Krizës nuk ka kush t’i shkruajë

Në Shqipëri ka ardhur deri tani debati nëse ka apo jo krizë. Se cilat janë rrugët për përballimin e saj, kjo është një bisedë që “është lënë” të bëhet më vonë. Ndoshta atëhere kur paraja të ketë firuar nga bankat dhe bizenset dhe kur industritë tona të brishta të kenë ulur përfundimisht qepenat. Miopia ekzemplare e politikës shqiptare po del edhe një herë në pah me të gjithë budallëkun dhe cinizmin e saj. Të gjithë merren me çeshtjen e ndarjes së pushtetit të ardhshëm, a thua se ky nuk kalon përmes gjetjes së një përgjigjeje (nëpërmjet një debati publik dhe përplasjes së ofertave) edhe për krizën financiare që ka prekur botën dhe Shqipërinë.

Duket një muhabet i zakonshëm çertifikatash, pasaportash dhe listash zgjedhore, i gjithë ky pazar i shëmtuar politikanësh që sillen rrotull dhe s’dinë të ndërrojnë një herë temën e debatit. Thuajse askush, me përjashtim të ndonjë partie të vogël, nuk ka paraqitur deri tani asnjë formulë, propozim konkret apo, qoftëlarg, ndonjë paketë masash anti-krizë. Megjithëse kjo do të ishte detyra primare, më e rëndësishme dhe prioritare e çdo klase politike, e çdo partie që pretendon pushtetin dhe qeverisjen në një vend.

Fushata e fundit elektorale në Amerikë u zhvillua thuajse e gjitha mbi krizën financiare, e cila shpërtheu në muajt e fundit të mandatit të Xhorxh Bushit dhe kushtëzoi në mënyrë të pashmangshme programet zgjedhore të Obamës dhe Mekkejnit. Nëse e krahason, në një shkallë zvogëlimi proporcional, atë që ndodh sot në fushatën elektorale në Shqipëri, me atë që ndodhte në SHBA, do të vëresh se këtu nuk e ve asnjeri ujin në zjarr për krizën, si një rrezik madhor që mund të rrënojë nesër edhe pushtetin, edhe qeverisjen e ardhshme. Debati publik dhe shqetësimet e partive kryesore prekin lloj-lloj temash, por jo atë që ka të bëjë me ekonominë dhe financat që po fiken dita-ditës. Akuza, komplote, sulme personale gjithfarësh, mungesë totale etike dhe sensi vetëpërmbajtjeje – ja çfarë na rezervon kjo fushatë e varfër në ide dhe e pasur në sherre. I ndjekim të gjitha fjalimet e klonuara të politikanëve kryesorë, pa mundur të kuptojmë se cilat janë planet e tyre për të frenuar krizën e kredive, pakësimin e parasë në qarkullim dhe prekjen e ekonomisë reale nga kriza financiare. Ndërtimi, fasonet dhe tregëtia po vuajnë efektet e tkurrjes së kërkesës dhe uljes së fuqisë blerëse. Dyqanet janë përherë e më bosh. Jo nga mallrat, por nga klientët, të cilët kanë rrudhur dorën dhe po i rujanë paratë për një moment tjetër. Kjo situatë kërkon një përgjigje, e cila s’mund të vijë veçse nga klasa politike, si bartësja e sovranitetit të popullit dhe drejtuesja e shtetit. Është koha për të folur për krizën ekonomike, ndoshta po aq sa edhe për kartat e indentitetit dhe listat e zgjedhësve. Sepse një fitore e zgjedhjeve në këto kushte, kushdo që të jetë fatlumi, qoftë Berisha, qoftë Rama, ka shumë mundësi t’i ngjajë një fitoreje të Pirros, që nuk i hyn në punë askujt. Jeta do të vazhdojë edhe pas 28 qershorit. Dhe që të vazhdojë, ka nevojë të hajë, të vishet dhe të shkojë në punë!

2 Komente

Nuk ka me bithe Shqiptari te rrezoje qeveri. Sic pat thene dikur Eqerem beu i Vlorajve: kush kishte mundesi emigroi, te fortet dolen maleve, te tjeret ishin syleshe *parafrazim i imismiley* 1 milione emigrante, 100,000 'trima' mbajne me buke 3 milione syleshe

Nëse e krahason, në një shkallë zvogëlimi proporcional, atë që ndodh sot në fushatën elektorale në Shqipëri, me atë që ndodhte në SHBA, do të vëresh se këtu nuk e ve asnjeri ujin në zjarr për krizën, si një rrezik madhor që mund të rrënojë nesër edhe pushtetin, edhe qeverisjen e ardhshme.

 

lexova titullin dhe fjaline e pare...

ka te drejte autori, nuk ka kush t'i shkruaje krizes... jane te tere analfabete..perfshi autorin

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).