Mediu, ministri fluturues

Zbulohet përmasa e diplomacisë ushtarake të ish-ministrit të mbrotjes Fatmir Mediu. Gjatë kohës së qëndrimit në detyrë është ndodhur në zyrë vetëm 555 ditë dhe ka qenë jashtë më shumë se 400 ditë. Që do të thotë se ka udhëtuar mesatarisht një herë në javë jashtë shtetit. MAPO ka siguruar krahasimin e këtyre udhëtimeve shqiptare, me modelin britanik të ministrisë së mbrojtjes. Eshtë e vetmja pikë ku tejkalojmë britanikët (janë të dytët në botë për shpenzimet ushtarake) me 60 miliard dollarë buxhet në vit. Homologu britanik ka dalë vetëm një herë në muaj jashtë vendit; destinacioni i tij kryesisht Iraku e Afganistani

Ka thyer çdo rekord. Rekordi i tij është thjesht i pabesueshëm. Brenda një periudhe pak më tepër se dy vjeçare, Fatmir Mediu, ish-ministër i mbrojtjes, ka udhëtuar plot 135 herë jashtë shtetit. Me një mesatare matematike, prej 4.2 udhëtime në muaj. Çfarë do të thotë pak më shumë se një udhëtim jashtë shtetit në javë. Duke marrë si mesatare tre ditë zgjatje qëndrimi dhe udhëtimi, për një nga këto udhëtime (ka pasur dhe të tjerë që kanë zgjatur dhe shumë më shum&eumlsmiley, del se zoti Mediu ka qëndruar jashtë shtetit në kohën që ka mbajtur detyrën e ministrit e pak muaj mbasi ka dhënë dorëheqjen, plot 405 ditë. Krahasuar me vetëm 555 ditë që ka qëndruar në Shqipëri. Një llogari e thjeshtë mund të nxjerrë edhe shpenzimet e përafërta të kryera nga buxheti i shtetit për të përballuar turizmin politik të ish-ministrit të mbrojtjes. Por asnjë llogari e tillë nuk do të ishte e saktë, sepse shumës së biletave do të duhej t´i shtohej edhe pagesa për plot tetë fluturime me avion charter. Do të duhej t´i shtohej padyshim edhe pagesa e përballuar gjithashtu nga buxheti për deputetët shoqërues apo dhe punonjësit e tij që zoti Mediu merrte me vete në udhëtime, bashkuar me pagesën e dietave, hoteleve e lloj-lloj shpenzimeve të tjera.

Destinacionet, frekuenca

Sa për të dhënë disa shembuj që dëshmojnë pikërisht këtë qëndrim të pabesueshëm në ajër të zotit Mediu; Në maj të vitit 2006, janë pesë udhëtime të tilla jashtë vendit. Katër të kryer me Austrian Airlines, Vjena është pika e zakontë e tranzitit të udhëtarëve që nisen nga Tirana. Zoti Mediu ka udhëtuar në datat 1, 5, 20, 25 me këtë linjë, ndërsa në datën 28 maj të këtij viti, ka porositur dhe një avion Charter. Një muaj më parë, në prill, sapo është kthyer nga Vjena në datën 27 prill, ka rimarrë sërish rrugën jashtë vendit. Po në të njëjtën datë, nga Rinasi ai ka udhëtuar drejt Malit të Zi, por kësaj here me makinën e tij me targë ushtrie me katër njësha.

Në shkurt të vitit 2007, një periudhë që koincidon dhe me kohën e hedhjes poshtë në Këshillin e Ministrave të projektit të parë të demontimit të municioneve me kompaninë amerikane SAC, zoti Mediu ka udhëtuar në datat 6 dhe 10 shkurt 2007, kurse mbas miratimit të vendimit të dytë me të njëjtin objekt (kësaj rradhe pa përmendur me emër kompaninë që fitoi të drejtën e demontimit) ka udhëtuar në datat 17, 25 dhe 30 mars 2007. Dy muaj më pas, brenda vetëm katër ditëve, institucioni i mbrojtjes ka porositur dy fluturime Charter për zotin Mediu. I pari në datën 27 maj 2007 dhe i dyti në 1 qershor. Vlera? Disa dhjetra mijëra euro. Ish-ministri i mbrojtjes ka përdorur të njëjtën mënyrë largimi nga Rinasi dhe kthim në të, (udhëtimin me Charter) edhe pesë herë të tjera, tetë herë në total, në datat 20 korrik 2006, në 5 shtator 2006, në 8 prill 2007, 15 prill 2007 dhe 5 maj 2007.

