Në kërkim të cilësisë arsimore

Mirë që sistemi universitar në Shqipëri është liberalizuar. Mirë edhe që qeveria kërkon rritjen e numrit të nxënësve që duhet të zgjedhin arsimin dhe formimin professional. Akoma më mirë që reformat janë duke ndodhur në të gjitha kahet e nivelet në arsim, po për cilësinë, a po flet kush?

Sigurimi i cilësisë është një nga pikat kyce që i bëjnë të funksionueshme dhe të denja në tregun e konkurencën e ndershme institucionet e arsimit dhe ofruesit e formimit në vendet e zhvilluara. Po në Shqipëri, c’farë po bëhet për cilësinë?

Vula e ofrimit të saj nëpër institucionet e arsimit (dhe ato të formimt  kur bëhet fjalë për arsimin profesional), duhet të jepet me marrjen e akreditimit të ofruesit. Ky proces përfshin në vetvete regjistrimin si hap të parë, pastaj licensimin dhe më vonë, përmbushjen e kritereve të akreditimit (që variojnë që nga kushtet, ambjentet, laboratorët e stafi pedagogjik, deri tek përmbajtja e programeve mësimore, kurrikulës, moduleve, sistemit të vlerësimit etj.). Akreditimi bëhet vetëm pas vlerësimit të brendshëm (vetëvlerësimi) dhe vlerësimit të jashtëm. Vetëvlerësimi nga ana e tij është institucional dhe vetëvlerësim përmbajtësor.

Në institucionet tona arsimore, akoma nuk funksionon mirë kultura e vërtetësisë dhe transparencës në vetëvlerësim. Pra, edhe pse procesi i akreditimit (dhënia e vulës së cilësis&eumlsmiley ka filluar për Institucionet e Arsimit të Lartë, ai akoma është shumë subjektiv, sepse mbështetet mbi vetëvlerësime egosite dhe vlerësime të jashtme të pamonitorueshme apo të kamufluara nga interesa  të ndryshme.

Shqetësimet për mungesën reale të cilësisë në arsim e kanë ngritur shpesh edhe ekspertët e huaj që ofrojnë asistencë në reformat për arsimin. Ndihmë dhe rekomandime janë dhënë për të ndërtuar një sistem vetëvlerësimi që të mund të garantojë sigurimin e cilësisë dhe vetëpërmirësimin. Cilësia duhet ndihmuar nga një kuadër i vërtetë dhe kompetent licensimi, akreditimi dhe inspektimi të vazhdueshëm.

Por, e gjitha kjo do edhe një bazë ligjore të fortë, ku të mbështeten e të zbatohen të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e cilësisë, që nga trajnimi i stafeve për licensim, akreditim, inspektim e deri tek trajnimi i mësuesve dhe stafit që bën vetëvlerësimin, apo që kuptojnë rëndësinë e akreditimit dhe të vulës së cilësisë.

Ama, nëse vërtet një Universitet  akreditohet dhe merr kështu vulën e cilësisë, atëherë cili është avantazhi që ai ka në treg, krahasuar me një institucion që nuk e ka marrë këtë akreditim? Apo cili është sanksioni ligjor ndaj institucioneve që nuk i plotësojnë kriteret e cilësisë? Asgjë. Përkundrazi, të gjithë janë duke e marrë akreditimin, pavarësisht kushteve të ndryshme në të cilën zhvillohet mësimi, pavarësisht cilësisë së shërbimit arsimor që ofron secila. Si rjedhim, kemi në treg një fluks të madh të diplomuarish fiktivë, që kanë pretendime të njëjta me studentët që kanë mbaruar me kohë të plotë dhe në Universitete të njohura e me eksperiencë edhe në cilësi.

Në njërin nga aplikimet e mia të hershme, vura re se universitet suedeze njihnin si të vlefshme për të vazhduar studimet e mëtejshme vetëm diplomat e marra në Universitetin e Tiranës. Sot listës i është shtuar edhe një institucion arsimor privat me vetëm dy prej degëve të tij. Pra, do të thotë se sipas kritereve të tyre, uniersitetet private në Shqipëri “nuk e kalojnë klasën” e ofrimit të cilësisë, pavarësisht dokumentit të akreditimit që pasqyrojnë me zë të lartë gjithandej nëpër media, në kërkim të studentëve konfuzë, që mandej edhe masterizohen në  konfuzitetin e tyre.

