Kandidatë, parti, interesa dhe grupime: garë totale

Ndër emrat që përfliten si kandidatë potencialë për deputetë të Partisë Socialiste, është e pamundur të mos vësh re se ndahen kryesisht në tre grupe apo blloqe kryesore. Në grupimin e parë bëjnë pjesë ‘të vjetërit e rinj’ sipas një shprehje të kryetarit Rama, ku futen ndër të tjerë veteranë të kësaj partie, duke përmendur ndër të tjerë Rucin, Doklen etj. Ndërsa të rinjtë shpesh janë emra të katapultuar brenda një kohe të shkurtër në politikë, me mungesë stazhi dhe përvoje jetësore dhe profesionale të tipit Xoxa, Xhacka, Bushati, Spiropali apo ndonjë i ngjashëm. Ndërmjet këtyre dy blloqeve përfaqësuese të ‘politikës së re’, është edhe një grupim disi hibrid, por që përmbledh edhe eskperiencën e të ‘vjetërve’, edhe freskinë e të ‘rinjve’. Në këtë të fundit ndër përfaqësuesit më tipikë do veconim Malajn, Blushin, Klosin, Isarajn apo Majkon, të cilët ndonëse kanë një stazh të gjatë politik, përsëri për shkak të moshës dhe energjive, por edhe profesionalizmit, llogariten ndër figurat më energjetike dhe përfaqësuese të PS-së aktuale.

Po të hedhësh një vështrim të shpejtë në kampin blu, vë re se tashmë dekorit aq të trumbetuar dhe dikur të reklamuar të KOP-it, i janë zbehur ngjyrat. Ndërkohë ekziston një mishmash më polivalent dhe ku ndërthuren interesa apo fraksione më pak të kristalizuara, qoftë edhe për një vëzhgues të vëmendshëm të dinamikave politike. Ndër grupet kryesore ekzistuese, vlejnë të përmenden ish-KOP-istët e dikurshëm të ngelur ende korridoreve të politikës, pasi pjesa më e madhe ose e braktisi politikë-aspirimin pas mospërmbushjes së ambicjeve personale, ose ndërroi krahë dhe ju bashkangjit formacioneve të tjera politike, ose iu tregua dera prej nga ishin futur para pak viteve me eufori. Ndër ata që kanë ngelur, përfshihen si politikanë që pavarësisht ulje-ngritjeve kanë ruajtur një profil deri diku të pavarur dhe të respektueshëm politik, si rasti i Bashës, ose janë kthyer në mercenarë të vijës së parë, pallë-shpërveshur, si Bumci me shokë, ose ruajnë përgjithësisht një profil mediokër si rasti i Bregut.

Një tjetër grupim, madje më i rëndësishmi në terma të mbështetjes elektorale, është ai i ‘qëndrestarëve’, ku përfshihen pjesa më e madhe e militantëve dhe që në terma numerikë përfaqësojnë peshën kryesore të elektoratit brendapërbrenda partisë. Një koalicion drejtues pragmatik i rastit ku interesat konvergojnë për momentin është ai Topalli-Bode, ku figura të tjera të spikatura si Olldashi, Patozi, Rusmaili dhe ndonjë tjetër duket se janë bërë bashkë më tepër për t`iu kundërvënë presioneve që vijnë nga korrentet e reja sesa nga ndonjë filozofi që bashkë-ndajnë në funksion të proceseve demokratizuese apo reformuese brenda partisë. Një tjetër grupim, ndonëse i papërfillshëm në terma numrash dhe për më tepër i paorganizuar dhe me mungesë koherence të vënë re qartë në deklaratat publike, është ai i Mustafajt-Biberajt që përfaqësojnë ‘qëndrestarët e reformuar’, të cilët pasi panë veten jashtë tortës në një moment të caktuar synuan që nëpërmjet artikulimit mediatik të rifitonin peshën e munguar numerike brendapërbrenda partisë. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, është grupimi i mbështetësve të Presidentit Topi i cili përgjithësisht përbëhet nga një amalgamë e shtresës qytetare tiranase dhe durrsake dhe mbështetjen indirekte që grupe si ai Mustafaj-Biberaj japin herë pas here në prononcimet e tyre publike apo indirekt me anë të votës për votimin e ligjeve të caktuara dhe të kontestuara.

