Historianët ballkanas si faktorë shtet-formues

Kur një koleg grek më  kërkoi një kumtesë ku të analizoja narracionin historiografik osman të shek. XV – tregon historiani turk Halil Berktay - unë i thashë se këtij problemi do t’i qasesha në mënyrë kritike; kolegu grek më shtrëngoi dorën për këtë qasje kritike ndaj historiografisë së vendit tim. Por kur i thashë se objekt i analizës time kritike do të ishte si historiografia turke ashtu edhe ajo greke, atëherë për atë projekt nuk u bë më fjalë – përfundon studiuesi turk. Një ndodhi e tillë në një rajon si Ballkani nuk duhet të jetë befasuese për askënd, pasi në këtë rajon historishkrimi, diku më pak e diku më shumë, vazhdon ende të jetë një sipërmarrje me përgjegjësi të lartë politike; madje e tillë ajo do të vazhdojë të jetë përsa kohë që ende mbeten të pazgjidhura shumë çështje, legjitimiteti për zgjidhjen e së cilave kërkohet tek e shkuara historike. Në këtë kontekst merr kuptim edhe thënia e historianit britanik, H. Seton-Watson: “Pena e studiuesit të historisë në këtë pjesë të botës duhet të jetë e mprehtë dhe inteligjente, madje në atë shkallë sa të dallojë gjakun nga boja e kuqe”.
Historishkrimi është një ligjërim i lidhur thellësisht me politikën. Po ashtu edhe përpjekja e vetëdijshme për të përjashtuar dimensionin politik të historishkrimit është një qëndrim i caktuar politik. Ndaj është e gabuar të mendosh se historianët jetojnë në një botë ku nuk ka politikë dhe lexuesit e shkrimeve të tyre janë produkt i kësaj bote “të pastër” politikisht.
Në fakt, qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX, historishkrimi i historisë kombëtare ishte disiplina e cila më së shumti i dha formë vetëdijes kombëtare të popujve të Ballkanit; ndaj ajo duhet perceptuar si pjesa më esenciale e prodhimit intelektual politik dhe kulturor; me këtë cilësi, historishkrimi vazhdon të shërbejë edhe sot si burimi rrënjësor i ideologjive dhe pretendimeve nacionaliste në të gjitha vendet e rajonit. Historiani grek, Konstantinos Paparrigopoulos, qysh një shekull e gjysmë më parë, ka thënë: “Historia është jo vetëm shkencë, por edhe Libri i Shenjtë i së tashmes dhe të ardhmes së vendit [tim]”.
Qëllimi i studimit të historisë kombëtare është shumë thjesht i përshkrueshëm: të njohësh mirë vetveten, të njohësh mirë mjedisin përreth dhe fqinjët, dhe së treti, ta sundosh më mirë atë mjedis, ku me dashje apo padashje, të ka qëlluar të jetosh apo të mbijetosh gjatë shekujve. Historia është kujtesa e një populli, por edhe themeli moral i çdo formacioni politik kombëtar. Ndaj elitat politike ballkanike shkrimin e historive kombëtare e kanë konsideruar si një nga rrugët e ndërtimit të shtetit kombëtar, ndërkohë që edhe realiteti i sotëm ende nuk e ka hedhur poshtë këtë pohim.
Historiografia shqiptare dhe ajo e shteteve të tjera ballkanike u zhvilluan kryesisht si historiografi me doza të forta nacionaliste, por ato u shoqëruan edhe me një lënie të vetëdijshme jashtë interesit të historisë së shteteve dhe popujve fqinjë. Braktisja e qëllimtë e studimit të historisë së fqinjëve më tepër se një neglizhencë preferenciale ishte një parakusht i diktuar nga situatat dhe zhvillimet ndërkombëtare të fundshekullit XIX dhe dekadave të para të shek. XX.
