Kushtetuta dhe produktet politike të saj

Këtë fundjavë, rreth 625.000 qytetarë gjermanë u mblodhën në Berlin për të festuar 60-vjetorin e Kushtetutës gjermane. Për shumicën e qytetarëve gjermanë suksesi dhe forca e sistemit demokratik i dedikohet dokumentit themelor të shtetit.

Me një bilanc tragjik nga Lufta e Dytë Botërore, Kushtetuta synoi të krijojë një sistem të ri politik, të bazuar në liritë individuale, shtetin e së drejtës, demokracinë dhe vlerat europiane.

Pas 60 vjetësh Gjermania është fuqia më e madhe ekonomike dhe politike e Bashkimit Europian, dhe ashtu si SHBA-ja, një vend demokratik dhe inspirues për vende, shtete e kombe të ndryshme në Europë dhe në botë.

E thënë me fjalë më të thjeshta, Kushtetuta nuk solli vetëm demokraci, shtet, zhvillim, prestigj dhe stabilitet demokratik, por edhe krijoi një mentalitet qytetar, civil, tek të gjithë qytetarët dhe shoqëria.

Një shembull ilustrues. Në të njëjtën ditë, pra në 60-vjetorin e Kushtetutës, Parlamenti gjerman dhe përfaqësuesit e landeve rizgjodhën me votim konkurrues Presidentin e Republikës, Horst Köhler.

Presidenti i rizgjedhur doli në shesh për të festuar me qytetarët e tij ditën e Kushtetutës, kurse opozita, votuese kundër Presidentit, menjëherë përshëndeti zgjedhjen dhe deklaroi se "Köhler" ishte dhe është President, me zgjedhjen e tij ai është President i të gjithëve".

Në të njëjtën ditë me festën gjermane të Kushtetutës apo zgjedhjen e Presidentit, në Shqipëri fushata elektorale hyri në shinat e saj zyrtare. KQZ-ja miratoi listat elektorale të kandidatëve, partitë kryesore ose hapën fushatën ose paralajmëruan bojkotin e saj.

Një kontrast zhvillimesh, por ajo që na intereson më shumë në këtë analizë, një kontrast i thellë dhe i dukshëm mentalitetesh, kulturash dhe sjelljesh politike. Imagjinoni që në Tiranë të ftojmë qytetarët për të festuar përvjetorin e Kushtetutës? Sa do të vijnë? A duhet festuar?

A ka arsye për të festuar? Imagjinoni pas zgjedhjeve të 28 qershorit. A do të thotë opozita e ardhshme se pranon zgjedhjet, mazhorancën dhe verdiktin qytetar? A do ta konsiderojnë dy palët fituesin dhe humbësin pjesë të shtetit, pjesë të pjekurisë demokratike?

Sinjalet e deritanishme nuk janë optimiste. Le të marrim Kushtetutën. E hartuam më 1998-ën, opozita e bojkotoi, gjysma e qytetarëve e votuan pa u njohur mirë me nocionet dhe ndryshimet që ajo solli.

Brenda 10 vitesh e kemi ndryshuar pesë herë, jo në terma teknike, por në thelb, në sistemin politik, në sistemin zgjedhor dhe në sistemin e drejtësisë. Kushtetuta gjermane, gjatë 60 vjetëve është ndryshuar 50 herë, por siç thotë kryetari i Gjykatës Kushtetuese gjermane, Hans-Jürgen Papier, asnjëherë nuk janë ndryshuar konceptet dhe parimet thelbësore.

Kryesisht ndryshimet kanë qenë teknike, për shkak të ndryshimeve sociale, politike në Gjermani dhe në raportet e saj me pjesën lindore gjermane apo me botën e jashtme.
Kontrasti tjetër i madh ka të bëjë me produktin kushtetues.

Nëse Kushtetuta gjermane ka arritur suksese dhe 625 mijë qytetarë krenohen vullnetarisht me të, Kushtetuta jonë ende nuk është provuar, ende nuk është shijuar, ende nuk ka dhënë rezultatet e premtuara.

Për shembull, për një qytetar gjerman dhe europian nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa koncepti i shtetit demokratik, i shtetit të së drejtës, i vlerave kombëtare dhe europiane. Kushtetuta jonë këtu nuk është kursyer në terma, por në jetën praktike rezultatet kanë qenë shumë herë zhgënjyese.

Në Gjermani, ish-kancelari Helmut Kohl, simbol i ribashkimit, pavarësisht famës dhe prestigjit, u hetua, u gjykua, u gjet fajtor për një rast korruptiv të shumë viteve më parë.

Në Shqipëri vriten 26 qytetarë në mesin e ditës, ka akte të dukshme publike të korrupsionit, kemi politikanë që kanë kryer e fshehur aksidente me vdekje, kemi njerëz të lidhur ngushtë me dosje të shumta korruptive 19-vjeçare, dhe askush, askush nuk përballet me drejtësinë.

Disa përfitojnë nga imuniteti, disa nga procedurat, disa nga njohjet personale, disa nga rotacioni i pushtetit, disa nga klima publike korruptive dhe, në fund, të gjithë rezultojnë në sondazhe të korruptuar dhe, njëherësh, të gjithë luftëtarë të vendosur kundër korrupsionit?!

Një aspekt tjetër i kontrastit në modelet e shtetit të së drejtës është trajtimi dhe raporti me politikën i institucioneve kushtetuese e ligjore.

Me Kushtetutë sistemi gjyqësor është i pavarur, prokuroria e pavararur, institucionet kushtetuese dhe rregullatore janë të pavarura. Por, në fakt, mjafton të shohim listën elektorale të partive politike për të kuptuar sa fragil dhe formal është kufiri midis pavarësisë dhe varësisë politike.

