Shefat dhe këshilltarët

Në dy vokacione të ndryshme, pardje, kreu i Shtetit dhe kreu i Qeverisë, komentuan të njëjtën dukuri: ndjeshmërinë e vendit nga kriza globale. Presidenti Bamir Topi shfrytëzoi një event për të treguar, sikundër u tha, "ndjeshmërinë e Institucionit të Presidentit", që sipas z. Topi "do të jetë e lartë për të gjitha problemet dhe për të gjitha nevojat që do të ketë grupi i interesit i biznesit, interesi i qeverisë, por edhe interesi i atyre që kërkojnë të punësohen".

Një këndvështrim tjetër "original" ishte ai i Kryeministrit Berisha. Ky i fundit shfrytëzoi daljen periodike në tryezën e Kryeministrisë për të thënë se "është jashtëzakonisht e pandershme t‘u biesh borive të krizës vetëm e vetëm se të volitet për momentin". Duke iu referuar disa deklarimeve të ditëve të fundit për një prej sektorëve, të prekur realisht nga kriza globale, atij të fasonit, z. Berisha tha: "Dua t‘u them qytetarëve shqiptarë se fasoni mbahet në kushte të njëjta. Pra, ky pakësim nuk është pasojë e fasonit dhe janë tërësisht trillime qëllimkeqe ato zëra që thonë se janë mbyllur kaq apo aq sipërmarrje. Ne kemi të dhëna që përkundrazi, na tregojnë se eksportet e tyre janë intakte. Ka një rënie të eksportit të mineraleve, ka një rritje të eksportit të energjisë, pra ka ndryshime sipas zërave. Por në tërësi, ekonomia shqiptare është e qëndrueshme", u shpreh z. Berisha.

Ky deklarim zinte vend në radhën e dytë të njuz-eve të ditës, pas deklarimit të Presidentit të Republikës, sipas të cilit "përballimi i efekteve të mundshme të krizës kërkon rishikimin e strategjisë, ose masave të punësimit të rinisë, të grave, veçanërisht në zonat periferike të qyteteve të mëdha, duke i kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së eksporteve, sidomos industrive me fason, që punësojnë në një numër tejet të konsiderueshëm grash e vajzash nga familje me të ardhura të pakta, që preken nga papunësia dhe ulja e dërgesave të parave nga emigracioni".

Dy deklarimet kanë ngjyrimet e tyre. Por të dy kanë të njëjtin thelb: kujdesin ndaj sektorit të prodhimeve me material porositësi (të quajtura ndryshme me fason), ku përfshihet prodhimi i veshjeve dhe i këpucëve për eksport. Këshilltarët u kanë sugjeruar shefave të tyre trajtesat që u parashtruan. Dy këndvështrime të ndryshme, dy gjykime po ashtu të ndryshme, por që nisen nga i njëjti emërues.

Berisha apo Topi ka të drejtë?

Shifrat janë mbi tavolinën e të dy personaliteteve. Leximi i tyre do bërë me kujdes dhe serioziteti i deklaratave publike do të matet më pas nga ky seriozitet. Më konkretisht: Instituti zyrtar Shqiptar i Statistikave raportonte në fund të muajit prill se, eksportet e Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë, ranë me 38 milionë euro në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2008. INSTAT tha se rënia më e madhe vjen nga rënia e eksporteve të veshjeve dhe këpucëve. INSTAT tha gjithashtu se eksportet janë ulur me 13.45% gjatë periudhës janar-mars, duke dëshmuar vështirësitë ekonomike të krijuara nga kriza. INSTAT tha më tej se eksporti i tekstileve dhe këpucëve ka rënë me 10 milionë euro. INSTAT tha se eksportet drejt Italisë (zënë rreth 70 për qind të mallrave tona) u ulën me 22 milionë euro.

INSTAT publikon shifrat, por ekspertët e ekonomisë bëjnë edhe hesapet. Sipas tyre, në total, i gjithë volumi i tregtisë së jashtme është reduktuar ndjeshëm. Rënia reale duket se është më e madhe nisur nga nënçmimi i lekut me 7-9% gjatë kësaj periudhe. Kjo do të thotë eksporte më të larta në statistikat që publikohen në lekë. Por në realitet, eksportet janë në rënie. Në të vërtetë, këto shifra nuk i ka thënë opozita. Ajo vetëm i ka përsëritur për interesa të saj politike. Këto janë shifrat e njohura dhe të publikuara edhe nga organizatat e punëdhënësve, madje jo në kafe, tek ‘Rogner‘, por në takimet zyrtare me funksionarët më të lartë të qeverisë.

Nëse nuk na pëlqen INSTAT? Kthehemi tek një institucion nga më të besueshmit për qeverinë, por edhe për opozitën. Ka shtatë vjet që punon me paratë e amerikanëve dhe ka CV të spikatur. Ky është ACIT, Qendra Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare. Shifrat e tij u bënë të njohura vetëm pak ditë më parë. ACIT tha se ka një ngadalësim të dukshëm të rritjes së eksporteve. Në vitin 2007 rritja e eksporteve të fasonit ishte 19%. Në fund të vitit 2008 kjo rritje ishte vetëm 4,5%. Gjatë të njëjtës periudhë, importet e fasonit ranë me 5,5%, gjë që do të shfaqej në muajt e parë në eksportet e fasonit.

