Gjumë i trazuar

Përsiatje

Mëngjeset e verës që po afrohet tinëzare zgjohen në Tiranë si prej një gjumi të thellë e të trishtuar, pastaj përhapen ngadalë në të gjithë Shqipërinë, të hollë dhe të brishtë si një petë e tollur imët nga duar të padukshme. Dielli ngrihet der në mes të qiellit tonë lokal për të hedhur flakët mbi rrugët e kryeqytetit, për t'i bërë këto që të ekzistojnë vërtetë nën këmbët tona. Njerëzia bredh në këtë realitet të mbyllur, ndalon, fjaloset, pyet, merr gënjeshtra për përgjigje, pyetet, gënjen, dhe Qershori i zgjedhjeve afron i sigurtë si menopauza për femrat e bukura. Ndjesia se e nesërmja do të jetë replikë e së djeshmes më helmon qysh me rrufitjen e parë të kafesë.

Kafexhiu im strabik buzëqesh gjithësesi si pëllumb nën një pullaz. E shoqja pas banakut pret një fëmijë, është në muajin e gjashtë. Në tavolinën përbri kësaj ku e pi kafenë unë dikush ka harruar një gazetë që jepet falas. Që andej shtypi ditor shpërhapet në tavolinë, gërmat shndërrohen në koloni milingonash, dhe mbeten vetëm fletët gri të letrës, si një meit i shtrirë mbi tavolinë. "Mbi tetëmij të prekur nga gripi i derrave" shpall një titull në cepin poshtë. Me siguri mijra shqiptarëve që e kanë lexuar këtë lajm u ka sëmbuar në shpirt, "Sa keq o Zot!" do kenë thënë duke hequr në zemër. Gati, gati dëfrehem hidhur me dijeninë se kjo ishte një dhimbje e pasinqertë. As mua, as ndonjërit që njoh nuk na del koha tu qëndrojmë besnikë këtyre emocioneve sado modeste për të infektuarit me gripin e derrave, për viktimat e ndonjë tërmeti a përmbytjeje që ngjet gjëkundi. Ne jemi të gjithë hermetikisht të mbyllur në këtë furrën tonë elektorale, presim vetëm të piqemi.

Kështu marrinash mendoj me vete ndërsa nis ditën. Mendoj për atë që dua që mëngjeset e mia të jenë, që nuk janë tani. Për gjërat që dua të shoh të ndodhin që nuk po ndodhin e nuk ka gjasa të shfaqen vetëvetiu përpos një ndërhyrjeje gati gati hyjnore që vjen t'ia presë kokën këtij realiteti zvarranik, me kurrizin e nxehtë dhe barkun e ftohtë si hëna në qiellin e dimërt. Në televizor shoh portretin e një politikani të njohur, në sytë e tij dallohet një shkëlqim prej bishe. Është ritransmetimi i një programi të mbrëmies, që në dritën e diellit shpërfillës më duket kriminal. Në  stomak më gatuhet një ndjesi e pakëndshme, ma shpif ky realitet fractal, këto energji të çuara dëm. Këto biseda politike tavolinash e kryqëzimesh, të përdhunuara rregullisht, politikisht.

Më shfaqet imazhi i kryetarit të Partisë së vdekjes që tund gishtin nga një foltore. Ka dalë në fushtatë. Ç'absurditet njerëzit që kanë mbushur sallën! Ata nuk ekzistojnë vërtetë, nuk ka sesi. "U shofshi!" - thoshte gjyshja ime. "U shofshi, u shofshi...", përsëris derisa fjala humb çdo kuptim e kthehet në një tingull të ngurtë disfate ofenduese. Trotuarët e ndjejnë se deri në fund të qeshorit do të mbesin peng të një fushate elektorale marifetxheshë dhe hileqare, ndaj janë shtrirë, të dorëzuar para ndjesisë monotone të së përditshmes. Kafenetë e Tiranës, të mplakura nga zagushia e paftuar e Majit qelben nga premtimet më banale. E kjo ndjenjë ndyrësie del prej tyre e zvarritet me shpejtësi në kafene të tjera periferike, mandej shkon provincave, kudo në Shqipëri dhe kësisoj fushata fryhet e fryhet, e rrumbullakët, e plotë dhe e majme, me buzët e lyer si një prostitutë e moshuar.

Mendoj për Majin e 2009-ës që ekziston vetëm për t'i shtruar rrugën Qershorit. Mahnitem për pritjen tonë kokëfortë për të ardhmen që vonohet.  E megjithatë njerëzit po e presin. E presin në rrugët, në odat e tyre të ndotura me debate televizive, e presin duke ndenjur kot, duke punuar tokën, duke u krruajtur e duke bërë dashuri. Shqiptarët, që meritojnë gjithçka dhe s'kanë asgjë, dhe ata që s'meritojnë asgjë por rrëmbejnë gjihtçka. Ankthi parazgjedhor do vijë e do forcohet si një shpim i fortë në kërthizë, por është një ankth i mirë që vjen erën e djersës së gjumit, ankth pa kokë e pa bisht, por që mbaron gjithësesi më 28 Qershor. Dehem kur imagjinoj ata sytë e çmendur që pashë në televizor, ata besojnë se ditën e parë sollën shiun, të dytën i dhanë tokës leje të lulëzojë, të tretën prunë dallëndyshet e gjithëfarë zogjsh, të katërtën na bekuan fëmijët - "Mami je e madhe", të pestën frynë jetë në flegrat tona, të gjashtën na zbuluan se ishin Zota, të shtatën u rrëzuan në atë kraterin si gojë e madhe e shqyer në mesditë.

