Kjo eshte koha jone dhe ne do te fitojme sepse Shqiperia nuk mund te humbase

Fjala e Kryetarit te PS Edi Rama ne hapjen e fushates

Sonte dua t’ju them pse jam këtu dhe pse dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë.

Por lejomëni më parë t’u përulem me mirënjohje atyre dhjetëra mijëra njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, nga Tropoja në Konispol, që më bënë pjesë të shpresave e të vuajtjeve të tyre gjatë udhëtimit më të jashtëzakonshëm të jetës sime.

Ky udhëtim, që më çoi në çdo anë e kthinë të Shqipërisë që nuk duket nga kutia e televizorit, i ka dhënë dashurisë sime për vendin një përmasë tjetër dhe ka ndikuar qenësisht në vendimet e në zgjedhjet e mia si kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve.

Në sytë e mi, Shqipëria e librave të historisë, e luftërave për identitet e pavarësi, e poemave romantike dhe letrave të ndaluara, Shqipëria e heronjve të luftës dhe e martirëve të diktaturës, Shqipëria e lagjes ku linda, e shkollës ku mësova të shkruaj emrin e saj, e shokëve të fëmijërisë, e dashurisë së parë, Shqipëria me det e anije arratie, Shqipëria e ëndërruar si gjithë Europa që më nxori në rrugë për të rrëzuar komunizmin dhe më futi në politikë për të ngritur ura drejt Europës, sot është zgjeruar me një hapësirë të pafundme njerëzish, zemrash, mendjesh, sysh, zërash, veriorë, jugorë, të moshuar, të rinj, burra, gra, në qytet, në fushë, në mal, që janë bërë pjesë e qenies sime dhe më ushqejnë në çdo hap dashuri e dhimbje për vendin ku bashkërisht jetojmë.

Udhëtimi në këtë hapësirë ku merr frymë me zor Shqipëria e shqiptarëve që ëndërrojnë, dashurohen, lindin fëmijë, rropaten për t’i rritur duke investuar tek ta kursimet dhe ëndrrat e tyre të parealizuara, japin e marrin mes njëmijë hallesh e vështirësish të pashoqe në pritje të vazhdueshme të një ndryshimi të madh, më ka rrënjosur bindjen se ndryshimi që njerëzit kërkojnë s’mund të ndodhë pa ndryshuar politikën. Kjo bindje dhe nevojë e kudondodhur për ndryshim më ka shtyrë në rrugën e politikës së re.

Ndryshimi që njerëzit kërkojnë s’mund të ndodhë pa shembur muret që politika e vjetër e mërive dhe hasmërive ka ngritur mes tyre, duke u dhënë përditë arsye për t’u ndarë e grindur me njëri-tjetrin si të majtë e të djathtë, pa mundur t’u japë zgjidhje për probleme që po njësoj i vuajnë të gjithë bashkë, të majtët e të djathtët. Kjo bindje dhe nevojë jetike për ndryshim më ka çuar përtej të majtës e të djathtës.

Ndryshimi që njerëzit kërkojnë s’mund të ndodhë pa gjetur arsyet dhe forcën për të mos iu nënshtruar rregullave të lojës së vjetër të akuzave, shpifjeve e fyerjeve, për të mos iu përgjigjur baltës me baltë e mllefit me mllef, për të mos e lënë veten peng në një lojë që prej 18 vjetësh e luajnë vetëm politikanët, por e paguajnë vetëm qytetarët. Kjo bindje dhe nevojë historike për ndryshim më ka sjellë sonte këtu, për t’ju thënë se dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë që loja e vjetër të mbarojë, që balta e politikës së vjetër të shterojë dhe që një politikë e re e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit të ndryshojë më në fund  qeverisjen dhe jetën e këtij vendi.

Dialogu me Shqipërinë e njerëzve të zakonshëm më çoi larg, tek kuptimi fillestar, qysh nga antikiteti, i politikës si mjeti për të zgjidhur së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhim dot kurrë. Një prind i varfër nuk e zgjidh dot vetëm problemin e librave të shkollës së fëmijës së tij, një nënë e re nuk e zgjidh dot vetëm problemin e mospërfitimit nga barrëlindja për shkak të varfërisë, një mësuese e një mjek nuk e zgjidhin dot vetëm problemin e kushteve jashtëzakonisht të vështira ku duhet të kryejnë shërbimin e tyre ndaj shoqërisë, një bujk, një fermer, një peshkatar, nuk e zgjidhin dot vetëm problemin e pasigurisë skajore të punës e të prodhimit të tyre, të moshuarit nuk e zgjidhin dot vetëm problemin e kostos marramendëse të ilaçeve që duhen për të jetuar dhe ushqimeve që duhen për të mbijetuar. Askush nuk zgjidh dot vetëm probleme të përbashkëta.

Ja pse ka lindur politika.

Ja pse duhet që politika në Shqipëri të ndryshojë rrënjësisht.

