Gjuha që vret shqiptarët

Gjuha që vret shqiptarët
Arben Rrozhani | 05/05/2009 | Komente | 0 KOMENTE | SHARE | - +

Në harkun kohor të 11 viteve, Fatmir Xhindi është deputeti i dytë i vrarë në Shqipëri. Prej shtatorit 1998, kur u vra në atentat deputeti i PD-së, Azem Hajdari, shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë për Shqipërinë.

Ajo është më e afruar me pjesën tjetër të civilizuar të Europës, shqiptarët janë më të integruar me botën, fryma reformatore, me shumë dhimbje po mundohet të zërë rrënjë. Por, shumë pak ka ndryshuar gjuha që përcjell politika tek ta dhe ata që vëzhgojnë përparimet e vendit problematik.

Ndërsa qytetarët po investojnë gjithçka të tyren për të qenë realisht europianët e qytetëruar, që nesër shpresojnë të jenë pjesë e Europës, një pjesë e politikës, me mentalitetin e saj tribal dhe gjuhën vrastare, ka mbetur po ajo, duke mbetur jo vetëm atavizmi më i rrezikshëm për vendin, por edhe kërcënimi kryesor për të ardhmen.

Nuk është e rastësishme që, kushti më kryesor që i rivihet qeverisë së Tiranës, është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, të qeta dhe demokratike. Nuk është e rastësishme që eurokomisari për zgjerimin, Olli Rehn, duhet të shtojë pas këtyre kushteve edhe gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve që i morën jetën një ligjvënësi në Shqipëri.

Ky është një mesazh totalisht për atë që ka qeverinë, Partinë Demokratike në pushtet, e cila për fat të keq, në retorikën politike, shumë pak ka ndryshuar në këto vitet e rikthimit në pozitë nga vitet e dhunshme që kaloi në opozitë.

Dhe jo rastësisht, perceptimi i publikut pas aktit barbar të së shtunës mbrëma, është se po t'i kish ndodhur PD-së kjo që i ndodhi PS-së, turma do të shkonte sërish me arkivol për të sulmuar institucionet, siç veproi 11 vite më parë.

Afërmendsh, PD-së dhe qeverisë së saj nuk i interesonte kjo vrasje e rëndë dy muaj para ditës së votimeve për zgjedhjet parlamentare, sepse ajo veç humb pikë para publikut që do ta votojë më 28 qershor.

Por, kjo shumicë, megjithëse ka patur pushtetin prej shtatorit 2005, shumë pak ka ndryshuar nga koha ku i vriteshin në prita deputetët dhe nuk ka nxjerrë mësime për ta mbjellë frymën e paqes politike në vend.

Edhe pse nuk ka patur asnjë shtysë nga reagimi i kundërshtarëve politikë në opozitë, (të cilët jo vetëm kanë "qeverisur" opozitën më të heshtur dhe më pa gjak në historinë e pluralizmit 18-vjeçar), por me reagimin e tyre të përulur deri në kufijtë e gandizmit, kanë ngjallur edhe reagimin mosaprovues të simpatizantëve të së majtës.

Në legjislaturën e fundit që nuk arriti të mbyllë deputeti i ndjerë Xhindi, shqiptarët panë një shumicë agresive, që qenien në pushtet e përdori për të agravuar fjalorin politik dhe për ta bërë të pamundur etikën në komunikim.

Nga foltorja e spikeres së Kuvendit u lëshuan kërcënime verbale ndaj deputetëve të opozitës, sikur ata të mos ishin të zgjedhurit nga populli, por kriminelë ordinerë, që duheshin "qit për zhelesh përjasht".

Nga paneli i qeverisë, Kryeministri që erdhi me sloganin "Koha për ndryshim", dhunoi verbalisht deputetët e opozitës, do t'ua bënte fytyrat si shollë këpucësh, dhe i denigronte familjarët e tyre me fjalë që nuk t'i zë goja.

Në mbledhje qeverie, mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, apo konferenca shtypi, kemi parë një shef qeverie që denigron përfaqësues të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë dhe përfaqësues të medias. Nëpër mitingje i kemi parë tok të zgërdhihen dhe të sulmojnë me fjalorin e rrugës.

Kjo histeri vrastare politike nuk ndaloi as dje. Vetëm pak orë pas vrasjes së një deputeti, dëshmitarë të dhunës verbale që mbjellin mitingjet e Kryeministrit ishin nxënësit e Vlorës, të privuar, për më tepër, nga mësimi.

Me "stilin" e saj të përdhunimit verbal, kjo shumicë në pushtet ka futur në amulli edhe organet e specializuara, që duhet të jenë vetmet që duhet të thonë fjalët e ekspertizës dhe të hetimit të thellë dhe të paanshëm, për të mos lënë shteg për hamendje dhe abuzime.

Janë ata përfaqësues të drejtësisë që kanë në duar dosjet më korruptive të qeverisë në largim dhe që prej muajsh janë nën presion të vazhdueshëm verbal dhe psikologjik, ato që duhet të japin për publikun përgjigje edhe për shumë akte të rënda që kanë ndodhur vitet e fundit, apo muajt e fundit, siç ishte atentati ndaj një anëtari të Gjykatës së Lartë dhe kushedi kur do të kemi një version zyrtar dhe të besueshëm për marrjen e jetës së një deputeti, çka është treguesi më i rëndë për mungesën e sigurisë në vend, përgjegjëse për të cilën është ekskluzivisht qeveria.
 

2 Komente

"Kjo histeri vrastare politike nuk ndaloi as dje. Vetëm pak orë pas vrasjes së një deputeti, dëshmitarë të dhunës verbale që mbjellin mitingjet e Kryeministrit ishin nxënësit e Vlorës..."

Koth, c'u ka thene ne Vlore nxenesve Mavria? Aman te keqen na ndrico ti se ky gazetari vec sa na trubulloi qe s'na e jep lajmin te plote.

Midis nesh Koth, po pergatis nje permbledhje me "qyfyret" e atyre qe na drejtojne, ku padyshim vendin e nderit a ka "Agron Llaku" smiley

Por me paska shpetuar kjo e Vlores dje. Madje as TCH nuk dha gje...

Te lutem Koth, se ti me dukesh me i mireinformuari nga gjithe peshqit!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).