Makineria e Mashtrimit

A do te kete ndikim Gerdeci ne rezultatin e zgjedhjeve per partine tuaj?- u pyet Berisha  ne nje shfaqje propagandistike. Ai buzëqeshi dhe me largpamësi, çiltërsi e një siguri shembullore që e ka ai dhe vetëm ai, deklaroi afërsisht kështu: - Atë e treguan zgjedhjet që u bënë në Kashar! Aty Edi Rama doli i katërti! E mundi dhe një i pavarur!...Ky (i pavaruri) ka hyrë në histori…Shikoni Kasharin, Kasharin! - Pra, edhe nëse një qeveri vret 26 njerëz, edhe pse plagos mbi njëqind, edhe pse e hedh në erë një fshat të tërë, banorët e rrethinave të Gërdecit prapë se prapë e duan, e votuan dhe do të votojnë edhe nesër atë…d.m.th atë që i vret! Ky ishte kuptimi dhe nënkuptimi, pa asnjë ekuivok, i kësaj deklarate të sinqertë. Nuk është dëgjuar e nuk mund të dëgjohet kurrë një thënie më lapidare kundër qytetarëve të një vendi nga një lider. Pra, fjala e moçme: “Ai që të bën …të pabërën…quhet baba…”, duhet zëvendësuar me: “Qeveria që të vret duhet ta duash, prandaj, nga dashuria për të, nesër ti do të votosh pro saj!” 
Kur kryeministri aktual u pyet për sondazhin e Zogby-it, që e kishte nxjerrë fitues, ai nuk u entuziazmua, por modestisht tha se, “nuk i besonte pollet” ( (lajmi ju duk rreng, pasi, nëse herën tjetër sondazhi do ta nxirrte humbës, atij do t’i humbiste e drejta ta kundërshtonte), sepse ai “kishte besim te qytetarët”, të cilët, sipas bindjes së tij të palëkundur, sërish do ta votonin; pra, shqiptarët kanë qenë e do të jenë me të edhe kur i gënjen, edhe kur i mashtron, edhe kur, largqoftë, i vret...(Viti 2005 ia dha këtë të drejtë të na budallallepsë kësisoj!). Kur u pyet nëse do të japë dorëheqjen në rast se i humb zgjedhjet, vizionari ynë përsëri nënqeshi nurshëm e tha: “Nuk mund të pyetet fitimtari”…dhe ngriti sytë lart e tregoi të madhërishmin: -Vetëm ai e ka në dorë largimin tim! Kurse, ministri i tij Financave, Bodja tha: Nuk ka rëndësi me sa për qind e morëm kredinë, rëndësi ka që na dhanë kredi!” 
Të gjitha këto “teza”të ububushme, natyrisht të përpunuara, kemi për t’i dëgjuar në ditët që vijnë nga të gjithë altoparlantët e tij, nga makineria e fuqishme e propagandës së Berishës që është në gjendje të bëjë të zezën të bardhë, dështimin sukses, gënjeshtrën të vërtetë, mashtrimin lumturi, nëpërmjet asaj që quhet “efekt i përsëritjes”. Sipas kësaj makinerie, kur shtypi zbulon aferat e fëmijëve të kryeministrit, zëdhënësit e Berishës dalin sakaq e thonë se Edi Rama ka dalë lakuriq! 
*** 
Për lehtësi bashkëbisedimi po e quaj ZQPP, por jo se quhet vërtet kështu Zyra Qendrore e Propagandës së Partisë në Pushtet. Në këtë pragfushatë mund të vihet re kollaj se propaganda e partisë qeverisëse e ka një të tillë zyrë, sa formale (në kryeministri, me këshilltarët), aq edhe informale (në familje, nëpër kafenera luksoze, shtëpi pritjesh, shtëpi private, vila, studio televizive, etj), që përditë ideon e strukturon jo vetëm fushatën dhe mënyrën si do të zhvillohet ajo, që përcakton vendet ku do të shkohet për përurime e premtime zgjedhore “të mbajtura”, po edhe si dhe kush e me kë e qysh do të shkojë, madje edhe se çfarë do të duhet të kumtojë ligjëronjësi partiak në tubimin apo në debatin në fjalë...Thuhet se në këto “zyra” ku shpiken arritje dhe batuta therëse për “armiqtë”, punojnë edhe specialistë amerikanë fushatash, të cilët nuk dihet sa dhe si paguhen, por që honorarizohen shtrenjtë, kjo as që mund të diskutohet. 
