Glover: Përplasja e qeverisë me ODIHR

Është shumë e rëndësishme që çdo qytetar që ka nevojë për një kartë identiteti ta marrë atë. Ky ishte mesazhi i lëshuar dje nga ambasadorja e misionit vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri Audrey Glover. Ajo deklaroi se kjo çështje i takon qeverisë dhe partive politike. Glover vlerësoi se kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme.

 

Zonja Glover, cili është vlerësimi juaj si kreu i misionit vëzhgues të ODIHR-it, për ecurinë e deritanishme të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri më 28 qershor?

 

Është vërtet pak si herët për ta vlerësuar këtë proces zgjedhor përgjatë progresit të tij. Misioni ynë vëzhgues ndodhet në Shqipëri që prej pothuaj tri javësh. Vëzhguesit tanë afatgjatë ndodhen në terren që prej 10 ditësh. Duhet kohë për të vlerësuar se çfarë po ndodh dhe çfarë nuk po ndodh. Jemi të kënaqur të shohim që ka një ligj të ri elektoral, për të cilin të dyja palët kanë rënë dakord. Ky ligj parashikon pajisjen e qytetarëve me karta të reja identiteti, gjë që vlerësohet nga misioni ynë si një zhvillim shumë pozitiv. ODIHR-i pati sugjeruar më parë gjetjen e mënyrave krejtësisht të besueshme për identifikimin e votuesve. Kartat e reja të identitetit dhe hartimi i listës elektronike të votuesve përbëjnë një bazë të mirë për zgjedhjet parlamentare që po afrojnë. Natyrisht është shumë e rëndësishme që çdo qytetar, i cili ka nevojë për një kartë identiteti, ta marrë atë. Fjala është për ata që nuk kanë një pasaportë. Është e qartë që kjo është një çështje e cila i takon qeverisë, por gjithashtu edhe partive politike, madje edhe vetë qytetarëve, pasi prej tyre varet nëse dëshirojnë të shkojnë dhe të marrin kartën e identitetit. Pra, përfshihen të tria palët. Duket qartë që kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme.

 


A mund të rrezikohet procesi në synimin për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shkak të kohës së pakët që ka mbetur deri në 28 qershor për pajisjen e qytetarëve me këto karta? Në raportin e ndërmjetëm të misionit tuaj të sapopublikuar vihet në dukje se deri më tani vetëm gjysma e qytetarëve që duhet të marrin kartën e identitetit e ka marrë atë, kurse gjysma tjetër jo.

 

Mendoj se ka kohë deri në zgjedhje. Natyrisht nuk është e lehtë të parashikohet se si do të shkojë procesi i pajisjes me kartat e identitetit, por mendoj se ka ende kohë që njerëzit t´i marrin ato për zgjedhjet.

 

Këto zgjedhje parlamentare, zonja ambasadore, përkojnë në kohë me aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe me të qenit tanimë vend anëtar në NATO. Këto rrethana e bëjnë imperativ zhvillimin e tyre konform gjithë standardeve ndërkombëtare, apo cilësimin e tyre "zgjedhje të lira dhe të ndershme" për progres në procesin integrues evropian. Si i shihni gjasat që më 29 qershor, në raportin paraprak të misionit tuaj ato të cilësohen "të lira dhe të ndershme"?

 

Natyrisht, jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë që këto zgjedhje do të kenë për Shqipërinë. Dhe pikërisht për këtë ne jemi duke vëzhguar me shumë kujdes se çfarë po ndodh këtu. Më duhet të shpjegoj që ne vlerësojmë zgjedhjet përkundrejt standardeve të OSBE-së për zgjedhjet, të cilat janë shprehur shumë qartë në Dokumentin e Kopenhagës. Misioni ynë ka ardhur në Shqipëri si një mision krejtësisht i paanshëm. Përqasja jonë për të vëzhguar zgjedhjet është gjithmonë e mbështetur tek faktet, është një përqasje e paanshme. Ajo që misioni ynë i vëzhguesve do të bëjë në javët e pakta që kanë mbetur deri në zgjedhje, është të mbledhë informacione, fakte dhe të vëzhgojë gjithë procesin elektoral jo vetëm në KQZ, që po bën një punë të rëndësishme, por edhe në administratën vendore të zgjedhjeve, e cila është gjithashtu shumë e rëndësishme. Do të vëzhgojmë regjistrimin e kandidatëve, gjithë fushatën elektorale, kur ajo do të fillojë, ndonëse ka pasur një lloj fillimi fushate tanimë. Sigurisht do të vëzhgojmë çështjen e kartave të identitetit dhe median. Në misionin tonë vëzhgues kemi një sektor të posaçëm për monitorimin e medias. Do ta analizojmë gjithë këtë informacion. Para ditës së zgjedhjeve, misioni ynë do të paraqesë edhe dy raporte të tjera paraprake. Informacioni i marrë do të përbëjë bazën për deklaratën paraprake në konferencën e shtypit një ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Dy muaj më pas do të paraqesim raportin përfundimtar, që do të përmbajë gjithë informacionin dhe burimin e tij. Natyrisht raporti përfundimtar do të përmbajë edhe mesazhe lidhur me procesin e zhvilluar elektoral. Kjo është mënyra sesi ODIHR-i punon. Prandaj është e pamundur që në cilindo moment vëzhgimi përgjatë procesit elektoral të thuash, sesi po shkon ky proces, sepse gjërat janë vazhdimisht në ndryshim dhe për ta thënë duhet parë e gjithë tabloja, e ndërtuar mbi fakte.

