Sokol Olldashi nuk është nga ata politikanë që zë “rrënjë” në kryeqytet

Olldashi: Ju tregoj qeverinë e re të pas 28 qershorit

Sokol Olldashi nuk është nga ata politikanë që zë “rrënjë” në kryeqytet. Përkundrazi, prej javësh, koha e tij fizike është ndarë mes Tiranës dhe Fierit. Ndeshja në Tiranë për kryetar bashkie ishte një sfidë për politikanin që kishte provuar edhe më parë karrierë në ekzekutiv, si një ministër i suksesshëm i Punëve të Brendshme. Që atëherë, Olldashi u shndërrua në një nga gurët më të fortë në qeverisjen e djathtë. Sprova politike e mësoi që të mos i luhatej ndryshimit të shpeshtë të territorit. Por jo shumë gjatë. Politikanit Sokol Olldashi i është besuar “transferimi” në degën e PD-së së Fierit. Pse jo, dhe të kandidojë për deputet në këtë qark më 28 qershor. Sokol Olldashi i njeh sfidat, por në këtë intervistë për “standard”, ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, përqendrohet tek politikat e suksesshme të qeverisë “Berisha”, arritjet dhe projektet për të ardhmen. Olldashi njeh terrenin në një këndvështrim krejt të ri, duke u mbështetur në strategjinë dhe programin që ka e djathta për të shkuar me fitore të sigurt drejt zgjedhjeve të qershorit. Vizioni që mbart ky politikan, është i qartë përballë kundërshtarëve të tij, për të cilët Olldashi nuk heziton të bëjë politologji. Ashtu sikurse parashikohen kundërshtarët, Olldashi luan në kushtet e një fushe të pastër politike, mbi të cilën ai e njeh sigurinë në bazë të programit që ofron e djathta. Për dobësitë e kundërshtarit, dhe këtu pohojmë Edi Ramën, politikani Olldashi nuk devijon nga kursi që paraqet kjo politikë, duke treguar bindje dhe siguri së pari në politikëbërje dhe së dyti, në mungesë të një balance gjykimi që ekziston tek e majta sot, ndaj ministri i Transporteve ka sigurinë e plotë se ashtu siç PD-ja doli e fituar përballë Nanos në vitin 2005, po ashtu do të fitojë edhe në garën e 28 qershorit përballë Edi Ramës, sepse mazhoranca qeverisëse nuk kërkon votat për atë çfarë ka bërë përgjatë 4 viteve, por për atë çfarë do të bëjë përgjatë mandatit të ri, sepse ndryshe nga Rama, është e besueshme dhe me vizion të qartë. Olldashi zbardh dhe detaje të projektit të qeverisë së re. Si duhet të formatohet kabineti i ri, kush duhet të ikë nga stafi aktual dhe kush duhet të vijë? Ministri hedh dritë mbi shtyrjen e zgjedhjeve në parti, zgjedhjet elektorale dhe drejt kujt duhet të hapen dyert e PD-së. Për rikthimin në politikë të Aleksandër Meksit në radhët e LZHK-së, Olldashi është dakord, por duke i bërë me dije se zgjedhjet do t’i fitojë PD-ja. Olldashi ka pëlqimet dhe mospëlqimet e tij për listën e re të kandidatëve për deputetë, por ai zgjedh momentin kur t’i shprehë ato.

Z. ministër, prej javësh koha juaj politike është ndarë mes Tiranës dhe Fierit kryesisht, madje edhe tani shoh që nxitoni të niseni për atje. Për ç’arsye?
PD-ja është në një proces zgjedhjesh të brendshme dhe Kryesia e partisë pak kohë më parë caktoi grupet e punës që ndjekin nga afër zgjedhjet në zona të caktuara. Unë jam caktuar në Fier bashkë me pjesën tjetër të grupit të punës. Po përgatisim bazën e partisë për fushatën elektorale që gjithçka të jetë në funksion të fitores së 28 qershorit.