Nga lulkat e xhinglat e minglat shumëngjyrëshe që derdhen përherë nga lart, nga portretet e të rinjve dhe kalamajve të ngazëllyer që shoqërojnë oratorët, nga posterat dhe kartonat blu që tunden mbi kokën e prijësit që “po ndryshon”, kuptohet që ndikimi i fushatës tip-Obama është sundues vetëm në anën e jashtme, në atë dekorative dhe gjasme euforike. Veçanërisht nëpër debatet televizive, ekzistenca e një ZQPP-je të kësollojtë që organizon edhe detajet është e lehtë për t’u pikasur. Vini re: të gjithë, pa asnjë përjashtim, deputetë e ministra, zëdhënës apo zëmarrës, kordhëtarë e moderatorë, kandidatë për deputetë apo skifterë profesionistë, kryeministër apo kryetare Kuvendi, për më shumë se një javë do të fillojnë të hedhin në tregun mediatik të njëjtat argumente; klishe, epitete, nofka, akuza, shpotira, shpifje, shifra suksesesh, statistika gjasme të sigurta, dështime dhe insinuata therëse kundër “armikut që kërkon të na marrë pushtetin”; pra kundër atij që kohët e fundit, nga të gjithë këta, si në një korr amator të ish- kombinatit të tekstileve “Stalin”, sot për sot quhet: “mister 15 përqindëshi”. Pas “15 përqindëshit” fillon “lejet e ndërtimit”, pas lejeve të ndërtimit, “plani rregullues”, pas klientelizmit në Bashki, nis sulmi mbi familjen…ZQPP–ja përgatit secilin mësymës, që pavarësisht se si do të rrjedhë debati, pështymëhedhësi duhet t’ia përplasë kundërshtarit, d.m.th publikut, “të vërtetën” në sy me zë të lartë, si një magnetofon dasme në katund, ndryshe do të quhet i djegur, i paaftë! Askush, madje as prijësi, nuk mund të mendojë me kokën e vet, jashtë kontrollit dhe ekspertizës së ZQPP-së së Berishës. ‘Zogbi’ provoi se kjo pështymëhedhje totale mbi opinionin publik funksion për së mbari, pasi rezultati për Saliun doli për muajin që shkoi më i lartë. Balta mbi kundërshtarin vleka më shumë se programet e partive. 
Partitë fashiste dhe më pas edhe ato komuniste, e kishin të shpallur e të ligjëruar një zyrë të tillë që përgatiste idetë, mënyrat, spotet, reklamat sloganet, artikujt programatikë, parullat dhe fjalorin e propagandës së partisë. Askush nuk mund të kundërvihej, aq më pak ta kundërshtojë këtë sherr-propagandë intensive dhe agresive. Kush nuk e përhap atë, kush nuk pajtohet me të, madje kush guxon e hesht dhe nuk pranon të shprehet me gojë, - aq më mirë me shkrim! - “pro nesh”, quhet armik i kamufluar. (Provoni p.sh të hapni sot një bisedë politike në çfarëdo lloj zyre, e do të shihni se si edhe ai që në shtëpi apo mes miqsh mendon se Doktori e ka mbushur kupën, ndaj duhet të ikë sa më parë, do të hidhet i pari e të thotë me zë të lartë: “Bah, sa bukur ua bëri mbrëmë Doktori atyre “komunistëve të qelbur”! Është i madh, për besë! E patë mbrëmë te Fevziu?” Ky është qëllimi primar i çdo lloj ZQPP-je, qoftë fashiste, qoftë komuniste, në daç edhe salidemokraciste: të manipulojë, të shtrembërojë, të trembë, të shkërbëjë dhe pastaj të paralizojë opinionin publik, i cili deformohet deri në atë derexhe, sa mësohet të thotë me zë të lartë të kundërtën e asaj që mendon!) 
