Golem, rruga e re rrezikon sezonin

Punimet në aksin Plepa-Rrogozhinë e kanë vështirësuar shumë qarkullimin e automjeteve

Radhë të gjata automjetesh në superstradën Tiranë-Durrës dhe në atë Plepa-Kavajë. Fundjava ka ofruar një trafik të rënduar në zonën e plazhit, ndërkohë që punimet në rrugët kombëtare që lidhin bregdetin me qytetet kryesore në vend vështirësojnë më shumë qarkullim në këtë sezon turistik.

Drejtuesit e policisë së Durrësit e kanë ngritur shpesh shqetësimin për rrezikun që mbartin punimet në superstradë dhe akset e tjera rrugore në këtë periudhë. Numri i aksidenteve automobilistike ka qenë i ndjeshëm dhe lëvizjet në të njëjtat korsi kanë qenë shpesh shkaktare të tyre.

Temperaturat e larta të majit dhe fundjava kanë sjellë drejt plazheve të Adriatikut mijëra pushues, të cilët janë përballur me vonesat në trafik jo vetëm nga numri i madh i automjeteve, por edhe për shkak të punimeve që po kryhen për rehabilitimin e rrugëve.

Në aksin rrugor Plepa-Përroi i Agait, mjetet e rënda vazhdojnë të punojnë me intensitet për ndërtimin e një pjese të superstradës mbikalimi i Plepave-Kavajë-Rrogozhinë. Me gjithë praninë e forcave të shtuara të policisë së qarkullimit rrugor trafiku është i rënduar dhe drejtuesit e automjeteve e pasagjerët të irrituar nga rruga që zgjatet nën diellin e nxehtë dhe pluhurin e rrugës.

Ky aks i rëndësishëm rrugor pritet të përfundojë zyrtarisht më 30 qershor, por problemet e shumta që kanë dalë me zbatimin e projektit dhe pezullimet pritet të zgjasin afatin e dorëzimit duke shkaktuar një situatë aspak të këndshme përgjatë këtij sezoni turistik në rrugën kombëtare që të lidh me plazhet e Shkëmbit të Kavajës, Golemit dhe plazhet e tjera të Kavajës, por dhe bregdetin e Jugut.

Zbatimi i punimeve nxori në pah një sërë problemesh që nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të projektit. Punimet në këtë segment janë ndërprerë disa herë. Së pari, për shkak të kërkesës së Inspektoratit Hekurudhor për ndërtimin e një muri mbrojtës e mbajtës për skarpatin e shinave të trenit përgjatë të gjithë gjatësisë ku kryhen gërmime e zgjerime dhe më pas të dëmtimit që firma i bëri tubacionit të ujit që vinte nga Manskuria për zonën bregdetare.

Komuna e Golemit, gjithashtu, kundërshtoi hapur projektin që bën izolimin e Golemit të Sipërm dhe nuk parashikon mbikalime a nënkalimet e përfshira në masterplanin urbanistik të zonës, duke bllokuar hyrje-daljet në këtë komunë, vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe bllokuar integrimin e dy pjesëve të komunës, qytezës dhe bregdetit me njëra-tjetrën.

Të gjitha këto probleme kanë sjellë vonesa të theksuara në punime, të cilat do të rëndojnë mbi cilësinë e punimeve në rast se do të respektohet afati zyrtar, ose do të ndëshkojnë me vonesa të shumta qarkullimin e pushuesve gjatë këtij sezoni turistik, veçanërisht gjatë fundjavave kur numri i atyre që udhëtojnë drejt plazheve shumëfishohet ndjeshëm.
 

8 Komente

Po s'eshte e thene te behet rruga njehere tamam. Sa mbaroi Lushnje - Fier, u prish autostrada, u prish Plepa - Rrogozhine, po dhe ajo e Vlores, cope-cope... Kur te rregullohen keto, do jete prishur ndonje segment tjeter... Ketu eshte bere "Nje rregullohet, njeqind shkaterrohen"...  Dhe te gjitha shkaterrohen per "t'u rregulluar" ne pike te veres, qe te behet trafiku terkuze... Efekt zgjedhjesh, thuaj, ndaj uroj dhe shpresoj te mbarojne punimet para 28 qershorit... Te pakten, rrugen ta kemi qar...

Rruga Plepa - Kavaje -Rrogozhine s'ka qene ndonje here e rregulluar ... fjala "rehabilitim" ne kete artikull ka kuptim tjeter. Rruga po zgjerohet, po behet nga rruge kombetare ne superstrade - me korsi te ndara, kurse rruga aktuale eshte dykalimshe.

