Liria qe sjell Poli i Lirise

Për shkak të një mungese gati të frikshme parimesh, moraliteti dhe sistemi qeverisës në katër vitet e fundit, qeverisja e ashtuquajtur e djathtë e vendosi Shqipërinë edhe njëherë në qendër të një krize të vërtetë, shumëdimensionale, jashtë së cilës nuk ka mbetur asnjë “copë” e këtij vendi. Politika duket të jetë edhe pjesa më e zhytur, më erruptive e kësaj krize. Sepse, më shumë se asnjëherë tjetër, kriza u shfaq me një humbje vetëpeshimi, që në jetën e këtij vendi u projektua në një qeverisje të mbytur nga konfuzioni, shpesh pa kuptim, shpesh të vendosur nën peshën e akteve të papërgjegjshme, nën peshën e proceseve spontane, të pamenduara, jashtë sistemeve që pranohen si skema qeverisjeje, para se të fillosh të qeverisësh, nën peshën e proceseve që ose ndërtohen mbi njëri-tjetrin, ose eliminojnë njëri-tjetrin duke mos prodhuar qeverisje. Qartësisht u vu re që nuk ka një praktikë qeverisjeje të djathtë në asnjë fushë të jetës së këtij vendi dhe akoma më shumë, në përgjithësi, nuk ka fare ndonjë politikë qeverisëse të përcaktuar. Madje, edhe më shumë, gjatë këtyre viteve u vu re që nuk ka as vullnet politik të djathtë, nuk ka as një ideologji politike të djathtë, që së paku të kishte vlerën e një frymëzimi potencial për njerëzit që duan të besojnë dhe të punojnë për këtë qeverisje. Ishte qeverisja e këtyre katër viteve ekzaktësisht ajo që dekonspiroi më shumë se kurrë mungesën e të djathtës në spektrin politik në Shqipëri. U provua që në vendin ku duhet të qeveriste e djathta e vërtetë, ka boshllëk, s’ka lëvizje. Atje, thjesht rri vetëm iluzioni i një modeli politik që nuk ka ekzistuar kurrë në realitetin shqiptar. Në pjesën e djathtë të balancës politike të spektrit politik ka zënë vend djallëzisht një pragmatizëm vulgar, që si një xhelatinë, me atë veti të neveritshme të ngjitjes, ka tërhequr në çark lloj-lloj tipash, lloj-lloj interesash, lloj-lloj pseudo-programesh, lloj-lloj përfaqësuesish, lloj-lloj profilesh politike, lloj-lloj aventurierësh, lloj-lloj maskarenjsh, lloj-lloj denonciatorësh, lloj-lloj perversësh, që vetëm me të djathtën dhe demokracinë nuk kanë dhe nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje. Është formuar një amalgamë e çuditshme, ku me lehtësinë më të madhe bashkëjetojnë të papranueshmet, përjashtueset, karakteristikë kryesore e së cilës është mosqenia, hiçi, mungesa e peshës. Kjo ka sjellë edhe humbjen e vetëpeshimit të politikës, sepse, ndërkohë që e djathta nulifikohej në vite si e tillë, e majta e këtij vendi, e cila ka kohë që mundohet të çlirohet nga pesha e trashëgimisë komuniste, po fitonte një peshë të re, të mjaftueshme për të zhbalancuar politikën për shkak të mungesës, zbrazjes, humbjes së gravitacionit, që ndodhte në anën tjetër të spektrit. Prishja e balancës do të çonte në fund të fundit, ashtu si në fakt ka çuar, në lënien zbuluar të shumë shqiptarëve, lënien e tyre të papërfaqësuar, përfundimisht me interesa të tradhtuara.

. . .

