Rama: Do të rimbursojmë TVSH-në për biznesin

Kreu i PS-së bashkëbisedon me investitorë të huaj në vend

 

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me investitorët e huaj, ku premtoi se qeveria e re e së majtës, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, do të aplikojë masa konkrete për të ndihmuar biznesin. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se programi i qeverisjes së PS-së favorizon investitorët e huaj dhe një nga këto përfitime për biznesin është pikërisht rimbursimi i TVSH-së, së cilës do t‘i shtohet edhe iniciativa fiskale në lidhje me importin e makinerive të reja, por edhe investimet. "Kjo do t‘i lejojë investitorët që ta trajtojnë këtë taksë në disa faza, menjëherë pasi të kenë ndërmarrë hapin e parë. Kjo është një politikë që ne do ta zbatojmë me shumë dëshirë, pasi do t‘i japë një shtytje të fuqishme ekonomisë në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë asaj rurale", nënvizoi kreu i socialistëve, Rama. Më tej, kryetari i PS-së theksoi se "ajo që duam të trajtojmë ne në mandatin tonë të parë, është krijimi i ‘Kodit të Tokës‘. Një kadastër multifunksionale, e cila mungon plotësisht në Shqipëri, por që është një motor i rëndësishëm për t‘u dhënë një kuptim dhe drejtim investimeve të reja dhe ekonomisë në përgjithësi". Sipas tij, "Kodi i Tokës" nga njëra anë dhe një kadastër multifunksionale nga ana tjetër së bashku, do të bëjnë të mundur një ndryshim të dukshëm në drejtim të administrimit të tokës.

Në mënyrë të veçantë, theksoi Rama, investimet që lidhen me zonat rurale janë përdorur përherë për influencë politike dhe për qëllime elektorale. Duke iu drejtuar bizneseve të huaja, kryetari i PS-së, Rama, tha se "ne duam ta ndryshojmë këtë, duke i trajtuar investimet në infrastrukturë qartësisht si investime zhvillimi, duke i konsideruar rrugët e vendit si rrugë prodhimi apo rrugë turizmi. Kur flas për rrugë prodhimi, kam në mendje nevojën për të pasur një plan integrues për transformimin e të gjithë rrjetit të rrugëve, që lejon prodhimin në zonat rurale, që të lidhet dhe të jetë pjesë e tregut dhe që lejon një rrjet normal mbledhjeje dhe shpërndarjeje të prodhimeve". Ne, vijoi Rama, duam të punojmë së bashku me ju dhe së bashku me ato grupe që kanë investuar apo që do të investojnë para në këtë vend. "Ideja jonë është ta bëjmë këtë gjë në baza të rregullta dhe të bëjmë thesar eksperiencat tuaja dhe idetë tuaja. Është shumë e rëndësishme, pasi duke u bazuar në këto baza, ne mund të kalojmë më shpejt dhe lehtë shumë pengesa dhe të evitojmë të kemi të tjera, që nuk janë shkak i mungesës së vullnetit, por injorancës dhe e një mënyre të punuari që i përket së shkuarës", premtoi kreu i selisë rozë. Duke vlerësuar si të rëndësishëm rolin e bizneseve për zhvillimin e vendit, kryetari i PS-së nënvizoi se "ne duam të përpiqemi të krijojmë një rrugë të re, duke investuar më shumë dhe duke u përqendruar shumë. Do të mundohemi ta bëjmë këtë në bashkëpunim me komunitetin e biznesit për trajnimet profesionale dhe kualifikimin e të rinjve". Ne, premtoi Rama, do të inkurajojmë dhe mbrojmë me një vullnet dhe shpirt krejtësisht të ri çdo lloj investimi në këtë vend, që do të çojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe që do të ketë të bëjë me prodhimin.

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).