Ja pse është misioni ynë që së bashku t’u japim njerëzve një politikë të re që ka përmasën e ëndrrave, shpresave dhe nevojave të tyre, duke e nxjerrë politikën nga llogoret ku prej 18 vjetësh politikanët gjuajnë me baltë njëri-tjetrin në emrin e interesave të njerëzve dhe bëjnë në fakt vetëm lojën e interesave të tyre.

Kujt thotë se kjo betejë mes të ardhmes e së shkuarës fitohet vetëm me mjetet e së shkuarës, prandaj duhet të nxjerrim dhëmbët e të ngremë zërin në kupë të qiellit për ta mposhtur kundërshtarin, sepse shqiptarët shkojnë pas më të fortit, unë i përgjigjem jo, sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa të njëjtën luftë të vjetër gjelash që kacafyten me njëri-tjetrin. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa një politikan që fiton mbi një tjetër politikan në garën e ulët të denigrimit mes njëri-tjetrit. Sot shqiptarët meritojnë më shumë sesa thjesht një tjetër ndryshim të qeverisë nga një krah në tjetrin. Sot shqiptarët meritojnë një politikë që të ketë zemër për të ndjerë dhimbjet e tyre, veshë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, sy për të parë ëndrrat e tyre, vizion, forcë e këmbëngulje për t’i hapur rrugë shpresave të tyre, pasion e vullnet për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e Shqipërisë.

Prandaj unë jam sonte këtu.

Prandaj kam vendosur t’u drejtohem shqiptarëve, jo t’u kthehem kundërshtarëve.

Prandaj kam zgjedhur të flas me njerëzit dhe për njerëzit, duke u’a thënë hapur atë që kam në zemër e në mendje.
 

Motra e vëllezër në të gjithë Shqipërinë,

Lejomëni t’ju them se pas 30 ditësh ju do të zgjidhni mes një historie të vjetër, që të tjerët do ta shkruajnë për ju edhe katër vjet të tjera, pa ndryshuar asgjë nga cfarë keni parë deri më sot, dhe fillimit të një historie të re, që ne mund ta shkruajmë së bashku në katër vitet e ardhshme, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën sesi janë bërë gjërat në gjithë këto vite dhe duke transformuar nga rrënjët politikën e qeverisjen e këtij vendi.

18 vjet më parë në këtë qytet të vogël studentësh doli nga kraharori i një populli të tërë një thirrje e madhe sa një ëndërr, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Është ëndrra që më nxori edhe mua në rrugë atëherë dhe që sonte më ka sjellë përsëri këtu, për t’ju thënë se pas 30 ditësh dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë tek ju, dua ta çoj në çdo qytet e çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja.

Më ka sjellë përsëri këtu jo vetëm dashuria e dhimbja për vendin e të parëve e të fëmijëve tanë, jo vetëm fuqia e parafytyrimit për gjithë ato gjëra të mira që mund të bëjmë për Shqipërinë e për njëri-tjetrin, por dhe forca e besimit që më ka krijuar në këto vite shembulli kuptimplotë i transformimit të Tiranës, si edhe mundësitë e jashtëzakonshme që shoh për ta thelluar këtë transformim në kryeqytet dhe për ta rrezatuar atë kudo nëpër Shqipëri, përmes një qeverie kombëtare me vizion modern e vullnet të ri.

Kryeqytetasit që prej tetë vjetësh jetojnë me ndryshimin e madh të Tiranës, duan dhe meritojnë një ndryshim edhe më të shpejtë e më të thellë të kryeqytetit. Për t’ua dhënë këtë ndryshim, duke bërë për Tiranën në katër vitet e ardhshme më shumë se në këto tetë vjet të marra së bashku, unë u kërkoj atyre votën për kryeministër në 28 qershor.

Ndërsa të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që e  duan Shqipërinë, qytetin e fshatin e tyre, të ndryshojë siç ka ndryshuar Tirana në këto vite suksesi, u them se jam sonte këtu për të bërë të mundura bashkë me ta gjëra që duken të pamundura, për të shëruar bashkë me ta plagë që duken të pashërueshme, për të arritur bashkë me ta stacione që duken të paarritshme, për ta bërë së bashku Shqipërinë si gjithë Europa.

Unë jam sonte këtu sepse s’ka arsye që Shqipëria të mos jetë në Bashkimin Europian dhe që çdo shqiptar e shqiptare të mos lëvizë lirisht në Europën që prej 18 vjetësh mbetet një ëndërr e ndaluar për plot ndër ne. Me fitoren e 28 qershorit ne do të fitojmë për çdonjërin nga ne, pa asnjë dallim, lirinë e lëvizjes pa viza në të gjithë Europën.

Ne të gjithë jemi sonte këtu sepse s’ka arsye që Shqipëria të vazhdojë të jetë pa shtet të të gjithëve, pa abetare për të gjithë fëmijët, pa kujdes shëndetësor për të gjithë të sëmurët, pa mbështetje për të gjithë bujqit e fermerët, pa mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e qytetaret e saj, kudo ku jetojnë, në qytet a në fshat.

