Pranvera

Bismilah! Autostrada më e re e vendit, ajo Lushnjë-Fier, mori kurbanin e parë. Ishte një vajzë e vogël 10 vjeçe që quhej Pranvera dhe që u përplas tej nga një makinë, teksa kalonte nga një anë e rrugës në tjetrën. Kaq thanë gazetat.

Ditën që ka filluar të hidhet në letër projekti i autostradës, Pranvera nuk ka qenë më tepër se një vjeçe. Thithte gji nëne, pa e ditur se firma e vdekjes së saj sapo qe hedhur. Që ditën që filloi të hidhej në letër vija e parë e projektit, pa parashikuar ndërtimin e mbi e nën kalimeve, të gjithë e dinin që Pranvera do vdiste. Që ditën që u pre shiriti i punimeve pa parashikuar fonde për mbikalime, apo se si do kalonin njerëzit nga një anë në tjetrën e kësaj rruge të re. Dihej që do vdiste, që kur se punimet avanconin dhe, edhe ato pak mbikalime të parashikuara, rralloheshin pasi paratë treteshin në kush e di ç‘xhepa. E dinin që ajo do vdiste, edhe Kryeministri edhe Ministri i Transporteve, që i prenë shiritin rrugës, edhe pse e dinin se ajo ishte jashtë çdo parametri teknik, por brenda çdo parametri elektoral. E dinin edhe gjithë armata e inxhinierëve, teknikëve, ndërtuesve, investitorëve, supervizorëve, funksionarëve që, megjithëse paguhen për të zbatuar ligjet, i shkelën ligjet duke e lejuar rrugën të shkelte parametrat teknikë. E dinin edhe ata të shkretë fshatarë që banojnë anës rrugës dhe e shohin atë shirit asfalti si mbartës të të gjithë halleve të tyre. Në të gjithë botën rrugët shërbejnë për të lidhur njerëzit, ndërsa në Shqipëri ja kemi dalë t‘i shndërrojmë në simbole ndarjeje të njerëzve këtej dhe andej rrugës, që s‘piqen dot me njëri-tjetrin. E dinin fshatarët e gjorë dhe nuk i vunë dinamitin cep më cep kësaj mostre të bërë keq dhe që duan të na i shesin për zhvillim.

Të gjithë pra e dinin që Pranvera do vdiste një ditë dhe askush nuk hapi gojë. S‘hapën gojë, se projektuesit donin të shisnin projektin, ndërtuesi donte të fitonte tenderin, ministrat donin copën e tyre, Kryeministri donte të fitonte votat, fshatarët se fshatarë janë dhe janë mësuar ta kenë frikë shtetin. E vetmja që nuk dinte asgjë nga të gjitha këto ishte Pranvera, që vazhdoi të rritej bashkë me rrugën, derisa kjo i mori jetën bashkë me vetëm 10 vjetët e saj.

Bëj o Zot i Madh të thyejnë qafën pikërisht në atë vend, të gjithë ata që me vetëdije frynë barqet dhe xhepat e tyre me vitet e pakta të Pranverës së Vogël.

FUNDI I HISTORISE SE TENDERAVE

Kam bërë në mënt t‘i kërkoj ndjesë Olldashit. Pasi analizova për dy javë rresht se si bëheshin tenderat në atë ministri, e gjeta e-mailin të mbushur me hallet e të gjithë hallexhinjve të tenderave anekënd administratës. Mua më ish dukur se zbulova Amerikën dhe nxitova të botoja mënyrën se si tek Olldashi tenderat e rrugëve fitoheshin me shifra që shkonin deri 99,94% të fondit limit, mirëpo mbeta pa gojë kur më vjen një e-mail anonim nga Ministria e Shëndetësisë, që më shpjegonte një për një, se si edhe atje tenderat vërtiteshin të gjithë në shifrat nga 98 deri 99,97% të fondit. Mbeta pa gojë po s‘kish mbaruar ende. Pas dy ditësh më vjen një tjetër e-mail, kësaj radhe nga Ministria e Mbrojtjes, edhe ky anonim, edhe ky i shoqëruar me një tabelë, edhe ky me të njëjtat halle. Pastaj edhe një tjetër e-mail, edhe një tjetër, e tjetër, e kështu me radhë. Kur më arriti ajo tabela e Ministrisë së Shëndetësisë, u bëra gati të shkruaja siç shkrojta për Olldashin, pastaj, kur pashë se lumi i informacioneve nuk kish të sosur, hoqa dorë. I paskësha rënë më qafë kot Olldashit si të ish delja e zezë, kur të gjithë një katran me bojë ishin.

