Kur fajin na e ka pasqyra

Shkrimtari i madh turk, Azis Nesim, ka edhe një tregim me bukuri rrezelluese, ku bën fjalë për një qytet që u lut për të pasur pasqyra që të regjistronin të gjitha veprimtaritë njerëzore. Lutja iu dëgjua, por doli se pasqyrat kishin regjistruar jo vetëm veprime të mbara ... Dhe qyteti i tmerruar nga bëmat e veta u lëshua me tërbim të thyente pasqyrat.

M‘u kujtua ky tregim i bukur i shkrimtarit të madh, sepse në këtë fushatë të ndezur, ende pa nisur periudha ligjore e fushatës zgjedhore, më duket se po na gjen si qytetin e vogël në tregimin e Nesimit. U jemi lëshuar me tërbim pasqyrave që na tregojnë cenet tona. Madje, po përpiqemi të shmangim dhe pasqyrat që na dërgon bota e qytetëruar - gjithnjë me shqetësimin e saj se mos edhe vetë pasqyrat tona mund të jenë të plasaritura apo të mjegulluara...

Madje, jo vetëm që nuk e fshehim dot frikën nga pasqyrat, por po bëhemi gazi i botës, duke u trembur edhe përpara pasqyrave të kthjellëta që na dërgon bota, ku duam të integrohemi dhe duam t‘i largojmë dhe ato, nëse nuk i thyejmë dot si pasqyrat tona (!)... Po bëhemi gazi i botës kur trembemi edhe përpara pellgjeve me ujë të rrugëve tona me gropa, ku në këtë pranverë të lagësht mund të shohim rastësisht shtrembërimet që na ka lënë në shtat e në shpirt "epoka e lavdishme e socializmit fitimtar", kur mburreshim se ishim kthyer në "fener të kuq të Evropës kapitaliste, të mbarsuar me revizionizëm"...

Po bëhemi gazi i botës kur edhe në këtë prag fushate zgjedhore, kaq të përflakur pa nisur mirë koha e caktuar me ligj për fushatë, po gjëmojnë ekranet e gazetat e sheshet e mitingjeve politike nga rrapëllima e pasqyrave, që thyejnë me tërbim fanatikët e ideologjisë së djeshme totalitare, por tani të kollarisur si "bredha të demokracisë"... Nuk guxon, i shkreti njeri, të hapë kutinë e televizorit as në orët e vona, kur reumatizma të lëpin kockat e të ndjek gjumin. Nuk guxon ta hapësh atë kuti fatkeqe, sepse gjëmon nga thyerja e pasqyrave, e pasqyrave të mallkuara që na tregojnë fytyrën e vërtetë të çitakëve tanë të politikës së tranzicionit-trashëgimi pushteti.

Po na bëjnë gazin e botës fanatikët tanë të ideologjisë totalitare, të lëshuar në politikë natën e ndarjes së partisë mëmë në çeta të një pluralizmi të shpifur, kur u lëshohen halleve-pasqyra të këtij vendi fatkeq dhe i bëjnë thërrime nga frika e shfaqjes së shëmtimit të tyre në ato halle-pasqyra... Pushtetarët tanë, të ideologjizuar që në fëmijërinë e tyre të hershme, duke recituar vjersha për diktatorin dhe duke ëndërruar ta bënin dhe "botën si Shqipërinë Socialiste", na kujtojnë dhe sot se "njeriu i ri" i diktaturës së djeshme paska qenë më tepër se një slogan bajat i propagandës enveriste. Na kujtojnë ato vitet e para të tranzicionit dhe ata ‘Bashkirët‘ e Leninit, që dikur shkatërruan hekurudhat se "i kishte ndërtuar Cari"... Sepse i pamë ‘Bashkirët‘ tanë, të rrënonin me "vrull revolucionar" edhe atë pak ekonomi të mjerë që na la diktatura. Na dalin përpara syve si makth, duke shkulur dhe pllakat e kanaleve ujitëse apo dhe vetë tubacionet e ujësjellësve, duke prerë ullishtat, vreshtat, limonët e portokajtë e mbjellë nga skllevërit e uritur të socializmit "fitimtar", dhe, duke e kryer gjithë këtë batërdi, në emër të "luftës kundër komunizmit" e në emër të "demokracisë"(!)...