Pse kaq euforike PD-ja në prag të zgjedhjeve parlamentare?
Nuk ka eufori, por siguri. E gjithë puna e bërë këto 4 vjet do të përkthehet proporcionalisht në shqetësim të qytetarëve shqiptarë ndaj saj. Pra, me votë. Nëse bëjmë një bilanc të ftohtë të të gjitha atyre që janë realizuar këto 4 vjet në Shqipëri, gjithkush, qoftë edhe socialisti më skeptik, do të arrijë në një konkluzion: që kjo mazhorancë ka mbajtur çdo premtim të bërë gjatë vitit 2005. Madje, duke tejkaluar në shumë drejtime këtë program.

Kjo është ajo që konstatoni gjatë ballafaqimit me qytetarët?
Sigurisht. Është një fakt që konstatojmë në të gjitha takimet që kemi zhvilluar, në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit. Një fakt që është i lexueshëm për të gjithë.

Por cili është avantazhi i mazhorancës qeverisëse në këtë fushatë që nisi me “Shqipëria po ndryshon”, që të pëlqehet politikisht më 28 qershor nga shqiptarët?
Avantazhi ynë i madh në këtë fushatë është që çdo qytetar shqiptar, më parë që të jetë i interesuar për parapëlqime politike, është i interesuar që ta shikojë këtë vend që të ndryshojë. Dhe në këta 4 vjet ne ia kemi dalë që ta ndryshojmë Shqipërinë, ta ndryshojmë në infrastrukturë, me mijëra kilometra rrugë të reja. Ia kemi dalë që ta ndryshojmë në arsim në një mijë e 12 shkolla të reja ose të rikonstruktuara, ta ndryshojmë në ujësjellës, në investime shumëfish në krahasim me paraardhësit tanë, 4 herë më të larta. Ia kemi dalë që ta ndryshojmë në paga, të rritura deri në 60 për qind, ta ndryshojmë në pensionet me mbi 100 dollarë dhe të dyfishuara në fshat. Ia dolëm ta ndryshojmë me mësuesit dhe infermierët që sot paguhen dy herë më shumë se në 2005-n, ta ndryshojmë në klimën e biznesit, ndërkombëtarisht të certifikuar një ndër më të mirat. Ia dolëm të ndryshojmë në taksa, duke pasur taksat më të ulëta në kontinent, ta ndryshojmë në një realitet që sot është nën mesataren e vendeve të BE-së. Ne ia dolëm ta ndryshojmë në strehim me rreth 8 mijë apartamente të ndërtuara apo të kontraktuara. Arritëm ta ndryshojmë në infrastrukturën rurale me 1.2 miliard dollarë investime, ta ndryshojmë në bujqësi, jo vetëm me rritje të prodhimit, por edhe me garantimin e shitjes, investime për kullimin, të kulturave të veçanta, ta ndryshojmë në enegjitikë, me një furnizimin 24 orë me energji elektrike pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit. Pra, me pak fjalë, arritëm ta ndryshojmë në integrim, duke e bërë Shqipërinë anëtare në NATO dhe aplikante për vendin anëtar në Bashkimin Evropian. Pra, ia kemi dalë vërtet që ta ndryshojmë këtë vend dhe kjo është ajo ç’ka u intereson në radhë të parë shqiptarëve.

Zakonisht, politikanët trokasin në dyert e elektoratit vetëm në kohë fushatash kur u duhet të kërkojnë votat. Cila është risia që solli “Shqipëria po ndryshon” që nisi më herët se fushata dhe si një ballafaqim i punës së qeverisë me qytetarët dhe cili është efekti që po jep tek qytetarët shqiptarë ky tur?
Është një praktikë politike në Shqipëri, ku zakonisht politikanët trokasin tek njerëzit vetëm për vota. Ne e ndryshuam këtë praktikë, duke qenë të bindur se përpara se të shkojmë dhe të kërkojmë votat, kemi detyrimin për t’u ballafaquar me qytetarët për ato ç’ka kemi bërë këta 4 vjet.

