Komunikimi i përgjegjshëm

Sot është Dita Botërore e Komunikimit Shoqëror. Komunikimi, i konceptuar si një proces që nuk mundet kurrsesi të ndodhë jashtë një shoqërie të caktuar dhe pa marrë parasysh karakteristikat e saj.

Komunikimi, jo si një fenomen i pavarur dhe rastësor, por si një proces i ndërthurur ngushtë me të gjithë aspektet përbërëse të një shoqërie, sikurse ai ekonomik, politik, social, artistik dhe shkencor.

Të gjitha këto, të marra së bashku dhe të gërshetuara në mënyre harmonike, janë elementet përbërës të sfidës së re, që është epoka e globalizimit. Në këtë kontekst, tema e identitetit është edhe më e rrahura.

Përbri saj qëndrojnë tema po aq të rëndësishme, si ajo shumëllojshmërisë së kulturave, çështjeve gjinore, shumëllojshmërisë së etnive, dialogut ndërfetar. Përcjellja e këtyre temave thërret në skenë, pashmangshmërisht mjetet të komunikimit.

Edhe tema e këtij viti, e zgjedhur për Ditën Botërore të Komunikimit Shoqëror, është "Teknologji të reja, marrëdhënie të reja. Të promovojmë kulturën e respektit, dialogut dhe miqësisë".

Papa Ratzinger, në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimit Shoqëror, thekson faktin se si dëshira për t'u lidhur dhe instinkti për të komunikuar janë një shfaqje natyrale e dëshirës së njerëzve për të tejkaluar vetveten, për të parë përtej vetvetes dhe për të hyrë në kontakt me të tjerët.

Komunikimi është dhuratë dhe, si e tillë, duhet të shërbejë për të lidhur komunitetet e vogla me ata më të numërta, për të mbërritur mbarë njerëzimin.

Sepse vënia në qendër e individit të vetëm, në shoqërinë tonë, shpeshherë dëmton përpjekjet për të qenë të vëmendshëm kundrejt të tjerëve dhe për t'u përkujdesur për ta. Sidomos për më të dobëtit e shoqërisë.

Lévinas shkruan se, të komunikosh do të thotë "...ta kthesh botën në një vend të përbashkët". Kështu, komunikimi i largohet "unit" për t'u reflektuar tek një "ti", që është tjetri, i ndryshmi prej nesh. Komunikimi është projektim tek tjetri dhe pranim i tjetrit si të ndryshëm prej nesh.

Ky pranim i tjetrit hap edhe horizonte të reja komunikimi; përfshirë këtu edhe trajtimin e çështjes se identitetit nga ana komunikative. Identiteti ynë nuk mund të marrë vlerë duke përjashtuar identitetit e tjetrit.

Është pikërisht nga përballimi i identiteteve që bëhen edhe më të kuptueshme karakteristikat dalluese të njërës palë apo tjetër. Karakteristika këto që mund të investohen për të krijuar hapësira të përbashkëta për bashkëndarjen e komunikimit.

Hapësirat e përbashkëta, detyrimisht thërrasin domosdoshmërinë e komunikimit të përgjegjshëm.

Në një botë, në një komunitet ku përkatësitë kulturore, etnike, gjinore, fetare nuk janë të njësueshme, sigurisht rruga e vetme është bashkëpunimi dhe përpjekja për të bashkëndarë vlera në të komunikuar.

Shumë e rëndësishme është edhe përpjekja për të vlerësuar e njohur veçantinë e gjithsecilit, në lidhje me identitetin kulturor, gjinor e fetar.

Komunikimi sot nuk mund të kuptohet veçmas mjeteve që e përcjellin, që janë mediat tradicionale apo të reja. Ndër këta, më i rëndësishmi televizioni, i cili me një përpjekje të lavdërueshme duhet të tejkalojë natyrën e tij imponuese, të njëtrajtshme, duke inkurajuar lidhje dhe ndërmjetësim.

