Njeri - Zoti

Njëri nga atributet më standarde të Zotit është krijimi. Të gjitha besimet pajtohen me bindjen se Ai është krijuesi i gjithçkaje dhe i vetmi që posedon aftësinë për të bërë mrekulli.
Njeriu shpeshherë përpiqet ta kopjojë krijuesin e vet, duke pandehur se mund të bëhet edhe vetë si Ai, krijues që u jep shpirt artefakteve, që u jep identitet qenieve të gjalla apo ngurta.
Ky tundim është i ngulitur thellë në qenien njerëzore, saqë nuk mund të kontrollohet. Fenomeni i njeriut-Zot paraqitet në të gjitha kohët dhe fushat e veprimtarisë së njeriut, veçmas në art dhe politikë.
I pari njeri-Zot, mbase ishte Pigmalioni, figura legjendare që thuhet se paska jetuar në ishullin Qipro. Historianët mendojnë se versioni grek i emrit Pygmalion është huazim i emrit të mbretit të fenikasve Pumayyatan. Sido që të jetë, sipas rrëfimit të Ovidit, Pigmalioni kishte qenë një skulptor qipriot që ka latuar në mënyrë të përsosur figurën e një femre. Kjo skulpturë kishte qenë aq realiste dhe e bukur, saqë e paska magjepsur autorin, krijuesin, i cili deri atëherë ka qenë i painteresuar për femra. Perëndeshës Afrodita i paska ardhur shumë keq për vuajtjet e skulptorit, saqë vendos ta ngjallë, kështu që Galateja, gruaja nga skulptura martohet me krijuesin, Pigmalionin. Nga kjo martesë lind një djalë, i cili pagëzohet me emrin Pafos (Paphos).
Kjo rrëfejzë e Ovidit ka qenë frymëzim për shumë krijues të tjerë, kështu që për Pigmalionin janë shkruar romane, drama, opera, etj. Nga dramat më të njohura është ajo e Bernar Shou-t, i cili ndërton rrëfimin për Henri Iginsin, i cili një femër të margjinave të shoqërisë, Eliza Dulitlin, e shndërron në zonjë të respektuar. Këtë e arrin duke mësuar që të flasë me stil të lartë dhe duke mësuar maniret e shoqërisë aristokrate. Po ashtu edhe krijues të tjerë në zë kanë shkruar për këtë temë: Zhak Zhak Rusoja, melodramë, kompozitori italian Doniceti, operë, Shileri poemë, I. Asimov, roman, madje edhe një shkrimtar egjiptian, Taufik el-Hakim shkruan një dramë që pat jehonë të madhe në botën arabe. Për këtë temë që trazon shpirtin e njeriut janë xhiruar shumë filma, janë gdhendur shumë skulptura, janë shkruar tregime, drama, poema, por, njëkohësisht edhe janë bërë tentativa të ngjashme, ku, si duket, përsëritet dëshira e pakontrolluar e njeriut që të ketë këtë aftësi të Zotit. Gjeneratat më të reja janë rrit me rrëfime të këtilla si, bie fjala, vepra Mary Wollestonecraft (Godwin) Shelley (Meri Shilei), "Frankenshtajni" ose vepra e Karlo Kollodit, "Pinokio".
E gjithë kjo dëshirë e papërmbajtur për ta kopjuar Krijuesin, nuk përfundon vetëm me monstra të tipit të Frankenshtajnit, por me projekte më fisnike, siç janë filmat e animuar, edhe pse varianti i krijimit të përbindëshave nuk përjashtohet nëse njeriu do të vazhdojë t'i konkurrojë krijuesit të vet duke vazhduar me eksperimentimet gjenetike. Futuristët parashikojnë që Frankeshtajnin mund ta zëvendësojnë mutantët neveritës.
Fenomeni i njeri-Zotit shfaqet edhe në segmentin e politikës. Më i shquari në këtë aspekt me siguri është Kaligula (Gaius Julius Caesar Augustus Germanicus), i cili sundon me Romën pas Tiberiusit.