Mos vërtet ideologjizimi i shoqërisë sonë kishte arritur në përmasa të tilla që, edhe në emër të demokracisë, të rrafshohej mundimi i dekadave të një populli të tërë? Vallë vërtet e urrenin aq shumë komunizmin komunistët tanë të kthyer në demokratikas brenda natës e në zyrat ë partisë komuniste?... Apo mos duhej kthyer e gjora Shqipëri një shekull prapa në histori? Kujt i prishnin punë vreshtat dhe ullishtat, limonët e portokajtë, apo fushat e vëna nën ujë dhe ato pak fabrika të prapambetura, ku gjenin punën e bukën e përditshme më mijëra qytetarë të këtij vendi? Pse të mos ruheshin të gjitha ato burime ekonomike për t‘u shtuar e modernizuar? Kujt i prishte punë një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë demokratike? Kujt i interesonte që Shqipëria jonë, edhe pas përmbysjes së regjimeve komuniste në mbarë Evropën, të ruante përpsëri bazën ekonomike të sistemit të vjetër komunist? Si mund të pretendohet se paskemi hyrë në një sistem tjetër nga ai i diktaturës së përmbysur, kur prona nuk ka shkuar ende tek i zoti, por i kemi kthyer dhe vetë pronarët e ligjshëm në "ish-pronarë" dhe në pronat e tyre majmen militantët e politikës me gunë të re e me punë të vjetër?

Kemi 18 vjet që bëjmë ligje për të shpikur pronarë të rinj dhe nuk kemi miratuar dot deri më sot asnjë ligj të thjeshtë, që t‘u njohë të drejtën e pronës pronarëve të vërtetë. Kemi 18 vjet që tallemi me të burgosurit e vërtetë të ndërgjegjes, duke i ndarë në njëmijë shoqata, në të shumtën e rasteve me drejtues të emëruar në po ato zyra ku u themeluan dhe partitë politike të pluralizmit tonë të shtirë dhe presim, që nga dita në ditë, t‘i rralloje vdekja për të shpëtuar pushtetin nga detyrimi që ka ndaj tyre çdo shtet shqiptar i mirëfilltë demokratik. Edhe pasi detyrohen nga ndërkombëtarët, pushtetarët tanë miratojnë më në fund një ligj për dëmshpërblimin e kësaj shtrese, por atë nuk e zbatojnë dikasteret përkatëse, madje-madje u kërkohet të burgosuve të mbijetuar të bëjnë ata vetë punën e dikastereve dhe të shpien në zyrat e pushtetit një thes me vërtetime, që janë të gatshme në po ato zyra. E deri më sot e kanë "amenduar" disa herë atë ligj të shkretë, vetëm e vetëm që tallja me të burgosurit e mirëfilltë të ndërgjegjes të jetë sa më e plotë e sa më komuniste.

Pasi e ndanë dhe pasurinë e këtij vendi si ta kishin në të njëjtën tapi me pushtetin, pasi po privatizojnë të gjithë pasurinë kombëtare si ta kishin të babait dhe pa pyetur fare se mund të linin dhe një dorë aksionesh për ata që e kanë vënë me mundime atë, pasi mohojnë edhe çështje kombëtare, si ajo çame, vetëm për ca ditë më shumë në pushtet, pasi i kërkojnë leje edhe për të ngritur flamurin kombëtar një palo kryeplaku shqiptar të vetëshpallur grek, për hir të borderosë së dytë pensionale - kur nuk i janë tharë ende rrënjët e tij në Shullërin e Progonatit - pushtetarët tanë të ideologjizuar kokë e këmbë, na lëshohen një ditë të bukur edhe kundër pasqyrës që na dërgon Evropa për të na mësuar të vjedhim më pak kutitë e zgjedhjeve...

