.

 

p.s. Nje pasaktesi e vogel e bodes. Tatimi per biznesin e vogel eshte fiks fare 10% mbi fitimin dhe jo 1,5% mbi xhiron. (ta kete harruar bode kete?!)

 "...Familjet apo individët duhet të mbledhin faturat e shpenzimeve të tyre dhe do t’i dërgojnë në organin tatimor..."

 Per ç'shpenzime behet fjale. Nese nje person merr 100 euro ne muaj, mirpo kursen dhe shpenzon shum pak, energji (ngrofet duke u futur ne dyshek), nuk pi lengje frutash por vetem uje, nuk shkon ne klub, etjera dhe keshtu ka plot ne Shqiperi, nderkoh qe tjetri merr 250-300 euro ne muaj, mirpo ben tamam jete, ngrofet me kalorifer, shkon ne restorant, pi lengje frutash dhe Red-Bull, dhe ne fund nuk i ngel asnje kokerr leku.

Mendoj se ky sistem (i Bodes, Berishes apo i amerikaneve) bie ere abuzimi dhe korrupsioni. Ndoshta do te ishte me mire sistemi i europes veriore, dhe shembuj ka plot, si sistemi i vendeve Skandinave, vendeve te Beneluxit.  

 

"...Ne e kemi pasur këtë siguri, pasi kemi aplikuar me kredi hipotekare dhe niveli i kredisë konsumatore në Shqipëri ka qenë jo më shumë se 5 për qind e GDP-së..." 

Kur eshte keshtu, mendoj se nuk ka arsye per te mos u shtuar sado pak rritmi i kredive. Ne perendim, niveli i kredise konsumatore ze nje % shum me te madhe nga ajo e shqiptarve.  

 

"...Ne ulëm taksat dhe arritëm që në harkun e katër viteve të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten me 80 për qind. Mbi 3.5 miliardë dollarë arkëtohen në vitin 2008, në krahasim me vitin 2004. Viti 2008 po kështu edhe viti 2009 do të ketë një nivel të ardhurash në buxhet dy herë më të lartë krahasuar me vitin 2004..." 

Me gjith keto taksa qe mblidhen, duhej te ishin ndertuar nja disa fabrika apo TEC-e, mirpo ne horizont s'duket gje.  

 

"...Ne mundësuam ta bëjmë Shqipërinë vendin me nivelin e taksave më të ulët në Evropë dhe vendin me liritë fiskale më të mëdha, jo vetëm në Evropë por në gjithë rruzullin tokësor. Ne jemi ndër vendet me taksat më të ulëta..." 

Bodes i eshte ngjitur semundja e mavrise, pra demagogjia. Une pagova kete mars (kur isha ne Shqiperi) 170 euro taksa pastrimi, megjithse i kish paguar plaka ime. Shum sherbime ne Shqiperi e kishin pagesen njesoj si ketu ne perendim, per te mos thene me shtrenjte, nderkoh qe standarti i jetes eshte shum me i ulet se ne perendim. Kjo do te thoshte thjesh; abuzim.  Shum çmime aty ishin te shtrenjta, nderkoh qe shumica e shqiptarve fitonin 10 here me pak se ne perendim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).