Kaligula ishte, mbase, perandor i madh që religjionit i dha rol politik vetëm e vetëm që vetes t'ia sigurojë atributet e Zotit, sikur të ishte Jupiter. Në vazhdë të kësaj sëmundjeje që paraqitet te politikanët me mendësi despotike, ai thyente çdo standard që vlente për njerëzit normalë. Të gjitha këto sjellje arrogante ishin, në fakt, skandaloze. I detyronte të afërmit e vet që, në shenjë të luajalitetit ndaj tij, të vetëvriten. Bashkëkohanikët e tij, Filo Aleksandrinasi apo Seneka i Riu, e përshkruajnë atë si një perandor të çmendur, i cili ka vrarë njerëz për ta heqë mërzinë, ka organizuar orgji të vazhdueshme seksuale, ka pasur raporte incestuale me motrat e tij... Mirëpo gjesti i tij më skandaloz ka qenë nominimi i kalit të tij, Incitatusit për konsull. Ai që pandehte se ka arritur stadin e njeri-Zotit vritet në një komplot të organizuar kundër tij nga garda pretoriane, më 24 janar të vitit 41.
Një variant i butë kur politikani sillet si Zot e kemi te figura e Kryeministrit aktual italian, Berluskoni. Skandali i tij më i ri prej njeri-Zotit është nominimi i starleteve në poste të rëndësishme politike dhe qeveritare. Kur një politikan me prirje diktatoriale, për shkaqe të ndryshme nuk ka kundërshtarë, atëherë ai nuk përfill asnjë normë dhe nuk respekton asnjë obligim që të japë sqarime për veprime të tij. Ai krijon personazhe të reja, ai i degradon personazhet e vjetra. Ai u merr dhe jep dinjitet, peshë dhe identitet njerëzve që ka përreth. Ardhja në këtë pozicion mundësohet përmes një retorike mbresëlënëse, përmes një demagogjie amorale që luan lehtësisht me dëshirat e njerëzve, ose përmes faktorit financiar, siç është rasti i Berluskonit.
Në fushën e krijimtarisë artistike kemi fenomene të ngjashme, por pa pasoja të drejtpërdrejta për fatin e njerëzve. Shembulli më brilant i krijuesit-njeri, është ai i Frederiko Felinit, regjisorit të njohur italian. Ai, në vazhdë të përvojave nga periudha e neorealizmit italian dhe adhurimit të veprave të periudhës së barokut, filloi të krijojë figura shumë interesante prej njerëzve të thjeshtë që s'kanë pasur kurrë lidhje me filmin. Ai, në audicione të lodhshme kërkonte njerëz me pamje jonormale dhe i angazhonte në filmat e tij. Falë gjenialitetit të tij, këto figura merrnin pamje impresive. Ai, këtyre njerëzve të nxjerrë nga turma, këtyre aktorëve që në fjalorin filmor njihen me emrin naturshçik (me siguri huazim nga gjuha ruse), u jepte shpirt, një bukuri të rrallë figurative. Ata ishin kode të estetikës feliniane. Këto personazhe të shkëputura nga mjedise të hirta, falë gjeniut, magjistarit Felini, për një çast hidheshin në orbitën botërore të VIP-ve të kohës. Por, problemet lindnin kur këta naturshçikë pandehnin se janë njëmend aktorë të mëdhenj dhe nuk kuptonin se ata u bënë të tillë vetëm në kuadër të vizionit të magjistrit filmor Felini. Jashtë këtij vizoni ata sërish ishin të atillë çfarë kanë qenë. Ky keqkuptim prodhonte drama dhe trauma të pashërueshme te këta njerëz të margjinave të shoqërisë.
