Klandestinët me viza false, 15 studentë dëshmi në Prokurori

Një prokuror i Njësisë Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit filloi dje në Prokurorinë e Tiranës procesin e marrjes në pyetje të 167 personave që ndodheshin në tragetin "Venezia", i cili u bllokua për katër ditë në Trieste të Italisë. Mbi 15 studentë që ndodheshin në grupin e udhëtarëve të bllokuar pas anulimit të vizave, u paraqitën dje në Prokurorinë e Tiranës në cilësinë e dëshmitarëve të hetimit. Tri ditë më parë, Prokuroria urdhëroi arrestimin e administratores që organizoi udhëtimin e rremë turistik, duke futur si studentë në listën e udhëtarëve persona që nuk e kishin këtë cilësi. Iris Çekani, 37 vjeçe, administratore e agjencisë së udhëtimit "Mar-Est" u arrestua bashkë me Valter Marashin, student i vitit të tretë dega juridik në një universitet privat në Tiranë. Në grupin e udhëtarëve ndërkaq ndodhej edhe një person në kërkim, M. Merkoçi, i cili u zbulua dhe ra në pranga që në momentin e kalimit në Durrës. Prokuroria tha se ka gjetur elementë të "korrupsionit në sektorin privat", "falsifikimit të dokumenteve" dhe "mashtrimit" në veprimet e kryera nga drejtoresha e agjencisë turistike. Duke përdorur vërtetime false, ajo dyshohet se ka futur në listën e udhëtarëve edhe persona që nuk ishin studentë, por që mirëfilli ishin të interesuar të kalonin si klandestinë në vendet e BE-së. Përmes falsifikimit të vërtetimeve sikur ata ishin studentë, agjencia e udhëtimeve "Mar-Est" në bashkëpunim me studentin Valter Marashi besohet se kanë marrë rreth 3500 euro nga personat që nuk ishin studentë, por që hynë si të tillë në listën e udhëtarëve. Duke mashtruar me pretendimin se ishin studentë, emrat e tyre iu dërguan ambasadës hungareze në Tiranë, e cila fillimisht i dha të gjithëve viza Shengen, turistike me afat 7-ditor. Vizat u anuluan menjëherë më pas sapo pronarët e hotelit në Slloveni, lajmëruan se udhëtarët e kishin anuluar rezervimin e fjetjes aty. Në fakt rezervimi ishte bërë formalisht nga agjencia vetëm me qëllim paraqitjen e dokumentit për marrjen e vizave në ambasadë, por më pas pagesa për qëndrimin në hotel nuk ishte kryer. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e agjencisë kanë lajmëruar hotelin të anulonte rezervimin. Rreth 15 studentë që u paraqitën dje në Prokurorinë e Tiranës, janë marrë në pyetje nga prokurori i Njësisë Task-Force për mënyrën si kanë hyrë në kontakt me agjencinë e udhëtimeve "Mar-Est".
Bllokohet agjencia
Zyrat e agjencisë "Mar-Est" te rruga "Mine Peza", e cila organizoi udhëtimin e studentëve, ishin mbyllur dje. Burime nga Prokuroria thanë se zyrat e agjencisë u bllokuan me qëllim marrjen e dokumenteve dhe provave të tjera që mund të hedhin dritë mbi veprat penale të kryera nga administratorja e arrestuar Iris Çekani. Rreth 15 studentë të thirrur si dëshmitarë dje në mesditë kanë dhënë sqarime në prokurori për procedurat që kanë ndjekur në aplikimet për vizë. Atyre u janë bërë pyetje nëse agjencia ka kërkuar ryshfet për përfshirjen e emrave në listën e pjesëmarrësve në "udhëtimin turistik". Prokuroria ka sekuestruar ndërkohë të gjithë praktikën e dokumenteve të udhëtimit. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se dokumentet e 53 personave janë dërguar për ekspertizë, pasi vërtetimet e tyre si studentë dyshohet se janë të falsifikuara. Derisa përgjigjet e ekspertimeve të dokumenteve të mbërrijnë, hetuesit thanë se do të vazhdojnë me radhë pyetjen e 167 personave që u mbajtën katër ditë të bllokuar në tragetin "Venezia". 

"Vizat janë anuluar pas dyshimeve"
TIRANE - Me anë të një deklarate për median, ambasada hungareze në Tiranë ka sqaruar se anulimi i vizave për 167 udhëtarët e tragetit "Venezia" është bërë pas dyshimeve për manipulimin e dokumenteve. Në aplikimet për marrje vize, agjencia "Mar-Est" kishte paraqitur edhe vërtetimin e rezervimeve në hotelin ku do të qëndronin udhëtarët në Slloveni. Por një ditë pasi ka marrë vizat e udhëtarëve, agjencia ka lajmëruar anulimin e rezervimit në hotel. Menjëherë pas këtij informacioni, kur udhëtarët ishin nisur nga Durrësi me tragetin "Venezia", ambasada i ka anuluar të gjitha vizat e dhëna. Për këtë është lajmëruar edhe policia kufitare italiane, e cila është urdhëruar t'u ndalojë udhëtarëve zbritjen në tokën italiane. Për këtë shkak 167 persona mbetën të bllokuar në traget për katër ditë dhe më pas u kthyen mbrapsht në Shqipëri. Skandali u pasqyrua gjerësisht nga media italiane. Policia e Triestes mori në pyetje disa nga udhëtarët që deklaruan se do shkonin në Francë dhe në Spanjë, vende që nuk ishin në guidën e udhëtimit të parashikuar.                     

2 Komente

Muhabet trafiku vizash. Gjynah se i prishen udhetimin te tjereve.

Edhe nje gje. Pas ketij SKANDALI TE TMERRSHEM QEVERITAR, une propozoj qe ministri i Arsimit, Genc Pollo, te jape urgjentisht doreheqjen. Qeveria duhet ti rimbursoje studentet per leket e tragetit, dhe gjithashtu te marre persiper te paguaje nje udhetim tjeter e 4 net ne hotel. Pas kesaj kryeministri duhet te vije ne Parlament e te shpjegoje lidhjet qe nipçja i vet ka me vellain e vogel te njerit prej te dyshuarve. E pastaj te kerkoje falje publike.

Ndjekin reagimi i opozites dhe nje editorial i zjarrte i shkruar bashkarisht nga Kiço Blushi e Mustafa Nano. Prokuroria po heton.

bej humor i hunter se ca s'po shpikin shqipetaret e shkrete per te ikur. nuk e di ca do ndodhi nese komandanti do liberalizoje vizat....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).