Unë jam sonte këtu jo për të zhvilluar një fushatë dhe për të fituar një palë zgjedhje, pas të cilave Shqipëria të shohë të njëjtën shfaqje e të dëgjojë të njëjtin avaz të vjetër në qeverisjen e vendit, po për të udhëhequr një ndryshim të ri historik, duke e cuar qeverinë pranë njerëzve dhe bashkuar forcat me ta për të mundur varfërinë, luftuar papunësinë, zmbrapsur injorancën, mposhtur korrupsionin.

Ne të gjithë jemi sonte këtu sepse besojmë tek Shqipëria, besojmë tek talenti dhe forca e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, besojmë tek njëri-tjetri dhe tek vullneti ynë i përbashkët për t’i dhënë jetë një politike të re të ndryshimit.

S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa pa transformuar tërësisht fshatin shqiptar, duke ndryshuar rrënjësisht konceptin e zhvillimit të hapësirës rurale dhe duke ndërtuar një aleance strategjike mes bujkut e fermerit shqiptar dhe shtetit të tij.

Ashtu sic kemi shkuar fshat më fshat në këto vite, për të dëgjuar zërin e atyre qindramijëra bujqve e fermerëve që mbijetojnë vetëm me fuqinë e mendjes e të krahëve të tyre, ne do të jemi pranë tyre pas 30 ditësh për ta bashkëqeverisur fshatin me bujqit e fermerët në kuptimin më të plotë të fjalës.

S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa me një fshat shqiptar që përpëlitet si në mesjetë. S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa me bujq e fermerë pa certifikatën e pronësisë mbi tokën. S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa me bujq, fermerë e peshkatarë pa shtetin pranë për të ulur kostot e prodhimit dhe garantuar infrastrukturën e tregut të shitjes së tij. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh t’i japim fshatit një ministri të posaçme, t’i japim bujqësisë dyfishin e buxhetit, t’i japim çdo bujku e fermeri certifikatën e pronësisë mbi tokën, t’i japim shtetin në krah të gjithë atyre që prodhojnë ushqim dhe t’i japim fund Shqipërisë së kequshqyer kudo ku ajo ekziston.

S’mund të ketë në Shqipërinë si gjithë Europa familje që mbijetojnë në fshat pa ndihmën e shtetit, duke filluar nga nënat e reja. Të cilat,  në më shumë se 50% të rasteve, kthehen pak ditë pas lindjes në arë për të ndjekur parmendën që të ushqejnë familjen e foshnjën, sepse nuk përfitojnë nga barrëlindja për shkak të varfërisë. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh çdo nënë e re që sjell gëzimin e lindjes së një fëmije në një familje të varfër, të përfitojë nga barrëlindja njësoj siç çdo grua tjetër në këtë vend, duke gëzuar mbështetjen tonë gjatë gjithë vitit të lejes së lindjes. Sepse Shqipëria si gjithë Europa s’mund të jetë nënë për gjysmën e të porsalindurve të saj dhe njerkë për gjysmën tjetër.

S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa pa transformuar tërësisht shëndetësinë shqiptare duke ndryshuar rrënjësisht, nga themelet, sistemin shëndetësor shqiptar.

S’mund të ketë në Shqipërinë si gjithë Europa 1/5-ën e territorit të vendit pa këmbë mjeku e infermieri dhe pa asnjë lloj pike shërbimi shëndetësor, ndërkohë që në pjesën më të madhe të hapësirës rurale ky shërbim ekziston vetëm në listëpagesa mjekësh që duken vetëm për të marrë rrogën. Janë mbi 40% qytetarët shqiptarë që nuk janë të mbuluar nga sigurimet për shkak të varfërisë dhe që në rast nevoje u duhet ose të paguajnë nën dorë ose të vdesin kur s’kanë të paguajnë.  Dhe janë mjekët e infermierët, që padrejtësisht, janë vënë në shënjestër si fajtorët për një gjendje alarmante që prej 18 vjetësh nuk alarmon politikën, po vetëm të sëmurët e familjarët e tyre.

Ja pse jemi këtu sonte.

Që pas 30 ditësh të themelojmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar mbi parimin e shërbimi shëndetësor universal. Jo më sigurime shëndetësore, po financim publik i shëndetësisë sipas një modeli të suksesshëm e gjithnjë e më të përhapur europian. Mjekët, infermierët dhe njerëzit e sistemit shëndetësor do të jenë aleatët tanë. Së bashku do t’i japim jetë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe çdo shqiptari e shqiptareje akses të barabartë në këtë shërbim, pavarësisht nëse është i pasur apo i varfër, nga qyteti apo nga fshati. Sepse në Shqipërinë si gjithë Europa shërbimi shëndetësor duhet të jetë detyrimi parësor i shtetit ndaj çdo qytetari dhe spitalet duhet të jenë jo vetëm vendet ku kurohen të sëmurët, po edhe hapësira ku shfaqet solidariteti i shoqërisë sonë.

