Shpikja që do të revolucionojë internetin

"Wolfram Alpha"-n, ekspertët e konsiderojë po aq të rëndësishëm sa "Google"

Revolucioni më i madh i internetit për një brez të tërë do të zbulohet gjatë këtij muaji me nxjerrjen e një softueri që do të jetë në gjendje të kuptojë pyetjet dhe të japë përgjigje specifike e të përpunuara në atë shkallë sa nuk është arritur kurrë më parë. Sistemi në fjalë, "Wolfram Alpha", i cili u zbulua për sytë e ekspertëve javës së shkuar në Universitetin Harvard të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, hedh hapin e parë drejt asaj që shumë ekspertë e konsiderojnë "Gralin e Shenjtë" të internetit - një magazinë globale informacioni, në gjendje të kuptojë dhe t‘i përgjigjet gjuhës së zakonshme në të njëjtën formë siç reagon dhe përgjigjet një qenie njerëzore.

Edhe pse sistemi është ende i ri, ka tërhequr mbi vete interesin e shumë ekspertëve botërorë, ashtu si edhe të shumë të pasionuarve pas internetit. Ekspertët e kompjuterëve janë të mendimit se motori i ri i kërkimit do të shënojë një hap shumë të madh përpara në evoluimin e internetit. Nova Spivak, ekspert interneti dhe kompjuterësh, tha se "Wolfram Alpha" mund të rezultojë po aq i rëndësishëm sa shpikja e "Google". "Është vërtet mbresëlënës dhe domethënës", shkroi në një artikull. "Në fakt mund të jetë për internetin (dhe botën) po aq i rëndësishëm sa ‘Google‘, por për qëllime të ndryshme". Tom Simpson, i blogut Convergenceofeverything.com shkroi: "Cilat do të jenë vlerat e tij në përdorimin e gjerë? Një paradigmë e re për përdorimin e kompjuterëve dhe internetit? Ndoshta. Po bëhemi dëshmitarë të inteligjencës artificiale dhe të një hapi drejt një interneti në gjendje të vetorganizohet? Ndoshta. Mendoj se kjo mund të jetë diçka e madhe".

"Wolfram Alpha", jo vetëm që do t‘i përgjigjet drejtpërsëdrejti një pyetjeje si "sa i lartë është mali Everest", por paralelisht do të prodhojë një faqe web-i me informacionet që kanë të bëjnë me të - gjithçka e bazuar mbi burime të përzgjedhura me kujdes - siç janë lokalitetet dhe qytetet më pranë tij, ashtu si edhe malet e tjera përreth, të kompletuara me grafika e të dhëna të detajuara.

Gjithsesi, novacioni i vërtetë qëndron tek aftësia e tij për "të përpunuar të dhënat menjëherë", siç shprehet shpikësi i tij britanik dr. Stivën Uolfram. Në rast se i kërkon të krahasojë lartësinë e malit Everest me atë të Big Benit, do të ta tregojë menjëherë. Ose po ta pyesësh si ishte moti në Londër ditën kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vra Presidenti Xhon Kenedi, sistemi do të kryejë shumë shpejt veprimet e duhura dhe do të të japë përgjigjen. Në rast se do të të interesojë të dish se kur do të ndodhë eklipsi diellor i radhës mbi Çikago, apo vendndodhja e saktë e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, do të ta tregojë menjëherë me saktësi.

Dr. Uolfram, fizikan, fitues i disa çmimeve, i cili sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtoi se informacioni "përzgjidhet me shumë kujdes" që do të thotë se fillimisht është kaluar në sitë nga ekspertët. Kjo do të thotë se do të arrijë të shmangë edhe pikën e dobët të siteve si "Wikipedia", ku gjithnjë saktësia e informacionit lë për të dëshiruar, duke qenë se është një sit ku mund të kontribuojë kushdo. Sistemi i ri është bazuar te softueri i tij (një bestseller) i quajtur "Mathematica", që tashmë është kthyer në mjet standard për të gjithë shkencëtarët, inxhinierët dhe akademikët që u duhet të përballen me zgjidhjen e problemeve komplekse matematikore. "Doja që dija, të cilin qytetërimi ynë e ka akumuluar, të ishte i llogaritshëm", tha shkencëtari britanik javës që shkoi. "Nuk isha i sigurt nëse diçka e tillë ishte e mundur. Jam i habitur disi që funksionoi kaq mirë".

Dr. Uolfram, 49 vjeç, i shkolluar në Universitetin Eton dhe me një doktoraturë në fizikën e grimcave që kur ishte 20-vjeçar, tha se nisja e vënies në funksion të sistemit "Wolfram Alpha" gjatë këtij muaji do të jetë veç fillimi i projektit. "Do të jetë në gjendje të kuptojë çfarë ka në mend përdoruesi", shtoi shkencëtari. "Jemi vetëm në hapin e parë".

Motori i kërkimit, i cili do të përdoret pa pagesë nga të gjithë, funksionon duke kërkuar të gjithë informacionin e hedhur në internet, ashtu edhe si në bazat e të dhënave private. Gjithashtu ai shtoi se nuk kishte ndër mend ta shtrinte sistemin edhe në informacione që kanë të bëjnë me jetët e njerëzve të zakonshëm, megjithëse sqaroi e trembej se sistemi mund të përdorej prej të tjerëve për qëllime të tilla.

"Wolfram Alpha" është projektuar për të qenë i vlefshëm për shkencëtarët dhe akademikët, kështu që për momentin sjellja e tij në raport me kulturën popullore është mjaft e dobët. Për shembull, testi me termin "50 Cent" ishte një katastrofë e vërtetë, pasi ngatërroi termin valutor me artistin amerikan të repit. Është kjo edhe arsyeja që nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për "Google", i cili praktikisht operon me një motor të ngjashëm kërkimi, version që u vu në përdorim vetëm para një jave.

Por sistemi i ri do të vazhdonte të mbështetej tek "Wikipedia" për të kuptuar se sa interes kishin përdoruesit që të vazhdonin të bazoheshin te ky sit për të marrë informacion. Për ekspertët, të cilët dinë mirë se "Google" është sot një prej markave më të mira botërore me vlerë rreth 100 miliardë dollarë, "Wolfram Alpha" ka gjithë potencialin e duhur për t‘u kthyer në një prej markave më të mira në planet. Ndërkohë që vetë dr. Uolfram nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen me "Google", ashtu si edhe me "Wikipedia"-n. "Po kërkojmë të bëhemi partnerë me të gjitha organizatat që vlejnë", tha shkencëtari. "Kërkimi, narrativa, lajmet e reja janë komplementare me informacionin që përdorim ne. Shpresojmë se do të shohim bashkëpunime shumë të frytshme".
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).