PD-ja është mësuar të konkurrojë në zgjedhje me një PS të kryesuar nga Fatos Nano. Këtë herë përballja është me një PS të drejtuar nga Edi Rama. Një fakt i tillë e lehtëson apo e vështirëson fitoren e së djathtës më 28 qershor?
Nuk është çështje jona realisht. Ne betejat i kemi fituar edhe me Fatos Nanon në krye të PS-së dhe do t’i fitojmë edhe me Edi Ramën si kryetar i PS-së. Pra, nuk presim të fitojmë si pasojë e dobësisë së kundërshtarit, por jemi të bindur që të fitojmë në sajë të bilancit të të gjitha punëve që ka bërë kjo qeveri në këtë mandat 4-vjeçar që ka qeverisur vendin.

Në një kohë kur PD-ja ka ndërmarrë një hetim parlamentar ndaj kryebashkiakut Edi Rama dhe e denoncon atë përditë për afera korruptive, si për sfidë, Rama shpalli ambicien e tij për Kryeministër të ri të vendit…
Edi Rama është i lirë të ushqejë ambiciet e veta sikurse qytetarët shqiptarë janë të lirë të izolojnë atë bashkë me ambicien e tij. Ambicia është e pamjaftueshme për të qeverisur. Për të qeverisur duhet të kesh një vizion të qartë, një program konkret dhe besueshmëri. Rama nuk ka asnjërën nga këto të tria. Nëse analizojmë modelin e tij në Tiranë, do të konstatojmë se vetëm vizion nuk ka. Është një qeveri spontane, e paplanifikuar dhe si produkt të kësaj qeverisje, Edi Rama e ka futur Tiranën në një gjendje kaotike. Pra, gjatë gjithë këtyre viteve që ka qeverisur kryeqytetin, Rama ka dëshmuar jo vetëm mungesë vizioni të qartë qeverisës, por edhe mungesë besueshmërie. Ka bërë premtime pa fund, që pas fushate, ua ka dhënë breshkave që mban në zyrë. Rama i premtoi Tiranës në vitin 2000 një plan urbanistik dhe po mbushen 10 vjet që po gënjen. Ndërkohë që kërkoi të merrte në administrim ujësjellësin, iu dha nga qeverisja qendrore dhe e refuzoi. Pra, ka prapë 10 vjet që gënjen. Premtoi se do të luftojë korrupsionin dhe është publikisht i akuzuar nga biznesmenë që kurrë nuk u dha një përgjigje dhe vetëm në mbledhjen e fundit të KRT-së ka dhënë 19 leje ndërtimi ish-drejtorit të tij të urbanistikës. Premton që do të luftojë krimin dhe shoqërohet gjithë kohës me keqbërës, shikoni takimet e tij elektorale, ka gjithmonë përqark individë banditë. Merr kontakte vetë me të gjitha mbeturinat e fundit të krimit, me idenë që t’i përdorë në fushatë. Pra, është kaq mjaftueshëm për të kuptuar se ky njeri ka llafe dhe jo vepra. Shqiptarët kanë nevojë për punë dhe nuk kanë nevojë për llafe.

“Shqipëria po ndryshon” ndali edhe tek PD-ja, e cila ndryshe nga herë të tjera hoqi dorë nga një kongres zgjedhor dhe vendosi që më 23 maj të zhvillojë kongres elektoral. Pse ky ndryshim për të mos zgjedhur njëri-tjetrin pikërisht në kohën që i takonte, por duke shtyrë zgjedhjet e brendshme?
Nuk ka asnjë ndryshim. Partia Demokratike po vazhdon të mbyllë zgjedhjet e strukturave të saj në bazë, që janë degët në vend, por duke qenë se nga fushata na ndajnë vetëm dy muaj, do të ishte një harxhim i tepërt energjie dhe kohe vazhdimi i këtyre procedurave edhe me një kongres zgjedhor. PD-ja e ka identitetin e vet, të qartë dhe në këto kushte, ajo që u intereson më shumë qytetarëve shqiptarë, nuk është se si do të rreshtohen anëtarët e Kryesisë në mbledhjen e parë pas kongresit, por është programi që kjo mazhorancë, kjo parti do t’u ofrojë atyre për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme. Pra, më shumë se për të zgjedhur njëri-tjetrin, procedurë kjo që do të zhvillohet pas zgjedhjeve, ne kemi nevojë që të detajojmë programin. Kjo është arsyeja që kongresi do të jetë një kongres elektoral.

