Ndryshimi që unë dua

Një tjetër mandat i politikës së vjetër të së shkuarës po mbaron me verbërinë e saj, përpara plagëve të
vendit, shurdhërinë e saj, përpara të vërtetave të njerëzve, cinizmin e saj, përpara aspiratës sonë të përbashkët për një Shqipëri si gjithë Europa.

Dhe kur një fushatë e re për një mandat të ri ka filluar, gjuhët e vjetra nuk po thonë dot asgjë të re, edhe pse koha për baltën dhe mllefin e vjetër ka mbaruar.

Bashkimi ynë i ri përtej kufijve të vjetër të partive, nuk ka lindur për t'iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t'i hapur krahët dashurisë dhe mirëkuptimit të të gjithë atyre që, njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Europa.

Jemi bashkuar që të nxjerrim prej vetes të gjithë fuqinë e mendjes, për të mos lejuar më që kjo dhuratë bujare e Zotit, që quhet Shqipëri, të vazhdojë të bëhet copa e çika nga paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i atyre që, qeverisjen e vendit, e kanë kthyer në lojë të interesave të tyre.

Jemi bashkuar që të nxjerrim prej vetes të gjithë fuqinë e zemrës, për të mos lejuar më që e njëjta lojë të vazhdojë të luhet nga të njëjtët personazhe të së shkuarës, që ndajnë e përçajnë prej 18 vjetësh në emër të njerëzve, për të bërë për 18 vjet me radhë vetëm punët e tyre.

Jemi bashkuar që të nxjerrim më të mirën prej nesh, që më e mira të bëhet për fëmijët, që nuk ka arsye të mbeten pa libra; për të rejat dhe të rinjtë, që nuk ka arsye të mbeten pa punë; për prindërit, që nuk kanë arsye të enden të pashpresë rrugëve të papunësisë; për të moshuarit, që nuk kanë arsye të lëngojnë pa mundur të paguajnë dot ilaçet dhe dritat; për qindra mijëra familjet e ndershme, të njerëzve të këtij vendi, nga Tropoja në Sarandë, që nuk kanë arsye të ndahen nga rrugët e arratisë për të mbajtur frymën gjallë, ndërkohë që qeveria e tyre, është vënë në shërbim të një familjeje të vetme.

Nuk ka arsye të mos jemi aty ku na takon, në Bashkimin Europian, si qytetarë dhe qytetare të barabartë, të së njëjtës familje të madhe, në të njëjtën hapësirë ku Zoti zgjodhi që ne të lindim, dhe në të njëjtën hapësirë ku të parët tanë ëndërruan Shqipërinë Zonjë, që është e njëjta hapësirë ku duhet të ndërtojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë, sepse atdheu është amaneti i të parëve, por edhe borxhi që u kemi fëmijëve.

Duam të jemi qytetarë të Evropës pa kufi, me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë dhe si gjithë të tjerët. Shqipëria nuk mund të jetë pa kufi për pehlivanët e Ministrisë së Jashtme, nuk mund të jetë e lirë vetëm për një grusht pushtetarësh që jetojnë në kurriz të të tjerëve, nuk mund të jetë e barabartë vetëm mes atyre që ndajnë pronat e të tjerëve dhe pasuritë tona të përbashkëta.

Ne duam një Shqipëri pa analfabetizëm. Shqipëria nuk mund të çojë në shkollë vetëm ata fëmijë, prindërit e të cilëve kanë lekë të blejnë abetaren. Sepse Shqipëria s'mund të jetë nënë për disa dhe njerkë për disa të tjerë.

Ne duam një Shqipëri pa plehra dhe plagë mjedisore nga të katërta anët. Shqipëria nuk mund të jetë peng i një Kryeministri që do të heqë taksën e pastrimit në Tiranë, sepse ndjehet mirë mes plehrave që kanë mbytur rrugët e Shqipërisë dhe plazhet e mrekullueshme të saj.

Ne duam një Shqipëri pa papunësi në rritje të përditshme, e pa varfëri në shtrirje të vazhdueshme. Shqipëria nuk mund të hajë shifrat e Instat-it dhe as mund të jetojë me premtimet e Kryeministrit.

Ne duam një Shqipëri pa jetimë të pasigurisë në punë, në rrugë e në festë, dhe pa plagë si ajo e tmerrshmja e Gërdecit. Shqipëria nuk mund të vuajë plagë të tjera, për të përballuar oreksin e pashuajtshëm të familjes që na qeveris.

Duam t'i japim fuqi ndryshimit që po vjen, duke u bashkuar për t'u dhënë zë shpresave tona, dhe për t'i dhënë politikës përmasën e ëndrrave të njerëzve të këtij vendi. Politika duhet të ketë kurajën të marrë përsipër mbrojtjen e interesave të atyre që jetojnë në këtë vend apo që larg këtij vendi jetojnë për këtë vend.