Dhe, me kutin e pushtetarëve tanë lunatikë, na del se fajtore qenka përfaqësuesja e Evropës, që na i zuri me presh në duar pushtetarët tanë deri në atë shkallë verbërie, sa t‘i marrin në sup edhe kutitë e votave. Nuk na paskan fare faj pushtetarët tanë të sëmurë, që i morën kutitë e votave në krahët e policëve me uniformë apo të policisë sekrete të vitit 1996. Fajtorja e vërtetë na qenka përfaqësuesja e nderuar e Evropës, e cila i pa kutitë e votimit të ecnin në krahët e shërbëtorëve të pushtetit dhe të numëroheshin 120% për partinë në pushtet. Si puna e asaj historisë së lopës që ia vodhën fshatarit. Ai që e vodhi është i pafajshëm. Madje, nuk ka aq shumë faj dhe fshatari që nuk e mbylli mirë derën e haurit. Nuk na paskan faj fare ata që e rrënuan si ‘Bashkirët‘ e Leninit dhe atë pak ekonomi që la diktatura. Nuk na paskan faj fare as ata që ngritën piramidat për të mbledhur me një dorë kursimet e shqiptarëve dhe për t‘i vënë edhe një herë tjetër flakën Shqipërisë së vjedhur, në mes të ditës e me licencë zyrtare. E nuk na paskan fare faj as ata që dogjën institucionet dhe rrënuan edhe një herë tjetër shtetin e drobitur, vetëm për t‘iu qasur më pranë pushtetit, as ata që ngritën ‘fabrikën e vdekjes‘ në Gërdec (siç duket, fajin e kanë fëmijët që nuk dinin të çmontonin predhat e rënda)... Nuk na paskën fare faj ata që bënin trafikun e paligjshëm të armëve dhe të fishekëve nga Gërdeci (fajin e kanë gratë që nuk ditën të fshihnin mirë arkat kineze të ambalazhimit), as ata që e shpunë dhe rrugën lidhëse aq të nevojshme me Kosovën nga rreth 460 milionë euro, në thuajse trefishin e kësaj shume (fajin e kanë ata që nuk marrin vesh fare nga "vjedhja patrikotike&quotsmiley... Me një fjalë: Fajin na e ka pasqyra...
 

1 Komente

"...Kujt i interesonte që Shqipëria jonë, edhe pas përmbysjes së regjimeve komuniste në mbarë Evropën, të ruante përpsëri bazën ekonomike të sistemit të vjetër komunist? Si mund të pretendohet se paskemi hyrë në një sistem tjetër nga ai i diktaturës së përmbysur, kur prona nuk ka shkuar ende tek i zoti, por i kemi kthyer dhe vetë pronarët e ligjshëm në "ish-pronarë" dhe në pronat e tyre majmen militantët e politikës me gunë të re e me punë të vjetër?..."

Kujt tjeter perveçse pushtetarve te ketyre 18 vjeteve tranziscion, pushtetare te lidhur me njemij fije me nomeklaturen e regjimit te kaluar.

 

"...Pse të mos ruheshin të gjitha ato burime ekonomike për t‘u shtuar e modernizuar? Kujt i prishte punë një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë demokratike?..."

Pikerisht ketyre pushtetarve te lidhur me te kaluaren. 

 

"...Kemi 18 vjet që tallemi me të burgosurit e vërtetë të ndërgjegjes, duke i ndarë në njëmijë shoqata,..."

Joooo, mos e thuaj ate fjale. Pushteti nuk eshte tallur asnjehere me ish te burgosurit, veç i ka sorrollatur per 18 vjet rresht.  

 

"...Pasi e ndanë dhe pasurinë e këtij vendi si ta kishin në të njëjtën tapi me pushtetin, pasi po privatizojnë të gjithë pasurinë kombëtare si ta kishin të babait dhe pa pyetur fare..." 

Me ate popull te trullosur, te lodhur, te tallur, pushtetaret tane , mire qe s'kane bere dhe me keq.

 

"...pasi i kërkojnë leje edhe për të ngritur flamurin kombëtar një palo kryeplaku shqiptar të vetëshpallur grek, për hir të borderosë së dytë pensionale..." 

Ate borderone e dyte nga greku (ne fakt jane nga EU, por kjo ben sikur nuk e di akoma) qe i thone 300 euro ne muaj, e marrin me qindra shqiptare, qe do te thote se zhvillohet ekonomia greke (sepse blihen produkte importi greke) dhe ekonomia shqiptare, prandaj dhe pushtetaret tane rrine si pula te lagura ndaj atij kryekomunarit.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).