Ligji i dosjeve, Gjykata Kushtetuese nuk njeh konfliktin e interesit

Konflikti i interesit nuk ekziston për Gjykatën Kushtetuese dhe kjo argumentohet se ka përparësi mosbllokimi i këtij institucioni. Kështu i është përgjigjur kërkesës së Këshillit të Ministrave Gjykata Kushtetuese që 4 nga gjykatësit e saj të mos shqyrtojnë ligjin e dosjeve, pasi kanë një të kaluar që preket nga ky ligj. Gjykata nisi dje shqyrtimin e ligjit të lustracionit të miratuar nga Kuvendi, ku në një seancë maratonë prej 5 orësh, dëgjoi të gjitha palët. Në fillim nisi shqyrtimi i kërkesës së Këshillit të Ministrave, ku përfaqësuesi Viktor Gumi kërkoi që katër gjykatësit: Vladimir Kristo, Petrit Plloçi, Fehmi Avdiu dhe Kujtim Puto, të mos shqyrtojnë këtë ligj me motivacionin “kanë konflikt interesi, pasi kanë shqyrtuar në të kaluarën çështje dhe kanë marrë vendime në gjyqe politike”.

Kjo kërkesë shkaktoi një nervozizëm tek kryetari i Gjykatës, Vladimir Kristo, i cili kërkoi një pushim për shqyrtimin e saj. Në përfundim të pushimit, u lexua vendimi i cili e rrëzoi këtë kërkesë me argumentimin se cenohet ky institucion. “Në mbështetje të Kushtetutës, Gjykata rrëzoi kërkesën për cenim të paanshmërisë, me argumentin se në raport me bllokimin e institucionit kushtetues, ka përparësi mosbllokimin e institucionit kushtetues”, - tha anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi, i cili lexoi vendimin. Seanca vijoi më tej, ku gjykatësit dëgjuan të gjitha palët të cilat kanë ankimuar këtë ligj. Për afërsisht 5 orë u dëgjuan përfaqësuesit e Kuvendit, të qeverisë dhe Këshillit të Ministrave, që mbronin ligjin si dhe përfaqësuesit e deputetëve të PS-së, Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët kundërshtuan ligjin. Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit deklaruan se ligji është marrë si model nga vendet ku ai është zbatuar, konkretisht Çekia. Sipas tyre, ai nuk prek Kushtetutën dhe kërkuan që Gjykata Kushtetuese të lejojë zbatimin e tij ashtu siç është miratuar me shumicë votash nga Kuvendi. Ndërkohë, përfaqësuesit e PS-së, prokurorëve, Komitetit Shqiptar të Helsinkit deklaruan se ligji prek Kushtetutën dhe kërkuan shfuqizimin e tij. Konkretisht, janë mbi 20 nene të cilat PS-ja i cilëson si antikushtetuese.

Ligji i dosjeve, i miratuar pak muaj më parë nga Kuvendi, shkaktoi një debat të gjerë publik dhe politik. Ndërsa një pjesë e madhe e shoqërisë civile, kryesisht shpresat e ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, kërkuan zbatimin e ligjit, opozita e kundërshtoi ashpër atë. PS-ja e dërgoi në Kushtetuese, e cila vendosi më pas pezullimin e zbatimit të këtij ligji, me argumentimin se priste këshillat nga Komisioni i Venecias. Por në rast se ligji do të kishte marrë rrugën normale të zbatimit të tij, në muajin shkurt do të ngrihej Komisioni i Verifikimit të Figurave, i cili do të shqyrtonte çdo zyrtar që prekte ligji në këtë vend, por edhe kandidatët për deputetë. Në rast se e kaluara e tyre do të ishte me njollë, ata nuk do të lejoheshin të kandidonin, si dhe zyrtarëve në administratë dhe drejtësi, do t’u kërkohej që të largoheshin nga posti i tyre, duke mos u përfshirë në detyra shtetërore në një periudhë 5-vjeçare.
 

1 Komente

Sa i lezetshme vendimi.

Kerkohet qe kryetari me tre shoke  te mos marre pjese ne vendim, per arsye konflikti.

Gjykata vendos se nuk ka konflikt.

Habiten shume vete, pse gjykatesit e kushtetutes mbajne ere te keqe.

Eshte e kollajte pergjigjija.

Jane te dhjere.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).