Gjatë gjithë këtyre udhëtimeve, pak vende kanë mbetur jashtë hartës së pilotimit nga zoti Mediu: ka qenë që nga SHBA e deri në çdo kryeqytet të Evropës. Por udhëtimi në i jashtëzakonshëm duhet të ketë qenë vizita në Iran, kur ai ju përgjigj një ftese për të vizituar një panair ushtarak armatimi. Nuk është e qartë nëse Shqipëria ka mundur të blejë apo ka pasur interes për armatimin e ekspozuar aty. Ka të paktën dhe tre udhëtime të zhvilluara në Dubai, një vend i njohur për standartin mjaft të lartë të jetesës dhe turizmin elitar. Nuk ka të dhënë se cili ka qenë argumenti zyrtar i vizitës së zotit Mediu në këtë vend arab. Në zgjedhjet e 28 qershorit partia e zotit Mediu është aleati kryesor i partisë së zotit Berisha. Ajo ruan postin e ministrit të shëndetësisë. Një nga premtimet e zotit Berisha kur mori pushtetin ishte se qeverisja e tij do të ishte një qeveri në dietë. Të paktën në rastin e zotit Mediu, kjo gjë nuk rezulton e vërtetë.

Kontrasti

Revista MAPO ka mundur të sigurojë në të njëjtën kohë dhe një dëshmi mjaft interesante nga Britania e Madhe. Ka mundur të sigurojë të gjithë skedulin e vizitave zyrtare të sekretarit britanik të shtetit në periudhën prill-mars 2008. Dikur Britania e Madhe konsiderohej si Perandoria ku dielli nuk perëndon kurrë, sot padyshim është ende një superfuqi ushtarake. Për vitin 2008, Britania e Madhe ishte vendi i dytë në botë për sasinë e shpenzimeve ushtarake, mbas SHBA-së që shpenzon një buxhet për luftën prej 650 miliard dollarësh në vit. Britanikët shpenzojnë fare pak më pak se 60 miliardë dollarë, saktësisht, 59.7 miliardë dollarë në vit. Gjithashtu, Britania e Madhe, mbas Shteteve të Bashkuara ka numrin më të madh të ushtarëve të përfshirë në operacione paqeruajtëse dhe është një nga kontribuesit kryesorë të NATO-s. Krahasimi i shifrave britanike për shpenzimet e mbrojtjes me ato të anëtarit më të ri të NATO-s, Shqipërinë, janë krejt të papërfillshme: i gjithë buxheti shqiptar për mbrojtjen nuk shkon më shumë sesa shpenzimet që nevojiten për një divizion të blinduar britanik. Por ka një vend ku Shqipëria e le mbrapa Britaninë e Madhe në mënyrë të jashtëzakonshme: sekretari i shtetit britanik Rt Hon. Des Broëne, brenda një viti, 31 mars 2007 – 1 prill 2008, ka udhëtuar jashtë shtetit vetëm 17 herë. Ose diçka më tepër se njëherë në muaj. Ka qenë tre herë në Irak, dy herë në Afganistan (dy vende në të cilët nuk ekziton turizmi në kuptimin klasik të fjalës) e më pas, nga njëherë në SHBA, Kanada, Gjermani apo Zvicër.

Secili udhëtim i sekretarit britanik nuk ka arritur të kushtojë më shumë se 6700 paund, ndërsa ka pasur udhëtime që nuk kanë kushtuar asnjë qindarkë (janë përdorur mjete ushtarake fluturimi) apo kanë kushtuar disa qindra paund. Udhëtimi më i shtrenjtë i tij ka qenë në datat 28 prill-2 maj 2007, në Irak, kur ka qenë i shoqëruar nga 6 persona. Qëllimi i udhëtimit ishte vizita e trupave britanike paqeruajtëse në Irak. Ky ka qenë dhe udhëtimi me më shumë shoqërues të sekretarit britanik, i cili zakonisht ka pasur nga një deri në dy apo tre “bashkëudhëtarë” në vizitat e tij.

Të njëjtin “fat” kanë pasur dhe ndihmësit e tij: ministri i shtetit dukej i “prirur” gjithashtu të vizitonte Irakun, Afganistanin, Sierra Leonen apo dhe ishujt Folkland në nëntë daljet e tij jashtë shtetit brenda një viti. Nënsekretari tjetër parlamentar i shtetit, ka pasur edhe më pak “fat” gjithashtu sepse ka udhëtuar në një vit vetëm tre herë; nga të cilët ka vizituar Afganistanin, Kazakistanin e Ishujt Folkland. Të njëjtit destinacioni, rutine dhe frekuence i është “bindur” dhe homologu i tij, me tre udhëtime, Francë, SHBA e padyshim, edhe në Afganistan.

Të gjitha shpenzimet e britanikëve të mbrojtjes janë të detajuara. Ato përfshijnë datat e udhëtimit dhe të qëndrimit jashtë vendit, destinacionin, qëllimin e vizitës, mënyrën e fluturimit, numrin e pjestarëve të delegacionit dhe koston e shpenzuar. Një ballafaqim i shpejtë i këtyre shifrave, dëshmon dhe njëherë se ish-diplomacia shqiptare e mbrojtjes ka qenë shumë më intesive sesa ajo britanike. Por nga ana tjetër, ishte e pamundur të sigurohej me burime shqiptare, edhe nje detajim i tillë i udhëtimeve të ish-ministrit Mediu, të shprehura sipas parametrave të britanikëve. Revista MAPO është e hapur të botojë çdo material zyrtar që do t´i vihej në dispozicion për të saktësuar një gjë të tillë.