Në listë bëjnë pjesë prokurorë dhe gjyqtarë, anëtarë të KLD-së dhe të Policisë së Shtetit, avokatë dhe ish-avokatë të shtetit, drejtues të organeve të pavarura të monitorimit të medias dhe të organizatave kryesore të shoqërisë civile, drejtues e ish-drejtues të lartë policie, të ushtrisë, të diplomacisë, të shërbimit sekret, etj.

Vetëm në listën e dy koalicioneve të mëdha janë 54 zyrtarë të lartë të administratës, pjesë e trajtimit me statutin e nëpunësit civil. Ata të gjithë kanë shkelur kontratën morale me ligjin, kanë braktisur statusin jopolitik dhe të pavarësisë, dhe në emër të një vizioni të ri për Shqipërinë në BE, hyjnë në vendet e para të listave partiake.

Ky zhvillim ndodh kur vetë partitë dhe liderit e tyre promovojnë avantazhet e gjithsecilit për shtetin e së drejtës, premtojmë ndarje e balancim të qartë të pushteteve, një administratë të aftë e jopolitike, një shtet ligjor të larguar nga ndikimet politike.

Në Itali, gjyqtari Di Pietro la profesionin dhe hyri në politikë, por ai është i ndërgjegjshëm që nuk ka kthim pas dhe vetë sistemi italian nuk mund ta pranojë rikthimin me kostumin e pavarësisë.

Në Shqipëri shumica kanë qenë një mandat të pavarur, një mandat politik, një tjetër të pavarur dhe përsëri një tjetër politik. Tre nga katër kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, nga 1991-shi, i kemi patur deputetë e funksionarë politikë para së të merrnin detyrën.

E njëjta gjë vlen për katër nga pesë presidentët, katër nga gjashtë kryetarët e shërbimit sekret, dy nga katër shefat e Shtabit të Përgjithshëm, pesë nga 11 anëtarët e KLD-së, si dhe me drejtuesit kryesorë të organizatave të shoqërisë civile, të Prokurorisë së Përgjithshme, të diplomacisë, të medias, dhe sidomos edhe të shoqatave profesionale, siç janë shoqatat e avokatisë, noterisë, të gjyqtarëve, policisë, etj.

Tek ne, edhe pse me ligj, postet e menaxhimit administrativ janë thellësisht profesionale e jopolitike, shohim se të gjithë drejtorët e KESH-it kanë qenë e janë politikanë, ashtu si edhe drejtuesit e arsimit të mesëm, të rektoratit universitar, të Akademisë së Shkencave, të institucioneve të kërkimit, të tatimeve, të doganave, të Hipotekës, deri edhe tek drejtuesit e Ujësjellësit apo të Policisë Ndërtimore e bashkiake.

Shihni një shembull nga sektori shëndetësor: u ndërrua një ministër, u shkarkuan të gjithë drejtuesit qendrorë e lokalë (disa politikë e shumica civil&eumlsmiley dhe të ardhurit e rinj me flamurin e profesionalizmit dhe meritokracisë, faktikisht janë kryesues të listave elektorale të partisë së titullarit në ministri.

E njëjta gjendje është edhe në sektorët e tjerë, e njëjta gjë është lexuar dhe lexohet edhe në listën e kandidatëve të opozitës së sotme, mazhorancë e djeshme.
Qytetarët gjermanë kanë të drejtë të jenë krenarë me Kushtetutën e tyre, me shtetin e tyre, me politikanët zbatues dhe udhëheqës të aspiratave të tyre demokratike.

Kushtetuta jonë është e mirë, duhet të ndjehemi krenarë me të, por kjo krenari mund të jetë kolektive vetëm atëherë kur produkti i saj, shteti, shoqëria, demokracia, sistemi shoqëror e social, do të jenë vullnet i lirë i qytetarëve, në funksion të qytetarëve, përgjegjës e garant për qytetarët.

Deri atëherë jemi të dënuar të mësohemi çdo katër vjet me politikanë që vrapojnë pas pushtetit pa respektuar shtetin, që keqpërdorin shtetin dhe institucionet e tij për qëllime elektorale, që me mungesë të theksuar mirënjohjeje dhe përgjegjësie, mendojnë se liria, demokracia, jeta dhe vetë kombi ynë janë dhuratë e meritë personale e tij.

Gjermanët e kanë kaluar këtë fazë midis viteve '50-të. Edhe francezët e kaluan në vitet '60-të, italianët gjithashtu në vitet '60-të, polakët e hungarezët në vitet '90-të. Tani është radha jonë të reflektojmë, të mos presim ndryshim nga të tjerët, por vetë ne, si individë dhe komunitet, të ndryshojmë sjelljen dhe gjykimin.

Kjo mund të bëhet edhe me votë, përmes votës së lirë, të fshehtë dhe të përgjegjshme për programin më të mirë dhe kandidatët me integritetin më të lartë, apo kur këto mungojnë, përmes votës ndëshkuese për programin më të keq dhe kandidatët më pa integritet. Vota dhe vetëm vota mund të sjellë ndryshime.

Ky është pushteti që na jep Kushtetuta, që na e garanton Kushtetuta, që nuk mund të na cenojë askush, dhe që na bën të besojnë se nuk do të jetë dita e largët kur edhe shqiptarët do të ndjehen krenarë për shtetin dhe Kushtetutën e tyre, dhe pse jo, do të kenë arsye të festojnë përvjetorët e 30, 60 apo të 100-të të Kushtetutës së tyre.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).