Këto drama shfaqen vazhdimisht edhe në rrafshin e politikës. Këto fenomene agravohen, sidomos në shtetet e reja demokratike, gjatë zgjedhjeve. Kur demokracia zbatohet në mënyrë revolucionare, shumëkush fiton shansin që të pushtojë një hapësirë shoqërore që, paraprakisht u takonte të mundurve, shumëkush bëhet personalitet i rëndësishëm shoqëror që, në rrethana tjera të qeta shoqërore, nuk do të kishin këtë mundësi. Një pjesë e tyre i takon kategorisë së naturshçikëve politikë, pa marrë parasysh nivelin e tyre intelektual. Problemi lind kur, sipas parimeve të demokracisë, duhet të tërhiqen nga postet e rëndësishme shoqërore dhe shtetërore. Kjo dramë fillon në periudhën e zgjedhjeve, kur rrezikohet pozita e të vjetërve në hierarkinë e re, kur shfaqet mundësia e zëvendësimit të tyre me kuadro të reja me ambicie të larta. Personi që jep dhe merr relevancën e kuadrit politik është kryesisht lideri i partisë. Ai, qoftë për shkak të vizionit të tij të ri, koncepteve të tij të reja, ose për shkak të hakmarrjes ndaj atyre që s'kanë treguar luajalitet të mjaftueshëm, merr karakteristikat e njeri-Zotit, i cili u jep vlerësim, relevancë, identitet bashkëpunëtorëve të tij. Krijohet një situatë e varshmërisë absolute nga forca vendimmarrëse e liderit. Nëse ai nuk vlerëson dikë sa dhe si duhet, shkakton drama patetike. Të pakënaqurit japin dorëheqje, krijojnë parti të reja, zbulojnë fakte komprometuese, për të cilat paraprakisht nuk kanë folur. Ata janë të befasuar nga ndryshimi i rrethanave. Paraprakisht kanë besuar se janë faktorë, të veçantë dhe të rëndësishëm. Humbja brenda natës e këtyre vlerave, për ta, është e pashpjegueshme. Ata nuk kuptojnë se, liderët, shpeshherë u vardisen atyre që kanë krijuar emër jashtë politikës dhe se angazhimi i tyre në një parti e rrit kredibilitetin e saj. Mirëpo pas inkuadrimit vjen faza kur duhet të respektohet klima dhe rregullat e brendshme partiake, përkatësisht hierarkia strukturore. Brenda partisë, rëndom nuk ka demokraci, nuk ka shumë hapësirë për debate, por një trajnim i vazhdueshëm për respektim të autoritetit, të hierarkisë partiake. Rishtarët nuk kuptojnë se partitë politike janë institucione ku prodhohet njeri-Zoti, demiurgu, lëvizësi i proceseve, faktori që u jep dhe merr relevancë vartarëve të tij.
Për ta arsyetuar besimin e fituar, rishtarët mësojnë se si duhet të ashpërsohet ligjërimi. Njerëzit që deri dje kanë qenë të matur, përnjëherësh bëhen agresivë dhe prodhojnë argumente sa më efektive, të kategorisë "Argumentum ad hominem". Qytetari i dikurshëm i qetë, përnjëherë xhindoset. Ai s'ka frikë. Prapa tij qëndron amplifikatori i fuqishëm, partia dhe njeri-Zoti. Rishtari në politikë fiton relevancë shoqërore, ndikim në rrjedhat shoqërore, mundësi të llojllojshme që përpara s'ka pasur, mirëpo edhe mundësinë e rënies, të humbjes të të gjitha përfitimeve materiale dhe shpirtërore, pa të cilat ai më nuk mund të jetojë normalisht. Mënyra e mëparshme e jetës atij i duket e hirtë, e padenjë. Një VIP nuk mund të pranojë lehtë që të bëhet NIP (Non important person).
Këto ndryshime në pozicion në shoqëri, bindja se vlerat e tij kanë qenë faktorë në ngritjen e relevancës së tij, përfundojnë me një konstatim dëshpërues. I rëni kupton se vlerat e tij nuk paskan qenë faktori i ngjitjes së tij në orbitën politike, por vullneti i njeri-Zotit, të cilin ai tani, jo vetëm që me gjithë shpirt e urren për katandinë e tij, por edhe adhuron për forcën që e ka.