*** 
Në këto zyra të agjitpropit gatitet shpëlarja masive e trurit, platforma dhe listat e deputetëve dhe të atyre që nesër do të goditen, sa nëpërmjet propagandës, - për të neutralizuar e nxjerrë jashtë loje rivalët, - aq edhe nëpërmjet “forcave të errëta” që përherë ikin “në drejtim të paditur”, pasi kanë sulmuar, paralizuar, përbaltur, poshtëruar, eliminuar, apo edhe vrarë moralisht kundërshtarët nëpërmjet mediave dhe thashethemeve…Fashizmi ishte i pari sistem që alternoi në mënyrë të përkryer agjitacionin masiv partiak me dhunën e rrugës, populizmin me mashtrimin, rrugën e ndritur të sukseseve me qorrsokakun e pashmangshëm historik. Kështu erdhi bujshëm në pushtet, pa e ditur se kishte hapur edhe varrin e vet, natyrisht me apo ato “lopata e kazma” me të cilët kishte pas ngritur pushtetin e vet “të hekurt”… 
*** 
Edhe SHIK-u i viteve të para të postdiktaturës ka pas qenë një strukturë e ngjashme, përnjëmend e frikshme, një imitim i shëmtuar dhe samëska primitiv i shablloneve dhe makinerisë diktatoriale. Në këtë kohë ZQPP-të ishin të bashkërenduara, madje edhe të instaluara në SHIK. Goditjet me leva kokës teksa ngjisje shkallët, po edhe me armë e me tortura në Vain të Lezhës, te “shtëpia me gjethe”, daç edhe nga liqeni artificial, alternoheshin me sulme të përditshme e të ndyra verbale kundër “armiqve të Doktorit”…Opinioni publik mbahej përditë e përnatë nën kontroll e nën një trysni të pandërprerë para “një rreziku të mundshëm të rikthimit të pushtetit komunist”… Kriptokomunistët duheshin shpartalluar me çdo kusht e me çdo mjet, pasi edhe sipas ZQPP-së komuniste, “armiku i fshehur është më i rrezikshëm se armiku i shpallur”! Kjo quhej “luftë për instalimin e demokracisë”, gjë që justifikonte asokohe çdo mjet dhune, arrogance, arbitrariteti, shkelje të të drejtave të njeriut ndaj tyre. etj, pasi bëhej për një qëllim madhor e fisnik: ndërtimin e demokracisë së brishtë. Pra, nëse dhuna në diktaturë kryhej për të mbrojtur diktaturën, dhuna në demokraci “kryhet për hir të demokracisë”, gjë që sipas ideatorëve të lartë të ZQPP-së bëhet për qëllime ku e ku më fisnike…Kësisoj, secilit kundërshtar të shpallur apo të fshehur i gjendet festja sipas kokës, duke përdorur si narkozë fjalën “reformë” për të bërë spastrime, eliminime, përjashtime, diskriminime, demontime, shpartallime, diskreditim moral…Çka mbeti “pa u pastruar” në vitet ‘92-‘97 me ligjin e famshëm 24/1, në këto katër vite ky proces u krye pa ligj, vetëm me fjalën “reformë”. Shqiptarët e kuptuan me vonesë se kjo luftë ishte false, se ajo nuk kishte qëllim shkuljen e komunizmit, por eliminimin e të padëshiruarve të Berishës! Ky paskësh qëllim të jetës së tij “reformat”, si e tha vetë, “unë nuk kam qëllim pushtetin”…(edhe kjo ishte një tjetër çudi e padëgjuar!). Po cilën reformë ka kryer ai, veç spastrimit të administratës në të gjitha nivelet nga ata që nuk janë me të? Në ç’fushë ka kryer ndonjë reformë ai, në Drejtësi, në arsim, në shëndetësi, në ndarjen e pushteteve, në kthimin e pronave, në….në ku, pra? Por, as kjo nuk ka rëndësi, sepse ZQPP-ja e tij, paskësaj ka për të futur në propagandën e ditëve që vijnë “reformat historike”, futjen në NATO, heqjen e vizave, autostradat, mijëra km rrugë rurale …si suksese vetjake të tij! Fjala nuk ka më asnjë peshë para baltës, shpifjes dhe gënjeshtrës publike! 
