Po masakrohet Pazari i Korçës

Artan Shkreli dhe Maks Velo japin alarmin për ndërhyrjet e gabuara që po ndodhin në monumentin e kulturës

Korçë - Restaurimi i 10 godinave në Pazarin Historik të Korçës është kthyer në mollë sherri mes disa specialistëve të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të tyre në juglindje.

Artan Shkreli, një emër i njohur në fushën e trashëgimisë kulturore, si dhe Maks Velo, një tjetër specialist i njohur, por edhe artist i shquar, kanë udhëtuar gjatë të hënës drejt juglindjes, për të kërkuar pezullimin e punimeve që kryhen në Pazarin Historik të Korçës, i njohur për veçantinë e tij në stilin e ndërtimeve të fillimshekullit të XIX.

Ky monument po i nënshtrohet pjesërisht një restaurimi në fasadat e 10 ndërtesave. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mbështet me 5 milionë lekë këtë investim, që pritet të përfundojë pas një muaji.

Punimet kanë mbërritur tek meremetimi i fasadave, suvatimi i tyre dhe më pas mendohet të lyhen me bojë. Është hera e parë që ndërhyhet në këto godina ku jetojnë disa dhjetëra familje që gëzojnë statusin e të pastrehit.

Shkreli dhe Velo i kanë cilësuar ndërhyrjet një skandal i vërtetë, një shkatërrim që po i bëhet kësaj pjese monumentale të trashëgimisë sonë kulturore.

Shkreli është shprehur që të pezullohen punimet, sepse "suvatimi i fasadës ka dëmtuar objektin, duke prishur imazhin real të tij". Ai ka thënë që bashkë me pezullimin e punimeve të vijnë specialistët dhe të shohin këtë masakër.

"Jemi këtu, një grup specialistësh, për të sensibilizuar opinionin për këtë restaurim që po bëhet jashtë të gjitha kritereve të restaurimit. Ne kërkojmë korrigjim të këtyre punimeve dhe një ekspertizë nga specialistë të fushës, për të respektuar standardet e kërkuara në këto raste.

Duhet theksuar se aktualisht është duke u bërë një meremetim që është shumë larg restaurimit, por për më tepër, nuk janë respektuar kriteret, pasi janë zhdukur elementët e dritareve, elementët e kornizave dekorative dhe janë vendosur ulluqe në shtëpi që nuk kanë çati.

Pra, është ndërhyrë pa kriter dhe këto punime duhet të ribëhen sërish. Këtu po shpërdorohen lekët për një projekt të rëndësishëm", - ka theksuar, ndër të tjera, gjatë prononcimit të tij, arkitekti Artan Shkreli.

I të njëjtit mendim është edhe Maks Velo. Sipas tij, kjo ndërhyrje po çon drejt degradimit total objektet e Pazarit të Korçës, të cilin Velo e ka cilësuar dikur "më të bukurin në Ballkan".

Ai ka thënë se fillimisht duhej të ishte punuar mbi strukturat e këtyre ndërtesave dhe më pas të bëhej meremetimi i tyre. "Pazari i Korçës është duke na ikur nga dora, ndaj duhet të veprojmë sa më shpejt për të shpëtuar ç'të mundim", - ka shtuar Velo.

Po dje ka reaguar edhe Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Korçë. Drejtori i saj, Theodhor Theodhori, e ka vlerësuar të domosdoshëm investimin në këto ndërtesa, të cilat kanë krijuar probleme edhe për banorët që jetojnë në të.

"Thirrjet për alarm janë shpifje dhe sajesa", - ka nënvizuar Theodhori. Sipas tij, reagimi i specialistëve ka një prapavijë politike dhe është e qëllimshme për të hedhur poshtë një investim që bëhet për herë të parë në 10 godina së bashku.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).