Greqia ne lufte me Shqiperine, ne lufte me NATO-n

Letër e hapur drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jaap de Hoop Scheffer

Nga Prof. Dr. Apollon Baçe*

- Për dijeni Kryetarëve të Shteteve Anëtare të North Atlantic Treaty Organization

 

Shkëlqesi,

Më lejoni që të drejtoj vëmendjen Tuaj ndaj një konflikti juridik dhe etik në gjirin e organizatës që kryesoni.

Sot, në territorin e dy kontinenteve, në të cilët shtrihet NATO, në atë amerikan dhe evropian, rasti kur dy shtete janë de jure në Gjendje Lufte me njëri-tjetrin është një i vetëm. Ndër pesë rastet e tjera në tërë rruzullin tokësor, ky rast është absolutisht më i vjetri- rreth treçerekshekullor- dhe si i tillë i harruar prej siteve të specializuar. Për fat të keq, të dy këta shtete de jure në Gjendje Lufte me njeri-tjetrin, Greqia dhe Shqipëria, janë anëtarë të organizatës që Ju drejtoni.

Pas agresionit italian kundër Greqisë të nisur nga territori shqiptar (28.10.1940), Greqia i shpalli luftë Italisë, çuditërisht edhe Shqipërisë (Ligji nr. 2636/1940), ndonëse ajo nuk ishte shtet sovran, por i pushtuar (07.04.1937). Me traktatin e Paqes Itali- Forca Aleate dhe të Asociuara (Paris, 10.02.1947) Gjendja e Luftës me Italinë u abrogua dhe u ruajt vetëm Gjendja e Luftës me Shqipërinë. Ligji i Luftës është në fuqi edhe sot. Sipas Ministrisë së Jashtme të Greqisë, “ligji nr. 2636/1940 është në fuqi”, përkatësisht “Traktatet e reja Ndërkombëtarë dhe Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (21.03/1996) nuk e kanë ndryshuar këtë situatë”.(1)

Me anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën e NATO-s, ku aderon edhe Greqia, ligji nr. 2636/1940 është në konfliktualitet flagrant me nenet e Traktatit të NATO-s (Washington D. C. - 4 April 1949). Një konfliktualitet i tillë lind që në frazën e parë të Traktatit, sipas së cilës “Pjesëtarët e këtij pakti ripohojnë… dëshirën për të jetuar në paqe me tërë popujt dhe qeveritë”.

Sipas nenit 1 të po këtij traktati, “Anëtarët angazhohen… që në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare t’i shmangen kërcënimit ose përdorimit të forcës”. Ndërkohë, sipas teoricienit të doktrinës së luftës Carl von Clausewitz “Gjendja e Luftës është akti i forcës, i cili ka për qëllim detyrimin e kundërshtarit që t’i bindet vullnetit të palës tjetër” (Vom Kriege, 8. Buch, 6. Kapitel).

Sipas nenit 5, i cili është dhe guri i themelit të Traktatit të NATO-s, “Anëtarët janë dakord që një sulm i armatosur kundër njërit ose disave prej tyre… të konsiderohet sulm kundër të gjithëve. Rrjedhimisht, nëse ndodh një sulm i tillë, secili prej tyre… (duhet) ta asistojë anëtarin ose anëtarët e sulmuar,… përfshirë këtu përdorimin e forcës”.

Të para së bashku, ligji nr. 2636/1940 dhe neni 5 i Traktatit të NATO-s, krijojnë absurdin, sipas të cilit, sipas Jus ad Bellum (LOAC- Law of Armed Conflict Hague Conventions, 1907, III The Opening of Hostilities), Greqia dhe Shqipëria mund të sulmojnë njëra-tjetrën pa ndërmarrë asnjë akt tjetër formal. Por në rastin e një sulmi të armatosur të Greqisë ndaj Shqipërisë (ose viceversa), Greqia bashkë me shtetet e tjera anëtare të NATO-s, duhet të përdorë forcën e armatosur për ta mbrojtur Shqipërinë nga sulmi i armatosur i Greqisë (ose viceversa).

Kjo situatë, qoftë dhe teorike, ku dy anëtare të NATO-s janë de jure në Gjendje Lufte me njëra-tjetrën, ndërkohë që synim i sotëm i NATO-s është “shmangia e Gjendjes së Luftës edhe ndërmjet të tretëve”, e cenon unitetin etik dhe juridik të filozofisë së NATO-s.