9 Komente

 

O Zot sa fjale dhe sa gabime. Shkrim tipik budallallik, qe mendon se po te tregosh se ke njohuri dhe kulture je automatikisht edhe shume i zgjuar dhe argumentues. Kjo eshte njesoj sikur nje magazinier hekurishtesh te pretendoje se sasia e hekurit qe ai ka eshte njesoj me ate te kulles Eifel, pra automatikisht ka te njejten vlere.

 

Ne fillim ishte gabimi:

 

Të gjitha besimet pajtohen me bindjen se Ai është krijuesi i gjithçkaje dhe i vetmi që posedon aftësinë për të bërë mrekulli.

 

Zoti nuk ben mrekulli. Zoti eshte krijuesi dhe poseduesi(nuk do e kishe me kollaj meqe po flasim per zotin te thoshe zoteruesi) i gjithshkaje. Mrekulli bejne shenjtoret me ndihmen e Zotit. Askush nuk mrekullohet me cfare mund te beje Zoti, pasi ai eshte i plotfuqishem dhe gjithedijshem, por mrekullohemi me ate qe mund te beje nje njeri i zakonshem, sepse nuk e pandehnim qe ai mund ta bente kete apo ate.

 

Pastaj vjen Pigmalioni.

Pigmalioni ose edhe Gepeto (babai i Pinokut)nuk eshte njeriu qe do te behet Zot. Ai eshte artisti qe me ane te shpirtit te tij krijues arrin te preke shpirtrat e te tjereve. Eshte dashuria qe e ktheu gurin ne femer dhe drurin ne njeri. As njeri as tjetri nuk donin te imitonin krijimin e perendise, por donin te plotesonin deshiren me te madhe te zemres se tyre. Dhe artisti i afrohet kesaj mundesie me shume se te tjeret

Artistet i kane bere guret te qeshin, druret te qajne. Mama!

                                            Koci i Teto Ollges

E me pas Kaligula

Ketu pa hyre ne shume diskutime, bie ne kundershtim me ate qe i ke atribuar Zotit ne fillim: Krijimin. Kaligula nuk ishte krijues por shkaterrues. Pra ai mund te jete djalli, por jo zoti. Qe te krahasosh pastaj Kaligulen me Berluskonin…ehe deri ketu duhet pak imagjinate krijuese.

E verteta e shkrimit fillon pasi ve ne dukje dramat personale te humbjes dhe fitimit te pushtetit ne politike. Por keto i kemi lexuar kaq here ne mijera artikuj te tjere sa sikur mos kishte pasur hyrjen e gabuar, ky artikull nuk do te ngjallte interesimin e askujt. E nese ky ka qene vertet qellimi i autorit kur e ka shkruar shkrimin ne kete forme… them se ia ka arritur.

 

 

 

PF, edhe nji nga une dhe boll per tani. E di si eshte kjo puna e perndezjes ne fushate? Si nje rast klinik ne nje film italian (nga ato te neorealizmit). S'e mbaj mend titullin. po ishte njeri qe ishte shum i fiksuar mbas Sofia Lorenit. E viziton psikiatri dhe i ben nje test per shoqerim ideshe. E zhvillohet pak a shume ky dialog:

- Cfare te kujton shtrati?

- Sofia loren.

- Nje lule?

- Sofia loren.

- Nje sanduic?

- Sofia Loren.

- Autobuz?

- Sofia Loren.

- Tank?

- Sofia Loren.

Me kane sjelle ca kafe "Dallmayr" nga qendra e Evropes dje, PF. Ky fakt ia 10 cdo gjeje per momentin. Total eclipse of the Fish!

Cheers!  smiley 

 Te bofte mire Gani Trupi (i tha Cu En Lai)! Ja dhe nji konge qe ta nigjosh duke e gjerb kafen. smiley

 

Pse kaq literalisht, PF? Zoti eshte konkluzioni logjik i cdo mrekullie, sidoqofte, edhe nese do e marrim literalisht. Mrekullia ka qene gjithmone shenje per ekzistencen e Zotit, pavaresisht rrugeve me te cilat zoti ka zgjedhur t'i kryeje keto mrekulli. Shenjtoret qe kryenin mrekulli jane konsideruar gjithmone te poseduar nga nje force apo fuqi hyjnore.   Sa per argumentin, PF, eshte aty dhe eshte shume i forte. Eshte thjesht nje argument qe ve ne dukje shnderrimin e partive politike ne sisteme diktatoriale. Eshte nje argument sa analogjik dhe historikisht i njohur ne lidhje me sigurine karteziane prej Zotit te aplikuar ne sisteme hierarkike artistike-teologjike-politike, ku pozicionit absolut qe ze Zoti ne teologji, i perket pozicioni absolut i diktatorit ne politike, i perket pozicioni absolut i artistit ne art. Ky lloj perfaqesimi eshte i ditur. Dhe eshte i ditur qe eshte gabim ne shume aspekte, si edhe e veren Xhaferri. As edhe fusha e artit nuk mund t'i shpetoje ketij gabimi, megjithese nga te gjitha eshte fusha relativisht me demokratike. PF, me gjithe respektin, qe ti e di se nuk me mungon, ruaju nga kjo hyrje: "O Zot sa fjale dhe sa gabime. [Koment] tipik budallallik, qe mendon se po te tregosh se ke njohuri dhe kulture je automatikisht edhe shume i zgjuar dhe argumentues. Kjo eshte njesoj sikur nje magazinier hekurishtesh te pretendoje se sasia e hekurit qe ai ka eshte njesoj me ate te kulles Eifel, pra automatikisht ka te njejten vlere." pasi: E verteta e [komentit] fillon pasi [pranon] dramat personale te humbjes dhe fitimit te pushtetit ne politike. Por keto i kemi lexuar kaq here ne mijera [komente] te tjere sa sikur mos kishte pasur hyrjen e gabuar, ky [koment] nuk do te ngjallte interesimin e askujt. E nese ky ka qene vertet qellimi i [PF] kur e ka shkruar [komentin] ne kete forme… them se ia ka arritur."  

