Katër peshkatarë "digjen" nga interneti

Nuk e njohin teknologjinë dhe nuk i informoi njeri për tenderin e zonës së peshkimit

Katër peshkatarë sarandjotë, të cilët qysh prej vitit 1991 ushtrojnë gjuetinë e peshkut në vendin e quajtur "Prita e Butrintit", janë vendosur para alternativës së vetme për të braktisur vendin e gjuetisë, që e kanë ruajtur me armë edhe në vitin e vështirë 1997. Selfo Hoxha, Anastas Gërbura, Nikollaq Feshat dhe Dhimitër Gremo, thonë se një person i quajtur Gentian Paço, nga Durrësi, u është paraqitur para disa ditësh dhe u ka kërkuar "të ngrenë plaçkat", pasi është ai që e ka fituar tenderin e zhvilluar nga Ministria e Mjedisit disa javë përpara. Durrsaku u ka thënë se tashmë ai do të gëzojë ligjërisht të drejtën të ushtrojë gjuetinë e peshkut në këtë territor.

"Kjo na ka rënë si bombë dhe nuk do ta lëmë "pa pëlcitur" edhe neve", shprehet administratori Selfo Hoxha, që ka në këtë zonë gjuetie që nga vitit 1971 e ka vazhduar edhe pas viteve ‘90.

Ai tregon se në vitin 1991 deri më 1997 e kishin marrë me qira nga Drejtoria e Peshkimit në Sarandë, kur drejtor i saj ishte Edmond Gjoka, kryetari aktual i Bashkisë së Sarandës. Pas kësaj, kontrata u përtëri me afat 10-vjeçar me Ministrinë e Ekonomisë, duke qenë se trualli që zinin kalonte paksa kuotën e 500 m katrorë. Më datë 15 tetor të vitit 2008, afati i kësaj kontrate ka skaduar, por peshkatarët e Pritës së Butrintit e kishin shtyrë atë me një kontratë shtesë deri në fundin e marsit të sivjetshëm. Për këtë ishin tërë sy e veshë se kur do të organizohej tenderi që do t‘u sillte vazhdimin e punës në këtë vend edhe për dhjetë vite të tjera. Për këtë, Selfoja tregon se kishin bërë gati dokumentacionin që nevojitej dhe e kishin çuar atë në Ministrinë e Mjedisit. "E dinim se kjo nuk mjaftonte, se në ministri na thanë që nuk dihej dita kur do të bëhej tenderi, pasi kjo do të njoftohej me internet. Ne jetojmë në mes të pyllit dhe të detit, e shpeshherë nuk kemi as dritë elektrike, e jo më internet. Prandaj nuk u qetësuam, edhe pse Roland Kristo, drejtori i Drejtorisë së Peshkimit në ministri, na tha se 97% do të ishim ne që do e merrnim të drejtën sërish. Unë takova dhe një punonjës tjetër, në këtë drejtori, Feritin dhe e kam paguar që të më njoftonte se kur do të shpallej tenderi. Prisnim që ta merrnin përgjigjen në Komunën e Xarrës, që është pronare e territorit ku gjendet vendi ynë i peshkimit, si dhe nga Drejtoria e Peshkimit në Sarandë. Edhe një specialist në Drejtorinë e Peshkimit në Sarandë, që gjithashtu e kishim paguar, që të bënte "rojën" në internet, u kujtua të na thotë për tenderin më 8 prill, ditën që ai u zhvillua realisht, por disa orë pas përfundimit të tij". Mëngjesi i datës 9 prill e ka gjetur peshkatarin, i cili ka udhëtuar me autobus për gjithë natën, para dyerve të ministrisë, por pa mundur të takoj ministrin Xhuveli, ndërkohë që thotë se drejtori i ministrisë i ka thënë se "s‘ua ka fajin njeri, ju nuk u paraqitët në tender dhe atë e fitoi tjetërkush". Peshkatarët thonë se të njëjtën përgjigje u dha edhe zëvendësministri Karoli, duke përsëritur se "nuk njoftohet në asnjë rrugë tjetër, përveçse me internet, pasi ruhet sekreti". Dhe peshkatarët kanë rënë viktima të paditurisë së tyre, por edhe të mosinformimit për çka po ndodhte prapa krahëve të tyre. Këto ditë, fituesi i tenderit është bërë i gjallë e u ka thënë "ngrehuni e ikni, pasi i ligjshëm këtu jam unë". Selfoja thotë se fituesi i tenderit u ka thënë se: "do të ngriheni të ikni, pasi unë kam paguar 60 mijë dollarë". Drejtori i Ndërmarrjes së Peshkimit, Arjan Demiri, në Sarandë, tha se "prokurimi publik për dhënien me qira të Pritës së Rrëzës është bërë në rrugë elektronike dhe këtë duhej të ndiqnin personat e interesuar". Ndërkohë, peshkatarët e kanë të vështirë të pranojnë humbjen edhe për mënyrën se si ua punuan. Ata janë të vendosur të mos e lënë zonën e gjuetisë, të cilën veç vend pune, e kanë pasur si shtëpi të dytë, me të cilën mbajnë gjallë jetën e familjarëve të tyre. "Do vritemi, do skuqet me gjak Liqeni i Bufit e nuk e lëshojmë", betohen ata.

Mbështetja: Kreu i komunës, në krah të peshkatarëve

Kryetari i Komunës së Xarrës, Dhimo Kote, është vënë në krah të peshkatarëve "humbës", madje i ka mbrojtur dhe në Ministrinë e Mjedisit, e cila edhe pas letrës që ai i ka drejtuar ministrit Xhuveli, nuk ka reaguar. "Është meritë e këtyre peshkatarëve që jo vetëm kanë gjuajtur peshk në këtë territor, por edhe e kanë ruajtur e mirëmbajtur Liqenin e Bufit, që është sot pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit". Kote shton se interneti është "luks" në komuna, dhe aq më tepër për këta peshkatarë që gjithë kohën e kalojnë duke punuar. "Ministria e Mjedisit bën mirë të rinovojë kontratën me peshkatarët ekzistues dhe duke rakorduar edhe me pushtetin vendor, sepse po krijon një konflikt social", thotë Kote.
 

5 Komente

Më mirë të kishe skuqur me gjak ndonjë kompjuter o peshkatar me ujë se me pushkë ëhë ëhë nuk ke gjë në vijë. Qënke trim i madh o peshkatar. Grepa dhe rrjetë ke e morrëm vesh. Po pushkë ke ti o peshkatar?! 

Ironia e Xhuvelit .

Hahaha.

 Peshkataret presin naften pa akcise, Xhuveli u thote shkoni ne kurse per kompj.

Na fakt, e tha Sala : me pentium , pentium , pentium 2 dhe 3 do i furnizonte te gjithe, po ja drodhi Bill Geits...

Cfare sarkazme...

sikur te behej nji tender i vogel aty, me siguri do akuzohej per korrupsion. Tenderi behet i hapur per te gjithe dhe prape do ankoheni...

 

Kush mo , Xhuveli ??? .

Ai ministri i ambjentit qe djeg goma ????

Joooo, Nuk  ka korrupsion Xhuveli ...

Praktika ketu ne perendim, ne te tilla raste, eshte jo vetem me internet por dhe me poste, me letra, apo telefon. Lajmerohen palet e interesuara, se kur do te zhvillohet tenderi (post apo telefon) dhe pasi ministria e ka kryer kete pune, athere zhvillohet tenderi ne daten e njoftuar me telefon dhe letra.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).