Si pasojë e procesit të shtetformimit nacional, në Ballkan studimi i historisë ishte një nga veçoritë më të dukshme intelektuale përgjatë shek. XIX. Themelimi i instituteve të historisë, i katedrave universitare të historisë dhe akademive të shkencave sipas modeleve të Evropës Perëndimore, i hapën rrugë studimeve sistematike historike dhe filologjike. Po në këtë kohë u shfaqën veprat themelore të historive kombëtare serbe, kroate, bullgare e rumune; madje, ato u shoqëruan jo me botim selektiv dokumentesh të hershme, por me korpuse të plota dokumentare për ato periudha historike që popujt respektivë i kanë konsideruar si “Golden Age”. 
Institutet e historisë duhen perceptuar si institucionet kulturore, ku qartësisht shkenca historike u takua me politikën, madje në rastin e vendeve të Ballkanit në institutet e historisë, historia u vu në shërbim të politikës. Rasti më tipik është ai i drejtorit të Institutit të Historisë në Turqi, Jusuf Akçura (1932-35), një ndër promotorët e formëzimit të nacionalizmit kemalist turk. Ai ndonëse nuk u hodh zyrtarisht në politikë, historishkrimin e frymëzuar nga politika gjithmonë e vuri nën urdhrat e saj. Një angazhim i tillë politik e bën të vështirë që shkenca historike të quhet “shkencë”.
Nga ana tjetër, epërsia e vendeve të Ballkanit krahasuar me Shqipërinë, është se duke filluar qysh nga mesi i shek. XIX akademitë e shkencave të vendeve fqinje ishin institucionet që përpunuan mendimin politik nacionalist, madje duke e konkretizuar këtë me hartimin e platformave kombëtare afatgjata. Në shek. XIX akademitë ballkanike të shkencave nuk kanë krijuar shtete kombëtare, por kanë ndërtuar shtete kombëtare; kurse në shek. XX ato kanë dhënë ndihmesën e tyre në projektimin e ambicieve nacionale.
Modeli i akademikut historian, por po aq të angazhuar në aktivitet politik, është Stojan Novakoviç, themeluesi i historiografisë moderne serbe. Për një periudhë të gjatë ai ishte kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë. Parlamentar, ambasador i Serbisë në Stamboll, Paris dhe San Petersburg, tre herë ministër arsimi dhe dy herë kryeministër në kapërcyell të shek. XIX. Ai botoi mjaft studime historike, po aq sa edhe kontribuoi në publikimin shkencor të dokumentacionit mesjetar serb (Kodi i Stefan Dushanit).
Serbia, Greqia dhe Bullgaria janë shtete ballkanike që tashmë kanë festuar 150-vjetorin e akademive të tyre. Sponsorizuar nga qeveritë respektive, ato i kanë dhënë jetë projekteve për “zgjidhjen” afatgjatë të çështjeve të tyre nacionale, madje pavarësia e tyre intelektuale në trajtimin e çështjeve të tilla ka shkuar edhe përtej cakut që mund të mbërrinte mendimi më i avancuar politik i kohës; për ta ilustruar me një shembull konkret do të thoshim se idetë e mendimet e shprehura nga themeluesi i historiografisë moderne greke Konstantinos Paparrigopoulos në veprën e tij Historia e Popullit Grek (6 vol., 1860-1872) jo vetëm që u morën në konsideratë nga politikanët bashkëkohës grekë, por edhe sot idetë e tij për copëtimin e Maqedonisë ish-jugosllave mbi baza etnike përbën një pjesë të politikës së Greqisë lidhur me këtë problem.
Për të shkuar edhe më tej, Konstantin Jirecek, një nga historianët e njohur të Ballkanit, çek për nga origjina, për faktin se shkroi një histori të bullgarëve, e para e këtij lloji, në vitin 1881 u emërua ministër i Arsimit Kombëtar i shtetit bullgar. Në këtë rast Jirecek, ndonëse jo bullgar, mori përsipër misionin e konstruktorit të forcimit të identitetit kombëtar bullgar.
Shqiptarët, si myslimanë ashtu edhe të krishterë, e filluan lëvizjen për krijimin e shtetit të tyre të pavarur pa marrë “zyrtarisht” mbështetjen e asnjë Fuqie të Madhe. Ndaj dhe identiteti kombëtar shqiptar u mbrujt dhe u zhvillua paralelisht me rrezikun e zhdukjes së tyre nga skena e historisë. Në këtë kuadër, nacionalizmi në shkrimin dhe përdorimin e historisë, më shumë se një tendencë intelektuale e momentit, ishte reagim i historiografisë shqiptare ndaj kushteve politike të kohës, brenda dhe jashtë vendit.