Në terma të përgjithshëm, politika shqiptare e viteve të pluralizmit mund të karakterizohet si një e djathtë që humb peshën e saj vazhdimisht dhe një e majtë që fiton me stërmundim një peshë të re politike. Si humbja, ashtu edhe rifitimi i peshës politike, nuk karakterizohen si linearë në kohë, por me ulje dhe ngritje të shumta. Gjithsesi, në pikëpamjen afatgjatë, prirja e zhvillimit të këtij fenomeni ka qenë një zvogëlim për të djathtën dhe një rritje për të majtën, që ka ndodhur në kundërshtim me kushtet krejt të disfavorshme për të majtën ish-komuniste shqiptare në startin e saj pas vitit ‘90, dhe në kushtet e zotërimit të një energjie politike të stërmadhe për të djathtën, ndërsa lindte po në atë kohë. Dhe ja ku jemi sot. Përpara një bilanci tronditës. Në situatën më dramatike, që madje edhe nuk mund të imagjinohej: PD qeveris së bashku me forca ekstremiste puniste, me njerëz të dërrmuar moralisht, të paaftë. Bën koalicion me to, ndjek programe zhvillimi në fusha jetike të vendit, si në arsim dhe shëndetësi, vetëm duke transferuar në kohë marrëdhëniet që në përmbajtje nuk kanë ndonjë ndryshim esencial me ato që kanë ekzistuar para viteve ‘90. Ndërton institucionet e administratës së saj qeverisëse mbi të njëjtat parime që ndërtoheshin në sistemin totalitar, pra, duke përqendruar pushtetin, duke mos e shpërndarë atë në nivele më të ulëta administrimi dhe duke hequr kështu edhe mundësinë e evidentimit të përgjegjësisë ligjore të nëpunësve, mundësinë e kontrollit të tyre, dhe mbi të gjitha, fshin mundësinë e pjesëmarrjes së njerëzve në qeverisje të çdo niveli. Asnjë strukturë administrative e kësaj qeverisjeje nuk është ndërtuar mbi parimin e balancimit dhe kontrollit të pushteteve, mbi parimin e shpërndarjes së pushtetit apo përgjegjësisë në masën që është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet që lindin në një nivel të caktuar. Kjo gjë ka prodhuar një administratë “të drunjtë”, të korruptuar, joefektive, të paaftë për të përballuar dinamikën dhe kompleksitetin e problemeve jashtë saj, në shoqëri. Një administratë që paraqitet shumë poshtë nivelit të iniciativës së lirë të qytetarëve dhe ekonomisë së tregut. Të gjitha këto kanë krijuar një tension sfilitës midis qeverisjes dhe të qeverisurve, fare të panatyrshëm për një qeverisje të djathtë, që presupozohet të jetë edhe zhdërvjellët, edhe e drejtë, edhe thellësisht efektive. Madje, më shumë. Një qeverisje që akoma nuk e di se çfarë ka marrë përsipër të bëjë në ekonomi, ç’drejtim esencial do t’i japë asaj: fabrika çimentoje apo turizëm. Që nuk e di akoma se çfarë ka marrë përsipër të bëjë në arsim, ta shkatërrojë plotësisht sistemin publik, apo të ndërtojë një të vërtetë, jo të gënjeshtërt, jo fals si ky i sotmi, por një tjetër, që të jetë realisht pjesë e hapësirës evropiane. Që nuk e ka të qartë akoma si do ta organizojë më në fund shëndetësinë, si do t’i zgjidhë problemet më esenciale të demokracisë në Shqipëri, veçanërisht ato që lidhen me raportet midis shtetit dhe individit, pa tradhtuar interesat e atyre që i kanë vënë shpatullat dhe e mbajnë me votë. Në thelb, prandaj kemi të bëjmë ekzaktësisht me një inkonsekuencë që e ndjek vazhdimisht të djathtën shqiptare, aq sa është bërë edhe një formë e ekzistencës së saj. Është shndërruar në shkakun më esencial, pse pas gati njëzet vitesh e djathta shqiptare është përsëri në kërkim të identitetit të saj, në kërkim të hapësirës dhe misionit që duhet të përmbushë në politikën shqiptare.

. . .

