Simbolika e kraheve te hapur ne plazhin e Durresit

Vebi Velija, një kozmopolit i varrosur në fshatin e tij të lindjes

 

1.

Një kanoçe "Coca-Cola" vlente një dollar e gjysmë verën e vitit, kur do të vendoste të mbetej në Tiranë dhe natën kur do të organizonte një darkë për nder timin, në të vetmin vend ku mund të hahej asokohe në Tiranë, në restorantin e hotelit "Dajti", me të ftuar elitën e re politike të Shqipërisë, opozitën demokratike dhe përfaqësues socialistë të pushtetit.

Në një tarracë të hotelit, mysafirët dhe personeli i hotelit do t‘i falënderohen në fund të darkës Vebi Velisë, një personazhi që hynte mistershëm në jetët e tyre, duke paguar llogarinë e darkës që kishte përfshirë, pos ushqimi me mish e peshk (të rrallë në Shqipërinë e asaj vere), disa shishe vere e birre të keqe, edhe një dyzinë kanaçesh të "Coca Cola"-s, aq sa kishte tërësisht në dispozicion hoteli, kanoçe me vlerë në para të një rroge të mirë qeveritare të asaj kohe.

Të nesërmen, nga njëra prej vilave të bllokut në plazhin e Durrësit, të marrë me qira, do të dalim në plazhin bosh, një hapësirë që do të shtrihej djathtas pa njeri e objekt deri në qytetin e Durrësit dhe majtas pa njeri e objekt derisa të shihte syri. Vebi Velija, i qeshur deri në dhëmballën e fundit, i hapi krahët, duke ftuar erën e butë të Adriatikut drejt tij, një pamje që më duket se po e kuptoja në simbolikën e vet: Ja ku është Vebiu, në këtë hapësirë të gjerë e të paprekur, të quajtur Shqipëri, me njëqind milionë idetë për biznes, mirëqenien e këtij vendi dhe përmbushjes së një sadisfaksioni jetësor.

2.

Vebi ëndërrimtari, ai i plazhit të verës së vitit 1992, do të manifestohet, ndonëse jo kaq teatral a filmik, megjithatë me ide dramatike edhe më vonë. Brenda disa muajve, ai do të dalë me ide nga më të ndryshmet: shndërrimin e hotel "Pezës" në një qendër biznesi, futjen e kompanisë kroate INA në shpime të reja nafte e gazi, investime të bizneseve agro-industriale e të duhanit... Që të gjitha, pothuajse, në pritje që dikush nga pushteti t‘i kuptojë dhe, në thelb, t‘i lejojë.

Ëndërrimtari i vitit 1992 nuk do të ndalej. Nga koka e tij do të mbushen sirtarët e projekteve të reja, të përmbledhura së fundi në atë të, siç e quante, CNN-it shqiptar, ALSAT-it, një përpjekje për integrime informative shqiptare. Dikund ndërkohë, do të dalë me iniciativa në kulturë, me krijimin e fondacionit "Velija".

Vebiu dhe Shqipëria e tranzicionit rrallëherë takoheshin në rrafshin kohor. Ndërsa vendi përgatitej të jetonte prej firmave piramidale, Vebiu sillte në Tiranë shkrimtarin argjentinas, Ernesto Sabato, për t‘i dhënë çmimin e Fondacionit të tij. Në të njëjtin hotel, memorizues të thyerjeve të mëdha të shekullit XX, do të isha prezent në një darkë ku shkrimtari do të fliste me gjysmë kujtimi për paraardhësit e tij arbëreshë, të cilët kishin emigruar në Argjentinë, dikush tjetër do të përmendte Skënderbeun për të cilin shkrimtari me siguri do të ketë dëgjuar prej përrallave të treguara, dikush faktin se prapë ikën dritat dhe uji në lagje e dikush tjetër, se pas orës tetë e gjysmë nuk do të ishte mirë të ecnim përtej qendrës së qytetit.

3.

Por, në momentin kur i hapte krahët në plazhin e Durrësit, këtë nuk e bënte vetëm një ëndërrimtar. E bënte një njeri që kishte mësuar mundin e fitimit të parasë prej momentit, kur babai i tij do t‘i jepte disa sixhade dhe një gomar e ta shtinte në punë, duke i shitur ato nëpër plazhet e Adriatikut të Jugosllavisë. Avancimi i mëtejmë do të bëhej në punë, në një ëmbëltore, evoluim i natyrshëm i të emigruarve tetovarë e gostivaras në viset turistike të Jugosllavisë.

