Privatizimi i INSIG-ut, pse u tërhoqën amerikanët

Shehu: Donin fitimin e 2008-s, por nuk pranuam

Kompania shtetërore, INSIG, do të vazhdojë të mbetet e tillë për një kohë të papërcaktuar, pasi procesi i privatizimit nuk arriti qëllimin për shitjen e aksioneve. Lajmi për tërheqjen nga gara e kompanisë "American Reserve Insurations", e shpallur fituese dy muaj më parë nga Ministria e Financave, i bashkëngjitet një tjetër largimi, atij të BERZH dhe IFC. Situata duket e komplikuar, ndërsa qeveria po mundohet pa shpresë të gjejë zgjidhje. Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, shpjegon për "Shqip" situatën ku ndodhet procesi i privatizimit, duke qartësuar disi arsyen e largimit nga gara të kompanisë amerikane. "Për momentin, negociatat me kompaninë amerikane kanë ngrirë. Investitori duket se nuk ka më interes, nisur nga situata financiare në tregjet e huaja", thotë Shehu. Sipas tij, gjasat janë që "American Reserve Insurations" të tërhiqen plotësisht nga gara, nisur dhe nga fati se në negociata nuk u ra dakord për shumë çështje. Kryesorja lidhej me fitimin e INSIG-ut për vitin 2008, që investitori kërkonte ta përfshinte brenda në paketën e aksioneve, pa ndryshuar çmimin e blerjes. "Në këtë pikë ne nuk ramë dakord, edhe pse u përpoqëm të gjenim një zgjidhje. Nuk mund të toleronim te dividenti, në një kohë kur kompania amerikane insistonte në qëndrimin se kishte ofruar çmimin final për të gjithë paketën", thotë zv.ministri i Financave. Në këtë pikë, qeveria nuk mund të vijonte negociatat, duke lënë pezull përfundimin e shitjes së aksioneve. Amerikanët u shpallën fitues në tender, pasi ofruan çmimin më të lartë, duke blerë të gjitha aksionet me vlerë rreth 50 milionë dollarë.

Kompania

Në bilancin financiar të audituar për vitin 2008, INSIG rezultoi me një normë fitimi rreth 3 milionë dollarë. Në çastin kur palët po negocionin për kalimin e aksioneve nga shteti te privati, fituesit e "American Reserve Insurations" kërkuan që në paketë të përfshihej edhe fitimi. Në negociata ka pasur edhe të tjera çështje që nuk morën zgjidhje dhe të ndikuar nga kriza financiare, investitori e pa të udhës të tërhiqej. Tashmë qeveria ka mbetur e vetme në procesin e shitjes së aksioneve të INSIG, pasi dhe dy ortakët e tjerë, IFC dhe BERZH, kanë deklaruar largimin nga kompania. Shteti zotëronte 61 për qind të aksioneve, kurse BERZH dhe IFC zotëronin secila nga 19.5 për qind, ndërsa me largimin e tyre, INSIG aktualisht mbetet 100% e qeverisë.

Dyshimet

Procesi i privatizimit të INSIG-ut ka kaluar në disa faza të vështira, si dështimi i tenderit tri herë, por edhe ristrukturimi, humbja në treg, dhe së fundmi largimi i aksionerëve. Dyshimet për procesin e fundit të privatizimit, që kishte nisur në mesin e vitit 2008, janë hedhur në mars nga Partia Socialiste. "Firma fituese amerikane mbetet një firmë për të cilën nuk është thënë shumë nga ana e qeverisë. Nuk janë bërë transparente edhe firmat e tjera që kanë marrë pjesë në tenderin e privatizimit të INSIG-ut, duke nënkuptuar një proces të fshehtë. Ministria e Financave nuk deklaroi asnjëherë për tërheqjen e bankave mbikëqyrëse, IFC dhe BERZH", ishte qëndrimi zyrtar i PS-së. Pas kësaj, Ministria e Financave u përpoq të jepte shpjegime, duke pranuar në fund se privatizimi ka "ngrirë".

Privatizimi - BERZH hoq dorë nga aksionet

Fati i kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve, INSIG, duket edhe më i paqartë tashmë që BERZH dhe IFC (pjesë e Bankës Botërore), dy institucione që zotëronin në total 39% të aksioneve, janë tërhequr zyrtarisht nga kjo kompani. Në dhjetor të vitit të kaluar, BERZH dhe IFC i kanë rishitur qeverisë shqiptare pjesën e tyre të aksioneve që kishin blerë 5 vite më parë. Vetë BERZH e argumenton tërheqjen e saj nga INSIG, tashmë në proces privatizimi, si një vendim që ka të bëjë me strategjitë e vetë bankës. Në një përgjigje zyrtare drejtuar "Top Channel", BERZH thotë: "Në dhjetor të këtij viti, BERZH dhe IFC vendosën që të dalin nga INSIG nëpërmjet një marrëveshjeje rishitjeje për aksionet që ishte negociuar që në kohën e blerjes së atyre aksioneve në korrik të vitit 2004. BERZH ka qenë aksioner i INSIG për 4.5 vjet, një kohëzgjatje normale për një investim të bankës. Strategjitë e daljes nga investimet përcaktohen nga një numër faktorësh, ku faktorë të mundshëm, por jo të vetëm, janë kushtet e tregut, interesat e partnerëve në mazhorancë dhe në minorancë të bankës, strategjia e investimit të BERZH në shtete dhe sektorë të ndryshëm, shkrirjet dhe blerjet e mundshme, listimet e kompanive në bursa etj. Në rastin e INSIG, Banka ka pranuar dy herë të zgjasë afatin e vlefshmërisë së marrëveshjes së rishitjes së aksioneve me nga një vit tjetër. Duke konsideruar faktin se procesi i privatizimit kishte mundësi të mbaronte në vitin 2009 dhe duke rishikuar edhe një herë përfitimet e marrëveshjes së rishitjes, të dyja institucionet financiare ndërkombëtare vendosën të mos jenë më aksionere të kompanisë".

1 Komente

 Te kerkosh dividentin e 2008 pas 4 muash, kur ky divident mund t'u jet shperndare aksionerve apo punonjesve te Insigut, apo te jete investuar, blere, sakrifikuar, kjo me duket pak si e tepert, aq me teper qe Insigu çdo vit ka dale me fitim, dhe nuk eshte çudi qe dhe per 2009 te dali me fitim, ndoshte me pak se 2008.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).