Politika duhet të ketë kurajën të marrë përsipër mbrojtjen e jetëve të atyre që rriten në këtë vend dhe që ngrenë familje në këtë vend, por politika duhet të ketë dhe kurajën të marrë përsipër ëndrrat e atyre fëmijëve që lindin në këtë vend dhe që nuk kanë asnjë arsye pse të rriten me pamundësi që nuk imagjinohen më jo në Europën ku duam të integrohemi, por as në Ballkanin ku jemi pjesë.

Që Shqipëria të ndryshojë, politika duhet të ndryshojë. Që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe i shpresës, politika duhet të nxitë punën dhe të ushqejë shpresën. Që Shqipëria të bëhet si e gjithë Europa, politika në Shqipëri duhet të bëhet si gjithë Europa.

Është koha që asnjë shqiptar që jeton në Shqipëri si gjithë Europa, të mos bëjë gabimin naiv që prej 18 vjetësh e bëjnë shumë njerëz të mirë dhe të ndershëm të këtij vendi, të cilët rrinë me kurrizin kthyer nga politika, dhe thonë nuk duam të merremi me politikë, nuk duan t'ia dëgjojnë politikës zërin dhe as t'ia shohin politikës fytyrën. Këta njerëz të mirë, harrojnë se në sa më pak duar ta lëmë, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga politika, nga ligjet e saj të këqija dhe vendimet e saj të padrejta.

Ja pse është koha që çdokush që do ndryshimin e vendit dhe të jetës së tij në këtë vend, duhet të merret me politikë, jo për t'u bërë politikan, por për ta vënë politikën dhe politikanët në shërbim të tij.

Jo thjesht duke votuar në fund, por duke u angazhuar qysh në fillim, përditë, për të mbjellë në sa më shumë zemra farën e besimit, se shpresat tona në këtë vend nuk janë të pamundura, se idealet dhe idetë për Shqipërinë nuk janë as të humbura e as të parealizueshme, se ëndrra e Shqipërisë si gjithë Europa, që nxori në rrugë 18 vjet më parë shumicën e papushtetshme dhe ndryshoi rrjedhën e historisë, sot kërkon rrugë për të dalë nga duart që e pengojnë të bëhet realitet.

Ja pse është koha për t'u bashkuar, përtej kufijve të vjetër të partive dhe dasive të së shkuarës, përtej mërive dhe hasmërive që politikanët e vjetër kanë nxitur dhe ushqyer kudo, gjithmonë, deri në fshatin më të largët, përtej interesave të oborreve familjare dhe klanore, që e kanë uzurpuar politikën për 18 vjet me radhë dhe sot ndjehen njësoj të kërcënuar nga fuqia e ndryshimit që po vjen.

Ndryshimi që unë dua, nuk është ndryshimi i një Kryeministri me një tjetër, i disa ministrave me disa të tjerë, për të vazhduar të njëjtin avaz të këtyre 18 vjetëve, gjatë të cilave pushteti në Shqipëri është ndërruar disa herë, në emër të së majtës dhe së djathtës, por Shqipëria ka mbetur peng i po të njëjtave interesa, duke u lëkundur sa majtas djathtas, pa gjetur dot ekuilibër mbi një shtet që duhet t'u shërbejë të gjithë qytetarëve.

Ndryshimi që ne do të sjellim, është shumë më shumë se sa ndryshimi në Parlament me një shumicë tjetër, i një qeverie me një qeveri tjetër, është ndryshimi i një epoke me një tjetër, përmes një politike të re që nuk jeton në kutinë e një televizori për të përbaltur, për të shkatërruar, për të gjunjëzuar kundërshtarin, por për të nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe shkatërrimi, që politika e vjetër prodhon prej 18 vjetësh për një popull të tërë të zënë si në kurth. Ku?!

Në mes të Europës! Kur?! Në shekullin e 21-të, në vitin 2009.
Fryhemi duke dëgjuar "arritjet e mëdha të Shqipërisë nuse", të cilën Sali Berisha e di në dasmë, sepse i shkreti Kryeministër jeton i izoluar në një botë e të vogël, së cilës i shërben e gjithë qeveria e këtij vendi, ndërkohë që bota reale e shqiptare është larg të qenit në dasmë dhe, mbi të gjitha, është larg së pasurit dinjitetin që meriton.

Ndryshimi që ne do të sjellim, është ndryshimi që i duhet Tiranës për t'u bërë si Europa dhe qyteteve e komunave tona, për t'u bërë si Tirana. Ne s'jemi bashkuar për të ulëritur poshtë kundërshtarët tanë, por për të thirrur lart Shqipëria.