Vjet mbaj mend qe kjo rruge ishte tmerr i vertete, sepse ishte rruge e ngushte dhe shume e veshtire per parakalime, sepse rregullat e qarkullimit nuk sbatoheshin fare nga shoferet : ngaqe rruga ishte dykalimshe, qellonte qe beheshin 4 makina ne nje vije te drejte, sepse donin te gjithe te parakalonin ...

Zgjerimi i kesaj rruge, dhe kthimi i saj ne superstrade, njesoj si ajo Tirane Durres apo Rrogozhine-Lushnje-Fier, eshte nje gje shume pozitive.

Megjithese ka probleme aktualisht derisa te mbarojne punimet, perfitimet do te duken me vone, kur rruga e re te kete mbaruar

Lefty,

Nuk thote njeri pse po behet rruga. Halli eshte qe kane zgjedhur te punojne fort gjate sezonit dhe kur kthehesh nga plazhi i mbuluar me kripe e pas nje dite ne diell nuk eshte shume me vlere te enderrosh se si do jete pas 2 muajsh!

 "....Komuna e Golemit, gjithashtu, kundërshtoi hapur projektin që bën izolimin e Golemit të Sipërm dhe nuk parashikon mbikalime a nënkalimet e përfshira në masterplanin urbanistik të zonës, duke bllokuar hyrje-daljet në këtë komunë, vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe bllokuar integrimin e dy pjesëve të komunës, qytezës dhe bregdetit me njëra-tjetrën..."

Natyrisht qe do t'kundershtonte dhe me te drejte biles gjersa; 

"....Zbatimi i punimeve nxori në pah një sërë problemesh që nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të projektit...."

Isha te shtunen. Hengra te zite e ullirit. Golem - Plepa 45 minuta...

Po nejse, se kjo do kaloje, dy a tre muaj pune jane, edhe pse gjate sezonit (e kuptoj qe eshte koha me e keqe e mundshme) se nese eshte zvarritje e mundimshme ne Maj, ne Korrik do jete torture turistike...

problemi qe kam une me kete rruge eshte ai i njerezve lokale. Rruga po kthehet ne autostrade, pra e ndare me beton ne mes. Ceshtja eshte qe projekti nuk parashikon sesi do te dalin ne det ata qe ndodhen ne anen tjeter te betonit. Projekti nuk parashikon mbiklaime apo nenkalime automjetesh, ndaj hotelet qe jane nga ana e shkembit te Kavajes izolohen nga plazhi. Ke3to hotele i bie te vdesin. edhe ne rast se mbikalimet ndertohen ne nje te ardhme te pacaktuar, kjo kohe mund te jete teper e gjate per mbijetesen e tyre. E njejta gje i ndodh Golemit qe ndahet nga deti.

Bravo per asfaltinpor kjo zone e Golemit eshte tashme nje zone urbane. Per t'i sherbyer ketyre njerezve, pushesve dhe hotelerise se zones ka nevoje per rruge urbane dhe jo per autostrade e ndare. Shembull i asaj qe duhej bere eshte rruga e plazhit te durresit, me 4 korsi por me mundesi te shpeshta per te nderruar drejtim.

Ceshtja eshte qe projekti nuk parashikon sesi do te dalin ne det ata qe ndodhen ne anen tjeter te betonit. Projekti nuk parashikon mbiklaime apo nenkalime automjetesh, ndaj hotelet qe jane nga ana e shkembit te Kavajes izolohen nga plazhi.

Eshte ceshtje urbanistike, te cilen "pushtetari i panjohur" e ka injoruar per vite me radhe a thua ti se instrumenti i zonimit eshte shpikje e re, dhe... tani, kujtohet qe ajo rruge eshte edhe arterje kombetare komunikimi e cila per arsye te natyrshme nuk mund te lejoje kalime te terthorta.

Ajo pjese do te jete nje kaos i vertete, sidomos gjate veres, derisa "kush nuk ka koke, por ka kembe" te harxhoje, pra te shperdoroj parate per te bere nje rruge te dyte paralele per qarkullim kombetar dhe ajo aktualja i mbetet Durresit dhe rrethinave.

Kam besim te plote se keto ceshtje do ti zgjidhe G99 dhe fansat e saj ish-emigrante.

Kam besim se do ta zgjidhesh ti nga Amerika qe as e ke idene fare se per cfare flitet.

Problemi i perdorimit te tokes qe eshte ngushtesisht i lidhur me ate te pronave, eshte dhe do te jete nje plage e hapur ne trupin e vendit tone qe pengon dhe do te pengoje ne vend qe ta ndihmoje tendencen e natyrshme te rritjes ekonomike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).