Mbi Shqipërinë si gjithë Europa nuk mund të zgjatet më tej hija e turpshme e analfabetizmit. Numri i fëmijëve në moshën e arsimit të detyrueshëm që nuk dinë shkrim e këndim është sot më i larti i gjithë viteve të tranzicionit, ndërkohë që rreth 12% e popullsisë mbi 15 vjeç identifikohet si analfabete. Ja pse jemi këtu sonte. Që pas 30 ditësh ta shpallim armik e ta luftojmë me një forcë të pashoqe analfabetizmin. Që me mësuesit e prindërit  të ndërtojmë një aleancë të vendosur për një Shqipëri që shkon në shkollë si gjithë Europa dhe t’i japim fund 18 vjetëve kaos e anarki në programet mësimore të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të përgjithshëm, duke i njehsuar ato me një model europian të përafruar, si edhe duke punuar ngushtësisht me qeverinë e Kosovës për të pasur e zhvilluar të njëjtin model në gjithë trevën shqiptare.

Ne do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona  hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për fëmijën nxënës apo student, jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, po duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj.

Për universitetet tona, publike apo private, do të fillojë epoka e re e akreditimit përmes një sistemi të pavarur.  Ne s’do të mbyllim asnjë universitet, po cdo universiteti, ashtu si në gjithë Europën, do t’i duhet ta sigurojë ekzistencën e tij në fushën e konkurrencës e të meritës mbi bazën e rezultateve e të standardeve të akreditimit dhe jo më përmes kanaleve të korrupsionit e të klientelizmit qeveritar.

S’mund të ketë Shqipëri si gjithë Europa pa transformuar tërësisht marrëdhëniet tona me një mjedis ku shteti ka braktisur detyrën, ku atdheu ka mbetur në mëshirën e fatit dhe nën goditjen sistematike të një barbarie që i ka rrënjët në keqqeverisjen e vendit dhe stimulohet nga korrupsioni i gjithëpushtetshëm.

Ja pse jemi këtu sonte.

Që pas 30 ditësh të fillojmë pastrimin e  Shqipërisë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët kombëtare e nga mbeturinat urbane të hedhura kuturu ngado hedh sytë dhe të rimarrim kontrollin e territorit të atdheut tonë të përbashkët. Shqipëria e mbi dhjetë policive që veprojnë tërësisht të çakorduara dhe e stimulojnë në vend që ta frenojnë kaosin e veprimtarisë së paligjshme në territor, do të mbarojë pas 30 ditësh, kur do të fillojë ristrukturimi i krejt forcës policore. Jo më policira të shumëllojshme, po një polici e vetme, Policia e Shtetit Shqiptar. E cila do t’i përgjigjet në mënyrën më shembullore sfidës së vendosjes së ligjit në të gjithë territorin, duke u angazhuar krah për krah me qytetarët për të mbrojtur jo vetëm jetën e tyre nga krimi e nga aksidentet e shmangshme, po edhe këtë pasuri të përbashkët që quhet Shqipëri e që prej 18 dhjetësh bëhet copa e cika prej një agresioni të pashembullt mbi rrugët, zonat e banuara, plazhet, pyjet, lumenjtë, tokën bujqësore, prodhimin e saj energjetik e burimet e saj natyrore.

Do të ndahemi prerazi, me thikë, nga politika e vjetër e abuzimit të skajshëm me pasuritë tona të përbashkëta natyrore, duke i dhënë fund praktikës së komprometimit të së ardhmes për t’i hapur rrugë investimeve që bazohen në teknologjitë e së shkuarës. Në katër vitet e ardhshme do të mbjellim në Shqipëri më shumë pemë se c’janë mbjellë në këto 18 vjet të marra së bashku dhe do t’u japim njerëzve jo shifrat e një ekonomie që rritet bashkë me papunësinë, po mundësinë e të jetuarit me punë në një ekonomi që zhvillohet përmes hapjes së vendeve të reja të punës.

Mes nesh dhe Shqipërisë si gjithë Europa qëndron kundërshtari ynë i vjetër, politika e vjetër e së shkuarës që e kapur me thonj pas një pushteti të pamerituar dhe e rreshtuar në një aleancë që i ka rrënjët në kraterin e korrupsionit në Gërdec, do të përdorë të gjithë baltën e hiletë e saj për të na penguar në rrugën tonë.

Sali Berisha i ka drejtuar të gjithë topat e baltës drejt Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste, në një fushatë të dëshpëruar për t’i shpëtuar humbjes së pashmangshme. Më kërkon mua i gjori kryeplak i politikës së vjetër që të iki nga detyra e kryetarit të Bashkisë pa i pyetur ata që dy vjet më parë më zgjodhën për të tretën herë me radhë – dhe që para dy vjetësh i dhanë shuplakën e tretë radhazi Sali Berishës për akuzat, shpifjet e fyerjet e tij kutërbuese, të cilat prej tetë vjetësh ndotin mjedisin tonë qytetar e politik.

Por unë kam një kuptim krejt tjetër për politikën e për kontratën me qytetarët nga ai që ka kryeministri në ikje i Shqipërisë. Për Sali Berishën qëllimi i vetëm është pushteti i tij, politika është një tregti gënjeshtrash dhe kontrata me qytetarët është një tallje cinike sa shpërthimi i Gërdecit. Për mua pushteti s’ka kuptim pa realizuar qëllimet e përbashkëta dhe kontrata me qytetarët e është një detyrim moral e shpirtëror ndaj tyre. Gjithshka unë kam arritur e kam arritur bashkë me kryeqytetasit. Sonte jam këtu falë mbështetjes së tyre të jashtëzakonshme dhe suksesit të përbashkët që ua dedikoj atyre. Janë ata që do të vendosin për mua në 28 qershor, sepse unë nuk kam hyrë në këtë betejë për të ndërruar një karrige me një tjetër, po për të ndryshuar më tej, bashkë me ta e me të gjithë shqiptarët, Tiranën e të gjithë Shqipërinë.