Rreth Evropës për dy javë

Ish-ministri i mbrotjes Mediu ka pasur dy zëvendës në digasterin nga i cili u dorëhoq në mars 2008. Njëra nga ta, Petriti, me mbiemrin luftarak Karabina, padyshim që ka shënuar një tjetër risi që do t´i linte gojëhapur sërish britanikët, por nuk do të habiste shumë shiqptarët. Revista MAPO disponon faksimilje të një shkrese zyrtare që dëshmon një udhëtim të habitshëm rreth Evropës të zotit Karabina. Një udhëtim që ka zgjatur pak më shumë se dy javë. Me një intinerar që do ta kishte zili çdo turist i kamur që nuk di sesi t´i shpenzojë paratë. Por për zotin Karabina kanë paguar shqiptarët.

Zoti Karabina është nisur me makinë, të paktën kështu thonë letrat, drejt Athinës, pastaj ka prekur me radhë këto qytete perëndimorë në të cilët nuk dihet me saktësi nëse Shqipëria ka apo jo edhe Atashe Ushtarak: Romë, Madrid, Barcelonë, Paris, Berlin, Amsterdam, Bruksel e të tjerë. Nuk dihet misioni zyrtar i zotit Karabina në këto vende, por revista MAPO është e gatshme të përgënjeshtrojë këtë njoftim nëse ka pretendim të përkundërt dhe pastaj të botojë dhe faksimiljen e dokumentit që mundësoi pagesën nga ministria e mbrojtjes së këtij udhëtimi.

Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes pati fatin e keq të paguajë dhe jo vetëm njëherë, fatin e keq që shoqëronte udhëtimet me makinë: defektet e papritura të makinës zyrtare të zotit Karabina. Defektet teknike kanë ndodhur gjatë vizitave të tij jashtë vendit.
 

9 Komente

Dërgojani një kopje të artikullit edhe Avokatit të Konsumatorëve... meqë i djeg shpirti për shpërdorim të pareve...megjithse këto nuk janë pare dhuruesish, por tonat dhe ndoshta nuk i interesojnë këto raste atij smiley

Kjo eshte qeveria ne diete. Sigurisht ka per te thone Sula, por ka dieta e dieta. Ka djeta peer tu dobesu, por ka edhe djeta me u shnosh e me tu bo kaptina si qen stoni. smiley

Revista MAPO ka mundur të sigurojë në të njëjtën kohë dhe një dëshmi mjaft interesante nga Britania e Madhe. Ka mundur të sigurojë të gjithë skedulin e vizitave zyrtare të sekretarit britanik të shtetit në periudhën prill-mars 2008.

ia paskan fut komet me i kpuc

...duhej t´i shtohej edhe pagesa për plot tetë fluturime me avion charter

Po ky Gordon Brown kryeministri i Britanise fluturon me aviona te linjes, neper shtetet e tjera (kuptohet jo ne Iraq apo Afganistan se ia shpojne gomat)

Vijne ketu ne Londer (sic kane bere edhe para PD's) disa tip qeveritaresh dhe shpenzojne jashtzakonisht shume, si per veten dhe per miqte dhe shoket e shumte qe kane ne Londer

Mediu duhet te jape pergjegjesi per udhetimet, me detaje. Dhe nqs e ka tepruar (medoemozdo se Shqiperia nuk ka angazhime te medha ushtarake)  te paguaje ne arken e shtetit shqiptar per te gjitha shpenzimet qe ka bere ai!

Mentaliteti fshataresk i kohes se komunismit

"KA DALE JASHTE SHTETIT" "KA PAS KEN JASHTE SHTETIT" "KA SHKU JASHTE SHTETIT"  

Vazhdon edhe sot ky mentalitet. Dikur quhej aritje/sukses po te shkoje qofte edhe nje dite jashte kufijve shqiptar, sot ky mentaitet fshataresk shfaqet tek qeveritaret, dhe jo qeveritaret, politikanet dhe bisnesmenet, fetaret dhe fshataret, gjyqtaret dhe punetoret, shtepiaket dhe lysaret. artistet dhe sportistet

"KA PA BOTE ME SY SE KA DALE JASHTE SHTETIT"

Nuk eshte fisnike  te merresh  me "kufoma "... Ata mund te shndrrohen si humor popullor si ish ministri zbertheckave , ne se ka ndonje te tille ndodhi te tille . Ndryshe te kujtojne shprehjen ''C'na ngordhi kali / ci rane thonjt ...oleleleliala...  po vrapon Balli ti heqe patkonjt......olelelelleliala

Nje nga premtimet e mbajtura te Qeverise Berisha eshte edhe:

Qeveri ne diete

 

135 fluturime gjona te vogla !

dhe ne lufte te kishim qene nje minister mbrojtje s'kishte me leziz kaq shume sa ky.

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).