Ëndrrat pastaj e shpien që të mendojë jashtë kontekstit të të zakonshmes. Kur ëmbëltorxhinjtë e tjerë gostivaras mendonin si të hapnin dyqan në Adriatik, Vebiu tashmë kishte vendosur që këtë ta bënte para Operës, në Vjenë. Kur të tjerët mendonin ta replikonin këtë hap, ai tashmë kishte vendosur të bënte një ngjarje që do të mbahej mend në Jugosllavi. Duke shfrytëzuar aeroplanin e parë të linjës së drejtpërdrejtë me Pekinin, në fund të viteve shtatëdhjetë, Vebiu solli dy kuzhinierë kinezë në Zagreb dhe hapi restorantin e parë të këtij lloji në ish-Jugosllavi. Pas disa vitesh, do të përsëriste befasinë dhe do të hapte restorantin e parë argjentinas.

Dhe, kur të tjerët mendonin për hapjen e restoranteve, Vebiu tashmë kishte filluar me tregti të madhe, ndërsa restorantin e tij në Zagreb e kishte shndërruar në një qendër takimesh me komunitetin kulturor e politik kroat, gjithnjë e më opozitar. Në gjysmën e të tetëdhjetave deri në fund të këtij dhjetëvjetëshi, Vebiu do të priste e përcillte emra të spikatur kosovarë, emra jo shumë të dashur nga pushteti i atëhershëm jugosllav, duke filluar prej Mahmut Bakallit e deri te më të rinjtë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave.

Kur mbërriti në Shqipëri, vinte një njeri i rryer në biznes, përfshirë edhe anët e errëta të tij, në raport me pushtetin dhe hijet e dhunshme të tij.

4.

"Këtu, prapëseprapë, unë jam një shqiptar", do të më thoshte, në ankesë, gjatë takimeve tona në Zagreb. E thoshte këtë, anipse kishte krijuar një emër të madh në Kroaci. Kur kishte shqiptarë të sëmurë nga Kosova a Maqedonia, adresa fillestare ishte ajo e Vebiut, i cili do të siguronte vendin në spital. Kur duhej siguruar pasaporta për kosovarët me nam, që nuk mund ta bënin këtë në Kosovë, aty do të gjendej menjëherë Vebiu. Kur duhej regjistruar revista "KOHA", të cilën e drejtoja, Vebiu i kreu të gjitha procedurat e regjistrimit në Zagreb brenda disa ditësh, duke vënë veten si garant fillestar juridik dhe ekonomik për mbarëvajtjen e kësaj iniciative.

Dhe, do të shkonte me një lojë fati në Tiranë për t‘u shndërruar edhe ‘de jure‘ në shqiptar. Me kërkesën e një personaliteti kosovar kishte shkuar në një mision sekret në Tiranën ende moniste, për të kërkuar blerjen e armëve për Kroacinë, që përgatitej për luftë çlirimtare. Disa muaj më vonë, emri i tij do të lakohej edhe publikisht në disa revista serbe si i një furnizuesi armësh për separatistët kroatë.

Shqipëria për të, në momentin kur do t‘i hapte krahët në plazhin e Durrësit, do të ishte jo vetëm ëndërr biznesi. Anipse ishte pjesë e elitës së Zagrebit, anipse tashmë ishte i njohur si afarist në shumë vise të ish-Jugosllavisë, Shqipëria do të ishte mundësia që t‘i zbatonte të gjitha njohuritë dhe idetë për biznes në atë që përfundimisht, pas të gjitha luftërave të ish-Jugosllavisë, do të ishte vendi i tij. Skena e plazhit ishte ajo e një identiteti që po fitohej, një identitet që nuk vihej në pyetje, që nuk varej prej shkatërrimit të Jugosllavisë.

Por, përgjatë vitesh, njeriu që i kishte hapur krahët në plazhin e Durrësit e ndiente veten gjithnjë e më pak pjesë e Shqipërisë. I rritur dhe afirmuar në një shtet që nuk ekziston më, i maturuar si emër biznesi në një shtet tjetër, ku nuk ndihej si vendës, kozmopoliti i quajtur, Vebi Velia, shkoi të varrosej, as gjysmë dite pasi kishte vdekur, në fshatin e tij të lindjes, në Komunën e Gostivarit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).