Unë nuk jam në krye të Partisë Socialiste që të vendos emrin tim të parin në listën e deputetëve, po që të marr përsipër detyrën më të vështirë dhe ta bëj atë siç nuk e ka bërë askush deri më sot, duke u rikthyer si kryeministër në çdo anë të Shqipërisë që këto katër vjet kam udhëtuar si kryetar i opozitës. Për të bërë në katër vjetët e ardhshme realitet të prekshëm të njerëzve një qeveri të tyren, me ta e për ta.

Unë nuk do të jem kryeministri i një oborri familjar siç është Sali Berisha, po kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre.

Unë nuk dua të jem kryeministër që Shqipëria të ketë edhe katër vjet të tjera si këto që po mbyllen me më shumë varfëri, papunësi, përjashtim social e analfabetizëm dhe me një qeveri të kthyer në biznes familjar, po për t’u dhënë mbrojtje të varfërve, krahë të papunëve, mbështetje sipërmarrësve, shpresë të rinjve, solidaritet të moshuarve, të drejta emigrantëve, dinjitet të nëpërkëmburve, bujqve, minatorëve, peshkatarëve, ushtarakëve të liruar, personave me aftësi të kufizuar, grave të trafikuara e të dhunuara, minoriteteve.

Unë dua të jem kryeministër sepse dua të kthej bashkë me ju e me shqiptarët e shqiptaret faqen e historisë, duke e kthyer politikën nga një mjet përfitimi për një grusht politikanësh, në një instrument ndryshimi në duart e cdo qytetari. Për një Shqipëri ku asnjë shqiptar e shqiptare s’duhet të ndjehet keq për shkak të moshës, gjinisë, fesë, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes krahinore apo përkatësisë partiake a simpatisë politike. Për një Shqipëri ku muret e larta të dasisë së vjetër politike mes njerëzve duhet të bien dhe hendeqet e konfliktit e të sherrit të politikës së vjetër mes përfaqësuesve të njerëzve duhet të mbyllen. Për një Shqipëri ku akuzat e pavërteta ndaj tjetrit për qëllime politike, shpifjet për tjetrin për përfitime politike, fyerja e tjetrit dhe e njerëzve të tij të dashur për hir të politikës, t’ia lenë vendin ballafaqimit të ideve, debatit të pikëpamjeve, kundërshtisë së argumenteve, si në të gjithë Europën ku ne do ta integrojmë Shqipërinë.

Pas 30 ditësh ndahen dy rrugë. Rruga e vjetër e këtyre 18 vjetëve që do të thotë edhe 4 vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe me të tjera trazira e zullume. Dhe rruga jonë e re që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku i çoi parafytyrimi të parët tanë që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë. Të cilëve u kemi borxh një atdhe ndryshe nga ky që kemi sot.

Le ta ndërmarrim së bashku këtë rrugë të re pa reshtur së ndezuri dritën e shpresës në zemra e mendje shqiptarësh e shqiptaresh të të gjitha moshave, krahinave, përkatësive politike, sepse për ne Shqipëria nuk është e ndarë mes grash e burrash, mes të vjetërish e të rinjsh, mes socialistësh e demokratësh, po e bashkuar në ëndrrën që tetëmbëdhjetë vjet më parë i nxori njerëzit në rrugë dhe sot kërkon rrugë për t’u bërë realitet përmes dashurisë e mirëkuptimit që duhet të fitojnë mbi urrejtjen e dasinë, përmes talentit dhe forcës së njerëzve të zakonshëm, që duhet të fitojnë mbi mediokritetin dhe arrogancën e zakonshme të politikës, përmes një bashkimi të ri qytetarësh e qytetaresh që duhet të fitojnë mbi pazarin e vjetër të politikanëve.

Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë.

Faleminderit

41 Komente

rama si obama smiley

Pse edhe Obama me lejet e ndertimit i ka bere leket? smiley

Kush ia ben fjalimet ketyre te PS? Po atyre te PD? Kane ata fjalimshkrues te mirefillte sic kane politikane kryesore ne bote? Apo i bejne zedhenesit e partise?

