Plogështi për t’u ç’baltosur

 

Vetëm para pak kohësh në shtypin e këtushëm qarkulloi njoftimi i Departamentit të Drejtësisë Amerikane, në të cilin thuhej se ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, zoti Withers, nuk rezultonte i përzierë me aferat korruptive të armëve që tregtohen nga Shqipëria, ashtu siç ishte përfolur për të rreth një vit më parë. Ky veprim i drejtësisë është krejt normal për një vend thellësisht demokratik si Amerika, ashtu siç tingëllon pak i çuditshëm për një vend që çapitet drejt demokracisë, si Shqipëria. Për të kuptuar këtë dystandardizim të të njëjtit veprim në dy vende të ndryshme, mjafton t’i hedhim një sy mënyrës së trajtimit mediatik edhe të këtij njoftimi, ku lexohet fare qartë dallimi që ekziston. Kështu ndërsa në Amerikë, pavarësisht se për kë bëhej fjalë, u shkrua për të në gazetat më prestigjioze, ndërsa tek ne ky lajm zuri një vend periferik si atëherë, pra rreth një vit më parë, kur mbi ambasadorin amerikan u hodhën hije dyshimi, por edhe tani kur u qartësua se kjo hije dyshimi nuk kishte asnjë bazë reale. Ajo që duhet thënë që në fillim është fakti se të krijohet përshtypja se në tërë këtë histori të ngatërruar, ku u lakua edhe emri i ambasadorit amerikan, shtypi ynë ka mbajtur një qëndrim, ndoshta servil, ndoshta indiferent, të matur ndoshta a mbase me pak djallëzi brenda vetes.

Në këtë kuadër nuk jemi të sigurt të themi nëse ajo heshtje ndaj akuzave mbi ambasadorin amerikan ishte thjesht një lloj servilizmi i treguar prej nesh. Ndjenja e servilizmit bie poshtë sapo të kujtojmë se tek ne (dhe kur themi kështu kemi parasysh opsionin mediatik), u hesht edhe kur ambasadori doli i pastër ndaj akuzave. Por po ta shohim më në brendësi problemin, do të bindemi se shtypi jo vetëm nuk ka qenë servil, po as indiferent, as i matur dhe as i djallëzuar nuk ka qenë. Kështu, nëse një vit më parë mund të shpjegohej ngurrimi i shtypit për t’u treguar aktiv në zhbirimin e atyre që u folën, me faktin se në fund të fundit kishim të bënim jo me një person dosido, por me vet ambasadorin amerikan, i cili realisht është përfaqësuesi më i fuqishëm dhe më me influencë nga përfaqësuesit e huaj që operojnë në Shqipëri, qëndrimi thuajse në të njëjtën linjë edhe pasi u njoftua krejt e kundërta e asaj që ishte thënë më parë nuk rezulton të jetë edhe një qëndrim as i arsyeshëm.

Në pamje të parë, kjo duket si një ngjarje e rëndomtë për të cilën nuk ia vlen të zgjatesh shumë, por në fakt ajo tregon se si duhet të funksionojë në një rend demokratik jo vetëm sistemi i drejtësisë, por edhe rregullat që duhet të zbatojë gjithë ajo makinë e pandalshme akuzash dhe kundërakuzash, shpifjesh dhe të vërtetash. Ajo tregon se tej fjalëve në fund të fundit gjithçka mbyllet tek morali i përcaktuar në ligj. Meqenëse edhe ne synojmë të integrohemi në këtë botë demokratike, nuk ka arsye që edhe një rast i tillë të mos përgjithësohet dhe të mos gjejë jehonën e duhur. Por anashkalimi i saj nuk është një rastësi dhe tregon qartë se shoqëria jonë ecën në të tjera udhë. Ajo që dihet është fakti se tek ne kur akuzohet dikush, qoftë pushtetar apo njeri i thjeshtë, drogmen apo armëmbajtës pa leje, shkelës i rregullave të qarkullimit rrugor apo mashtrues në tendera, ministër apo hallexhi që i merr ushqimet me listë etj., etj., kjo nuk përbën asnjë risi. E pra të heshtësh kur akuzohet dikush, kjo është e zakonshme për realitetin tonë, por të paktën të mbash një qëndrim ndryshe kur ai shpallet i pafajshëm, ky duhet të jetë jo thjesht një detyrim ndaj atij që u akuzua padrejtësisht, por edhe një normë morale për secilin nga ne.