 

Në asnjë nga zgjedhjet e kaluara, qoftë parlamentare, qoftë lokale, Shqipëria nuk i plotësoi të gjitha standardet ndërkombëtare. Më falni që po këmbëngul. Çfarë shansesh shihni kësaj here?

 

Le të shpresojmë që në këto zgjedhje, me ligjin e ri elektoral do të konsolidohen arritjet në zgjedhjet e kaluara dhe... këto zgjedhje do të jenë të mira.

 

A ka ndonjë mesazh për të gjitha palët e përfshira në procesin zgjedhor në raportin e ndërmjetëm që misioni juaj sapo e ka publikuar?

 

Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe ato vetë e dinë se cila është pjesa e tyre. Qeveria, partitë politike dhe vetë qytetarët që do të votojnë, duhet të sigurojnë që këto zgjedhje të jenë të mira.

 

Kanë kaluar 13 vjet nga zgjedhjet lokale të vitit 1996, ku ju drejtonit misionin vëzhgues të ODIHR-it në zgjedhjet e atij viti. Cilat janë ndryshimet që mund të vini re tani në raport me atë vit lidhur me performancën e partive politike, atmosferën, shoqërinë...?

 

Nuk kam qenë në Shqipëri në vitin 1996, kam qenë drejtore e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR-it me seli në Varshavë. Është shumë vështirë, siç thashë pak më parë, të vlerësosh në këtë fazë se si do të shkojë procesi elektoral. Por ajo që mund të them tani, është se ka pasur shumë ndryshime pozitive që nga 1996. Nëse do të lexoni raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe atë për zgjedhjet lokale të vitit 2007, do të shihni që nga vëzhgimi i tyre rezulton se një numër i madh i standardeve të OSBE-së për zgjedhjet u arritën. Në ato zgjedhje qenë shqetësuese përpjekjet e partive politike për fitore afatshkurtra në raport me ecurinë e tyre politike në përgjithësi. Por në të dyja ato zgjedhje pati shumë aspekte pozitive. Ligji i ri elektoral është tepër pozitiv dhe pasqyron disa nga rekomandimet që ODIHR-i bëri në të kaluarën. Shpresojmë që zgjedhjet do të shkojnë mirë.

 

A dëshironi të shtoni diçka tjetër zonja ambasadore?

 

Jemi të kënaqur që jemi këtu. Gjithë misioni po punon shumë mirë. Kemi marrëdhënie shumë të mira pune me autoritetet e këtushme. Vëzhguesit afatgjatë janë në terren dhe prodhojnë raporte për misionin tonë. Kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar në ditën e votimit. Por kjo varet nga shtetet pjesëmarrëse, nëse do t‘i dërgojnë apo jo. Shpresojmë të kemi një numër të madh vëzhguesish afatshkurtër, kemi rekrutuar të tillë vëzhgues nga ambasadat e ndryshme në Tiranë. Do të kemi shumë njerëz në ditën e votimit, që do të mbulojnë gjithë vendin dhe do të bëjnë të mundur të hartojmë si përherë një raport të paanshëm. Le t‘i lemë faktet të flasin. Ne vijmë këtu krejtësisht të paanshëm, pa ide, paragjykime dhe gjykime të mëparshme. Në përfundim të zgjedhjeve do të hartojmë një raport të mbështetur në fakte, duke i vlerësuar këto zgjedhje në bazë të plotësimit të standardeve të OSBE-së.

5 Komente

goxha ters filloi ky mision

"Glover: Perplasja e qeverise me ODIHR"

A ka ndonje pjese te intervistes te pabotuar qe te lexojme ate qe paska thene Glover ne titull, dmth ku shpjegohen perplasjet Qeveri vs ODIHR?

Ne rastim me te mire ky titull quhet "misleading" ose keqkuptim. Ne rastin me te keq quhet pa-aftesi ose po te doni pa-fytyresi gazetareske, qe ve ne gojen e te intervistuarit fjale qe s'i ka thene.

Edhe tani mos dilni te justifikoni gazetarin/ren qe ka vene ate titull per shkak te mos aprovimit te qeveriut te Znj. Glover ne krye te misionit vezhgues te zgjedhjeve.

Gazetari duhte te paraqese me perpikeri ate cfare Zonja tha ne interviste, jo ate cfare gazetari/ja deshiront te degjonte.

Gazetari mistrece...

Nuk e justifikon gazetarin njeri. Eshte njesoj si te justifikosh Zerin e Popullit pse vuri ate titull. Gazeta Shqip dihet qe eshte gazete partiake bashke me Shekullin e atij qe ben ate emisionin Si te behesh milioner brenda nates (me suportin e kryebashkiakut).

vallaj, kto socialistet jane shume te besushem kur komentojne te huajt. Me degju kto, gjithe Europa dhe Amerika jane shume te trondit nga cdo gjo qe ndodh cdo ore e minute ne Shqipri.

Duket qartë që kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme.

hajde merre vesh nese ka thene qe procesi tashme eshte i kontestueshem apo qe opozita po e konteston procesin qe tani.

Nese eshte interpretimi i pare, atehere nuk eshte gje e vogel.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).