Poli... Tika!

Në shumë gjuhë të botës thuhet, proverbialisht, që e vërteta del nga goja e fëmijëve. Nisur nga ky fakt, janë krijuar mite, gojëdhëna, vepra artistike të gjinive të ndryshme, ndër të cilat mund dhe dëshiroj të përmend përrallën “Mbreti
lakuriq” të danezit Andersen, përrallë përkthyer mjeshtërisht në gjuhën shqipe para shumë kohësh, por me vlerë krejt aktuale si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera. Gjithsesi, le të qëndrojmë në Shqipëri, pikërisht në Tiranë, ku, para disa ditësh, ndërsa kruarjet e ethshme të zgjebes, më falni, fushatës zgjedhore, kanë zaptuar tashmë partitë politike dhe simpatizantët e tyre, biznesmenë apo lypësa qofshin këta, u përsërit historia apo, më saktë, përralla e Andersenit, veçse në një variant tjetër, modern, jo më me mbret lakuriq, por me një partiak të lartë kostum e kravatë që kishte ngrënë, me shumë gjasë, një pjatë fasule pllaqi; jo më me oborrtarë servilë, por me simpatizantë të përvuajtur të personalitetit në fjalë. Ngjarja mund të konsiderohet gati si një komedi heroike me dëshmitar të vetëm, por tejet të besueshëm, kolegun dhe mikun tim të ri Françesk Armadhi. Personazhet e saj janë: Tika, partiaku i lartë kandidat për deputet, familja Grosha, me gjashtë fëmijë, nga të cilët më i vogli, Çimi, gati tre vjeç, gjyshërit e tij dhe një numër fqinjësh, të vjetër e të rinj. Dekori, një shtëpi përdhese në një lagje të varfër të kryeqytetit shqiptar.
Në këtë çast, ndoshta, lexuesi kureshtar, por edhe paksa i paduruar i rubrikës sime të sotme, mund të hidhet e të pyesë: “Cilës parti i përket vallë ky Tika?” Po të jetë kështu, me keqardhje të thellë po e paralajmëroj se pyetjes së tij do t’i jap përgjigje vetëm në fund të këtij shkrimi.
Tërë personazhet e lartpërmendura ishin mbledhur, pra, në hajatin e shtëpisë së marrë me qira dhe po rrinin ulur në disa biçim gjysmëdivanesh apo gjysmëminderesh çalamanë të sajuara me materiale rrethanore. Fliste kandidati për deputet dhe të tjerët dëgjonin në heshtje e me admirim për këtë zotëri, i cili, po të zgjidhej deputet, do t’u gjente atyre menjëherë punë dhe shtëpi pavarësisht krizës së përbotshme me pasoja të rënda si papunësia dhe mosdhënia kredi, nga ana e bankave, të varfërve që duan të kenë një shtëpi të tyren. Fliste kandidati për deputet dhe të tjerët ëndërronin në mes të ditës, me sy e gojë të shqyer, të ardhmen e tyre të lulëzuar ngjyrë trëndafili, “la vie en rose”, siç thonë francezët: rozë vendi i punës ku do të merrnin rroga të mira, rozë shtëpia e re, pronë e tyre, rozë mobiljet, orenditë e bukura, rozë makina me kambio automatike, rozë kopshti i fëmijëve ku do të shkonte Çimi gati trevjeçar, rozë gjithashtu edhe pushimet e tyre brenda e jashtë shtetit, pse jo? mu në Paris: la Tour Effeil, Notre-Dame de Paris, le Louvre etj., etj., ose mu në Londër: Tower Bridge, Picadilly Circus, Hyde Park etj., etj. “Nuk do të ndiheni kurrë më të mërzitur, kurrë më ‘blue’, siç thonë anglezët, ndërkohë që e tashmja e juaj është në blu të errët” – i siguronte deputeti i ardhshëm Tika duke i vështruar drejt e në sy dhe duke u buzëqeshur me optimizmin që të jep vizioni i trëndafiltë i së ardhmes së ndritur. Befas, tek po përkulej përpara për të marrë gotën e rakisë, pikërisht kur po thoshte se “kjo është politika...”, u dëgjua një si krismë e mbytur dhe kandidatit për deputet i ra në fytyrë një nur i trëndafiltë. Të gjithë rrëmbyen secili gotën e tij, të sigurt që krisma nuk vinte nga ndonjë armë, por asnjëri nuk e dha veten, madje të gjithë i thanë Tikës “Të lumtë goja!”. Vetëm Çimi gati trevjeçar, me sytë që i lëshonin shkëndija shejtanie, thirri: “Poli... Tika!!!”. “Po, po – nxitoi t’i thoshte i ati, prush në fytyrë, po, politika, mor xhan, politika e re e deputetit tonë do të na nxjerrë në selamet!”. Dhe të tërë trokitën gotat me zotin Tika, të cilit, një ditë më parë, e shoqja me siguri i kishte gatuar për darkë fasule. Fasule pllaqi.
Së fundi, përsa i përket përkatësisë së tij partiake, kolegu dhe miku im i ri Françesk Armadhi më pëshpëriti në vesh se ai përfaqëson ngjyrat e një minipartie as të re e as të vjetër, të quajtur Lëvizja e Bashkimit Shoqpopullor Gjithëpërfshirës... Trapologjik!

1 Komente

Tupen e lexoj dhe e degjoj gjithnje me kenaqesi te jashtezakonshme. Me shume ironi dhe humor i ve pikat mbi i, pa e tjerre gjate muhabetin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).