Duhet thënë që në fillim se ne jemi të privuar nga ky shans dhe kjo ka shpjegimet e veta. Tregu i akuzave është një treg informal fjalësh që ka lulëzuar dhe lulëzon më shumë se kurdoherë tjetër pa pasur asnjë rregull, pa asnjë barrierë dhe pa asnjë shans korrigjimi. Akuzat janë aq të shumta dhe shumëllojshme sa një tentativë për të vendosur një lloj rregulli mes tyre do të ishte një ndërmarrje e vështirë, thuajse e pamundur. Duke qenë kaq të pafundme është e vështirë që mes tyre të evidentosh ato akuza që përputhen apo i ofrohen realitetit. Pas këtij lëmshi të ngatërruar akuzash ka ndodhur ajo më e keqja që mund të ndodhë. Ne jemi mësuar që të mos bëjmë dot pa lëshuar akuza nga të gjitha drejtimet dhe më keq akoma, ne jemi ambientuar edhe t’i përtypim ato pa na bërë shumë përshtypje si pjesë e thashethemeve të ditës. Jemi në një situatë të tillë ku të gjithë akuzojnë, të gjithë akuzohen, pa u lodhur shumë as për vërtetësinë e akuzave, po dhe as për dëmin që mund të sjellin ato tek ai që akuzohet. E thënë më ndryshe, nuk ka ndodhur kurrë që një akuzë mediatike, partiake apo dhe nga institucione shtetërore, le të themi jashtë prokurorisë dhe gjyqësorit, t’i jetë nënshtruar testit ligjor të vërtetësisë së saj duke u tërhequr pas si e pabazë. Nuk ka ndodhur kurrë që jo vetëm nga ata që kanë qenë akuzuesit, por edhe nga të tjerët që i kanë bërë jehonë këtyre akuzave të jetë thënë se ky njeri është akuzuar padrejtësisht dhe minimalisht atij duhet t’i kërkohet falje. Kur flasim për akuza do të kishim parasysh në radhë të parë ato organe të specializuara të cilat e kanë për detyrë të bëjnë akuzat, t’i vërtetojnë apo t’i quajnë si të pabaza. Edhe në këtë drejtim, pra edhe për akuzat e këtyre organeve ka politizime të skajshme. Jo rrallë ndodh që ato të sofistikohen deri në atë masë sa është e vështirë të ndahet ku është kufiri mes një akuze ligjore dhe asaj politike. Si rrjedhojë edhe vendimet e këtyre organeve paragjykohen, duke e ulur vlerën e tyre sepse mes tyre ndërhyn politika, e cila me sa duket e struk gjykimin profesional. Edhe tek sistemi i drejtësisë ndodh që balta e hedhur të jetë e pajustifikuar. Duke qenë një organizëm që nuk varet nga opinionet, është pjesë e profesionit të saj që ajo ta heqë këtë baltë kur provat nuk e justifikojnë atë. Pra, ajo duhet të jetë aktive në ç’përbaltje.