Edi Rama “rrëzon” bustin e Enver Hoxhës në mitingun e socialistëve

Nga L.Progni
Gazeta Tema

Edi Rama është i pari lider i PS-së, i pari zyrtar i kësaj partie që distancohet hapur dhe qartë nga e shkuara komuniste e PS-së. Në mitingun e djeshëm të hapjes së fushatës elektorale u prezantuan në një dokumentar disa pamje, ndër të cilat spikati momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1990. Qysh kur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli foli hapur në kongresin e PPSH-së të vitit 1991 kundër figurës së Enver Hoxhës, asnjë prej liderëve të PS-së nuk ishte pozicionuar hapur dhe qartë kundër të shkuarës komuniste të PS-së, lidhjes së saj me PPSH-në. Mitingu i djeshëm i hapjes së fushatës elektorale ishte krejt i ndryshëm nga mitingjet e mëparshme të PS-së, në fushatat e mëparshme elektorale. Pamjet e rrëzimit të diktatorit shfaqen për herë të parë në mitingjet elektorale të PS-së dhe se një pjesë e caktuar e elektoratit të kësaj partie ndoshta nuk do të donin t’i shikonin në mitingun e partisë së tyre. E guximshme nga ana e Ramës duket se ishte zgjedhje jo e rastësishme, organizimi i mitingut të fushatës elektorale të PS-së pikërisht në sheshin pranë Qytetit Studenti, atje ku 18 vite më parë nisi rrugën procesi i ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Mitingu i djeshëm dhe përmbajtja e tij dëshmoi se pas këtij çasti, dhjetori dhe sheshi ku lindi pluralizmi, nuk mund të jenë më pronë e retorikës së Sali Berishës, por edhe e liderit të PS-së, i cili me pamje të dokumentuara pasqyroi kontributin e tij në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Dokumentari

Në dy monitorët anash podiumit ku ishin vendosur kandidatët për deputet dhe kryetari socialist Edi Rama, shfaqej një dokumentar ku transmetohej momenti i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1990. Në dokumentar shfaqeshin disa intervista të Edi Ramës të viteve 90, kur ai fliste për rrëzimin e sistemit komunist dhe ndërtimin e shtetit demokratik në Shqipëri. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrja që dominoi në mitingun e djeshëm, njësoj si në vitet 1990 kur gjithë shqiptarët thërrisnin të njëjtën parullë nëpër sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë kur rrëzohej busti i Enver Hoxhës dhe bashkë me të edhe sistemi komunist në Shqipëri. Në podiumin e djeshëm, pak metra poshtë sheshit “Demokracia”, në Qytetin Studenti, foli për momentin e ndryshimeve demokratike të 90 edhe Gramoz Ruçi edhe Ben Blushi dhe të tjerë. Gramoz Ruçi, kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS-së foli pikërisht për politikën e re dhe Edi Ramën, edhe pse ai vazhdon të shihet me skeptizicëm kur artikulon fjalët “politikë e re”, duke pasur parasysh historinë e tij të hershme në PS, apo më përpara akoma në PPSH. Në mitingun e djeshëm foli edhe Ben Blushi, gjithashtu për politikën e re, por duke kujtuar se 18 vite më parë ai kishte qenë në atë shesh për të kontribuar për rrëzimin e komunizmit dhe se ishte zhgënjyer shumë shpejt nga politika e Sali Berishës. Folën edhe disa kandidatë për deputet të PS-së, ndër të cilët edhe kandidati socialist për Shkodrën, i cili tha se vinte nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, dhe se besonte se këtë shtresë do ta mbështesë politika e re e Edi Ramës.

Shiu që dështoi prezantimin e këngës së Edi Ramës

Kryetari i PS-së Edi Rama e mori fjalën i fundit, pasi folën disa kandidatë për deputet dhe të ftuar të tjerë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Por Rama nuk ka mundur ta përfundojë fjalimin e tij pasi nisi një stuhi, e cila ndërpreu gjithashtu edhe prezantimin e këngës së Edi Ramës dhe West Side Family, “Çohu”, e kompozuar posaçërisht për fushatën elektorale të PS-së, në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama është detyruar të përfundojë me urgjencë fjalimin e tij pasi nisën reshjet e dendura të shiut, ndërsa në monitorët anash podiumit shfaqej videoklipi i këngës “Çohu”, e kënduar nga Edi Rama dhe West Side Family. Kandidatët për deputet të PS-së janë shpërndarë me shpejtësi në drejtime të ndryshme për shkak të shiut, bashkë me pjesëmarrësit në miting. Disa të rinj vazhduan festen nën reshjet e shumta të shiut dhe tingujt e këngës “Çohu”.

Edhe natyra e ka inat kete te shkretin smiley

Natyra dhe moti kane dashur vetem Njerin sa per ate pune. Shokun Enver. Cdo Nje Maj binte shi me gjyma, tundte breket shejtani. Meteorologjikisht gri e erret. Poooor.... sa dilte Ai ne tribune.... dilte dielli, zhdukeshin rete, hapej qielli, plot dallendyshe, celnin lulet dhe ia merrnin kenges bylbylat ke shtate penxheret e te shtat zymbylat. Kur mbaronte parada, Ai ikte, pasi hidhte bozhure dhe karafila te kuq mbi popull, dhe pastaj rete vinin prape, fillonin vtetimat, shirat vu, Tirona qull. Atehere ka pat ene votime sa per at pune... jo si kto capaculet sot me gani bob... eh, thuj, harro mushke Valarene.... lere lere...  smiley 

Në dokumentar shfaqeshin disa intervista të Edi Ramës të viteve 90, kur ai fliste për rrëzimin e sistemit komunist...