Ndërsa vendet e tjera ballkanike e patën mundësinë që ta formëzonin herët kastën profesioniste të historianëve, falë pavarësisë së hershme nga Shtetin Osman, në Shqipëri përgjegjësia e shkrimit të historisë kombëtare ra ekskluzivisht mbi shpatullat e politikanëve që e ndërtuan shtetin shqiptar. Këtë fenomen më së miri do ta ilustronte rasti i politikanit Mehdi Frashëri. Në librat e tij ai i mëshoi fort analizës së problemeve shqiptare, duke i shpjeguar ato nëpërmjet analizës që i bën historisë dhe vlerave ‘nacionale’ që mbështesin aspiratat nacionale të shqiptarëve. Me vizionin e tij të shqueshëm prej shtetari, M. Frashëri tentoi të shkruajë edhe një histori Shqipërie të dimensioneve të mëdha, prej së cilës arriti të publikojë vetëm vëllimin e parë. Por, ai ka edhe meritën se përktheu nga frëngjishtja dhe pajisi me shënime platformën e parë kombëtare shqiptare, veprën e Pashko Vasës: E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët (1879), Tiranë 1935.
Pas vitit 1945, takimi i organizuar i historisë me politikën në Shqipërinë komuniste u mishërua në figurën e historianit Aleks Buda. Ai ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe historiani që përvijoi linjën ideologjike të studimeve historike. Këtu duhet vënë në dukje se A. Buda jetoi e veproi në një kohë kur shteti komunist shqiptar më tepër se interesat e tij kombëtare, punonte për t’i kanalizuar studimet albanologjike në hulli ideologjike. Qëllimi ishte që historia kombëtare të legjitimonte jo interesat kombëtare, por të ishte në funksion të konsolidimit të asaj forme qeverisjeje që ishte vendosur me forcën e armëve në fund të Luftës II Botërore. Aleks Buda nuk u bë politikan kurrë, por tek ai përplaseshin presioni politik shtetëror dhe ndërgjegjja e historianit që njihte më shumë se të shkuarën e vendit të tij. Në shkrimet e tij vihet re dualitet mendimi dhe shkrimi, por gjithmonë një gjë e tillë është shprehur me shumë elegancë për të qenë brenda kornizave të ashpra të vendosura nga regjimi komunist. Nga ana tjetër, me autoritetin e kreut të shkencës albanologjike vetëm ai mund të shprehte, qoftë edhe me elegancë, mendime që për historianët e tjerë ishin të ndaluara. Gjithsesi, ky shkrim i dyzuar, por që kurrë nuk shprehu hapur atë çka ai mendonte, bëri që Buda asnjëherë të mos merrte përsipër rolin e disidentit politik, por po aq edhe të mos klasifikohet tërësisht si konformist politik.
Në fakt, ajo çka normalisht e ndan historianin nga politikani është fakti se historianin e komandon shkalla e tij e dijes, kurse politikanin besimi që ai ka në realizimin e misionit të tij politik. Kur të dyja bashkohen lind bindja, e cila i jep formë fuqisë intelektuale të një populli. Ndaj, ajo që një popull e bën me të vërtetë “popull” është marrëdhënia e ndërsjelltë që ekziston në mes ndërgjegjes historike dhe procesit të mësimit të historisë kombëtare nëpër shkolla, ndërkohë që një shoqëri që nga shkollat e saj nuk nxjerr njerëz të mendimit dhe që realisht prodhojnë ide, nuk mund të formëzohet dhe të bëhet komb.

1 Komente

Ahhh, n'Ballkan, dy shtetet me agresive ne politik dhe histori, Greqia dhe Serbia, hiqen ne opinionin nderkombetar si vende moderne, pikerisht nepermjet dipllomacise se tyre, ironise qe paraqesin ndaj shqiptarve, ne skenat dipllomatike perendimore.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).