Gjithsesi, situata politike vjen e bëhet akoma më e komplikuar, sepse, për shkak të prapambetjes, Shqipëria është bërë pothuajse e pakrahasueshme nga të gjitha pikëpamjet me një vend perëndimor me demokraci të stabilizuar. Personalisht, e kam vënë re shumë herë se si prapambetja që vjen nga moszgjidhja e problemeve i akumulon, i mbivendos ato, duke krijuar një situatë shumë herë më të komplikuar se ajo e një vendi të përparuar, i cili i zgjidh në kohë problemet e tij. Për ironi të fatit, megjithëse problemet që ndesh një vend i përparuar i ka më të thjeshta, ai zotëron mjete dhe burime njerëzore shumë më të kualifikuara për t’i zgjidhur ato, në krahasim me një vend si i yni. Kjo gjë, trishtueshëm, krijon prirjen që një vend i prapambetur të bëhet edhe më i prapambetur, ashtu sikundër, një vend i përparuar të lëvizë më lehtësisht përpara, të bëhet akoma më i përparuar. Kjo shpjegon gjithashtu, pse në vendet perëndimore ka qëndrime të unifikuara ndaj lirisë, institucioneve, parimeve të funksionimit të tyre, marrëdhënieve të ndryshme brenda sistemit shoqëror, përfshi edhe ato mbi pronën. Diferencat midis krahëve të politikës në këto fusha janë shuar prej kohësh. Ajo që mbetet për t’u debatuar në hapësirën e politikës të këtyre vendeve, varësisht prej qëndrimeve të së cilës përcaktohet edhe se sa i djathtë apo i majtë je, është çështja se në ç’raport do të vendoset roli i qeverisë ndaj rolit të qytetarëve në zhvillimin e vendit. Qeveria do të ketë më pak pará dhe një rol më të vogël rregullues, ndërsa qytetarët do të kenë një përgjegjësi dhe iniciativë më të madhe në zhvillimin e shoqërisë apo e kundërta. Brenda kësaj diference përfshihen shumë qëndrime politike, një prej të cilave është edhe politika mbi taksat. Qartësisht, të djathtët mbrojnë taksat e ulëta, pra, më pak pará për qeverisjen, çka krijon më shumë hapësirë për iniciativën e lirë të qytetarëve, më shumë mundësi për vetëqeverisje. E djathta shqiptare thotë që nuk jam pseudo e djathtë, sepse ndjek politikën e uljes së taksave, si ata andej, në Perëndim. Këtu ekzaktësisht fillon e shfaqet “humnera” e ndarjes, e pangjashmërisë. Ajo që të djathtën tonë e bën pseudo të djathtë nuk është çështja e nivelit të taksave, i ulët apo i lartë, por qëndrimi që ajo mban ndaj çështjeve themelore të demokracisë. Kështu, para se qeveria të vendosë për taksa të larta apo të ulëta, ajo duhet të qeverisë në mënyrë që të mos vidhen ato. Para se qeverisja të adoptojë politikën e taksave të ulëta për t’i lënë një hapësirë më të madhe qytetarëve për vetëqeverisje, ajo duhet t’u japë garanci këtyre të fundit se janë të barabartë në iniciativën e tyre të lirë, në konkurrim, përpara ligjit. Që qytetarët dhe iniciativat e tyre janë të mbrojtur me një politikë të qartë decentralizuese. Që qytetarët të jenë të pacenuar nga monopolet, nga interesat klienteliste, nga të paaftët, nga të paligjshmit. Që qytetarët të zotërojnë krejt atë hapësirë që vetëm liria mund t’iu japë dhe që qeverisja mund ta garantojë, vetëm nëse, para se të jetë e djathtë, është demokratike. Çka nuk ka ndodhur.

. . .

