Morali i (mos) pozicionimit gazetaresk

Nëse ndodhesh në një pozitë komode që të mos jesh i përzier me ato që ndodhin rreth teje dhe gjërat t’i shohësh nga jashtë, ke mundësinë por edhe lehtësinë të gjykosh për shumë probleme të cilat nuk mund t’i dallosh nëse je brenda rrjedhës, ashtu siç mund të biesh pre edhe e gjykimeve subjektive. E thënë më ndryshe duke mos qenë pjesë as e politikës dhe as e gazetarisë, ka raste kur ato të dyja të duken sikur ecin në të njëjtën hulli. Të krijohet përshtypja e (pa) drejtë se nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar mes atyre që thuhen në rreshtat e gazetave dhe zhurmës së pafund politike. Pas një arsyetimi të tillë një nga përfundimet mund të jetë se ky është një nga të paktat raste ku politika ndihet më e moralshme pasi ajo është në terrenin e vet, ndërsa gazetaria duket sikur e “dredh” pak, ndërsa e sheh veten brenda shtratit të politikës.
 
Ky është një vështrim në dukje në përputhje më të vërtetën, por për të pasur një konkluzion më objektivë, problemet nuk duhet të analizohen kaq bardhë e zi, pa marrë në konsideratë edhe shumë faktorë që lidhen si me politikën ashtu edhe me gazetarinë. Më konkretisht sot të jesh gazetar, të jesh i përkushtuar ndaj këtij profesioni, duke besuar se kjo botë ka edhe resurse që ti të mbijetosh me këtë lloj profesioni dhe nga ana tjetër të punosh tek një gazetë e cila shitet njëmijë kopje, apo edhe pak më shumë sa shiten thuajse të gjitha gazetat tek ne, kjo do të thotë se ti je një idealist i pandreqshëm dhe e ke vënë në pikëpyetje të madhe bukën e përditshme që në krye të herës. Kjo do të thotë se ti i ke hyrë një biznesi jo thjesht të mundimshëm por dhe aspak fitimprurës. Në ekonominë e tregut veprojnë lloj-lloj biznesesh të pastra dhe të pa pastra. Veprojnë biznese të deklaruara si fitimprurëse dhe të tjera që ose janë në vështirësi reale financiare, ose përdorin plotë forma që të shfaqin veten në kufijtë e mbijetesës. Në këtë kuadër gazetat dhe media në përgjithësi janë i vetmi biznes që edhe pse nuk e thonë me zë të lartë, tani e kanë pranuar faktit se punojnë me humbje, duke ecur në drejtim të kundërtën me rrjedhën e një biznesi privat i cili mbijeton për sa kohë ka fitim. Ky fakt duke qenë një tregues parësor është ai që përcakton në një masë të konsiderueshme dhe shumë sjellje apo pozicionime të saj. Nisur nga këto vështirësi, nisur nga kërkesa e domosdoshme që edhe pse e rrezikuar në mbijetesën e tij shtypi duhet të ekzistojë, biznese të tjera jashtë mediatike të cilat ndoshta edhe për idealizëm kanë marrë mbi vete riskun e këtij aktiviteti privat duke bërë që gazetat të vazhdojnë të dalin edhe ashtu me humbje. Kjo është një meritë e cila duhet të njihet dhe duhet vlerësuar për të gjitha ato biznese që e bëjnë këtë mbështetje të shpallur financiare pasi pa to nuk do të kishim atë mori të pafund gazetash. Edhe pse jo me mundësitë e veta duhet thënë se ai grupim gazetash i cili e mbanë veten nëpërmjet kësaj mënyre është duke bërë një veprim moral jo të dënueshëm dhe krejt normal për të cilin nuk ka pse të kritikohet. Sa i pavarur mund të jetë një gazetë apo një gazetar i cili vepron brenda këtij mekanizmi mbështetës, kjo është një temë në vete, por duke e pranuar si të vetmen mënyrë me të cilën filloi të lulëzojë shtypi në Shqipëri po mjaftohemi me kaq, duke e vënë theksin tek kapja politike e shtypit. Nëse në rastin e mbështetjes nga biznesi privat, le të themi se është biznesi ai që hedh hapin e parë për të krijuar