*** 
Mënyrat dhe mjetet e ringjalljes së frikës dhe të panikut kolektiv ideohen nga një Zyrë “inteligjente”, e sajuar me ish-spiunë të kualifikuar, me ish-të përndjekur të mllefosur, me ish-komunistë të penduar, me ish-gazetarë të dështuar, me ish-sigurimsa të stazhionuar që kërkojnë, nëpërmjet shërbimeve të ndyra, të bëhen të besueshëm dhe të pëlqyeshëm nërregjimin e ri demokratik. Në të vërtetë ZQPP-ja e sotme ndryshon vetëm në dukje nga ZQPP-ja e viteve të para të salidemokracisë, paçka se sot nuk kanë lidhje me SHIK-un, si në vitet e para…Por, ama armët nuk kanë ndryshuar: ato mbeten akuzat, llapaqenëria, shkërdhatokracia, humhum-gamgamëria, hasmëria politike dhe partiake që mbahet përherë ngrehur e ndezur. 
Sot p.sh, nuk shpallet luftë kundër gazetave, gazetarëve, opinionistëve, nuk goditen më këta me leva kokës, me tredhje nga liqeni artificial ( Doktori e pësoi nga një mësymje e till&eumlsmiley, ndaj premtoi që kësaj here nuk do të ketë asnjë sulm apo goditje ndaj tyre. Sot ndaj medias përdoret më shumë kulaçi, se kërbaçi! Për këtë kryeministri u mburr edhe në ditën e shtypit…Por, ai nuk i harron tredhjet. Nëpër mitingje nuk mënon të flasë për “tredhje” të kundërshtarit, nuk druhet as të shajë direkt, para kamerave, nga nëna e nga motra…Mesa duket makineria e propagandës është orientuar të ketë punë vetëm me “atë që rrezikon të na marrë pushtetin”, pasi “qentë le të lehin, ne ecim përpara”…Duhet pranuar, makineria e propagandës së Berishës ka pasur sukses në humbjen e besimit të opinionit publik te mediat dhe institucionet e pavarura. Sepse, duke e veshur me amiant opinionin publik, është e lehtë të manipulohet qytetari. Nëse në vitet e para të demokracisë besimi te shtypi i lirë ishte në nivele të larta, tani, as kur shpërthen Gërdeci, as kur shpërdorohen miliona, as kur akuzohet me prova familja kryeministrore, nuk bën më përshtypje. Këtë meritë, këtë sukses, e ka të garantuar Berisha! Nuk gjë më të zhvleftësuar sot për sot se Fjala! 
*** 
E si mund të mos zhvleftësohet Fjala, kur qeveria dhe ministri Basha akuzohen për zhdukjen e 230 milionë eurove në rrugën Durrës-Kukës, kur në vend që të shkohet në Gjykatë, përgjigja është: Ju që kundërshtoni jeni antikombëtarë se i kundërviheni jo qeverisë, as ministrit Basha, po Kosovës, d.m.th rrugës patriotike! Kur thuhet se qeveria i fali disa qindra kilometër det Greqisë, për efekt elektoral, përgjigja është: Ju që zbuluat këtë skandal jeni antikombëtarë, pasi paguheni që të dëmtoni interesat e Shqipërisë. Kur hidhen akuza për korrupsion familjar në Gërdec dhe për krim të mirëfilltë shtetëror, nuk jepen prova të kundërta as në prokurori, as në gjykatë, as në shtyp, po thuhet: Ju keni kodin e vdekjes, sepse ditën që morëm ftesën për në NATO, ju organizuat mitingun e vdekjes! Kur shpërtheu Gërdecin qeveria pohon se ka meritë që bëri një evakuim shembullor, gjë që nuk e ka bërë asnjë qeveri (vërtet vrau, po ama ceremoninë e varrimit e bëri të bukur!), ndaj për këtë duhet lëvduar! Edhe kur një gazetë amerikane, ‘New York Times’, akuzoi qeverinë për korrupsion, përgjigja ishte: ajo gazetë “është një letër higjienike”! Kështu mund të jepen shembuj pa fund, kur njëri i bie gomarit, e tjetri samarit! Pra, si mund të mos kesh paskësaj respekt për ZQPP-në, që është mekanizmi magjik e çudibërës i Berishës që transformon vdekjen, vjedhjet, korrupsionin, gënjeshtrën në nder e në lavdi? Po edhe “në votë të lirë e demokratike”?
 

