Qeveria nuk ka para për rrugët rurale

Sigurohen vetëm 30% e fondeve të projektit të Bankës Botërore për ndërtimin e 1500 km

Qeveria nuk po mundet të gjejë para për zbatimin e projektit të Bankës Botërore, që konsiston në ndërtimin e rreth 1500 kilometrave rrugë rurale dhe dytësore. Premtimi i Kryeministrit Sali Berisha ishte që brenda mandatit qeverisës të përfundonin të gjitha punimet e rehabilitimit dhe ndërtimit të akseve lokale, me mbështetjen edhe të donatorëve. Projekti u publikua në 2006 dhe u deklarua se janë bërë gati 400 milionë dollarë fonde, të mjaftueshme për infrastrukturën rurale. Por sot, dy muaj nga fundi i mandatit, qeveria ka siguruar vetëm 30 për qind të fondeve nga totali i 400 milionëve, ndërsa për punimet, ende nuk ka një kantier të ngritur. Duke parë vështirësitë e gjetjes së fondeve, qeveria ka rishikuar planin e zhvillimit kombëtar strategjik, duke e shtyrë afatin e përfundimit të projektit në 2012. Ministria e Financave ka paraqitur këto ditë në Kuvendin e Shqipërisë, materialin me situatën ku ndodhet projekti i rrugëve dytësore dhe vendore, nga ku mësohet se janë mbledhur nga donatorët nën 100 milionë dollarë, nga 400 milionë dollarë të nevojshme. Deri tani, financuesit kryesorë të projektit janë Banka Botërore, Fondi i OPEK-ut, IPA (Bashkimi Evropian) dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës-CEB, kurse qeveria ka kontribuar vetëm me 5 milionë dollarë. Në planin e ndërtimit dhe rehabilitimit të rrugëve, janë të përcaktuara qartë prioritetet dhe përfituesit kryesorë, në bazë të disa kritereve, ndërsa vijojnë negociatat për gjetjen e parave të tjera. Situata në tregjet financiare në botë e ka ngadalësuar procesin e ndërtimit të 1500 kilometrave rrugë, pasi burimi kryesor i financimit ishin donatorët. Kur kanë kaluar dy vjet nga premtimi, dhe më pas vendimi i qeverisë, aktualisht Kryeministri nuk është në gjendje të garantojë ndërtimin e rrugëve rurale.

Bankat

Deri tani janë katër donatorë që kanë shfaqur interes për financimin me kredi të buta të projektit për ndërtimin e rrugëve rurale dhe vendore. Aktualisht, CEB ka pjesën më të madhe të financimit, me 53 për qind, pasuar nga Banka Botërore me IDA-n, e cila ka ofruar 20 milionë dollarë ose 20.7 për qind, FONDI i OPEK-ut me 15.5 për qind të financimit dhe IPA me 10.6 për qind. Ministria e Financave nuk jep detaje nëse po negociohet sërish për gjetjen e fondeve të tjera, deri në krijimin e 400 milionë dollarëve. Kostoja totale e 1500 kilometrave rrugë dytësore dhe vendore, dalin nga studimi i bërë nga Banka Botërore. Këtë element shfrytëzoi Kryeministri Berisha kur tha se janë siguruar nga Banka fondet e mjaftueshme, kur në fakt ndodhi e kundërta.

Projekti

Përfundimi i punimeve duhet të ishte kryer brenda qershorit 2009, por vonesat në identifikimin e akseve që do të përfitonin fonde, situata jo e mirë financiare në botë, e nisur në qershor 2008, si dhe procedurat burokratike që aplikojnë të huajt, sollën dështimin e projektit. I ndarë në tre komponentë kryesorë, ndërtimi i rrugëve dytësore dhe rurale përbëhej nga: përmirësimi i seksioneve prioritare të rrjetit të rrugëve dytësore (rajonale); lokale (komunave); dhe zbatimi dhe mbështetja institucionale. Dy komponentët e parë, konsistojnë në financimin e nënprojekteve rrugore, aty ku është e nevojshme, kurse komponenti i tretë, ka të bëjë më së shumti me sigurimin e mbështetjes teknike, blerjen e mallrave, trajnimin, shërbim konsulence etj. Këto të fundit do të financohen kryesisht nga Banka Botërore, kurse ndërtimi i rrugëve rajonale dhe të komunave, pra punimet civile, janë marrë përsipër nga donatorët e tjerë, si CEB, e cila ka ofruar më shumë nga të gjitha, rreth 51 milionë dollarë.

Zbatimi

I gjithë projekti ishte menduar të zbatohej nga Ministria e Brendshme, e cila mbulon politikat dhe zhvillimin e pushtetit vendor, por problemet e shfaqura me grantet konkurruese dhe mungesa e eksperiencës, e detyruan Kryeministrin Berisha që projektin t‘ia besojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit-FSHZH, i cili ka marrë mbështetjen edhe të BB-së. FSHZH-ja, ndodhet aktualisht në presion të madh politik, sa herë që diskutohet me projektet rrugore, në një kohë që mungojnë paratë e donatorëve. Mendohet që, me sugjerimin edhe të KLSH-së, FSHZH-ja të marrë përsipër zbatimin e granteve konkurruese që u jepen bashkive dhe komunave. I gjithë buxheti për 2009-n, në drejtim të pushtetit vendor llogaritet në rreth 250 milionë dollarë, nga këto, rreth 40 milionë dollarë janë grante konkurruese, që aktualisht ndahen nga Ministria e Brendshme, me miratimin e Ministrisë së Financave.

Fondet - Ndihmë donatorëve

Qeveria kishte nisur me kohë thirrjet ndaj institucioneve të huaja financiare, për më shumë mbështetje financiare. Tryezat me takime u bënë më të shpeshta, ndërsa ministri i Financave nuk ngurronte t‘u bënte apel donatorëve për më shumë financime. Ndërkaq, në Kryeministri u krijua një departament i posaçëm për koordinimin e projekteve të huaja, kurse një muaj më parë u zhvillua në Tiranë një konferencë dyditore ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe menaxhimin sa më të mirë të investimeve të huaja. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nuk u arrit që të krijohet brenda në kohë fondi 400 milionë dollarë, për rrugët rurale.

Në krahasim me dy vjet më parë, investimet e huaja në buxhetin 2009, kanë zbritur me 100 milionë dollarë

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).