Televizioni duhet të shkëputet nga rrethet e pavirtytshme, që gllabërojnë personalitete të paformuara mirë. Përkundrazi, duhet të paraqesë mënyra jetese që i mëshojnë jetës si dhuratë, gëzimit të gjërave të thjeshta, por me thelb.

Prindër - shkollë - media, potencialisht janë një trekëndësh suksesi për bashkëdukimin e të rinjve. Kështu, këta nuk do të humbasin në vetminë e hapësirave virtuale, atje ku miqtë kërkohen më shumë pikërisht edhe sepse çdo lidhje është sipërfaqësore e mund të shkëputet e rimerret pa asnjë farë angazhimi, sidomos emotiv.

Është e rëndësisë parësore që mediat, në veçanti TV-të, të paraqesin modele dhe mënyra jetese, që të mund të ndikojnë pozitivisht dhe të jenë linja udhëzuese në formimin e personalitetit.

Do të ishte me shumë vlerë inkurajimi i kanaleve televizive të tematizuara, që të mund të shfaqin, me një gjuhë të përshtatshme, përmbajtje edukuese.
Sot kemi për media që të flasin për solidaritetin, barazinë, pjesëmarrjen demokratike, lirinë e fjalës, të drejtat, qytetarinë aktive, të ndryshmen.

Sot, mediat, theksoj përsëri, në radhë të parë televizioni, duhet të na flasë për shoqërinë; jo vetëm ashtu siç është, por edhe si do të donim të ishte. Ndoshta kështu, dëshira për të ndërtuar një botë më të mirë, do të gjente terrenin e përshtatshëm për t'u realizuar.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe krijimi i hapësirave për zërat e ndryshëm. T'u jepet zë atyre që zë nuk kanë, jo se nuk duan, por sepse janë më të dobëtit e shoqërisë.

Të angazhohemi për të shkurtuar atë që sot shqetëson dhe mban peng botën, edhe botën tonë të vogël brenda kufijve: ndarja numerike mes të pasurish e të varfërish në bazë të aksesit që kanë në informacion.

Kjo padrejtësi bëhet edhe më e padurueshme kur pretendimi për të mohuar këtë hendek bëhet edhe më këmbëngulës. Mosha e internetit në Shqipëri, është një moshë akoma e re, e njomë, e brishtë, e pasigurt në hapat e parë.

Një moshë, së cilës jo të gjithë mund t'i gëzohen. Sepse nëse sot Shqipëria po përjeton vitet e para të moshës së internetit, vendet e tjera evropiane, për nga ana e përdorimit të teknologjive të reja (përtej atyre tradicionale) janë në epokën e artë të zhvillimit të tyre.

Por, teknologjitë, që sot duket sikur kanë kapërcyer e tejkaluar çdo gjë, nuk mundet dhe nuk duhet kurrë të tejkalojnë njeriun, që është në qendër. Çdo zhvillim teknologjik, për të qenë sa më frytdhënës pozitivisht dhe për të mos rrezikuar të bëhet monstruoz, ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm.

Për njerëz që të na shoqërojnë, të na drejtojnë drejt disa të mirave të përbashkëta, duke braktisur atë izolimin për shkak të kërkimit të dëshpëruar të mirëqenies vetjake, pa marrë parasysh asnjëfarë lidhjeje me grupin, me bashkësinë.

Duhet të mundësojmë hapësira ku të mund të rindërtojmë një terren të përshtatshëm për të komunikuar të bukurën, të vlefshmen, kritiken.

Mediat munden akoma të marrin veten në dorë dhe të mos ngelen skllevër të shifrave të dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë, por të bëhen përcjëllës të vlerës më të çmuar: objektivitetit.

Sepse përpjekja për t'iu përgjigjur me çdo kusht logjikës së dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë, nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje dembele dhe dritëshkurtër, por me efekte afatgjatë të paparashikueshëm.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).