10 Komente

shtypi i lire (ne kete rast i abuzuar nga ju)...nje argument me shume.

Vertete per te ardhe keq..si artikull pensionistesh (te me falin pensionistet).

Ky njeriu qe e ka qendisur kete artikullin, me shtyn qe ta votoj Saliun edhe 30 vjet te tjera (si babai im Enverin)

Kryeministri ben politike -or ti zotni- nuk po ben por..a si ti.

Makineria e Mashtrimit

A ka Makineri Mashtrimi me te madhe se Edi Rama me gazetat e tij, ku ben pjese edhe kjo qe ka publikuar kete artikull ?!

Keta jane vete Makineri Mashtrimi dhe mundohen te kritikojne te tjeret ne kete pike -- Kesaj i thone : "Kur shan i dhj*ri te perrmj*rin"

Artikull i dobet tip "muhabet kafeneje". Sa per pune propagande eshte e vertete qe PD ka filluar te sofistikohet nga kjo ane por besoj se specialistet e vertete te propagandes jane ato te PS bashke me 97% te gazetave dhe televizioneve te vendit. Me ka marre malli per lajmet e dikurshme te vizion plusit qe ishin te paanshme dhe qe shume shpejt u dhjene nga hyrja Mero Bazes dhe interesave te tjera ne ate televizion.

Unë s'e di se ç'nënkuptojnë komentuesit e mësipërm me artikuj të fortë, ama ky burri i huj në artikull i ka përmëndur të gjitha... ndoshta duhet ti recitonte apo ti këndonte argumentet e tij që të tërhiqte vëmëndjen e tyre... Mah!

Pikerisht prandaj me terhoqi vemendjen se ishin recitim.

Pse e kan kaq zet ket Kicon, really? Ca ka ne musander ky njeri? Thjesht kureshtje. Te ky kom von re qe paradigma "bjeri autorit e mos u merr me shkrimin" arrin ca permasa te frikshme fare.

 "...Mënyrat dhe mjetet e ringjalljes së frikës dhe të panikut kolektiv ideohen nga një Zyrë “inteligjente”, e sajuar me ish-spiunë të kualifikuar, me ish-të përndjekur të mllefosur, me ish-komunistë të penduar, me ish-gazetarë të dështuar, me ish-sigurimsa të stazhionuar që kërkojnë, nëpërmjet shërbimeve të ndyra, të bëhen të besueshëm dhe të pëlqyeshëm nërregjimin e ri demokratik..."  

Fatkeqesisht, kjo eshte mese e vertete. Them; fatkeqesisht, sepse shum/disa nga shtresa jone e ish te perndjekurve kan qene te kartelizuar/spiuna, dhe jane keta -fatkeqesisht- qe i sherbejne Mavrise.

 

"...Nëse në vitet e para të demokracisë besimi te shtypi i lirë ishte në nivele të larta, tani, as kur shpërthen Gërdeci, as kur shpërdorohen miliona, as kur akuzohet me prova familja kryeministrore, nuk bën më përshtypje. Këtë meritë, këtë sukses, e ka të garantuar Berisha! Nuk gjë më të zhvleftësuar sot për sot se Fjala! ..."  

Qe ai popull ishte trullosur keto vitet e fundit dhe s'i bente pershtypje asigje, kete e e vura re dhe une, veç do te shtoja se kjo nuk ishte merite vetem e Mavrise por dhe e Mafiozit/Nanos.  

 

18; "...Ky njeriu qe e ka qendisur kete artikullin, me shtyn qe ta votoj Saliun edhe 30 vjet te tjera (si babai im Enverin)..."

Tani e kuptoj pse ai popull i mban gjat mbi shpine hajvanet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).