Kjo është hapësira politike e mbetur bosh, e cila e “thërret” Polin e Lirisë. Ky është edhe misioni më i madh i tij: t’u sigurojë shqiptarëve lirinë. Jo atë liri, të cilën nuk ke çfarë ta bësh tek sillesh vërdallë dhe sheh se si të kanë përjashtuar nga shoqëria. Por lirinë e vërtetë, jo ciniken. Lirinë që të përfshin në jetën e vendit tënd, që të jep shansin të tregosh se kush je, pra, atë liri që ish-Sekretari i Departamentit të Shtetit në vitin ‘91 në sheshin “Skënderbej” e cilësoi si “liria që punon”, d.m.th., një liri “materiale”, një liri që sjell rezultat, të çon diku, që ia vlen. Ky mision do të jetë i mundur për Polin e Lirisë, sepse ai mbështetet nga grupe shoqërore që iu ka munguar liria për një kohë të gjatë në jetën e tyre, prandaj e dinë mirë se ç’është ajo. Shtresat e ish-të përndjekurve dhe e pronarëve të plaçkitur nga shteti komunist, në kushtet kur kundërshtarët historikë të tyre janë ende veprues në shoqërinë e sotme, pra ish-spiunët dhe të korruptuarit me pushtet, do të jenë në fakt një garanci për papajtueshmërinë me të keqen, prandaj do të jenë një garanci për rritjen demokratike të Polit të Lirisë. Ky do të ketë me siguri një efekt simbiotik. I tillë, nën presionin e shtresave të vuajtura të shoqërisë, Poli i Lirisë do të duhet të ndjekë ekzaktësisht rrugën që nuk e ndoqi PD, pra do të duhet të ndjekë rrugën e demokratizimit të vazhdueshëm të vetvetes dhe nga ana tjetër demokratizimi i vetvetes do të mundësojë edhe transferimin gradual të vlerave demokratike të djathta nga ky grupim në shoqëri. Këto vlera do të mund të përcjellin besueshëm te njerëzit, jo vetëm thjesht një politikë rehabilituese, të pendesës, por një politikë shumë më të gjerë, një politikë realisht të djathtë, nën efektin e së cilës të mund të përfshihen shumica e shqiptarëve, duke mbushur përfundimisht dhe me dinjitet boshllëkun politik, që duket sikur të “ha” në pjesën e djathtë të politikës shqiptare.

12 Komente

Nuk e di nese z. Gjogencaj eshte gazetar me diplome apo thjesht i vetquajtur "analist." Pa u fut fare ne brendesi te shkrimit: nese eshte nga ata me diplome, kush eshte ai idiot qe ju jep diplomen ketyre qe s'dine te perdorin paragrafe? A kane ndonje redaktor ky dreq shtypi shqiptar qe te bejne...redaktime?

Besnik Gjongecaj:

Në pjesën e djathtë të balancës politike të spektrit politik ka zënë vend djallëzisht një pragmatizëm vulgar, që si një xhelatinë, me atë veti të neveritshme të ngjitjes, ka tërhequr në çark lloj-lloj tipash, lloj-lloj interesash, lloj-lloj pseudo-programesh, lloj-lloj përfaqësuesish, lloj-lloj profilesh politike, lloj-lloj aventurierësh, lloj-lloj maskarenjsh, lloj-lloj denonciatorësh, lloj-lloj perversësh, që vetëm me të djathtën dhe demokracinë nuk kanë dhe nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje.

Berisha:

Me garancinë se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira, Berisha u shpreh para audiencës së kryetarëve dhe presidentëve të partive simotra evropiane se për shqiptarët vota majtas është votë për krimin dhe korrupsionin.

Cili genjen nga te dy?

Apo qe te dy thone te verteten?

Kur ben pohime te tilla, je genjeshtar i madh apo trim i madh?

E majta apo e djathta eshte kriminale? Apo jane qe te dyja?

Nqs. kane prova, perse nuk i drejtohen prokurorise. Apo edhe prokuroria eshte kriminale?

Cfare ka mbetur ne kete vend qe nuk eshte kriminale?

Apo eshte vecse nje pakice e vogel kriminale qe te krijon pershtypjen e gabuar se ketu gjithcka eshte kriminale?

E majta apo e djathta eshte kriminale? Apo jane qe te dyja?

Nqs. kane prova, perse nuk i drejtohen prokurorise. Apo edhe prokuroria eshte kriminale?

 

Keto pyetje i ke per ndonje dizertacion, a studim te thelle shkencor?

Nqs. do te qartesonte situaten, pse jo?!

"""""Madje, më shumë. Një qeverisje që akoma nuk e di se çfarë ka marrë përsipër të bëjë në ekonomi, ç’drejtim esencial do t’i japë asaj: fabrika çimentoje apo turizëm. Që nuk e di akoma se çfarë ka marrë përsipër të bëjë në arsim, ta shkatërrojë plotësisht sistemin publik, apo të ndërtojë një të vërtetë, jo të gënjeshtërt, jo fals si ky i sotmi, por një tjetër, që të jetë realisht pjesë e hapësirës evropiane. Që nuk e ka të qartë akoma si do ta organizojë më në fund shëndetësinë, ''''''' Marre si pak gjate nga paragrafet e vyer te z. Gjongecaj , por esencialia e esencialeve per te pare ne PASQYRE shemtine e vertete te Berishes ne ngjashmeri te plote me mentalitetin MIXHIST "heu bre burra, po ndertojme Shkypnien" .  Dhe me tere mend per te mos pare as per "paragrafe"  e as per "elitarizem" drejteshkrimor. Nje drejtim bam -bum nga nje grup ham-hum e nxjerre nga nje Parti dum-dum ; nje ambient ku mbizoteron marrezia , hajdutlleku dhe mashtrimi....HIPOKRIZIa e TEJSKAJSHME...inteligjenca idiote ,e paafte dhe e semure mendore qe merret me kritike ndaj  Marksit smiley nuk mund te kete filozofi tjeter drejtimi pervec shpikjes se Komisioneve te Varrim-Zhvarrimeve!Me pak fjale e shume pune ne rreze te Malit hap gropen per vithisjen e Shqiprise perfundimisht ne HARRESE ! A do t'ja harrije ??????