Nuk qenka çështje njerëzish, ministrash apo tenderllinjsh, është çështje sistemi. Le të vëmë sa të duam burra të mirë, çuna të rinj, apo goca me shkollë Amerike, njësoj do qelben në pak muaj, pasi të kenë hyrë brenda sistemit të kalbur.

Të ndash fondet në pjesë me nga 499 milionë lekë, për të mos prekur çatinë prej 500 milionë lekësh, tej të cilit duhet hapur tender ndërkombëtar, formalisht nuk është vjedhje. Të organizosh tendera që fitohen me 99,99% të fondit limit, edhe kjo formalisht nuk është vjedhje. Të gjitha shenjat bëjnë "muuuu" që këtu është vjedhur me të dyja duart, por teknikisht është e pamundur, ose së paku shumë e vështirë, të provohet. E gjitha kjo, flet vetëm se sistemi është organizuar i tillë që të lejojë rrjedhjet dhe, se me vetëdije, nuk riparohet. Pas denoncimit të një, dhjetë, njëqind, apo njëmijë rasteve të tilla të kalbjes së sistemit, ose të lënies me qëllim të tij që të kalbet, forca politike që e ka shkaktuar këtë qelbje, edhe nëse nuk e paguan koston ligjërisht para gjykatës, e paguan politikisht para elektoratit. Para gjykatës, në këtë vënd nuk është dhënë llogari për gjëra shumë më të mëdha se sa vjedhja e disa miliona dollarëve, ndaj të mbaj shpresë se do e paguajnë politikisht para njerëzve.

PESHQIT E DETIT DHE TE LIQENIT

U thashë para një muaji se nuk e dija ç‘do bënin grekërit a shqiptarët tani që lojti kufiri i Jonit mbi det, por që me siguri dija se ç‘do bënin peshqit nën det. Peshqit e detit, jo që s‘u mërzitën hiç, por kur e morën vesh që lojti kufiri, u gëzuan pa masë. U gëzuan se, që sot e tutje nuk do t‘i gjuajë më njeri me korrent, me bomba apo me dinamit, nuk do t‘u hedhë më njeri pesticide, plehra apo helme. Do kenë punë vetëm me rrjetat e peshkatarëve grekër, të cilat edhe ato duhet të jenë sipas normave të Komunitetit Europian dhe kaq. Edhe koralet, gaforret, flora dhe fauna e nëndetit, do kenë bërë festë, se shpëtuan nga shfrytëzimi deri në palcë.

Mirëpo s‘qe e thënë që në mbretërinë e peshqve të shkonte gjithçka së mbari se, sa shpëtuan peshqit e Jonit, u ra flama e ngordhën këta të Liqenit në Tiranë. Ajo që ndodhi me helmimin e ujërave të këtij liqeni, pakkujt i bëri përshtypje. E shumta tha një gjysmë fjale një gjysmë drejtor i agjencisë së mjedisit dhe kaq. Qyteti, i mpirë nën bubullimat elektorale, as që e ktheu kokën të shihte ç‘ndodhi. Ministri i Mjedisit e nënshkroi marrëveshjen me Berishën për katër vjetët e ardhshëm dhe as që ja kërcet më për punë liqenesh e peshqish. Prokuroria do të ish dukur qesharake, sikur në një vënd ku hidhet në erë një fshat i tërë dhe të gjithë dalin të pafajshëm, të ulej tani e të hapte hetim për punë peshqish. Sinqerisht e them se, nëse të paktën qoftë edhe formalisht, prokuroria do të hapte një hetim për këtë punën e helmimit të liqenit, do të thoja se të paktën masakra e ndodhur vlejti diçka dhe fauna e Liqenit u sakrifikua, por jo më kot.

Kam vetëm një shpresë ende. Mirë se andej anëve të Jonit ishte kollaj ta loznim kufinë e të shpëtonin peshqit nga ne, po si i bëhet që të gjejmë ndonjë mënyrë që t‘ua japim grekërve edhe Liqenin e Tiranës, e kështu ata ta pastrojnë e ta ndreqin për bukuri. Po ne? Ne pastaj të vemë e të zdërhallemi në bar anës tij, të pimë birra e të hamë mish, duke thënë: çfarë budallenjsh, ne hamë ata pastrojnë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).