Një histori paralele, Basha kundër Neranxit

Edhe ministri i jashtëm, edhe deputeti i LSI-së, janë pa imunitet parlamentar. I pari që prej më shumë se një viti, i dyti prej më shumë se një jave.

Të dy janë nën akuzë për humbje financiare që i kanë shkaktuar shtetit, i pari vlerësohet paraprakisht se ka hedhur në erë dhe futur në xhepa të panjohur rreth 230 milionë euro, i dyti mendohet se ka shmangur një pagesë në dogana për më pak se dy milionë lekë të vjetra.

Basha ka hedhur firmë mbi vendime që janë marrë përsipër si të ideuara dhe të firmosura nën vullnetin e padiskutuar të atit të tij shpirtëror e politik, kryeministrit Berisha, Neranxi duhet të përgjigjet për llogari të prapambetura me doganën të babait të tij të ndjerë.

Mund të vazhdohet pafund kryqëzimi i detajeve që i bashkojnë dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, aktualisht nën akuzë, ashtu siç mund të shënjohet lehtësisht diferenca më e dukshme mes tyre. Ministri i jashtëm erdhi në Shqipëri mbas një emigrimi të gjatë shumëvjeçar jashtë vendit me statusin e një milioneri, kurse deputeti i opozitës, mundi t´i prodhojë milionat e tij të deklaruara duke ndenjur ditë mbas dite në xhunglën e mpleksur keq të biznesit lokal, në një shoqëri që kërkonte/kërkon ndërtimin e kapitalizmit duke mallkuar kapitalistët sipas traditës së rrënjosur komuniste shqiptare.

Zoti Basha e ka projektuar të djeshmen dhe të nesërmen e tij jo vetëm politike dhe individuale thjesht dhe vetëm nën sqetullën politike të kryeministrit, zoti Neranxi është një nga rastet e rralla të kalimit vullnetar në opozitë nga të qenurit në maxhorancë, i pari është në krah të ministrit Xhuveli, i dyti përballë tij. Bashën u sul ta mbrojë e gjithë familja e tij politike, Neranxin, veç disa zërave sporadikë, e “mbrojtën” vetëm me heshtje.

Dhe megjithë këto pika takimi dhe ndarjeje, ata janë sërish në të njëjtën pozitë: pa imunitet. I pari, mbas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë vazhdon të konsiderohet i pandehur, i dyti mund ta marrë këtë status ndoshta shumë shpejt, pikërisht në epilog të një mandati katër vjeçar që ka prodhuar shumë maskarenj nga brumi i dikurshëm i luftëtarëve kundër maskarenjve.

E thjeshtuar në gjykimin vetëm formal mbi këtë histori paralele, janë të gjitha gjasat që të thuhet se akti i dyfishtë i Prokurorisë së Përgjithshme, është një shenjë dhe sinjal se organi i akuzës nuk është pikërisht ajo për çfarë akuzohet nga maxhoranca e sotme: nuk është parti politike. Gjykimi gjithashtu formal do të pranonte se Prokuroria, mbas “valiumeve të supozuara” të kohës së Dhori Sollakut, është në epokën e shpërgjumjes së Ina Ramës. Ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për ministra të shumicës, ka hetuar deputetë të tjerë të saj edhe për shuplaka banale të lëshuara në stadiume lokale, por në të njëjtën kohë, dhe ka hetuar dhe ka lënë pa imunitet deputetë të opozitës. Ky është dhe fati i zi dhe fataliteti i Neranxit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për individin, por për shumë më tepër se kaq. Neranxi i opozitës, me akuzën qesharake për grabitje qindarkash, ndërkohë që flitet për dhjetra milionë euro të zhdukura nga pozita, është në këtë rast një pikë ekuilibri; është thjesht dhe vetëm individi që plotësonte disa kushte paraprake për të qenë në qendër të akuzave të këtij lloji. Gjithashtu formalisht, do të ishte dhe do të përdorej si një kartë që do të verifikonte “paanësinë politike” të Prokurorisë së Përgjithshme. Ai është opozitar, ai është shumë më shumë publik se dhjetra kolegë të tij në Kuvend dhe mbi të gjitha, ka deklaruar dhe se ka shumë para´. Në këtë mënyrë, ai mund t´i hidhet si ushqim mediatik publikut si parafajtor dhe publiku, mund ta pranojë lehtësisht si të tillë. Por pikërisht ky është dhe problemi i madh, moral e jo i tillë, që krijohet në mënyrë të menjëhershme sipas teknologjisë së vjetër të marrjes me vetullat duke përdorur gozhdë për sytë: paralelet logjike të hequra mbi këto dy raste korrupsioni nën hetim, nuk dëshmojnë metrin e njëjtë të hetimit, por përdorimin politik të tij si justifikim për vajtjeardhje në labirinte juridike, nuk dëshmojnë peshoren delikate të drejtësisë që mat si të barabartë gjithkënd, por janë shenja e pagabueshme se peshorja ka probleme.