 Lulian, edhe njehere e pergjithmone, Zoti nuk ben mrekulli por pune, vepra (opere). Eshte literalisht sepse per shprehje te tilla njerez ne mesjete kane vajtur ne turren e druve. Zoti ka bere gjera te mrekullueshme por jo mrekulli. Mrekulli bejne shenjtoret me ndihmen e perendise dhe shtriganet bejne magji (ana e errret e mrekullise) me ndihmen e djallit.

Sa i perket shkrimit une nuk thashe se analogjia nuk eshte e drejte. Thashe qe shembujt jane marre te gabuar. C'lidhje ka Pigmalioni me temen? Edhe Zotin, sikur ta kishte perdorur thjesht ne kuptimin e Te Plotfuqishmit, apo Percaktuesit te Hieriarkise te gjerave, do te ishte ne vendin e vet, por jo ne kuptimin e krijuesit, pasi shkrimi nuk flet per krijimtari.

P.S. Kur une bera komentin e mesiperm, solla argumente qe ta mbeshtesin komentin tim. Ajo qe ben ti eshte qe tregon se komenti im mund te jete i aplikueshem edhe kunder meje, por ti nuk sjell asnje argument qe ta besh te vlefshme perpjekjen tende, pervec nje keshille dashamirese te papercaktuar.

Nje derr komenti sapo me hiku per lesh. Sorry PF. Nuk di a do kem me nerva. Po i bie shkurt, e shkurt i thencin, e nuk po i hyj thelle gabimit teologjik qe ben, thjesht do mjaftohem duke te thene se kur thua se mrekullite i bejne shenjtoret me ndihmen e perendise, kjo do te thote se pa ndihmen e perendise nuk do mund te beheshin mrekulli. Rrjedhimisht je ne turre te druve te thuash se perendia nuk ben mrekulli.

Ki parasysh qe krijimi eshte thyerje e ligjeve dhe standardeve ekzistuese, dhe mrekulli kur keto ligje qe thyen jane natyrore.

Si dhe mos e shih vetem Galatean si krijim te Pigmalionit, por edhe trashegimtarin e tyre. Dashuria e Pigmalionit per statujen nuk eshte normale, por njesoj si dashuria e Kaligules per kalin e vet. Kaligula, bashke me Pigmalionin qe trashegohet me statujen, duke thyer "çdo standard që vlente për njerëzit normalë" nuk jane me Percaktues te rendit te gjerave, percaktim qe fare mire e bente standardi i pathyer, por te Plotfuqishem, Ekzekutues, Krijues te nje rendi te ri, artistik, apo politik.

Gabimi kryesor qe ben eshte qe e konsideron shkaterrimin te ndare nga krijimi. Kjo eshte tendence mrekullie, pasi ligji i natyres i njeh te shoqeruar shkaterrimin me krijimin, ti ndash, do te thote te kesh thyer ligjet e natyres e te kesh kryer mrekulli.

Perpiqu gjithashtu te lexosh krijimin e militanteve sipas shembelltyres se udheheqesit, te Birit sipas shembelltyres te Atit, duke thyer keshtu rendin meritokratik per nje rend patriarkal, njekohesisht me analogjine qe mund te krijohet mes Zotit dhe Pigmalionit, Marias dhe Galateas, Shpirtit te Shenjte dhe Aferdites, Krishtit dhe Pafosit. Dhe mbase do e kuptosh keqkuptimin, se kur flitet per te Plotfuqishem, qofte ky hyjnor apo politik, kihet gjithmone parasysh krijimi, packa se jo gjithmone e anasjellta eshte e vertete, sic ve ne dukje Xhaferri me larte kur flet per aktoret e Felinit, apo per sklleverit e te plotfuqishmeve.

Shkrimi me pelqeu, pavarsisht nga ndonje kritike ketu dhe kam vene re qe Arber Xhaferi shkruan bukur dhe bindshem. 

Njeri-Zoti,si ta kuptosh kete,Njeri,(njerezia)?Njeriu?,apo njeri,tjetri?.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).