Ndër grupet, koalicionet dhe partitë e tjera të kampeve të djathtë dhe të majtë vlen të vecohen LSI dhe Poli i Lirisë, pasi të tjerat ose do i bashkangjiten koalicioneve kryesore ose nuk kanë shans real mbijetese. LSI-ja është vështirë të predikohet qoftë për forcën e vërtetë elektorale, duke parë se po i dezertojnë ‘ushtarët’, madje dhe ‘kolonelë’ në shumë nga rrethet duke lënë një shumicë ‘gjeneralësh’ të përqëndruar kryesisht në Tiranë dhe ku faktori kryesor duket se është perpetuimi i Ilir Metës si një meteor i mëvetësuar në qiellin e politikës shiqptare. Nëse i referohemi rezultatit zgjedhor të 2005-ës dhe faktit që kodi i ri elektoral favorizon mbështetjet rajonale dhe peshën që ka kjo forcë në rajonin Skrapar-Berat, mund të hamendësohet që do jetë patjetër e përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm por numrat vështirë të parashikohen duke luajtur me një luhatje nga tre deri në shtatë deputetë.

Poli i Lirisë, një amalgamë simpatike e ish- pronarëve, ish- zogistëve, ish- kryeministrave dhe zv. Kryeministrave, por me një karakter all-inclusive që përfshin nga romët te yjet e spektakleve televizive premton të jetë një qasje e re shumë-dimensionale, shumë-vektoriale në katrahurën ekzistuese të botës politike të Tiranës. Në fakt edhe shembëllimi me një ‘catch-all party’ që njihet në literaturë nuk është i përshtatshëm për këtë grupim të ri politik, pasi në fund të fundit ky është një bashkim partish, ashtu sikundër edhe grupimesh, interesash dhe lidhjesh, shpesh edhe të kundërt me njëri-tjetrin.

Duke gjykuar nga vecoritë e kodit të ri, nga ndarja elektorale, nga pesha jo-proporcionale e pragut elektoral që varion nga 3 përqind në Tiranë-qytet deri në 34 përqind në Kukës që një analist e ka quajtur ‘pragu skuth’ në një shkrim të paradokohshëm të tij, është e vështirë të arrihet në gjykime të mirëfillta për peshën elektorale që mund të zënë secila parti në këto zgjedhje. Por ajo që dihet me siguri është se më tepër se një garë mes partish respektive, kjo do jetë një ‘all-catch’ garë që do përfshijë një garë mes partish, koalicionesh, grupimeve, interesave dhe ku ‘kokoshëzimi’ i kandidatëve dhe lufta e bërrylave nuk po duket më e butë nga përshirja e një numri më të madh grash apo eleminimi i formulës maxhoritare ku kandidatët zgjidheshin drejtëpërsëdrejti dhe për rrjedhojë nuk përjashtohej dot agresiviteti. E vetmja gjë që duhet të jesh më tepër se optimist për të vënë bast është që kjo garë të jetë edhe garë idesh, mesazhesh apo programesh, sidomos nga ato që janë edhe të përkthyeshme për veshët e elektoratit të fshatit dhe qytetit bashkë. Deri tani gjasat me tepër favorizojnë zgjedhjen e parë se të dytë, por të shohim deri në fund. Të shpresojmë të paktën të arrijmë standartet minimale dhe mos të kemi zgjedhje të kontestuara edhe pas dy dekadash tranzicion të pafundmë.

 

2 Komente

pse del i postuar keshtu cuditshem ky shkrim?

Te quahs Bregun medioker, edhe ta krahasosh me SPiropalin apo Xoxen , me duket si ato shkrimet e prorositura te Edison Ypit. po ypi e thote drejte per drejte, qe eshte paguar per ate qe shkruan. Por me qe ky e paska perdorur fjalen Skuth, po ja them qe ky shkrim e ketij autori qenka shkrim SKUTH.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).