Kjo histori paralele, mbi të gjitha, vjen pikërisht në momentin kur Prokuroria ka mundur të triumfojë në betejën e saj të parë serioze, në tentativën e saj për të fituar “bastin” me ministrin e jashtëm në Gjykatën e Lartë. Me veprimin e saj të njëkohshëm ndaj një deputeti të opozitës, ajo krijon më së paku të kundërtën e imazhit që do për veten. Nëse qëllon njëherë me shuplakë një faqe të djathtë, goditja për “forcë zakoni” dhe të faqes së majtë, vë në dyshim skrupujt e saj në respektimin e ligjit.

Përdorimi i topave për të vrarë miza, domethënë heqja e imunitetit të një deputeti opozitar për vetëm dy milionë lekë të vjetra, le pa predha topat e vërtetë që shpresohet të dëgjohen në betejën kundër korrupsionit të supozuar të ministrit të jashtëm apo dhe i dërgon ato sërish për “demontim” në Gërdecët tanë publikë, bën të fshihen mbas mjegullës Fazlliçët dhe le minjtë e tjerë të hedhin valle sipas ritmit të vjetër të përdorimit të pushtetit për para.

4 Komente

Jo nuk jane histori.

Lulzim Basha eshte mbeshtetes dhe firma perfundimtare e nje vendimi kolektiv politik per ndertimin e rruges Durres - Kukes.

Neranxi eshte histori personale, rigorozisht private.

 

Si  rreth 230 milionë euro,si rreth 2 milion lek,te humbura,ose te vjedhura,duhet te konsiderohen njesoje ,shperdorim i arkes se shtetit!

Shtetit dhe qytetareve, nuk duhet ti humbasi as edhe nje 5 lek nga buxheti,nga taxat e tyre.

Prandaj jane institucionet e caktuara qe mbrojne "arken e buxhetit"qe ajo te mos jete e cpuar!

Basha dhe Nerenxi,si pergjeqes per ato para te "humbura" duhen te shkojne ne ato institucione te pastrojne veten e tyre ,ose te ndihmojne Shtetin,dhe buxhetin,se ku kane shkuar ato para,kush i mori 230 milion euro,dhe 2 milion lek?

 

Nese Neranxi e meriton te denohet per mospagim taksash doganore, kete e vendos gjykata.

Nese ja vlen ndertimi i rruges Dr-Ku me nje kosto te larte, por ne kohe rekord, kete nuk e vendos as ti e as gjykata.

Prandaj nuk jane dy histori paralele. Tani GSH i leverdis paralelizmi per te mbrojtur tezen e vet, por keshtjella e mashtrimeve eshte ndertuar mbi rere. Nuk qendron.

Rruga do te perfundohet sigurisht dhe kjo nuk e pengon qenia e Bashes ne gjyq,sepse Rruga Durres/Kukes,nuk behet me parate e Bashes,por me parate tona,parate e shtetit tone!

E nese Basha i ka shperdoruar,kjo sdo te thote qe ai te livadhise dhe te ngrefet,se "rrugen e beri Basha"!!!!!

Ku vane 230 milion euro,kur Basha ishte Minister i Transportit?

Pse nuk jep ndihme Basha per gjetjen e ketyre Parave qe nuk jane pak! Pse?Pse nuk ndihmon gjykaten?Pse ka frik?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).