një gazetë dhe për ta mbajtur atë në vazhdimësi, marrëdhëniet e shtypit me indikatorët politikë janë krejt të ndryshme. Në kushtet ku roli i shtypit është dobësuar, ku ai në shumë raste është kthyer në një tribunë llafazane që nuk impresionon më askënd, ku artikujt apo faktet që shpalosen atje kalojnë në heshtje, të krijohet ideja se politika nuk ia ka shumë nevojën shtypit deri në atë masë sa ajo të rriskojë duke u bërë direkt sponsorizuese financiare e tij. Pas kësaj panorame është për të ardhur keq të theksohet se duke e ditur peshën e politikës, është vet shtypi ai që hedh hapin e parë, dinak dhe servil drejt politikës duke i ofruar asaj “dashuri” në ndihmë të mbijetesës së tij. Ky është një fakt i cili tani nuk mund të mohohet. Shtypi duket se është larguar shumë nga sigla që mban poshtë titullit të vet, nga ajo që ka shpalosur në momentin e prezantimit të numrit të parë. Nëse e anashkaluam varësinë e shtypit me bizneset duke e quajtur atë brenda kuadrit moral, tek marrëdhëniet e shtypit me politikën nuk ka vend për të gjetur sadopak moral. Ndikimi i politikës në shtypin “e pavarur” del jashtë sferës së një gazete dhe të një biznesi të vetëm. Ai ka lidhje me tërë atë klimë mediatike dhe jo vetëm mediatike, me atë ambient politikë e social që krijohet. Shtypi i lidhur me politikën jep një efekt të padiskutueshëm në orientimin apo deformimin e botëkuptimit tonë, duke na imponuar në mënyrë të dhunshme një informacion të formatuar sipas politikës që i shërben. Politika dhe shtypi krijojnë një simbiozë negative ku gjithçka serviret sipas një llogaritje të paracaktuar. Si të mos mjaftonte kjo lidhje, jo rrallë nga politika ngrihet alarmi se shtypi shërben si mburojë për të fshehur lloj-lloj biznesesh të dyshimta, duke anashkaluar faktin se mbështetja më dëmprurëse jo vetëm për shtypin por për krejt moralin e një shoqërie në përgjithësi, është mbështetja e dyshimtë dhe e fshehtë politike. Kjo ndodh sepse në fund të fundit një shtyp i cili gjen mbështetje tek politika, në mënyrë të drejtpërdrejtë ai përfiton nga kontributet publike gjë që përbën dy herë imoralitet. Tani kur ka kaluar një kohë relativisht jo e paktë që nga lindja e shtypit të lirë, mund të thuhet se në pamjen e shtypit shqiptar ka dhe ca nuanca të cilat të duket se janë tipike shqiptare. Kështu duke pasur si objeksion lidhjen e shtypit me politikën në përgjithësi dhe jo me një forcë të caktuar politike, ose më saktë vënien e këtij të fundit nën diktatin e politikës, ia vlen të shikohen marrëdhëniet e tij me pozitën, jo vetëm atë aktuale por me pushtetin që ikën e vjen. Ky është një moment ku morali i shtypit duket më qartë, pasi në këtë rast nuk është se pozita ia ka shumë nevojën shtypit, por është ky i fundit që e ka ndierë avantazhit e vënies në shërbim të saj. Pikërisht kjo është arsye që merret si shembull lidhja dhe varësia e shtypit me pozitën dhe jo me opozitën. E pra, si të mos mjaftonte tërë ajo makinë shtetërore e cila është në shërbim të forcës politike në pushtet, si të mos mjaftonte tërë ajo propagandë e cila bëhet në mënyra të tjera mediatike “për arsye shtetërore”, si të mos mjaftonte tejngopja me lloj-lloj servilësh të pushtetit, do të ishte logjike të shtrohej pyetja pse duhet që kësaj dukurie t’i shtohej edhe jargavitja e shtypit? Por kjo gjë tani është evidente dhe nuk mund të fshihet. Sot nuk është aspak vështirë të numërosh disa organe shtypi të cilat jo thjesht hapur, po në mënyrë të bujshme hapur, e kanë fituar betejën me shtypin