Më tej, kontrolli i cilësisë në arsim nuk mund të bëhet nga një institucion që është në varësi të Ministrisë së Arsimit, sepse konflikti i interesit është fare i hapur, përderisa po kjo Ministri bën edhe licensimet, dhe nuk ka interes që të nxjerrë jo-cilësore institucionet që lejon vetë të hapen. Kontrolli i cilësisë duhet bërë nga ente të pavarura. Mbi të gjitha, në ofruesit e Arsimit dhe Formimit Profesional, ky kontroll duhet të jetë i mëvetëm nga inspektimet sporadike dhe jopërmbajtësore që bën Ministria nëpërmjet Drejtorive Arsimore të saj.

Pra, duhen standarde, dhe duhet cilësi. Pa këto kritere, nuk mund të jepen më certifikata akreditimi, sic jepen sot diplomat e disa universiteteve private. Eshtë turp dhe fatkeqësi për tregun e punës që nxiten kaq shumë njerëz të papërgjegjshëm të certifikojnë injorancën e tyre nëpëmjet diplomave të pavërteta, që mbi të gjitha, lëshohen edhe nga universitete që bërtasin në emër të akreditimit e të cilësisë.

Garantimi i cilësisë është një sfidë që dirigjohet nga lart. Për të garantuar cilësinë dhe për të përballuar konkurencën, i duhet dhënë rëndësi e madhe kontrollit të cilësisë dhe kritereve të rrepta e të vërteta të akreditimit.

Pa to, do të vazhdojmë të gënjejmë veten edhe për disa breza të tjerë se po krijojmë elita hije, nën shkolla që funksionojnë si biznese në prag falimentimi (nëse iu vë kusht cilësinë dhe iu heq cengelin ku varet konflikti i interesit).

E deri atëherë, tregun do ta kemi plot me akademikë, profesionistë, cirakë e punëtorë me të njëjtin nivel cilësie; shkëlqesia vetë.

Por, ecja drejt Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe drejt vetë Bashkimit Europian, do t’i detyrojë zyrtarët tanë të dashuruar fort pas kompetencave e frikës për t’i lëshuar ato, që të mësohen me delegimet, me tolerimin ndaj profesionalizmit dhe me sigurimin maksimal të cilësisë, që për arsimin është pa asnjë dyshim, shumë thelbësor.

2 Komente

Ja, sa të dalin programet e partive dhe do t'i shikojmë atje (dmth mbas zgjedhjeve smiley )... patjetër që ato i kanë vetë parasysh këto probleme dhe do të bëjnë çmos që të rivendosin si prioritet të shtojnë fondet (!!!) për të rritur cilësinë smiley

Kur po mendoja te ndiqja nje program pasuniversitar, nje nga deshirat e para qe kisha (duke menduar kthimin ne Shqiperi) ishte te studioja per politikat e arsimit. Po perserisja te njejtin gabim qe kisha bere 5 vjet me pare kur kisha zgjedhur te studioja ekonomi. Mendoja se ne Shqiperi duheshin me shume se cdo gje teknike te mire.

Kur mendoj qe universitetet private ketu jane biznese private te ketij apo atij politikani, pra kur procesi i licensimit dhe akreditimit eshte kryekeput nje proces politik, me vjen te qesh me deshiren time dhe me shpresen qe lidhim tek universitetet si syri i kombit.

Shpresa qe me ngelet eshte ajo e profesoreve te rinj, qe me ose pa dashje, njeri me mire e tjetra me keq, do te rrisin standardet e arsimit, pa urdher nga ministria. Organizimi i ketyre profesionisteve ne nje grup, sindikate, organizate, institut bashkepunimi dhe cdo forme tjeter serioze do te ishte per mendimin tim nderhyrja me e mire institucionale ne sistemin arsimor shqiptar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).