Sot, më shumë se asnjëherë, është i qartë dallimi mes atyre që kanë 18 vjet që na mbajnë peng me politikën e tyre të fjalëve të mëdha dhe interesave të vogla dhe të gjithëve ne, që të bashkuar mund të bëjmë të mundura gjëra që duken të pamundura, mund të shërojmë plagë që duken të pashërueshme, mund të mbërrijmë stacione që duken të paarritshme.

Barak Obama, një ditë kur pakkush e imagjinonte se do të bëhej Presidenti i Shteteve të Bashkuara, tha: "Një popull që e do vendin e vet, mund ta ndryshojë". Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
 

15 Komente

Per te mos lejuar me qe  e njejta loje te mos vazhdoje te luhet me nga te njejtat personazhe te se kaluares"

Cilet jane personazhet e reja ne PS apo ne koalicionin e kesaje partie z Rama?

S Gjinushi, ish ministri i arsimit qe ne kohen kur studentet e 90-tes u ngriten kunder diktatures i sugjeronte R Alise te mbyllet universiteti?

P Milo qe akoma mban ne gji portretin e E Hoxhes?

E Velia qe pasi vodhi te mjafti kerkon te behet deputet me G99?

Apo vete z Rama ish minister deshtak i kultures dhe tani nuk guxon te kanditoje per deputet?

Per gerxhot e vjetra te jap te drejte.

Veliajn nuk e di - eshte perfol aq shume ne fakt, sa me ben te dyshoj qe ka vlera; kto shamjet kan efekt bumerang najhere, per publik te painformum mire si puna ime.

Me kryesorja, per Ramen si minister kulture kam nigju pikerisht te kunderten; qe ka qene ministri me per se mbari i kultures qe kena pas. A ka kush qe ka jetu ne Shqipni me e thone ket muhabet si e mendon?

Kam pershtypjen se "si gjithë Evropa" ka pasë kuptim tjeter 18-vjet me pare. Ka kuptim tjeter sot. Shume pergjithesime e uje shatervani me duken keto fjalime.

Konkretisht çfare do te ndryshoje...ku, kush, si, qysh, tek?

Kush pritet te jete ekipi drejtues (njerezit e afte qe do te perzgjidhen) i ndryshimit...

well, kta sikur kan le ne tribune tubimi sa per at pune. mirepo ke pa ti? kto tam-tamet punojne te poplli jon. wie am schnuerchen, do thojte gjermoni. i do "baza" me sa duket.

jo em. te poplli jon punojne kur u thu: "do ju kthej paret e piramides" ose "do ju fus ne NATO" ose "do ju rris pensionet" ose "do ju bej shkollen pa leke" ose do gjej shpia" etj, etj. i fare premtimi... po jo pa premtim fare.

nuk me duket mjaftueshem... dhe ndoshta s'ka se si te jete kur tjetri fill pas tij (kolaboracionisti) çohet e thote: e majta do ta presë shiritin e hyrjes ne BE.

dmth, fol ti fol se mezi po pres rradhen me ndigju veten.

ky i joni nuk fitoi tu sha t'vjetrin, po tu tregu ça do beje diten e pare dhe çfarë diten e fundit ne zyre.

"edhe bar hame ne shqiptaret, por parimet nuk i shkelim, marksizem leninizmin nuk e tradhetojme"

"shqiperia socialiste eshte nje kocke e forte, qe te ngec ne fyt e te mbyt"

"ky vedni yne eshte vend i thesareve; po, po, i thesareve. dhe thesaret me te medha, jon poplli dhe partia".

fh, s'besoj se do mo. me gjethe dafine onash i ke... dhe me pak safron durtrokllitjesh frenetike.

Blla, blla, blla..

Kur Prokurori i Pergjithshem te haje nje koqe plumbi per punen e bere atehere ajo qeveri ka bere ate 'ndryshim qe do'.

Kur te mbyllen 2/3 e universiteteve private atehere ka ndodhur ndryshimi qe do.

Kur bonot e privatizimit te kene vlere te pakten 100% te 'face value' atehere ke bere pune.

Kur ne Ministria e Jashtme te botoje me shkrim interesat strategjike te Shqiperise ke bere ndryshimin qe do.

 

 

 

Shume vizionar. Nga nje lider duhet pikerisht ky, vizioni, por dhe nje skuader e afte qe kete vizion ta perktheje ne strategji dhe ne veprim. Persa i perket kesaj te fundit, Edi Rama i ka dhene provat gjate drejtimit te Bashkise se Tiranes ne keto vite.