 

E hengri, iken votat e veteraneve ..

veteranët e morën mesazhin me këngën "Çohu". Që sa e dëgjuan, na i ngriti Edi thanë. 

Po, po, ketej "rrezohet" Dulla, e menjehere pas kesaj del e flet Ruci.

Jeta eshte thiatro, tha.

 

qe ne fillim fjalimi i rames stonon. si mund te kerkoje postin e kryeministrit kur ai nuk denjon te garoje per ta fituar ate post,ashtu sic duhet te ndodhte normalisht? kjo tregon nje aviditet per pushtet ekzekutiv te rames, dhe nje frike te tijen per te humbur ne rastin me te keq postin e kryetarit te bashkise. si mund te kete fytyre ti kerkoje voten shqiptareve e socialisteve,kur tregohet frikacak? i bie qe socialistet ti kene ulur standartet e tyre nqs votojne nje "kryetar" i cili fshihet pas dyerve te bashkise dhe los fatin me breshka.

 Une e kuptoj qe Rama e kupto se shumica jane te priprogramuar per te votuar knej apo anej dhe rrjedhimisht mjaftohet vetem me ato cka do kish qef te bente. Per ne te tjeret, po pate mundesi, na trego dhe se si ke nder mend ti realizosh keto ide. Uore, si mbush dot mendjen kollaj desit dhe mondes..

 

Chene, po c'te harxhoje firomen Edi apo Sala per mua? smiley  Une qellimisht e kam pre bileten per pas zgjedhjeve, qe mos t'u harxhoja kohen lol.

Ndersa per mendjen e desit, te hane njeri-tjetrin, te veje gjaku deri m'gju, ene kush t'ia fitoje, hallall smiley.

jo as per mu, le mos te mundohen fare.

Edi jo i here, se une me pare e pres doren se sa te votoj majtas.

Kurse Sala ka vepra sa te dush, ska nevoje per llafe per te me qartesuar smiley

Kshu qe une s'votoj fare i here ket radhe, e kam da menjen  smiley

Jom Rahat !

 

Sa i do fermeret e bujqerit e peshkataret e drruvaret e fshataret ky Rama eee.

 po kshu po thote pra, qe i do. Ca ka per tu habit?

  sa dilte Ai ne tribune.... dilte dielli, zhdukeshin rete, hapej qielli, plot dallendyshe, celnin lulet dhe ia merrnin kenges bylbylat ke shtate penxheret e te shtat zymbylat.

Ja te lumte goja tha smiley

Dmth, po tall bithen me kryetarin, dmth po tall bithen me prurjen ?! smiley

Me rregull treshi i bi qe ke sha Llukanin. Do prova te tjera Llukan qe ky eshte armiku jot ?  smiley

Eee po dihet tashme, i joti ta ben te keqen smiley

I joti, mishin ta ha, po kocken ta ruan .

Jo po dje m`tha pse fut n`sher pa jo per gje. smiley

Koth,

Posi jo, ta ruan per supe smiley

Swed,

Leji llafet, partia do te te gjykoje dhe do vendosi smiley

ori ti, c'mnataro mu me kryetarin, atij ju boft dita 1000 se ka dhe i gjo t'mire, kur fillo shiu e merr vesh i pari e na kallxo smiley

Llukan, njoftoj per koment abuziv, sherrsjelles, kunder frymes vllazerore qe mbizoteron te peshku smiley

Edi Ramen e kam ndjekur vazhdimisht ne verprimtarine e tij politike me dyshimin se eshte apo s'eshte pjelle e neveritshme e zorres se trashe se shooqerise shqiptare ashtu sic treguan vitet e kaluara per karakterin dallkauk dhe mjaft te felliqur dhe tinzar te shume politpordhaceve djathtas dhe majtas.

Me ka krijuar pershtypje te tjera nga c'krijuan bufonet e forcave jashte Shqiperie.    Nuk do te me vinte mire aspak ne se ky njeri te merrte pushtetin dhe me pas te ndiqte politiken e sumlepirjes ashtu si kane bere te tjere (shumica e kryeministrave) kryeministra gogole.

Mu duk se programi i tij ishte gjithperfshires dhe vinte ceshtje qe jane vertet objektive, reale dhe qe shpesh jane anashkaluar ose jane mbuluar me demagogji te rende per te hequr vemendjen nga ato qe jane jetike. 

Vertet e  besoj se ne se Rama behet kryminiser Shqiperia do ndryshoje ne kuptimin qe te gjithe shqiptaret nuk do ta mallkojne vendin e tyre duke ikur neper bote dhe duke lene jeten neper dete dhe oqean, kurva dhe mejhane.

Me ndodh shpesh qe ta ndjej vehten fajtor qe nuk bej asgje per Shqiperine, por ja qe nuk e mohoj dot se nuk jam aq i mire sa ta meritoj Shqiperine si nje shtet modern ti tipit perndimor.

Shume ujra kane rrjedhur prej kohes kur shpiknim trapet me fuci te cilat duhet te na shtynin me reaksion ne drejtim te kundert me bregdetin e dheut qe na formoi me mineralet dhe ujrat e tij.  