Përmendim se vetëm në një rast ose më saktë vetëm në një rast të bujshëm ka ndodhur që drejtësia të bëjë rrugën e kundërtën duke i shkuar deri në fund mohimit të vendimeve të mëparshme dhe ky ka qenë shembulli i dhënies së pafajësisë së F.Nanos. Veçse nuk duhet harruar se kjo gjë ka ndodhur kur ish-lideri socialist ka qenë në krye të ekzekutivit dhe për rrjedhojë nuk mund të merret si një shembull tipik se si drejtësia mund të bëjë edhe hapa pas kur gjykon se hapat e hedhura prej saj kanë qenë të gabuara. Ky shembull që sapo përmendëm fillon dhe mbaron brenda drejtësisë, pasi është ajo që i bëri të dy veprimet, por rasti i z. Withers është më ndryshe. Ai na jep mundësi që problemin ta shohim shumë më gjerë, sepse aty ndërthuren shumë hallka të shoqërisë dhe jo vetëm organet që merrem me ngritjen e akuzave dhe vërtetimin e tyre. Aty pleksen edhe institucionet e bërjes së opinioneve për një rast normal, apo baltosjes në një tjetër variant. Madje ky tipar i fundit është edhe më e rëndësishmi, pasi është tipik për shoqërinë tonë, e cila në mekanizimin e përbaltjes funksionon pak a shumë me një formulë të njohur. Akuza ngrihen nga të gjitha krahët, nga media dhe partitë politike, nga individë të veshur me pushtet dhe njerëz të zakonshëm, nga persona që kanë si parzmore mbrojtëse imunitetin dhe të tjerë që janë të zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje, nga shpifës ordinerë dhe njerëz të zakonshëm që e ndiejnë se duke heshtur mbajnë mbi vete padrejtësisht baltën e të tjerëve. Në këtë qerthull të ngatërruar dhe të pranuar në heshtje nga të gjithë, sharjet, shpifjet, akuzat janë kaq shumë të përsëritura sa ka humbur kufirin mes akuzave të argumentuara dhe mashtrimeve, mes shpifjeve gjithë ligësi dhe fakteve që duhet të merren në konsideratë. Është një situatë thuajse absurde ku të gjithë në mos ndiejnë kënaqësi nga të dëgjuarit e akuzave, të paktën ato nuk u bëjnë asnjë përshtypje.

Në këto rrethana duket se në mënyrë tinëzare një mendje e djallëzuar ka krijuar këtë metodë të funksionimit të akuzave të ndërsjella me moton vetëm akuzo dhe mos kërko të vërtetosh asgjë. E keqja më e madhe është se në këtë mënyrë akuzat jo vetëm që nuk i bëjnë përshtypje opinionit në përgjithësi, por ato nuk shqetësojnë edhe atë që i bëhen akuza të argumentuara, sepse ai krijon një mbrojtëse tymuese ndaj fajeve të tij. Ai është i parrezikuar për sa kohë akuzat nuk do të njohin asnjë kriter vërtetësie, për sa kohë balta i spërkat të gjithë dhe në fund të fundit, për sa kohë ne do të jemi thuajse të përgjumur për t’iu përgjigjur atyre. Në këto kushte për t’i prerë udhën atyre që thuhen në pazarin e pafund të fjalëve, duhet të ndërhyjë një organ i specializuar dhe kjo është drejtësia, pavarësisht se nga vijnë akuzat. Kjo nuk ka ndodhur deri tani dhe me sa duket edhe për shumë kohë nuk pritet të ndodhë. Është për të ardhur keq, që në një situatë të infektuar deri në qelizë me fenomenin e baltosjes, ta mendonim drejtësinë si një organ që qëndron larg kësaj panorame. Mund të jetë edhe kështu, por duke parë se një gjë e tillë ka njollosur ndërgjegjen e krejt shoqërisë, ne duhet të shqetësohemi se si duhet ta përballim një situatë të tillë. Ne duhet të mendojmë për të gjetur një mekanizëm që para se të thuash diçka, të ndiesh mbi vete frikën e përballjes me të vërtetën. Në fund të fundit, ne nuk kemi pse të pranojmë si një diçka normale ekzistencën e një shoqërie së cilës edhe balta i duket si pjesë e moralit të saj. Por jemi të pafuqishëm që baltën ta heqim me mjetin me të cilën e hedhim, pra me anë të fjalëve. Duhet të flasë dikush tjetër që nuk merret me fjalë. Duke u kthyer tek ajo që cituam në fillim, përmendim faktin se edhe në SHBA u fol gjatë në media për ambasadorin amerikan, por në dallim nga ne atje nuk u mjaftua vetëm me kaq. Organet e drejtësisë hyjnë në lojë dhe thanë se këtu nuk ka asgjë të vërtetë, dhe zoti Withers nuk ka asnjë lidhje me ato që fliten. Pas kësaj askush nuk merret më me këtë fenomen dhe askush nuk ka më të drejtë të përgojojë këtë person. Kjo është veçori e një shoqërie të pjekur. Udha deri tek ajo është e gjatë, po le të shpresojmë se edhe ne jemi duke ecur në hullinë e saj.

smiley>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).