Bashkimi ynë i ri përtej kufijve të vjetër të partive, nuk ka lindur për t'iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t'i hapur krahët dashurisë dhe mirëkuptimit të të gjithë atyre që, njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Europa.

Mendoj se fraza e mesiperme, eshte sinteza e vizionit te Rames dhe nese do te perkthehej ne realitet, do te ishte revolucioni me i madh social-kulturor qe Shqiperia ka njohur ndonjehere.

Pikerisht per kete, ja vlen qe t'i japesh voten Rames.

Oisib cfar kufij te rinj do te vendosi Rama me keta politikane te vjeter, si Gjinushi,Milo? Ciles balte do ti pergjigjet ,baltes qe ka hedhur mbi rrugen

Durres Morine? Apo baltes qe ka hedhur mbi tempullin e demokracise parlamentin qe e ka dhunuar ne menyren me te ulet duke urdheruar ushtaret e tij qr ti binin borive e bilbilave?  Pse nuk guxon me kandituar per deputet?

"Këta njerëz të mirë, harrojnë se në sa më pak duar ta lëmë, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga politika, nga ligjet e saj të këqija dhe vendimet e saj të padrejta."

 

Këtë kam parasysh edhe unë o Rame, prandaj s'ta jap votën as ty as Sulës, kaq ta bësh dhëmbin  smiley  

cuna Berisha nuk durohet dhe sa me shpejte te shporret aq me shance kemi po une nuk ja kam besen kti mer. Jam dakort me Tironsin per ate punen e perqendrimit te pushtetit dhe ky cuni i gjate e do te gjithin per vete.

shikoni i cike listat per deputet qe do qesi ky shumica jane ata qe humben ne 2005 duke fillu qy nga Mimi Kodheli dmth tipa qe ky ti kete si kolone te peste ne parlment nqs del nai mocion per ket. Pra ky do te jete kryeminister sic esht krytar bashkie te vazhdoje me vepren e vet packa se u pelqen ose me mire eshte ne guston e shqiptarit apo jo.

Megjithate nuk do dalim nga ligji sipas te cilit do kemi ate qeveri qe meritojme.

Ndryshimi që ne do të sjellim, është ndryshimi që i duhet Tiranës për t'u bërë si Europa dhe qyteteve e komunave tona, për t'u bërë si Tirana. Ne s'jemi bashkuar për të ulëritur poshtë kundërshtarët tanë, por për të thirrur lart Shqipëria

Hajde parrulla hajde!

Kush ka nevoje qe te ndryshoje Tirona iher? Masanej, pse vetem Tirona?

Edhe kto ndryshime qe jan bo na kan lon me goje hapet! Nuk dum ndryshim alla partizonce, = socialist. Pastaj edhe drejt Evropes nuk duhet nxituar, sepse dita dites po shofim edhe ato pak vlera shqiptare si psh bujarija, mikpritja, kujdesi per njeri - tjetrin etj etj po shkojn si 'uji nder ure'.

 

PS - duket qerratai qe ka bo naj kurs per 'public speaking'.

Si tha ai kandidati ke barcaleta:

He mo xhaxha, mos u shqeteso, se dhe ata tjeret nje ashtu do marrin. 

Oisib cfar kufij te rinj do te vendosi Rama me keta politikane te vjeter, si Gjinushi,Milo? Ciles balte do ti pergjigjet ,baltes qe ka hedhur mbi rrugen

Durres Morine? Apo baltes qe ka hedhur mbi tempullin e demokracise parlamentin qe e ka dhunuar ne menyren me te ulet duke urdheruar ushtaret e tij qr ti binin borive e bilbilave?  Pse nuk guxon me kandituar per deputet?

Nuk mund te futem ne mendjen e Rames, por mendoj se persa i perket bashkepunimit me Milon dhe Gjinushin, cdo politikan i ri ne Shqiperi vepron ne nje kontekst te caktuar me te cilin duhet ne nje menyre apo tjeter te perballet.

Rruga Durres-Morine eshte nje veper madheshtore, por te gjithe ne si qytetare dhe vete opozita ka te drejten dhe detyren per t'i kerkuar llogari qeverise per veprimtarine e saj. Kjo eshte po aq patriotike sa edhe vete rruga patriotike.

Veprimet demostrative jane gjithashtu pjese e jetes parlamentare dhe qytetare, sidomos ne nje vend ku ky institucion eshte ende i pa-perfeksionuar.

Se fundi persa i perket kandidimit apo mos-kandidimit si deputet, mendoj se kjo mbetet ne lirine e vete Rames per te zgjedhur njerin opsion apo tjetrin. Ndoshta nje njeri i terrenit si ai, do te ishte me i pershtatshem, pikerisht ne egzekutiv se sa ne ligjvenie.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).