Ndërsa të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që e  duan Shqipërinë, qytetin e fshatin e tyre, të ndryshojë siç ka ndryshuar Tirana në këto vite suksesi

Ej, po s'ka aq shumë njerëz Shqipëria për të dhënë leje ndërtimi në dendësinë që ke dhënë në Tiranë. Nejse, kot s'thonë "make it up in volume" (ose në këtë rast në sipërfaqe).

Në dokumentar shfaqeshin disa intervista të Edi Ramës të viteve 90, kur ai fliste për rrëzimin e sistemit komunist...

E hengri, iken votat e veteraneve ..

Po, po, ketej "rrezohet" Dulla, e menjehere pas kesaj del e flet Ruci.

Jeta eshte thiatro, tha.

Jeta eshte marketing!

Ore jam kurioz, a ka qelluar ndonjehere te vetme qe Berisha ta permende enver hoxhen keto 18 vitet e fundit? Di gje njeri?

 e ka permend, ka thene "nuk ja hedh poshte veprat e mira Enver Hoxhes." 

Sa groteske, Rrezon Rama bustin e Enverit edhe i jep nje dore Gramoz Ruci me Skender Gjinushin smiley

 

Edhe qielli qau per kete menxyre.

Deputetja e Partise Demokratike, Lajla Pernaska deklaroi dje se, Partia Socialiste nuk kishte numrin e nevojshem te simpatizanteve per te mbushur sheshin "Skenderbej" dhe per kete arsye, kjo parti kishte zgjedhur Qytetin Studenti per te celur fushaten e saj zgjedhore. Sipas Pernaskes, zgjedhja e Qytetit Studenti per te hapur fushaten eshte edhe nje provokim qe PS i ben PD-se, duke qene se ky vend njihet per kontributin e vecante ne permbysjen e sistemit te komunizmit. Nga ana tjeter, deputetja e PD-se deklaroi se demokratet kishin krijuar te gjithe infrastrukturen e nevojshme per fushaten zgjedhore, qe diten e djeshme nisi zyrtarisht. Nga ana tjeter PD do ta kryeje celjen e fushates se saj pasditen e dites se henes ne sheshin "Skenderbej". Kryeministri Berisha zgjodhi qytetin e Durresit, per te organizuar mitingun e pare te fushates elektorale per zgjedhjet qe do te mbahen me 28 qershor, kur nje dite me pare kishte hapur fushaten ne Kavaje dhe Shijak.

 kush e gje ate foton  e sales me sabitin, hysni kapon, etj i lutem tja tregoj peshkut me uje qe tja percjelli Perkaskes per te kuptuar se kush zuri qoshen ne PD 

Nderkohe shih mitingun e PD ne Durres ne te cilin ke 2 fish me shume njerez sesa mblodhi Rama ne Tir dhe te mendosh qe hapja e fushates per PD behet te henen smiley

Mos harro qe PD-ja ka edhe gjithe ate administrate shteterore e cila ne shume raste eshte "ftuar" te marre pjese "spontanisht" ne metingjet e kesaj partie.

Sipas Pernaskes, zgjedhja e Qytetit Studenti per te hapur fushaten eshte edhe nje provokim qe PS i ben PD-se, duke qene se ky vend njihet per kontributin e vecante ne permbysjen e sistemit te komunizmit.

Nga ana tjeter PD do ta kryeje celjen e fushates se saj pasditen e dites se henes ne sheshin "Skenderbej".

... vend qe njihet per kontributin e vecante ne glorifikimin e sistemit komunist.

... thjesht per te vazhduar me llogjiken idiote te tipit, "kjo eshte lagjia ime, ajo eshte lagjia jote", qe vecse i ul pike PD-se.

 

Eshte interesante se si nga ana e strategjise se komunikimit te dyja forcat kane kopjuar njera-tjetren. Nuk besoj se kjo eshte mungese fantazie se sa deshire per te joshur nje pjese te gjere te elektoratit.

 cer lagjesh mer osl, katallani ka nje dekade qe sja ma me shku ne Tropoje smiley 

Ne Vucitol kane frike te shkojne edhe arushat smiley

Pastaj Berisha eshte qytetarizuar tani. Banon tek pallati me bila, kopje e shemtuar e Rogner Blad Blumau te arkitektit austriak Friedensreich Hundertwasser. Sdq. me mire se ne ate kasollen-perbindesh shume-kateshe ku banon Nano

- Jo, Rudine... Doda tha se ai qe trokiti ishte nji udhtar...

- Ah, dom Pal, dom Pal...  ju s'dini gja! Ai ishte nji partizan i plagosun.  Ate e vran.

- Ashtu?...  eh, nxitohet ngandonjeher Doda....

--------------------

... then 40 years later:

http://i121.photobucket.com/albums/o230/bardhiDJ/Te%20vjetra2/demostrate.jpg

qe dhe 1 ma moderne Çimo smiley

http://img140.imageshack.us/img140/7053/robinecku.jpg

Jam shume kureshtar te di, kush e ka shkrepur kete foto dhe ne ç'rrethana.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).