Nese fiton zgjedhejet "Poli i lirise" kush do te behet kryeminister Nard Ndoka,

Dashamir Shehu apo Gilman Bakalli?

1-Nard Ndoka dikur ish bodigard i D Shehut ,me arsim te larte pa shkolle te mesme, ka qarkulluar ne disa parti ,tregetar deputetesh,ministri me i pa suksesshem ne qeverine Berisha percau Partine Demokristiane.

2-Dashamir Shehu nga zv kryeminister ne 92-97 ka qarkulluar ne disa parti

dhe nuk ka arrit te mori mandat per deputet.

3-G Bakalli pa pervoje politike.

A thua do t"ju besoje populli ketyre 3 politikaneve per kryeministra?

Ky eshte Poli i lirise

Me provat qe ka dhene  e e ksperimentet e kryera ne drejtimin e shtetit me SALIUN  e kipet e tij QeReveritare eshte vertetuar KATERCIPERISHT qe ate lloj e fare shteti me emrin Shtet Shqiptar mund ta drejtoje dhe Breglumasi  e Bathoristi me i rendomte .Per ate vend nuk behet fjale dhe nuk eshte problem kush mund ta drejtoje...per ate vend behet fjale " Kush Vjedh me Pak "! 

"...Kështu, para se qeveria të vendosë për taksa të larta apo të ulëta, ajo duhet të qeverisë në mënyrë që të mos vidhen ato..." 

Autori nuk e kupton se pikerisht marrja e pushtetit nga politikane te ndryshem shqiptare, ka te beje me vjedhjen, abuzimin, shperdorimin e taksave te popullit. Ata prandaj jane dhe aty, qe krahas punes qe bejne si qeveritare, te perfitojne nga taksat, te fusin duart ne hambarin e pergjithshem dhe te mburren si drejtues te sukseshem. 

Di gje njeri, a ka ndonje sajt/siti ky Poli i Lirise.

Di gje njeri, a ka ndonje sajt/siti ky Poli i Lirise.

Ka! Po vetem me llafe!

Kur shkon Nardi ke malsurt e vet, i thote: Na do ju hapim sajt juve!

Kur shkon Spartaku ne Lunxheri, ne fshat e babajt u thote: Hapni site se mo u genjen Saliu sic ju genjevi im ate!

Ngjela s'eshte me ne Polin e Lirise

Une u bera shume kurioze per kete Gjongecajn - paska shkruar gjithe keta artikuj te mire. Ka qene minister arsimi nga PD-ja si dhe zv. kryeminister ne qeverine qe doli nga zgjedhjet e 96-es. Doli nga PD-ja ne 97-en.

Keshtu qe mos i jepni shume mend si funksionon politika shqiptare. Me sa po lexoj, eshte perpjekur te mbaje nje distance morale nga 97-a. Pune e veshtire.

Ka nje hendek te madh midis njerezve qe duan te zbulojne skupin dhe atyre qe flasin duke u mbeshtetur mbi disa vlera dhe vizion afatgjate, nje hendek midis fleterrufeisteve dhe mendimtareve. Ne te peshku, ne ne Shqiperi, jemi mesuar kaq shume me ata te paret sa cdo njeri qe mund te duket si nga kategoria tjeter e quajme ose naiv, ose mashtrues. Une nuk e di nese Gjongecaj e ka statutin moral per te qene vizionari yne i rradhes, por kthjelltesine e mendimit e paska te lavderueshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).