Ndërkohë problemi nuk është thjesht teorik. Në takimin e parapakditshëm, Shkëlqesitë kryeministra të Greqisë dhe Shqipërisë u shprehën se “konstatojmë se midis dy vendeve nuk ka asnjë problem”, duke iu referuar për këtë Traktatit të Miqësisë Bashkëpunimit dhe Sigurisë mes Greqisë dhe Shqipërisë (21.03.1996). I lejoj vetes mendimin kryekëput të kundërt me atë të shkëlqesive të mësipërm se Ligji i Luftës (Law of War) është një problem mjaft akut.

Në rastin më të mirë ai shërben për mbulimin spekulativ me pelerinën e frikshme të luftës, të një padrejtësie ndaj shqiptarëve çamë (2); dënimit kolektiv të një popullsie në shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, çka në terma ushtarakë e riformulon tezën e Clausewitz-it “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera” në “politika është vazhdimi luftës me mjete të tjera”.

Në rastin më të keq, mosabrogimi i Ligjit të Luftës do tregonte për një rivendikim latent territorial. Duke lënë mënjanë serinë e invazioneve të para dhe pasluftës II (i fundit në gusht 1949), do rikujtoja se Traktati i Miqësisë i marsit 1996 nuk e pengoi, vetëm pak muaj pas nënshkrimit të tij, krijimin e një situate tejet eksplozive nën lumin Vjosë (i ashtuquajturi Vorioepir), ku u implikuan edhe zyrtarë të lartë, e cila u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së prerë të qeverisë dhe shtatmadhorisë turke.

I bindur në ushtrimin e autoritetit Tuaj për eliminimin e absurdit të Ligjit të Luftës mes shteteve anëtare të NATO-s dhe duke Ju falënderuar paraprakisht për përgjigjen,

 

Me respekt

Prof. Dr. Apollon Baçe, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Koalicionit Poli i Lirisë

 

________

 

(1) Përgjigjja zyrtare e MPJ të Greqisë, firmës avokatore të Selanikut, Hadjiyannakis

(2) Ligji i luftës lejon moskthimin kolektiv të pronave të kësaj popullsie, vlera e të cilave, “sipas çmimeve të tregut është 2.5 miliardë $”(International Crisis Group, Europe Report N°87; Defence Academy of the United Kingdom,Conflict Studies Research Centre, Balkans Series 07/01).

7 Komente

shume e mire kjo letra ...tani te presim pergjigjen e NATO's se nuk besoj se vonohet

Problemi nuk eshte ndermjet Shqiperise dhe Greqise,problemi eshte ndermjet shtetit Shqiptar,moralit dhe vetvleresimit te ulet qe ka ai.Grekeve po u tregove sumen te tregojne tocin,po u tregove tocin te tregojne sumen.

Dhe lerini keto quravitjet neper institucionet nderkombetare se jemi bere gazi i botes.

Më në fund një zë!

Ndërkohë, sipas teoricienit të doktrinës së luftës Carl von Clausewitz “Gjendja e Luftës është akti i forcës, i cili ka për qëllim detyrimin e kundërshtarit që t’i bindet vullnetit të palës tjetër” Fraza te tila te marra si shembull jane sipas parimit "nisesh per te vene vetlla dhe nxjerr syte" Psh si do ta argumentonte ky Bace luften ne Vietnam, sulmin ndaj  Irakut etj etj ... Ketyre citimeve u ka kaluar koha dhe nuk duhen marre si shembuj se tregon nivelin e papjekurise se "teoricieneve " tane dhe i jep ne dore "tjetrit" per te thene : - E shihni me ke kemi te bejme ? Sado lojra argumentuese qe te bejne me vone ky argument mbetet si e Bardha me te Zeze ..

O Bace

këtë letrën e ke qëndisur bukur por ke një problem të madh sepse ke gabuar njeriun që ti drejtohesh.

Holandezi Scheffer iku, vate, dolli në pension.

Mundohu ta dërgosh edhe një herë letrën o Bace duke i ndrequr adresën e njeriut që duhet të marrë. Pra atij të riut. Si e kishte emrin ai se e harrova....dicka me son....

 Peshkaqeni, verejtja juaj ishte me vend. Me duket se Apolloni duhej t'ia kishte drejtuar atij te riut nga Danimarka. 

Si keto emailat e punes, shkruan me durim 30 rreshta barcalete qe e nis per shokun e zyres ngjitur dhe ia con CEOs ne bregun tjeter se nuk merr kohen e nevojshme te zgjedhesh emrin e duher te blloku i adresave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).