Shqipëria po ndryshon. Sigurisht! Fëmija në barkun e zonjës së kafexhiut po rritet, por kjo nuk është merita ime, as e kafexhiut, por ai nuk e di. Në timon, kur kaloj Mulletin vë re se rrethohem nga pranvera më e bukur në botë, dimri ka qënë i shirave, toka është ngopur me ujë e tani shpërthen me këtë rrezatim të gjelbërt. Dehem kur imagjinoj ata sytë e gjelbërt, të heshtur të një babai që ka varrosur të birin nën rrudhat e fytyrës së tij. Ka një vështrim të mbushur me dhimbje fisnike që më bën të dridhem nga krenaria. Ndryshim! Ndryshimi nis me mornicat mbi lëkurën e bardhë të fëmijës ende në bark. Dielli vendos të bëjë një rrotullim tjetër qark tokës, fshihet pas Dajtit, lind në perëndim. Në bulevardin kryesor ndërtesat varen kokëposhtë, dhe më shkaktojnë një shpresë mizore.

13 Komente

pesa parë është e imja Blend.

ps: kët nuk e kapa fort mirë.

Shqipëria po ndryshon. Sigurisht! Fëmija në barkun e zonjës së kafexhiut po rritet, por kjo nuk është merita ime, as e kafexhiut, por ai nuk e di.

gjshtë muaj më parë kafexhiu ishte në kurbet ?

rrofsh, rrofsh blend. për nji moment mendova se mos je influencuar nga këto teoritë post moderne si meteorosexuale e tërci e vërci që mohojnë madje dhe rolin e mashkullit në krijimin e kalamajve smiley

gruaja/poplli.

kafexhiu&ti - sula& zanfi.

pjellore metaforat që dalin nga Shqipi Blendo. smiley

Kapelen ET-së që e kapi.

 

Po i thona kshu per ty e ate tjetrin, qe t'mos na e TM koken te mobilizuarit per shtetrrethim knej.

".... Shqiptarët, që meritojnë gjithçka dhe s'kanë asgjë, dhe ata që s'meritojnë asgjë por rrëmbejnë gjihtçka..."

Shprehje e sakte dhe e madherishme. Pershkrimi me pelqeu.  

Blend, shume e bukur! Nje nga shkrimet me te bukur qe kam lexuar nga dora jote. Packa, se prape dalloj trishtimin dhe mungesen e shpreses tek e nesermja. A thua kthimi permbys i gjithckaje mund ta sjelle ndryshimin qe presim te gjithe? Tashme, jam shume skeptike per cdo gje qe ndodh ne kete vend.

Dicka te vogel: Struktura e fjalise se meposhtme, nuk eshte shqip, duket sikur e ke shkruar anglisht.

"Mendoj për atë që dua që mëngjeset e mia të jenë, që nuk janë tani."

Kurse fjalia me poshte, me kujtoi dike te PD-se, jo kryeministrin, por nje tjeter, Xhaferri me duket se e ka mbiemrin, dhe te them te drejten, kur e kam pare ne nje debat tek fliste si nder ethe, krejt i cartur, me llahtarisi.

Në televizor shoh portretin e një politikani të njohur, në sytë e tij dallohet një shkëlqim prej bishe

 

Më shfaqet imazhi i kryetarit të Partisë së vdekjes që tund gishtin nga një foltore. Ka dalë në fushtatë. Ç'absurditet njerëzit që kanë mbushur sallën! Ata nuk ekzistojnë vërtetë, nuk ka sesi.

Rrofsh se me lexove mendimin.

 

 

Kunderparrulle:

PËRSIATJE f.

  • 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve PËRSIAT, PËRSIATEM. Përsiatja e punës

  • 2. Të menduarit thellë, rrahja mirë me mend e gjërave për të gjetur shkaqet e arsyet e diçkaje, për të zbuluar të vërtetën, për t'i dhënë përgjigje një pyetjeje a një mëdyshjeje etj. Përsiatjet e poetit. Përsiatjet mbi natyrën (mbi jetën e njeriut).

 Shume i bukur pershkrimi Blendi. Nuk di nese e ke lexuar gazetarine e Nonda Bulkes. Kane qene nja kater vellime te permbledhura ne kohen e Dulles. Do te ta rekomandoja te lexoje nese nuk ke pasur rast. Keni shume gjera te perbashketa, kuptohet Nonda eshte pak me i madh smiley po jam i sigurte qe do te te vije pas shijes.

Shume falemindrit qe e keni vleresuar. Aida je shume e sjellshme.

Peshk, kam lexuar shume pak nga Nonda Bulka, nje permbledhje te vjeter qe e gjeta ne biblioteke rastesisht dhe me terhoqi ngaqe vuante nje zverdhje luksoze. Patjeter do ta marr keshillen tende.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).