Do të shtyhen zgjedhjet edhe në degën e PD-së së Tiranës, të cilën ju e drejtoni prej 4 vitesh?
Zgjedhjet në degën e Tiranës po vazhdojnë normalisht. Janë edhe tri seksione për t’u mbyllur dhe në momentin që do të përfundojnë, nuk do të ketë më asnjë pengesë për të realizuar zgjedhjen e kryetarit të ri të degës së PD-së së Tiranës.

Duket se më favoriti për të qenë pasardhësi juaj në këtë post është ish-ministri i Drejtësisë, z. Aldo Bumçi. Është gjetja e duhur në këtë rast?
Kandidatura e z. Aldo Bumçi për të marrë drejtimin e PD-së së Tiranës është një kandidaturë shumë e mirë. Z. Bumçi ka eksperiencën e duhur dhe stofin e duhur politik për të qenë kryetar i PD-së së Tiranës.

A prishi ekuilibrat e garës lideri Sali Berisha kur shprehu preferenca për emrin e z. Bumçi gjatë një daljeje televizive?
Kryeministri nuk ka prishur ekuilibrat e garës në asnjë rast. Z. Berisha nuk ka bërë thirrje votoni për këtë apo për atë individë. Kryetari i partisë, si çdo njeri tjetër, ka të drejtë të shprehë opinionin përkatës për një kandidaturë të caktuar.

Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar ndryshim të listës së deputetëve për zgjedhjet e reja. Ju, si mendoni, deri në ç’masë duhet të ndryshojë ajo?
Është çështje e forumeve të larta të Partisë Demokratike. Sigurisht që unë kam pëlqimet dhe mospëlqimet e mia, por preferoj që opinionet e mia t’i shpreh aty ku duhet, pra para forumeve të partisë, para se t’i bëj publike në media.

Kur do të shpallen listat e kandidatëve për deputetë? PD-ja do të presë afatin e fundit ligjor për zbardhjen e emrave?
Shpallja e emrave do të bëhet brenda afatit ligjor dhe në përputhje të plotë me statutin e partisë.

Mendoni se ka ardhur koha që figurat kryesore të PD-së të heqin dorë nga konkurrimi në zonat e sigurta, siç është bërë edhe më parë?
Tashmë nuk ka zona të sigurta dhe jo të pasigurta. Kjo, për faktin se ka ndryshuar sistemi elektoral dhe sistemi i ri nuk mund të favorizojë as të dëmtojë askënd. Zonat janë proporcionale, pasi sistemi i ri zgjedhor nuk bazohet në zona, por mbi bazën e qarkut.

PD-ja po tenton të hapet ndaj prurjeve të reja apo rikthimin tek qëndrestarët?
Partia Demokratike është parti e madhe, sepse ka brenda radhëve të saj ata që ju i quani qëndrestarë, edhe ata që ju i quani prurje të reja. Tashmë ata kanë një eksperiencë disavjeçare në PD, por është e hapur edhe ndaj të rinjve të tjerë që i bashkohen çdo ditë kësaj force politike. Një parti e madhe nuk mund të ndahet sipas viteve të anëtarësimit, por mund të bashkohet në bazën e vlerave që gjithsecili i bashkon me vlerat e të tjerëve.