Eksportet e fasonit (veshje + këpuc&eumlsmiley shënuan 60% të totalit të eksporteve shqiptare për vitin 2008. Eksportet e veshjeve zunë 44% të eksporteve të fasonit, kurse eksportet e këpucëve vetëm 28%. Industria e përpunimit të këpucëve ra gjatë vitit 2008 me 7%, krahasuar me vitin 2007. Opozita nuk i ka marrë vesh ende këto shifra dhe nuk ka bërë ende komente. Por, këshilltarët e Kryeministrit dhe të Presidentit, po, ata janë në dijeni të këtyre shifrave. Kjo është normale.

Kryeministri është i kënaqur

Kryeministri Sali Berisha tha se, të ardhurat katërmujore janë rreth 10 për qind më të larta se të vitit të kaluar. Por nuk tha se sa për qind të planifikimit përbëjnë këto të ardhura për periudhën 4-mujore të vitit 2009. "Nuk ka rënie të të ardhurave, por ka rritje në raport me vitin 2008", tha kryeministri në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se vihet re një rënie prej rreth 5 për qind dhe aspak më e madhe e eksporteve në këta 4 muaj. "Ju garantoj se kjo është rënia më e vogël që unë kam lexuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Rënie të tjera janë nga 15 deri në 45 për qind të eksporteve. Pra, kjo rënie e jona është fare modeste", vijoi Kryeministri. Që do të thotë, sipas tij, se janë ulur me 5% prurjet valutore në vend. Eksportet sjellin veç valutë.

Le ta quajmë të tillë. Pas kësaj duhet të shtojmë se tregut të brendshëm (sipas Bankës së Shqipëris&eumlsmiley i mungojnë jo më pak se 150 milionë euro, që mungojnë nga remitancat (të ardhurat nga emigrantët). Tregut të brendshëm i mungojnë kreditë për ekonominë (rënia është dramatike), por që shoqërohet me një rritje (po dramatike) të normave të interesit të kredive. Bankat po "luten" për kredi. Biznesi dhe individët po largohen nga bankat. Le të flasin, po deshën, bankierët për këtë klimë! Sot nuk mund ta blesh kaq shtrenjtë një kredi të tregun bankar. Dhe për këtë nuk mund të kënaqesh! Ose, këshilltarët nuk duhet të të lenë të kënaqesh.

Le t‘i rikthehemi fasonit!

Sektori i fasonit në Shqipëri, ku përfshihen më shumë se 400 ndërmarrje që prodhojnë veshje dhe rreth 80 kompani që prodhojnë këpucë, ku punësohen jo më pak se 100 mijë të punësuar, duke shënuar sektorin më të madh të punësimit në fushën e manifaturimit, me rreth 4,5 miliardë lekë xhiro ekonomike, u godit së tepërmi nga e ashtuquajtura reformë fiskale e qeverisë.

Sipas përllogariteve të ekspertëve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) (dhe jo të opozitës, as të Presidentit), në një ndërmarrje me 50 punëtorë, ka një humbje të fitimit vjetor prej 1.08 milionë lekë, që është afro gjysma e të gjithë fitimit. Ndërkohë, për ndërmarrjet e mëdha në numër punonjësish, humbja e fitimit është akoma më e madhe dhe përllogaritet në mbi 4 milionë lekë.

Po sipas të dhënave të DHKPV, përllogaritet se në total sektori i fasonit ka një humbje prej rreth 750 milionë lekë. Rritja e kostos si pasojë e bërjes së pagës minimale për 17 mijë lekë është rreth 13% më shumë dhe, në shifra absolute, kjo rritje është (për një ndërmarrje me 50 punëtor&eumlsmiley rreth 367 mijë lekë më shumë për pagat e punonjësve, ndërsa ajo me 200 punëtorë rreth 1.3 milionë lekë më shumë.

Paga e punës varion nga 60-70% të shpenzimeve, ndërsa pjesa e sigurimeve shoqërore zë 15-20% të shpenzimeve. Pra, siç shihet efektet e këtyre reformave, për shkak të strukturës së kostos, janë shumë të ndjeshme. Sektorë të tjerë të vendit, këtë zë, shpenzime për paga, e kanë në nivelet 8-10% të shpenzimeve. Qeveria tashmë ka në tavolinë rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, e llogaritur për fasonet me 18 mijë lekë. Po të bëhen sërish llogaritjet e mësipërme, janë të kuptueshme efektet.