partiak për t’u vënë në shërbim të pushtetit shumë herë më devotshëm se ai. Kjo është zgjedhja e tyre për të cilën nuk duhet të paragjykohen, por nuk duhet harruar se ato duhet të shpalosen më ndershmërisht, pa asnjë lloj maske dhe të paktën formalisht duhet ta heqin siglën, “pavarur”, e cila me sa duket është harruar në krye të faqes së parë që nga koha e lindjes së tyre. Një gjë e tillë nuk është thjesht një kërkesë që këto gazeta duhet të rindryshojnë kursin në emër të një morali, por për diçka tjetër shumë më serioze se kaq. Ato duhet  të kenë më shumë respekt për lexuesit e tyre të cilën padyshim që mendojnë se forcat politike që i shërben kjo apo ajo gazetë, pra pozita po pse jo edhe opozita, mund të ndodh që edhe mund të gabojnë dhe ata këtë gjë ku më mirë se kudo tjetër mund ta shikojnë veçse nëpër faqet e gazetës? Por një gjë e tillë shumë gazeta duket se kanë anashkaluar me kohë. Tek jo pak prej tyre, (dhe këtu gjithkush, mund të shënojë një, apo më shumë emra gazetash), ka ndodhur një ri pozicionim i tyre, një ri pozicionim ky aspak i ndershëm, aspak profesional që nuk ka fare lidhje me misionin e shtypit. Nuk është fare nevoja të thuhet se edhe ata gazetarë që punojnë në këto lloj raportesh, përfundimisht i janë larguar misionit të tyre fisnik që kishin kur nisën të merren me gazetari. Ata edhe mund të mos e pranojnë një fakt të tillë, mund të thonë se krejt rastësisht ka ndodhur që politika me të cilën ata janë lidhur është duke ecur në binarë të drejtë. Po për të testuar nëse kjo gjë është e vërtetë ose jo, për të parë (pa) burrërinë e tyre, le ta provojnë që për një fenomen që nuk u pëlqen, apo për partinë nën komandën e së cilës tani janë duke vepruar, të japin një opinion ndryshe dhe pas kësaj do ta shohin se ka ardhur koha të largohen nga ajo gazetë, ose të kërkojnë një punë tjetër.

Kështu duket se jemi duke ecur në një rreth vicioz ku idealizmi është strukur nën nevojën e bukës së përditshme dhe ndershmëria thuajse është tulatur nga imoraliteti. Është trishtuese të theksojmë se si rrjedhojë e futjes nën diktatin politik, brezi e gazetarëve që po vjen, pra pas atij brezi mbresëlënës që hapi portat e shtypit të lirë, po jep shenjat e krijimit të një modeli të ri gazetari, personaliteti i të cilëve nuk varen aq shumë nga parametrat profesional se sa ata politik, duke i shërbyer politikës nën petkun fals të gazetarit. Ky brez gazetarësh duket se nuk ngjason shumë me ata që e nisën këtë rrugë pas viteve nëntëdhjetë. Po krijohet edhe një gazetari ndryshe e cila nuk ka asgjë të përbashkët me gazetarinë e vërtetë. Një gazetari me pavarësi të dyshimtë që nuk lodhet së deklaruar “pavarësinë” e saj. Që nuk lodhet së reklamuari rezistencën e saj për të mbetur e pavarur. Nga të gjitha këto që u thanë, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar se gazetari është, apo duhet të jetë i pa pozicionuar, qoftë edhe politikisht. Absolutisht jo. Edhe ai është një qenie shoqërore. Edhe ai ka preferencat e tij, ka dobësitë e tij për të cilat nuk ka arsye të kritikohet. Fjala është se duke vepruar nën diktatin e politikës së ditës, vetëm për të përfituar prej saj, ai është duke vrarë në shpirtin tonë modelin e fjalës së lirë. Që të mos ndodh kjo duhet që edhe pozicioni i gazetarit të jetë i moralshëm, pra vetëm në anën e kësaj fjale të lirë. Ndryshe ai duhet ta gjejë veten diku tjetër dhe përsëri të vazhdojë të jetë i moralshëm në pozicionin e tij të ri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).