Ju flisni për bashkim vlerash, por njëri prej tyre, ish-kryeministri i qeverisjes demokratike, Aleksandër Meksi, pas 12 viteve shkëputje, u rikthye në politike dhe jo në PD, por në LZHK. Si e shikoni këtë pozicionim politik të z. Meksi?
Z. Aleksandër Meksi ka bërë zgjedhjen e vet, e cila jam i bindur që nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të PD-së më datën 28 qershor.

PD-ja në këto zgjedhjet do të përqendrohet më tepër tek programi i ri elektoral apo tek përfaqësimi i figurave në përballjen me kundërshtarët politikë?
Do të ketë alternim të të dyjave. Përparësi është programi i ri, të cilin do t’ua prezantojmë shqiptarëve gjatë fushatës elektorale, pasi ai të shpaloset në kuvendin e 9-të të partisë me datën 23 maj. Do të jetë programi që do të garantojë fitoren e mandatit të ri qeverisës. Po ashtu, PD-ja do të konkurrojë me figura që mbartin vlera intelektuale dhe politike në garën e 28 qershorit, figura që premtojnë fitore, të cilën do ta kurorëzojmë ditën e zgjedhjeve.

PD-ja ka siguri të plotë se do të jetë fituese e zgjedhjeve, por a është projektuar stafi i ri i qeverisë së re që do të dalë pas 28 qershorit?
Qeveria e re do të jetë në tagrin e Kryeministrit Sali Berisha. Do të jetë ai që do të vendosë se si do ta ndërtojë kabinetin e tij. Është e drejtë e Kryeministrit që të vlerësojë punën e të gjithë anëtarëve të kabinetit të vet qeverisës. Po sigurisht që do të ketë një kabinet ku peshën themelore do ta mbajë Partia Demokratike. Besoj se do të jetë një kabinet i vogël si ky që është aktualisht, me pak shpenzime dhe dinamik. E kam të pamundur që të hyjë në çështje emrash, sepse çështja e merave që ju intereson juve, është tagër vetëm i Kryeministrit Berisha.

Kam përshtypjen se në qeverinë aktuale ka shumë ministra joefikasë. Janë në ikje realisht?
Në bilancin e përgjithshëm, kjo qeveri, me ndryshimet e vogla që ka pësuar në këta 4 vjet, është dëshmuar si një qeveri efikase, e përgjegjshme, një qeveri e punëve të bëra. Sigurisht që ka vend për më mirë, por e ripërsëris që kjo nuk është në tagrin tim. Është Kryeministri i vendit ai që vendos se kush duhet të vijë dhe kush të rrijë në qeverinë e re.
 

12 Komente

qyqja nane sa i gjate....

Ky osht si nje mize qe te besdis, por vetem kaq.

Ene ti e berberi Opozites, se mos rrish pa e thene nje koment negativ ti. Mos e rruj hiç, se ka ca miza qe behen mushkonja,edhe atehere ta cajn t.... me te vertet.

Ene ti e berberi Opozites, se mos rrish pa e thene nje koment negativ ti.

 

Oopa filloi censura... Berbero kujdes here tjeter! Vetem pozitive.

Nuk e lexova deri ne fund por nje gje ishte me se e sigurte se zoteria ne fjale po te kandidonte perseri ne Shijak DO TE HUMBTE!

E din ky qe ne Tiran sdun me e pa me sy

Esht manover e njohur kjo e politikaneve qe ndryshojn zonat pasi kan deshtuar ne zonen paraardhese

Sokol Olldashi nuk është nga ata politikanë që zë “rrënjë” në kryeqytet

 

Ne parlamentin e Fierit do rrije ky po fitoi?

Po normal qe s'do rrish ne tirane mer pallosh se humbe me 20 e ca mije vota, kush t'voto ty ktu, pervec ndonje tipi ...

ato 20 e ca mij vota e swed nje deputet jane tani.

as nuk po i plas mendja me ndonjerit.

 

smiley

Nje shprehje thote "Si rri By-tha ne nje vend". go figure

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).