Në këto kushte, biznesi i fasonit i kërkoi me ngulm qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë në mbështetje të mbijetesës së këtij sektori për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, pas të cilës sektori do të rikuperojë humbjet nga mungesa e kontratave, e likuiditetit dhe nga rënia e porosive nga jashtë. Shenjat janë për këtë përmirësim, por ai nuk duhet t‘i gjejë të mbyllura ndërmarrjet shqiptare dhe të papunë numrin e madh të punëtorëve të këtij sektori. Nëse këshilltarët e Kryeministrit dhe vetë shefi i qeverisë do të mirëkuptoninn këtë kërkesë të biznesit fasonist, le të verifikojnë sa është numri i punëtorëve të deklaruar në tatime dhe zyrat e punës dhe sa është shuma e kontributeve shoqërore e shëndetësore të paguara për periudhën. Ky sektor ka sot e gjithë ditën mungesë likuiditeti, edhe për shkak se partnerët ndërkombëtarë të fasonit nga Italia e Greqia, por edhe nga Gjermania kanë shfaqur paaftësi paguese, duke mos paguar as produktet e realizuara tre muaj përpara.

Ç‘mund të bëjë qeveria?

Nëse nuk ka çfarë të bëjë, mirë është të mos e ngatërrojë biznesin me opozitën. Mbi 100 mijë të punësuarit e sektorit fasonist nuk mund të jenë anëtarë të një partie. Nuk kemi asnjë parti kaq të madhe! Sipërmarrja ndihet në vështirësi dhe kërkon partneritet. Qeverisë, sigurisht i duhet të bëjë edhe fushatë, sikundër edhe opozitës. Por nuk është mirë të manipulohen shifrat, sikundër nuk është mirë të administrohen ato si pronë e të majtës apo të djathtës. Përtej deklarimeve publike të Kryeministrit apo Presidentit, ka dhjetëra mijë familje që nuk kanë marrë rrogën në ndërmarrjet e fasonit, ka më shumë se 50 ndërmarrje që nuk punojnë, sepse nuk kanë punë, pra porosi nga investitorët e huaj, ka kredi të marra në bankë e të pashlyera, ka borxhe informale dhe pamundësi paguese. Nëse Kryeministri Berisha është i kënaqur me 5% rënie të eksporteve kjo do të thotë të paktën 5 mijë familje pa një të punësuar në sektorin e fasonit. Dhe jo vetëm kaq!

Pak orë pas deklarimit elektoral të opozitës për fasonistët, zyrtarët e Ministrisë së Financave "rendën" të sqarojnë "incentivat e qeverisë" për sektorin e prodhimit me material porositësi. Ja si: Qeveria ka rritur nga një në tre muaj pagesën prej 0,5% të pagës bruto (paguhet nga punëdhënësi) për sigurimin nga aksidentet për punëtorët e rinj (ku janë punëtorët e rinj, po pushohen në masë të vjetrit?!); Qeveria ka hequr kërkesën burokratike për deklaratën e importit (kur importoje, zyrtarët nuk të kërkonin deklaratën e doganës shqiptare, por atë italiane apo greke e gjermane !?); Qeveria ka rritur me dyfish për periudhën dymujore rimbursimin e TVSH-së, nga 300 në 600 milionë (ky është detyrim ligjor, paratë janë të sipërmarrjes jo të administratës dhe as për të raportuar realizimin e planit). Po a ka detyrime të prapambetura të administratës në vite dhe sa janë ato?

Këto ishin "incentivat", që mund të jenë afektive, por jo në një periudhë krize, apo gjendje papunësie, apo mungese kontratash me partnerët ndërkombëtarë. Eksportet drejt Italisë, ku zakonisht përfundojnë rreth 70 për qind e mallrave tona, u ulën me 22 milionë euro. Volumi i tregtisë së jashtme është reduktuar me 143 milionë euro gjatë tremujorit të parë, e barabartë me rreth 2 për qind të PBB-së. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i kërkoi qeverisë dhe të gjithë aktorëve ekonomikë në vend, të marrin masat që efektet negative të krizës globale të mos reflektohen drejtpërdrejt në ekonomitë familjare të shqiptarëve. Kryeministri Berisha tha se në 4 muajt e parë të këtij viti treguesit flasin për një qëndrueshmëri të qartë të ekonomisë. Këshilltarët, që kanë përgatitur fjalimet e liderve, duket se jetojnë në dy hemisfera të ndryshme. Kjo është e gjitha.

2 Komente

Me e pranueshme politikisht do te ishte te kerkohej nje heqje tatimit mbi fitimin, ose te vazhdohet te kerkohet pagesa nga shteti e kontributeve te sigurimeve shoqerore, sesa ulja/heqja e pages minimale. Heqja e tatim fitimit apo kontributeve te sigurimeve shoqerore eshte nje barre qe i ndahet te gjithe shoqerise per te mbajtur ne pune dhjetera mijera veta ndersa ulja e rrogave eshte nje barre qe ndahet ne me pak veta, dhe perfiton me pak njerez.

 Ulja e tvsh u diskutua kete jave dhe nga ekspertet e ekonomise europiane si nje nje mundesi apo lehtesim per shum biznese.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).